Isai (a.s.), dërgoi dy prej hauarive të tij në zonën e Antiokës[1]. Ata i ftuan njerëzit të hiqnin dorë prej idhujtarisë e të besonin Zotin. Por atje, ishte një sundimtar idhujtar, i cili i kapi hauaritë dhe i burgosi. Atëherë, Isai (a.s.), dërgoi atje Shemunin, që ishte edhe kryetari i hauarive.

Në fillim, Shemuni krijoi afërsi me mbretin. Pasi e forcoi si duhet ndikimin e tij mbi mbretin dhe rrethin e tij, Shemuni i ftoi në besim duke u folur me një gjuhë të bukur. Mbreti dhe rrethi i tij, të kënaqur me këtë ftesë, e pranuan besimin e vërtetë. Mirëpo, populli i kundërshtoi dhe nuk besoi.

Një person i quajtur Habibi Nexhar, kur dëgjoi për kundërshtimin e popullit, u nis nga shtëpia që e kishte larg qytetit dhe erdhi u fut mes njerëzve të cilëve u tha se u besonte thënieve të atyre të dërguarve dhe i ftoi edhe ata të besonin. Por populli i paditur, jo vetëm që nuk e dëgjuan, por të zemëruar, e vranë aty në vend.

Kjo ngjarje, në Kuran tregohet kështu:

“Përmendu atyre shembullin e banorëve të qytetit, kur u erdhën të dërguarit. Ne u dërguam atyre dy vetë, që ata i quajtën gënjeshtarë. Pastaj i përforcuam të dërguarit me një të tretë e ata thanë:

«Ne, me të vërtetë, jemi dërguar te ju!» Banorët u thanë:

«Ju jeni vetëm njerëz si ne, e i Gjithëmëshirshmi nuk ju ka shpallur asgjë; ju vetëm gënjeni.» Ata u përgjigjën:

«Zoti ynë e di që ne jemi vërtet të dërguar te ju dhe kemi detyrë vetëm që të shpallim qartë.» Banorët thanë:

«Ne parandiejmë fatkeqësi nga ju. Nëse nuk tërhiqeni, do t’ju gurëzojmë dhe me siguri do t’ju godasë një dënim i dhembshëm prej nesh.» Ata u përgjigjën:

«Fatkeqësia, që ju ndollët, mund të vijë vetëm nga vetja juaj. Vallë, për shkak se po ju këshillojmë, na kërcënoni?! Ju jeni popull që kaloni çdo lloj kufiri.»

Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar dhe tha:

«O populli im, ndiqni të dërguarit! Ndiqni ata, që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi e që janë në rrugë të drejtë!»” (Jasin, 13-21)

Për shkak të kësaj këshille, populli iu kthye njeriut dhe i tha:

“A edhe ti qenke prej fesë së tyre?”. Pas kësaj njeriu u tha:

“Përse të mos e adhuroj Atë, i Cili më ka krijuar e tek i Cili do të ktheheni të gjithë? Vallë, përse duhet të adhuroj zota të tjerë përveç Tij? Nëse i Gjithëmëshirshmi do të dëshironte të më godiste me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i atyre (zotave) nuk do të më sillte kurrfarë dobie e as që do të mund të më shpëtonin. Atëherë, unë do të isha me siguri në humbje të dukshme. Unë i kam besuar Zotit tuaj, andaj, më dëgjoni!” (Jasin, 22-25)

Mirëpo, njerëzit e tërbuar e të paditur, nuk ia dëgjuan fjalën njeriut, përkundrazi, e gjuajtën atë me gurë. Në momentet e fundit, para se të jepte shpirt, Habibi Nexharit iu tha:

قِيلَ ادْخُلِ الْجَنَّةَ ۖ قَالَ يَا لَيْتَ قَوْمِي يَعْلَمُونَ بِمَا غَفَرَ لِي رَبِّي وَجَعَلَنِي مِنَ الْمُكْرَمِينَ

“…«Hyr në Xhenet!» Ai tha:

«Ah, sikur ta dinte populli im, se si më fali Zoti im dhe më bëri të nderuar!»” (Jasin, 26-27)

 

[1] – Sot quhet Antakia dhe ndodhet në Turqi.

Share.

Leave A Reply