Një njeri, të cilit mund t’i jepet me gjithë qetësinë e zemrës diçka materiale apo shpirtërore si amanet, është një njeri i sigurt dhe që mund t’i besohet. Amanet, siç quhet arma e njeriut të besueshëm, i thuhet edhe asaj gjëje që i jepet dikujt për ta mbrojtur përkohësisht.
E vetmja gjallesë që e mbart amanetin / përgjegjësinë hyjnore është njeriu. Nisur nga ky aspekt, njeriu është mëkëmbësi i Allahut Teala në tokë. Sundimi dhe autoriteti i njeriut mbi gjallesat e tjera buron nga kjo. Përderisa njerëzit t’i kryejnë përgjegjësitë që kanë, qoftë kundrejt Allahut apo qoftë kundrejt krijesave të tjera dhe përderisa t’i mbajnë me përpikëri amanetet, do të jenë të nderuar te Allahu Teala dhe te robërit e Tij.
Çdo gjë që ka njeriu është në dispozitën e amanetit që i është dhënë përkohësisht. Organet e trupit, pasuria, familja, pozita etj., të gjitha janë amanete. E kundërta e amanetit është tradhtia. Tradhtia është cilësi e hipokritëve. Ndërsa cilësia e besimtarëve është mbajtja e amaneteve. Allahu Teala thotë në Kuranin Fisnik: “(Besimtarët janë ata) të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra.” (Mu’minun, 8)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e ka shprehur kështu pandashmërinë e besimit nga amaneti: “Njeriu që nuk mban amanetin, nuk ka besim.” (Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/135.)
Mbajtja e amanetit është prej cilësive më të rëndësishme të pejgamberëve. Shpallja, e cila është mesazhi hyjnor, është amaneti më i rëndësishëm. Një amanet i tillë nuk u jepet njerëzve të zakonshëm. Engjëlli që ua çon shpalljen pejgamberëve është Xhebrilu’l-Emin, ndërsa pejgamberi të cilit i është dhënë shpallja është Muhammedu’l-Emin. Njeriu më i besueshëm në Mekë ishte i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Edhe armiqtë e tij madje i thoshin “Muhamedi i besueshëm”. Edhe pse nuk e donin, gjërat e tyre të vlefshme ia linin amanet atij. Sikur të mos ishte i besueshëm, nuk mund të ishte bindës. Sikur njerëzit të shikonin te ai gënjeshtrën apo tradhtinë më të vogël, nuk do të kishte asnjë pasues. Miliarda pasues të tij që kanë ardhur në këtë botë, janë fryt i besnikërisë së tij, sepse gënjeshtra dhe tradhtia nuk janë bindëse përgjithmonë.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), gjithmonë është sjellë me ndershmëri ndaj miqve dhe armiqve të tij. Në sajë të kësaj, është bërë shembull i besueshmërisë dhe mbajtjes së amanetit. Kur armiqtë e tij e detyruan atë dhe besimtarët e tjerë për të dalë nga Meka, ai la Aliun (r.a.) pas për t’ua kthyer armiqve amanetet e tyre. Si rezultat, amanetet u dorëzuan te të zotët e tyre.
Tani le të japim edhe një shembull tjetër në lidhje me përpikërinë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në çështjen e mbajtjes së amanetit: Hajberi ishte një qendër çifute banimi, i cili gjendej 150 km në veri të Medinetu’l-Munevvere. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e çliroi atë në vitin e shtatë hixhri. Urve bin Zubejri transmeton se përgjatë luftës, erdhi një skllav i zi nga Hajberi. Ai po kulloste delet e zotërisë së tij. Kur ai pa se njerëzit e Hajberit ishin armatosur, pyeti për shkakun e kësaj armatosjeje. Ata i thanë se do të luftonin me Muhamedin, i cili pohonte se ishte pejgamber. Skllavit i lindi një dëshirë e zjarrtë në zemër për ta njohur të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Për këtë arsye, i vuri përpara delet që po kulloste, shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe e pyeti: “Për çfarë më fton mua? I Dërguari i Allahut (s.a.s.), iu përgjigj: “Të ftoj në Islam, të besosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të besosh se unë jam i Dërguari i Allahut dhe të adhurosh vetëm Allahun.” Nisur nga kjo, skllavi i zi e pyeti: “Çfarë do të fitoj si shpërblim, nëse e them shehadetin dhe i besoj Allahut?” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), iu përgjigj: “Nëse vdes në këtë gjendje, do të hysh në xhenet.” Pasi skllavi e pranoi Islamin, tha: “O i Dërguari i Allahut! Delet që po kullos janë amanet. Çfarë të bëj me to?” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e urdhëroi që t’ua dorëzonte delet të zotëve të tyre. Edhe pse ishin në gjendje lufte, Pejgamberi (a.s.), nuk pranoi t’i mbante delet si pasuri e zënë në luftë, sepse delet ishin amanet në dorën e bariut dhe amaneti duhej të mbahej. Në lidhje me këtë çështje, nuk ka dallim ndërmjet mikut dhe armikut. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha: “Nxirri delet nga vendi ku po qëndron ushtria! Allahu do ta çojë amanetin në vendin e tij.” Edhe bariu ashtu veproi. Delet shkuan te të zotët e tyre. Çifuti e kuptoi se skllavi i tij ishte bërë mysliman. Ky bari ra dëshmor në Hajber. (M. E. Zehre, Hatemu’n-Nebijjin, 2/913-914.)
Mbajtjen e amanetit me përpikëri që i Dërguari i Allahut (s.a.s.), bënte edhe kundrejt armiqve në këtë botë që tradhtia po bëhet lehtë edhe kundrejt miqve, duhet t’ua tregojmë të gjithëve në çdo mënyrë dhe me zë të lartë.
Le të japim edhe një shembull tjetër, që vërteton se edhe sahabët e nderuar kanë ecur në të njëjtën rrugë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe kanë qenë mjaft të ndjeshëm në lidhje me çështjen e amanetit: Në një kohë afër çlirimit të Mekës, një karvan tregtie që u përkiste kurejshëve u nis për rrugë. Një njësi ushtarake nën komandën e Zejd bin Harithes e sulmoi këtë karvan. Ata i morën mallrat e karvanit dhe i kapën robër njerëzit e tij. Ndërmjet këtyre robërve ishte edhe bashkëshorti i vajzës së të Dërguarit të Allahut, Zejnebes, Ebu’l-As bin Rebia. Ebu’l-Asi kërkoi mbrojtjen e bashkëshortes së tij, Zejnebes. Edhe ajo e mori në mbrojtje bashkëshortin e saj. Për këtë arsye, shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i kërkoi t’i jepte mallrat e bashkëshortit të saj. Hazreti Pejgamberi i mblodhi ata të njësisë ushtarake që kishin sulmuar karvanin dhe u tha: “Siç e dini, Ebu’l-Asi është dhëndri im. Ju keni marrë mallrat e tij. Këto mallra janë mirësia e Allahut që ua ka dhënë juve pa luftë. Unë ju kërkoj që të shfaqni mirësinë dhe t’ia jepni ato. Nëse nuk i jepni, kjo është diçka që e dini ju, sepse tashmë ju jeni të zotët e atyre mallrave.” Pasi sahabët e nderuar i dëgjuan këto fjalë, ia dhanë mallrat Ebu’l-Asit. Edhe ai u kthye në Mekë. Ua dorëzoi amanetet të zotëve të tyre në Mekë dhe përpara të gjithë popullit tha: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.” Përveç të tjerash tha: “Ju betohem se do ta shpallja këtë edhe më parë, por po e shfaq tani ngaqë frikësohesha se do thoshit që jam bërë mysliman për t’ju marrë mallrat tuaja.” Pastaj u kthye në Medine të i Dërguari i Allahut (s.a.s.), si mysliman. Në këtë mënyrë, u bashkua edhe me bashkëshorten e tij, Zejneben. Hazreti Pejgamberi e fitoi përsëri dhëndrin e tij me këtë fisnikëri dhe shfaqi një sjellje shembullore prej myslimani kundrejt politeistëve mekas.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), shfaqi të njëjtën fisnikëri edhe për motrën e zënë robëreshë të Adij bin Hatemit, Saffanen. Asaj i bleu një rrobë, një kafshë për udhëtim dhe e dërgoi te vëllai i saj, Adiji i cili ndodhej në Sham. Në sajë të kësaj sjelljeje, edhe Adiji u bë mysliman. Historia e pranimit të Islamit nga ana e tij, është mjaft interesante. Detajet e asaj historie mund të ndiqen në literaturën Islame.
Amanetin e ka marrë përsipër njeriu, por shumë herë nuk e ka mbajtur atë. Njeriu ka shfaqur injorancë dhe ka bërë padrejtësi. Në Kuranin Fisnik thuhet: “Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).” (Ahzab, 72) Nga fjala amanet që përmendet në këtë ajet, synohen obligimet e përgjegjësitë fetare dhe të gjitha llojet e tjera të amaneteve ndërmjet njerëzve. Gjallesat e tjera nuk e pranuan amanetin si rezultat i natyrshmërisë së tyre, sepse ato nuk mund të dalin jashtë qëllimit për të cilin janë krijuar. Këtu përfshihen edhe engjëjt. Njeriu është gjallesa e vetme që ka aftësinë për të vepruar në kundërshtim me natyrshmërinë e saj në këtë botë. Sprovimi me amanet bëhet fjalë për njeriun, ngaqë atij i është dhënë aftësia për bindje dhe kundërshtim. Njeriu nuk është i padrejtë dhe injorant, ngaqë ka marrë përsipër amanetin, por ngaqë nuk ia jep hakun këtij amaneti.
Në krye të amaneteve më të rëndësishme vjen udhëheqja, sepse kjo do të thotë të marrësh përsipër edhe përgjegjësinë e të tjerëve përveç përgjegjësisë tënde. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i pati thënë kështu Ebu Dherr el-Gifarit, i cili i kërkoi pozitë: “Ti je i pafuqishëm. Kjo punë është një amanet. Amaneti është poshtërim dhe pishmanllëk Ditën e Kiametit për atë që nuk mund t’ia japë hakun.” (Muslim, Imare, 16.)
Përveç të tjerash, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë: “Kur udhëheqja t’u jepet atyre që janë të paaftë, priteni Kiametin.” Në këtë mënyrë, ka treguar se sa e rrezikshme është dhënia e autoritetit ndaj atyre që janë të paaftë e të pabesueshëm dhe se si e shkatërron popullin kjo gjendje. Tragjeditë që sjellë dhënia e amaneteve ndaj atyre që janë të papërgjegjshëm dhe të paaftë janë vërtetuar me fakte historike. Të gjithë po e shikojmë se në çfarë gjendjeje e kanë lëshuar dijen dijetarët e paaftë dhe në çfarë gjendjeje e kanë lëshuar vendin udhëheqësit e papërgjegjshëm. Çdo individ duhet të edukohet, në mënyrë që t’ia japë hakun punës që bën apo që do ta bëjë. Nëse një fëmije, që mund të mbartë një peshë prej dhjetë kilogramësh, i jepet një peshë njëqind kilogramëshe, është e sigurt se do të shtypet nga ajo peshë e rëndë. Kështu, vritet fëmija dhe nënçmohet edhe ngarkesa.
Si përfundim, mund të themi se njerëzit duhet t’i edukojmë për t’i mbajtur amanetet, duhet t’i stolisim me vetëdijen e mbajtjes së amanetit dhe amanetet duhet t’ua japim këtyre njerëzve të edukuar. Njëra prej dy cilësive më të rëndësishme që kërkohen nga udhëheqësit është aftësia për të udhëhequr. Ndërsa e dyta është besnikëria.
Rreshtave tanë le t’u japim fund me këtë hadith fisnik: Ebu Hurejra (r.a.), transmeton se një njeri prej shkretëtire shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), dhe e pyeti se kur do të bëhej Kiameti. Pas pak, Hz. Pejgamberi i tha: “Kur të humbasë amaneti, prite Kiametin.” Pyetësi përsëri tha: “Si mund të humbasë amaneti, o i Dërguari i Allahut?” I Nderuari ynë iu përgjigj: “Nëse punët u jepen të paaftëve, prite Kiametin.” (Buhari, Ilm, Hadithi nr: 59.)
Ka tre lloj kiameti: Kiameti individual, kiameti shoqëror dhe kiameti kur do të shkatërrohet universi. Kiameti që përmendet në hadith, synon zvarritjen e shoqërisë drejt shkatërrimit për shkak të prishjes së rendit shoqëror, mosfunksionimit të ligjeve dhe kaosit.
Paqen dhe qetësinë shoqërore le të mos e bëjmë kurban për injorancën, fanatizmin partiak dhe interesat personale apo të ndonjë grupimi. Andaj, le t’ua japim amanetet atyre që janë të aftë për t’i kryer.
Ali Riza Temel