Pasi bijtë e Izraelit kaluan detin së bashku me Musain (a.s.), gjatë rrugës rastisën në një popull që adhuronte statuja me kokë lope. Për këtë arsye, ata i thanë Musait (a.s.):

“Na bëj edhe ti një zot të tillë që ta adhurojmë!”

Ndërsa Musai (a.s.), i këshilloi dhe ua bëri të qartë se, ky lloj adhurimi ishte idhujtari dhe shirk[1] ndaj Allahut të Madhëruar. Për rrjedhojë, ata u penduan dhe kërkuan falje.

Mirëpo, kur Musai (a.s.), shkoi në malin Tur-i Sina dhe la si zëvendës vëllain e vet, Harunin (a.s.), një person mosmirënjohës prej hebrenjve, i quajtur Samir, i cili e fshihte mosbesimin e vet ndaj Musait (a.s.), përfitoi nga mungesa e Musait (a.s.) dhe duke mbledhur flori prej popullit, bëri një viç  të artë dhe u tha njerëzve:

“Ky është Zoti i Musait, por ai e ka harruar Zotin e tij!

Më pas, kërkoi që populli ta adhuronte atë statujë. Samiri ishte mjeshtër. Ai e kishte bërë viçin me një mjeshtëri të tillë, saqë kur era frynte në brendësi të viçit, ai pëlliste si i gjallë. Këtë e kishte bërë me anë të vrimave të hapura në vende të posaçme, gjë e cila realizonte prodhimin e tingujve të ndryshëm. Samiri, duke e shfrytëzuar këtë veçori të statujës, u thoshte njerëzve:

“Shikoni, Zoti juaj po bisedon me ju!”

Në këtë mënyrë, duke ua mbushur mendjen se viçi ishte zot, Samiri i largoi prej feje një pjesë të beni Izrailëve. Megjithëse Haruni (a.s.), u përpoq mjaft t’i këshillonte dhe paralajmëronte, ata nuk e dëgjuan:

“Ndërkohë, Haruni u kishte thënë atyre qysh më parë: «O populli im! Kjo është vetëm një provë për ju! Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ndiqmëni mua dhe dëgjoni urdhrin tim!»

Ata u përgjigjën: «Ne do t’i lutemi atij, derisa të na kthehet Musai».” (Ta-Ha, 90-91)

(Allahu) tha: «Ne e vumë në provë popullin tënd gjatë mungesës tënde, e Samiri i nxori ata nga rruga e drejtë».” (Ta-Ha, 85)

“Populli i Musait, pas largimit të tij, filloi të adhurojë një viç të bërë nga stolisjet e tyre të arta. Ai kishte një zë si të lopës. A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?! Ata e zgjodhën këtë viç për adhurim dhe u bënë keqbërës.” (A’raf, 148)

“Kur Musai u kthye te populli i tij, i zemëruar dhe i pikëlluar, thirri: «Shumë e keqe është ajo që keni bërë pas ikjes sime! A mos vallë donit të shpejtonit ndëshkimin e Zotit tuaj?» Pastaj i hodhi pllakat dhe, duke e kapur vëllain për koke, e tërhoqi drejt vetes. Haruni i tha: «O djali i nënës sime! Në të vërtetë, këta njerëz më quajtën për të dobët dhe gati më mbytën. Mos më turpëro para armiqve dhe mos më llogarit ndër keqbërësit!»” (A’raf, 150)

(Musai) tha: «O Harun, ç’të pengoi ty, kur i pe ata se kishin humbur, që të vije tek unë?! A mos e kundërshtove urdhrin tim?»

(Haruni) tha: «O biri i nënës sime, mos më kap për mjekre e as për koke! Unë kisha frikë se do të thoshe: Ke mbjellë përçarje midis bijve të Izraelit e nuk i ke mbajtur porositë e mia».” (Ta-Ha, 92-94)

Musai me Harunin (alejhimeselam), ishin vëllezër të një babe dhe të një nëne. Megjithatë, shkaku që Haruni (a.s.), i thotë “o bir i nënës sime!”, është për t’i kujtuar Musait (a.s.), të tregohet i mëshirshëm. Kjo, sepse nëna është më e mëshirshme, se babai dhe vëllai. Në të njëjtën kohë, nëna e tyre, ishte një grua e mirë, që i kishte besuar Allahut dhe kishte fituar respektin e bijve të vet!

“Musai u lut: «O Zot! Më fal mua dhe vëllain tim dhe na prano në mëshirën Tënde! Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve».” (A’raf, 151)

“Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Tha: «O populli im, vallë, a nuk ju dha Zoti juaj një premtim të mirë? A mos ju duk e gjatë koha (e përmbushjes së premtimit) apo dëshironi që t’ju godasë zemërimi i Zotit tuaj?! Prandaj nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë?!»

Ata u përgjigjën: «Ne nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë me vullnetin tonë, por ishim të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), andaj i hodhëm ato (në zjarr për t’u lehtësuar). Po kështu i hodhi edhe Samiri dhe nga këto ai bëri një trup viçi që pëlliste. Atëherë tha: «Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait. Ai (Musai) ka harruar (t’ju tregojë për të)!»” (Ta-Ha, 86-88)

Për shkak të kësaj vepre të shëmtuar që bënë, Musai (a.s.), u kërkoi të pendohen. Por, ai ua bëri të qartë se, falja e tyre, varej nga pendimi i madh që do të bënin ose nga pranimi me dëshirë i dënimit me vdekje. Ndërsa ata thanë:

“Do të durojmë” Dhe filluan të prisnin gjykimin.

“Kur ai (Musai) i tha popullit të vet: «O populli im, ju vetëm vetes i bëtë keq, kur e adhuruat viçin si zot! Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi juaj dhe vritni njëri-tjetrin! Kjo është më mirë për ju në sy të Krijuesit tuaj. Ai jua fali gabimin, sepse Ai i pranon shumë pendimet dhe është Mëshirëploti»” (Bekare, 54)

Ata që do të kryenin ekzekutimet, rrinin gati me thika në duar mbi kokën e atyre që do të ekzekutoheshin. Për çdo njeri që kishte adhuruar idhullin, ishte caktuar një ekzekutues. Mes dy palëve kishte edhe prej atyre që ishin të afërm!

“Por, kur u penduan dhe e kuptuan se kishin hyrë në rrugë të gabuar, ata thanë: «Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal, me të vërtetë, do të jemi të humbur!»” (A’raf, 149)

Pas kësaj, Musai dhe  Haruni (alejhimeselam), si njerëz të butë e të mëshirshëm që ishin, filluan të qanin dhe u lutën. Më pas, zbriti ky ajet, ku thuhet se pendimi i tyre u pranua:

Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija e pastaj pendohen dhe bëhen besimtarë, ta dinë se pas kësaj, Zoti yt është vërtet Falës e Mëshirëplotë.” (A’raf, 153)

Allahu i Madhëruar, urdhëroi:

“Pastaj Ne ju falëm, që të bëheni mirënjohës.” (Bekare, 52)

Më pas, Musai (a.s.), iu kthye Samirit:

(Musai) tha: «Si është puna jote, o Samiri?»

(Samiri) u përgjigj: «Unë pashë atë, që ata nuk e panë. Mora një grusht nga gjurmët e të Dërguarit dhe atë e hodha mbi viçin dhe kështu më nxiti vetja (e keqja) ime!» (Ta-Ha, 95-96)

Sipas komentuesve, i dërguari që përveç Samirit nuk e kishte parë askush tjetër dhe prej gjurmës së të cilit ai kishte marrë një grusht dhé, ishte Xhebraili (a.s.), që kishte ardhur tek Musai (a.s.). Samiri kishte parë se vendi ku shkelte kali i tij, gjelbëronte. Prandaj, kishte marrë një grusht nga dheu i gjurmës dhe e kishte hedhur në zjarr.

(Musai) tha:«Atëherë ik! Tërë jetën do të të duhet të thuash: ‘Mos më prekni’. Por të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet. Shikoje zotin tënd që ti e ke adhuruar vazhdimisht: Ne do ta djegim e pastaj do ta hedhim në det hirin e tij.»” (Ta-Ha, 97)

Sipas një transmetimi, pas mallkimit të Musait (a.s.), që tregohet në ajetin e mësipërm, Samirin e kapi një sëmundje e rëndë ngjitëse, për shkak të së cilës mbeti i detyruar të jetojë larg njerëzve gjatë gjithë jetës.

“Ata që zgjodhën viçin për zot të vetin, do t’i zërë zemërimi i Zotit të tyre dhe poshtërimi në këtë jetë. Kështu i ndëshkojmë Ne ata që shpifin.” (A’raf, 152)

*

“Kur Musait i kaloi zemërimi, i mori Pllakat, në të cilat ishin shënuar udhëzimet për rrugën e drejtë dhe mëshira për ata që i frikësohen Zotit të tyre.” (A’raf, 154)

Allahu i Madhëruar, kërkoi nga Musai (a.s.), që të zgjidhte shtatëdhjetë persona prej atyre që u penduan për gjynahun e adhurimit të viçit, si përfaqësues të popullit të tyre, për të bërë një pendesë masive para Allahut.

Musai (a.s.), në zbatim të urdhrit hyjnor, mori shtatëdhjetë vetë dhe shkoi në malin Tur. Mirëpo, kur arritën atje, këta njerëz mosmirënjohës, guxuan të kërkonin të shikonin Allahun. Për rrjedhojë, Allahu i goditi me tërmet e rrufe dhe ata ranë në tokë të vdekur. Pas kësaj Musai (a.s.), filloi t’i lutet e përgjërohet Allahut të Madhëruar, i Cili i ringjalli përsëri një nga një. Në Kuranin Fisnik, urdhërohet:

“Kujtoni kur i thatë Musait: «O Musa! Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!». Atëherë një rrufe ju goditi, ndërsa ishit duke parë. Pas vdekjes suaj, Ne ju ringjallëm, që të bëheni falënderues.” (Bekare, 55-56)

“Më pas Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë burra, për takimin Tonë. Kur i goditi tërmeti, ai tha: “O Zoti im! Sikur të doje Ti, do t’i zhdukje ata dhe mua që më përpara. Por, a do të na shkatërroje për atë që bënë disa mendjelehtë mes nesh?! Ajo ishte veç një sprovë e urdhëruar prej Teje, për të shpënë në humbje atë që Ti do dhe për të udhëzuar atë që Ti dëshiron. Ti je Mbrojtësi ynë, andaj falna dhe mëshirona! Ti je më i Miri i mëshiruesve!” (A’raf, 155)

Për një farë kohe, bijtë e Izraelit jetuan të qetë në rrugë të drejtë. Më pas filluan të harbohen përsëri. Ata i thanë Musait (a.s.), se urdhrat e Teuratit ishin të rënda dhe se ata e kishin të vështirë t’i zbatonin. Ata e harruan fjalën që dhanë kur u penduan. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar, ngriti mbi kokat e tyre malin Tur-i Sina, duke e mbajtur pezull në ajër si një mrekulli e qartë. Ata u tmerruan shumë dhe ranë menjëherë në sexhde, duke pritur se kur po bie mali mbi ta.

“Kujtoni (o hebrenj) kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin Tur, duke thënë: «Merreni seriozisht atë që ju dhamë dhe mbani në mendje rregullat e saj, në mënyrë që të ruheni nga gjynahet!» Por më pas, ju i kthyet shpinën (besëlidhjes) dhe, sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, do të ishit të humbur.” (Bekare, 63-64)

Pavarësisht gjithë këtyre, bijtë e Izraelit vazhduan me kryeneçësinë e tyre. Ndërsa ata që  i kaluan kufijtë, pësuan dënimin hyjnor.

“Sigurisht që ju keni dëgjuar për ata prej jush që shkelën Sabatin dhe të cilëve Ne u thamë: «Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!». Këtë dënim e bëmë paralajmërim për bashkëkohësit dhe për brezat e tyre pasardhës, si dhe këshillë për ata që i frikësohen Allahut.” (Bekare, 65-66)

Allahu i Madhëruar, hebrenjtë që ngulnin këmbë me vetëdije në punët e këqija, në fillim i shndërroi në majmunë, pastaj i asgjësoi. Kjo ndodhi, nuk ka lidhje me pretendimin se njeriu e ka origjinën nga majmuni. Njerëzit që u kthyen në majmunë, nuk jetuan gjatë, por vdiqën pas një kohe të shkurtër. Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i kanë shtrembëruar fjalët e Shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla. Ti (Muhamed) përherë do ta vëresh tradhtinë e tyre, përveç një pakice të tyre; pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit.” (Ma’ide, 13)

Atë kohë, Teurati ishte vetëm një ekzemplar dhe askush nuk e dinte të tërin përmendësh. Kur bijtë e Izraelit ranë robër të babilonasve, ekzemplari i vetëm i Teuratit humbi. Pas shumë vitesh, kur bijtë e Izraelit shpëtuan nga robëria, e rishkruan Teuratin me aq sa mbanin mend. Teurati i sotëm, përbëhet nga pjesët e rishkruara dhe nga jetëshkrimi i Musait (a.s.).

 

[1] – Shirk: Në terminologjinë Islame, nënkupton adhurimin e dikujt tjetër në vend të Allahut, ose të dikujt tjetër së bashku me Allahun, duke i bërë ortak ose shok Allahut në adhurim.

Share.

Leave A Reply