Dr. Mustafa Mahmud

Londër, e xhuma, shtator 1980[1].

Nga fundi i natës zbulova se kisha kaluar ulur gjithë ditën përpara televizorit. Nuk kisha bërë asgjë, përveç verbimit në ekranin e vogël, i cili më tërhiqte nga një program në tjetrin… nga filmi te kërcimet, këngët, lajmet, ndeshjet e futbollit dhe teatrot.. deri nga mesi i natës dhe unë shtrirë në shtrat i prangosur me dëshirën time, biles më shumë se prangosje, kam qenë i prangosur pa lëvizur. Gjithashtu, shqisaprangosur dhe i burgosur i vëmendjes në ekranin 22 polesh, duke mos mundur të shkoqitem prej tij.

Në kohën kur programi u mbyll me himnin mbretëror britanik, po fërkoja sytë dhe pyeta veten për ndikimin e kësaj pajisje magjike të çuditshme, e cila i ka përmbysur të gjitha parashikimet.

Tani ndikimi i televizionit të mirë është e kundërta e ndikimit të librit të mirë, sepse libri i mirë e çliron njeriun që e lexon, ndërsa televizioni i mirë e prangos atë, i cili e shikon… ia prangos gjymtyrët, imagjinatën dhe ia lidh duart e këmbët.

Dhe pyeta veten: “A thua këto janë prangosjet e përzgjedhjes së re, në të cilat vendosen popujt modernë, duke ua shpëlarë trurin me këngë, kërcime, me filma të frikshëm dhe imoralitet, pastaj i mbush me orientimet e kërkuara dhe propagandën e dëshiruar?”

Çfarë lloj brezash të rinj mund të nxjerrin këto universitete televizionike amerikane? Nuk mendoj se ato do të nxjerrin llojin e vjetër të të riut, i cili luftoi dhe ndërtoi perandorizmin. Dhe nuk e mendoj se brezat  e rinj në Evropë mund të luftojnë me pasion për çfarëdo çështjeje. I riu i joshur, pas një pune rraskapitëse javore nuk mendon, veçse në një shoqëri argëtuese, krahë të ngrohtë dhe gotë plot, që zhytet në të gjatë fundjavës.

Djali i ri në Evropë punon më zell për të fituar shumë dhe për të shpenzuar shumë.

Ky është ai mentaliteti materialist, i cili udhëheq këtë kohë… nuk të lë ta humbasësh asnjë minutë… merr prej tij maksimumin e asaj që mund t’i japësh duke fituar, shijuar dhe lezetuar… jeto ditët e tua përpara se të shkojnë e të mos kthehen më.

Kjo është ajo filozofia e sotme, për të cilën, i riu jeton me të dhe për të… pas një disku të ri, spektaklit të natës, kërcimeve dhe fustaneve të fundjavës. Filozofi që e përhap, e mbështet dhe e qarkullon pajisja e rrezikshme që quhet televizioni modern.

Pajisje e rrezikshme që do ta ndryshojë gjithë botën… do ta bëjë imoralitetin publik, degjenerimin gjë të zakonshme, pasimin e epshit parësor dhe kërkimin e kënaqësisë të ligjshëm, sikur një kartë furnizimi të nevojshëm.

Në anën socialiste komuniste të botës shohim kontrollin total dhe monizmin partiak që drejton i vetëm në pushtet, të cilin e gjejmë në një censurë të televizionit që ka arritur kulmin e saj në shpëlarjen e trurit dhe boshatisjen e mendjeve, duke i mbushur me dëshirat e udhëheqjes dhe kallëpet e sistemit. Programet, gati të gjitha ecin mbi një urë të varur, prej së cilës nuk shpëton asnjë fjalë.

Ndërkohë, në anën tjetër të botës demokratike të lirë gjejmë pluralizmin partiak, mendimet dhe gazetat e ndryshme, të cilat shfaqin pamje të shumta të kësaj lirie në programet televizive. Teleshikuesi do të shohë përpara tij më shumë se një mendim për ta dëgjuar dhe për ta përzgjedhur. Ai me këtë arratiset nga burgu politik i mendjeve në gjysmën komuniste të botës, por bie në burgun tjetër të epsheve, që nxisin programet e lakuriqësisë dhe imoralitetit të dëshirave të tërbuara që ia bllokojnë (prishin) mendjen.

Ne, në të dy gjendjet jemi përpara një pajisjeje të rrezikshme, e cila ka një aftësi formësuese për mendjen dhe intelektin. Ai (televizori) me përsëritjen dhe vazhdimësinë, do të krijojë një lloj familjarizimi për ngjyrat e programeve argëtuese, saqë pas kësaj do të jetë i pamundur ndryshimi, apo ndalimi i tyre.

Do të bëhemi përpara njerëzve si fëmija që është familjarizuar me biberonin, apo shishen e qumështit, të cilit kur ia heq nga goja qan dhe bërtet.

Sikur ndonjë reformator popullor të kërkojë ndalimin e këtyre programeve argëtuese, shndërrimin e programeve televizive në lloj universiteti popullor dhe zëvendësimin e medias argëtuese me një media edukuese, shembulli i këtij reformatori do të përballet me kritika e protesta të vetë kësaj mase njerëzish… masa e njerëzve të këngës, puthjeve, serialeve filmike të frikshme, gjakut, seksit dhe futbollit…

Kështu që këto programe na janë bërë tani opium, biberon dhe qumështore, të cilat teleshikuesi i përtyp me kënaqësi, argëtohet me helmin e tyre, flen nën drogimin e tyre dhe është e pamundur t’ia heqësh prej tij, përveçse me përdorimin e forcës detyruese… e forca detyruese do të na shpjerë në një burg më të keq, ai i censurës mediatike, për të cilin ankohet gjysma e botës komuniste… pra ne ndodhemi mes dy zjarreve. Dilema na çon drejt një rruge të mbyllur.

Kjo pajisje magjike, me mënyrën e saj të krijimit të ndryshimeve në mendjen njerëzore do të jetë, me keqardhje, negative dhe jo pozitive.

Brezat e televizionit të ardhshëm nuk do të jenë më të mirë, bile do të jenë më keq se sa brezat e kohës përpara televizionit.

Televizori e shton ndikimin e tij te njeriu, duke ditur se ne mund t’i shikojmë programet edhe kur ndodhemi të shtrirë në shtrat në gjendje çlodhjeje të plotë, apo në kolltuk të rehatshëm të veshur me pizhame e përreth nesh fëmijët duke “përpirë” me sytë e tyre çdo lëvizje dhe pëshpëritje.  Kjo gjendje e bën njeriun të hapur e të gatshëm për temperimin e çdo ideje që i paraqitet.

Tani kemi filluar të shikojmë fëmijë që kryejnë vepra krimi, vrasjeje e dhune dhe studentë universiteti që familjarizohen me bandat. Me shfaqjen botërisht të tyre përhapen veprat e dhunës, rrëmbimit, pengjeve dhe shpërthimet e bombave… dhe në qytetet e mëdha të Evropës, pothuajse nuk gjen asnjë vajzë, pas të 16-tave, të ruajë virgjërinë e saj.

Në Amerikë, sociologët thonë se këto rezultate janë të natyrshme, sepse i riu amerikan akoma pa arritur në moshën 18-vjeçare, deri atëherë ai ka parë më shumë se 10 mijë krime vrasjeje, përdhunimi, imoraliteti dhe vjedhjeje që kryhen përpara tij në ekranin e televizorit.

Pra, pas gjithë kësaj, çfarë çudie ka që trupi lakuriq të humbë paprekshmërinë e tij, ligji të humbasë prestigjin dhe traditat morale të humbasin mbizotërimin e tyre?

Syri familjarizohet me shthurjen dhe degradimin duke u bërë për shkak të shfaqjes përpara tij një e gjë zakonshme, pa pikë çudie në të… bëhen puthjet, përqafimet dhe shtrirjet gjëra të zakonshme, sikur dhënia e dorës.

Një e shtypur butoni është bërë garant për të shfaqur gjithë këtë produksion të këtij qytetërimi të çuditshëm me imoralitet, lakuriqësi, art, ideologji, shkencë, të mirën dhe të keqen e saj… vetëm për një sekondë.

Vërtetë që televizori shfaq në realitet arte të bukura dhe ide botërore. Ai paraqet fenë, virtytet e larta dhe këshilla të mira krahas krimeve, imoralitetit e degradimit, por fesadi (shthurja) vjen në të me shije dhe ngacmim. Ai (fesadi) i këndon shpirtit me dëshirat dhe ia ofron ato në pikën e dobët të tij. Ai i jep një premtim të shpejtë e të menjëhershëm të kënaqësisë, ndërkohë që këshillat fetare paraqesin premtime të mëvonshme dhe jo të shoqëruara me shije artistike dhe zbukurime poetike, muzikë dhe këngë, të cilat ia drogojnë shqisat. Dhe momentet e fesadit sjellin përpara tyre të gjithë ngacmuesit e bukur… teleshikuesit flenë çdo natë në krahun e kënaqësisë mashtruese të problemit.

Ne jemi përpara një pajisjeje të rrezikshme, që hyn tinëzisht deri edhe në dhomat e gjumit.

Përpara programeve, përsëritjes dhe metodave të caktuara të sjelljeve, të cilat fëmijët dhe të rinjtë i përpijnë dhe qarkullimit nëpër enët e gjakut të tyre të shoqëruara me çaj, kafe dhe cigare, ato shndërrohen në zakone që nuk mund të largohesh prej tyre… pastaj shndërrohen në sjellje… pastaj bëhen natyrë, veçori dhe karakteristikë e kohës.

A jemi ne përpara një pajisjeje që do ta ndryshojë botën?!

Ndonjë mund të përgjigjet se problemi qëndron edhe në vendet, të cilat censurën e televizionit e kanë të rreptë dhe kanë të ndaluar hapjen e kinemave publike… por edhe pse ndalimi, mbikëqyrja dhe censura ekzistojnë, janë shfaqur fatkeqësi edhe më të rrezikshme, e ato janë video-kasetat kontrabandë, serialet dhe filmat pornografikë që shikohen fshehurazi edhe nëpër shtëpitë e familjet e ndershme. Në ato kaseta ka shthurje, ndyrësi e fëlliqësi shumëfish më tepër se sa nëpër kinematë e lejuara. Përmes këtyre video-kasetave kontrabandë ngrihet një tregti botërore e organizuar dhe qendra mafioze seksi të specializuara, që punojnë për përhapjen, regjistrimin dhe qarkullimin e këtyre plaçkave degraduese. Derdhen shuma marramendëse parash për të joshur aktoret me famë kundrejt disa minutave sekuencash seksi të fëlliqura për të ngacmuar oreksin e klientëve dhe tërheqjen e tyre drejt këtij lloji.

Viktimat e tregut të ri të skllavërisë elektronike janë me miliona.

Kështu bëhen të larmishme llojet e joshjes, të cilat u ekspozohen banorëve dhe kush shpëton nga media komuniste majtiste, bie në kurthet e medias fashiste djathtiste. Dhe kush shpëton nga shpëlarja e trurit prej të dyja anëve bie viktimë e mjeteve të informacionit të degjeneruara të sistemit perëndimor demokratik. Dhe kush drejtohet nga vendet konservatore, të cilat ia mbyllin vetes dyert dhe dritaret, ku udhëheqin censurat e ndalimit dhe të mbikëqyrjes nuk janë të sigurt nga hyrja poshtë derës e video-kasetave me filma pornografikë …

Pas gjithë kësaj, ngrihet tregu i drogës, kokainës, heroinës, tabletat e ekstazës dhe injeksioni makston foret që përgatit ambientin dhe bën gati klimën.

Tufani i ngacmimeve na çon në epokën e Sodomit e Gomorës së re dhe trazirave, që edhe durimtari qëndron në dilemë përpara tyre.

Pyetësit pyesin: A ka zgjidhje?

Megjithatë… e me gjithë aleatët e zullumit të kësaj kohe, unë e refuzoj dhunën si zgjidhje dhe nuk besoj, veçse në vetëdije, liri, ringjallje të ndërgjegjes dhe debatit të lirë e të hapur dhe hapjes së dritareve për të shikuar të metat, pranimin e mangësive e mjekimin e tyre.

Nuk ka kthim prapa dhe nuk ka refuzim të arritjeve të shkencës.

Televizori, kinemaja dhe radioja janë pajisje neutrale të pafajshme. Janë shenja të përparimit, ndërsa ato bëhen shenja të prapambetjes për shkak të asaj që shfaqet në to.

Zgjidhja është drejtimi i mjeteve të informacionit (medias) nga një tryezë e rrumbullakët, ku dialogun në të e udhëheqin njerëzit e urtë të kohës dhe mendimtarët, në përpjekje për të ngritur parime të reja të mbikëqyrjes së vetëdijshme të fjalës së transmetuar.

Ndërsa bandat e seksit dhe të drogës, ato luftohen me mënyrat e tyre.

Pastaj, pas gjithë kësaj mbetet që çdonjëri prej nesh, së pari të triumfojë në luftë me veten e tij dhe kush humbet luftën me veten e tij, ka humbur në çdo fushë dhe nuk ka ligj, sistem, apo organizatë që e shpëton. Sepse ai ka thyer të gjitha ligjet në kohën që ka ulur armën dhe është dorëzuar përpara epshit në fillim të betejës.

Atëherë, kush mund ta shpëtojë këtë njeri, i cili nuk arriti të shpëtojë veten e tij?

Zoti ynë thotë në Librin e Tij famëlartë, në ajetin më të bukur të tevekkulit (mbështetjes): “Dhe dijeni se Allahu ndërhyn mes njeriut dhe zemrës së tij dhe se te Ai do të tuboheni (ringjalleni). (Enfal, 24)

Kjo është ajo ndërhyrja hyjnore e mëshirshme në momentet e dilemës, ndërkohë që ndonjëri prej nesh ndodhet në pragun e rrënimit të tij. Atëherë vjen vullneti hyjnor e ndërhyn mes ndonjërit prej nesh dhe epshit të zemrës së tij, duke e shpëtuar atë.

Kjo është ajo shpresa, të cilën Allahu e hap për kërkuesit e shpëtimit dhe përgjëruesit, në kohën që të gjitha dyert e tjera janë mbyllur, kur tufani ia ka behur dhe kur urtësia dhe mendja nuk të bëjnë dobi, kur Allahu dëshiron përfundimin e mirë.

Lutuni me mua për një përfundim të mirë.

 

[1] (Autori e ka shkruar këtë shkrim dekada më parë. Sikur sot të ishte gjallë, patjetër që do të kishte përmendur edhe teknologjitë e tjera të reja, internetin, telefoninë e lëvizshme etj., të cilat po prangosin për ditë e më tepër njeriun. L.H)

Share.

Leave A Reply