Dok. Aid el Karni
Kur popujt jetojnë në injorancë dhe prapambetje, sulmohen nga sëmundja e fanatizmit medhhebor (juridik fetar), nga ngurtësimi ideor dhe autoritarizmi politik. Për rrjedhojë, ky individ, nëse ndeshet me të vërtetën, nuk njeh vetëm se atë çfarë është lindur në të e që e ka trashëguar nga etërit e tij.
Në këtë kontekst, Allahu i Lartësuar, lidhur me idhujtarët thotë: “(Idhujtarët thanë:) I kemi gjetur etërit tanë në një fe dhe ne po ecim pas gjurmëve të tyre.”
Në këtë situatë, këta popuj e konsiderojnë opinionin kundërshtues, edhe nëse është i drejtë, të gabuar dhe të papranuar. Kësisoj, ata mësyjnë dhe i turren çdo novatori dhe të suksesshmi.
Volteri, sikurse vjen në librin “Kënaqësia e të folurit” të Davidit, thotë: “Suksesi është një “mëkat”, që e kryejnë disa njerëz me qëllim të mirë, porse kolegët e tyre nuk ua falin atë.”
Vërtet, sa vlera dhe ndere të strategëve, i përdhosën injorantët. Të mjafton të shikosh sulmet, agresionet dhe armiqësitë me të cilat të marrët dhe të poshtëruarit prej idhujtarëve, i konfrontuan profetët (a.s.).
Disa strategë heshtën dhe nuk e thanë të vërtetën, të influencuar nga frika e turmës dhe zemërimi i masës.
Mbi këtë realitet, Sheukiu thotë:
Të mençurit e kuptuan bretkocën,
Kur “Kam ujë në gojë”, – ajo tha:
A është e mundur të flasë,
Dikush që gojën plot me ujë e ka?!
Ngjashëm shprehet poeti i madh Ebu Zejd Muhamed ibn Ahmed es Sudejriu:
Sa veta fshehin çka që nuk e trazojnë,
S’ia beson as edhe më të afërmit person,
Pasi druhet se shkarja e tij tjetrin e gëzon,
Paçka se tjetri dukshëm, dashuri reflekton.
Kuptimi i kësaj është se ka shumë e shumë njerëz, që bartin në kraharor sekretin e tyre personal, të cilin nuk mund ta nxjerrin nga goja e t’ia thonë dikujt, qoftë ai edhe më i afërti i të afërmve; të influencuar dhe të zhgënjyer nga individi të cilit nuk mund t’i besohet asnjë sekret, nuk mund t’i qahet asnjë hall, madje që e gëzon gabimi dhe shkarja jote, që shtiret se është në krahun tënd, ta shfaq shoqërinë dhe dashamirësinë, porse brendia e tij është e nxirë nga smira dhe antipatia kundër teje, më zi se shufra e hekurit, të cilën e ka shpërfytyruar zjarri dhe tymi.
Shkëlqesitë dhe të suksesshmit, që përballen me sulmet dërrmuese të trashanikëve, i ngushëlloj me biografinë e shkëlqesisë së krijesave, Profetit (a.s.), që u konfrontua me injorancën e injorantëve, aq sa kundër tij dhe thirrjes së tij u formuan fraksione idhujtarësh viranë, dyfytyrëshash besëprerë, hebrenjsh komplotues, të krishterësh smirëzinj dhe të afërmish të vrazhdë; por pavarësisht gjithë kësaj ai (a.s.), vijoi të bënte durim, të shpresonte shpërblimin e Zotit të vet, të rezistonte, të fitonte dhe së fundi, të kurorëzohej me kurorën: “Ne të dhamë ty një fitore të sigurt.”
Në këtë kontekst, poeti Abdullah el Berduniu, në lavdërim të shkëlqesisë së njerëzimit, Profetit të kombit islam (a.s.), në përshkrim të guximit, qëndresës dhe durimit të tij, thotë:
Brofi djaloshi i dashur i udhëzimit,
Veshur me rrobën e dritës dhe zjarrmimit,
Në pëllëmbën e tij pishtari udhëzon,
Në gjak ka besimin që çdo tiran e sfidon.
Shiko epokën e zgjerimeve të myslimanëve, sesi u arrit reformimi, novacioni dhe u shpalosën kraharorët karshi mendimit ndryshe të kapërdishëm, sesi kombi islam u angazhua me zgjerimet, triumfet, ndërtimin dhe civilizimin.
Kurse, kur kombi islam u ligështua dhe gjendja e tij u dobësua, ai ra në luftërat fantazëm të konfliktit medhhebor (juridik fetar), fanatizmit dhe imitimit të verbër, në hijen e udhëheqësve dhe tiranëve, disa prej të cilëve qenë fëmijë e disa qenë të rritur mendjelehtë; aq sa për disa prej tyre Dhehebiu dhe Ibn Kethiri thonë: “Ky udhëheqës u preokupua shumë me vashat, pirjen dhe ahengun. Ai ishte i pasionuar pas zënies së qenve dhe deshve.”
Në kohën e të këtillëve u bojkotuan kreativiteti mendor, reformimi shkencor, liderët e fesë (imamët), gjenitë dhe të kualifikuarit. Asokohe u burgos Ibn Tejmije, u përndoq Ibn Khalduni, u vra El Mutenebiu në shkretëtirë, u izolua Ali ibn Rushdi në shtëpinë e tij, u dogjën librat e Ibn Hazmit dhe u përzu nga qyteti i tij, u eliminua Lisenu Din ibn Khatabi…
E gjitha kjo, sepse novacioni, suksesi, përparimi dhe talenti, janë mëkate që s’i falin dështakët, parazitët dhe përtacët.
Shqipëroi: Altin Torba