Sipas prirjeve politike të përhapura, mendimeve ekonomike, vlerave kulturore, këndvështrimeve morale etj… ne duhet t’i rishikojmë edhe një herë sjelljet dhe të përshtatemi ndaj tyre…

Të bësh sikur nuk shikon, nëse gjendesh në një vend ku askujt nuk i shikojnë sytë…

A duhet t’i riformojë edhe myslimani vlerat e tij personale sipas kësaj? A është i detyruar t’i formojë?

Kapitalizmi, socializmi, liberalizmi, hedonizmi etj… A duhet të bëjë ndryshim në personalitet edhe myslimani sipas bazës që formojnë këta, nëse këta fitojnë përhapje dhe influencë në shkallë universale? A është i detyruar ta bëjë këtë ndryshim?

Në Kuran flitet për historitë e pejgamberëve. Në shumicën prej këtyre historive bëhet fjalë për misionin që mbart paralajmërimet hyjnore kundrejt një devijimi që ka fituar përhapje. Pejgamberët, nganjëherë vetëm dhe nganjëherë me grupin e vogël që u kishin besuar, janë përpjekur për ta ndaluar një devijim të përhapur dhe për ta mbartur njeriun përsëri në klimën e natyrshmërisë së tij të pastër.

Ata nuk e shenjtëruan devijimin e përhapur…

Përkundrazi, u përpoqën për të ruajtur veten e tyre.

U përpoqën për të mbrojtur njerëzit.

Ata asnjëherë nuk kanë pasur këtë qëndrim: “Kjo prirje është popullarizuar, prandaj le të veprojmë edhe ne sipas saj.”

Janë bërë përpjekje të mëdha. Nganjëherë edhe më të afërmit janë zënë robër nga ajo prirje, por thirrja e Pejgamberit për të ruajtur natyrshmërinë e pastër do të vazhdojë deri në fund.

Ky devijim vlere është aq i përhapur dhe vendosmëria e Pejgamberit është aq e qartë saqë, siç ka ndodhur edhe në shembullin e Hz. Lutit (a.s.), të parët e shoqërisë thanë:

“…Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.” (A’raf, 82)

Pastërtia shndërrohet në një gjendje të veçantë, madje fillon të konceptohet si faj.

Sikur “jeta e ndyrë” dhe “mendimi i ndyrë” kanë pushtet.

Pejgamberët nganjëherë mund të mos shpëtojnë edhe zemrat e më të afërmve të tyre. Bashkëshortja e Hz. Lutit ngeli në botën e të devijuarve, ndërsa biri i Hz. Nuhut iu dorëzua tufanit.

Devijimi…

Te populli i Hz. Lutit ishte në formën e homoseksualizmit. Te një popull tjetër, shfaqet në formën e adhurimit të idhujve të bërë nga gurët apo nga drurët. Te një popull tjetër, lideri politik e përkufizon veten si “Zot” dhe kërkon nga njerëzit që ta adhurojnë. Padrejtësia është e përhapur. Nderi i njerëzve është marrë nëpër këmbë. Robëria ka ardhur në gjendjen e sistemit sundues.

Pejgamberët kanë paguar çmime të mëdha kur kanë rezistuar kundër devijimit epidemik. Aq sa Hazreti Nuhu (a.s.), u detyrua të thoshte: “…Unë u mposhta (o Zot), andaj më ndihmo!” (Kamer, 10) Hazreti Ibrahimi (a.s.), u hodh në zjarr. Hz. Muhamedi (s.a.s.), u detyrua të braktiste vendin e tij.

Por sikur t’i kishte pranuar prirjet që sundonin, atij do t’i jepej gjithçka.

Ngjarja që ka përjetuar Hz. Jusufi është shumë mësimdhënëse. Hz. Jusufi përjetoi sprovën e marrëdhënieve seksuale. Kur ta shikojmë këtë nga këndvështrimi i botës së pasioneve seksuale të sotme, Hz. Jusufi i vuri shkelmin shfrytëzimit të mundësisë së ardhur “duke u strehuar tek Allahu”…

Përse i tregon Kurani këto?

Njeriu e jeton jetën në një lavjerrës… Sepse ky është sprovimi i njeriut në sipërfaqen e tokës.

Ai mbart potencialin e vajtje-ardhjeve ndërmjet esfeli safilin dhe alaji il-lijjin.

Ndërmjet më të lartëve dhe më të poshtërve…

Njeriu mbart brenda vetes edhe potencialin e mëkatit, edhe atë të devotshmërisë…

Edhe të keqen, edhe virtytet që i jep të qenit afër me Allahun Teala…

Pejgamberët vijnë pikërisht në kohën kur përhapet e keqja. Mjediset e tilla janë mjedise në të cilat përjetohen kalbjet shoqërore ose edhe më keq, në të cilat përjetohen kiametet. Të Dërguarit e Allahut u kujtojnë njerëzve misionin e krijimit të tyre, edhe pse nganjëherë e paguajnë këtë me çmim të rëndë, si për shembull, të ngelurit vetëm.

Misioni i krijimit të njeriut nuk vjetërohet asnjëherë.

Ai është një e vërtetë e përhershme dhe e palëkundur. Sado që të përhapen devijimet, nuk e vjetërsojnë gjallërinë dhe vërtetësinë e këtij misioni.

Edhe në kohën tonë ka devijime të përhapura.

Droga, prostitucioni, homoseksualizmi, mosnjohja e kufijve në marrëdhëniet seksuale, aborti, vjedhja, korrupsioni, kolonizimi… padrejtësitë politike… shndërrimi i grave në mjete argëtimi… abuzimi dhe shtypja e fëmijëve…

Njeriu e kupton se po bën “mëkat” kundrejt vlerave të natyrshmërisë njerëzore në disa fusha dhe përpiqet për të formuar një kornizë “të të drejtave të njeriut”. Kjo mund të komentohet si kërkim i kornizës së natyrshmërisë. Por ka edhe njerëz që në disa fusha e kanë shndërruar në një “të drejtë të njeriut”  “mëkatin”, i cili do të thotë shkelje e kornizës së natyrshmërisë njerëzore. Në këtë mënyrë, faraonizmi shndërrohet në një sistem sundues. Mënyra e Karunit shndërrohet në karakterin kryesor të sistemit ekonomik. Sistemi i Hamanit, i cili në Kuran cilësohet si “simboli i kalbjes së sistemit të shtetit”, bëhet sistem sundues. Sistemi i Bel’amit, i cili përmendet si simboli i rënies së jetës fetare, shndërrohet në strukturë influencuese.

Dikur, në disa vende, socializmi tentonte t’ua impononte veten popujve si strukturë sunduese. Ndërsa tani kapitalizmi, me një pohim të njëjtë, po shfaq vullnetin për ta formuar të gjithë botën sipas shablloneve të tij.

Kur kjo ndodh në këtë botë, edhe ne myslimanët fillojmë të mendojmë:

-Vallë, a thua edhe ne të veprojmë kështu? Vallë, nëse veprojmë kështu, a do të thotë se po ecim me hapin e kohës? Ose, nëse nuk bëjmë kështu, a ngelim prapa kohës? Nëse ngelim prapa kohës, a ka ndonjë çmim për t’u paguar?

Myslimani, duke filluar që nga fusha e ekonomisë, duhet t’i caktojë edhe një herë koordinatat mendore në të gjithë botën e tij sipas kapitalizmit!?

Dispozitat fetare duhet t’i shohim sipas rezultateve që ka nxjerrë në pah modernizmi dhe duhet të shkojmë drejt reformës, ndryshimit dhe përtëritjes!?

Pastaj dëgjoni se marrëdhënia jashtëmartesore është nxjerrë nga të qenët faj në një vend mysliman.

Arsyeja:

Në botë nuk ka ngelur vend që ta konsiderojë marrëdhënien jashtëmartesore si faj!

Kur mëkati përhapet, ndryshon edhe cilësimi i fajit!

Kur përhapet vjedhja, ajo nxirret nga të qenët faj. Kur përhapet kolonizimi, fillon dhe legalizohet…

Në disa vende të Evropës janë bërë legale martesat homoseksuale. Ka disa vende në të cilat janë bërë martesa homoseksuale edhe në shkallë ministrash.

Vallë, a të kujtojnë thirrjen e Hazreti Lutit apo të tentojnë ta mbysin Lutin (a.s.), duke thënë: “Shporrini këta nga kjo botë, sepse pandehin se janë shumë të pastër”?

Të shfaqësh rezistencë ndaj pejgamberit…

Kurani na tregon një rrugë me historitë e pejgamberëve.

Sprovimi i njeriut vazhdon.

Udhëheqja e Hazreti Muhamed Mustafasë, salallahu alejhi ve selem, vazhdon.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), hoqi vuajtjen më të madhe, vendosi të braktiste vendin e vatrën e tij dhe refuzoi interesat më të mëdha të kësaj bote për të mbrojtur vlerat e natyrshmërisë së pastër njerëzore që u kishte sjellë njerëzve.

Ibrahimi, alejhi’s-selam, mori parasysh hedhjen në zjarr.

Por prapë se prapë, sprovimin në këtë botë e kaluan me fytyrë të bardhë.

Hz. Ibrahimi nuk u dogj në zjarr… Sepse atë e kishte rrethuar një mburojë hyjnore.

Historia e Hz. Ibrahimit tregon se ata të cilët kanë veshur mburojën hyjnore, do të fitojnë mirësinë për të mos u djegur në devijimet e kësaj bote, të cilat janë në cilësinë e një lloji të zjarrit të xhehenemit.

Nëse merrni parasysh për të braktisur vendin dhe vatrën tuaj për hir të Allahut si Hazreti Muhamed Mustafai, do të dëgjoni thirrjen: “Ma veddaake Rabbuke / Zoti nuk të ka braktisur ty.” (Duha, 3)

Sikur e gjithë jeta e kësaj bote të ishte vuajtje, përsëri zgjidhni sihariqin: “Jeta e Ahiretit është më e mirë dhe e përhershme.”

Siç e dini, “çdo njeri është në një lloj robërie për shkak të asaj që ka bërë”. Njeriu do ta jetojë këtë botë, do të shpërngulet në botën e përhershme, do të hapet libri i jetës së tij dhe robëria do të zgjidhet… Sigurisht, nëse ka përgatitur një dosje jete që mund t’ia zgjidhë robërinë… Përndryshe, nga kjo robëri ndoshta do të fillojë një udhëtim drejt humbjes së përhershme…

Këtë botë duhet ta jetojmë duke mos e harruar botën tjetër…

Kjo është fshehtësia e mendimit sipas Islamit…

Ata që e formojnë jetën e kësaj bote sipas dëshirave të tyre, do të detyrohen të pranojnë një fat sipas ligjit të Sunduesit Absolut…

Prandaj duhet të bëhemi si Hz. Ibrahimi, edhe nëse bëhet fjalë për në shkallë universale, në mënyrë që të mos digjemi brenda në zjarrin që kanë ndezur Nemrudët…

Ne duhet të strehohemi te Zoti i Botëve për të marrë mbrojtjen hyjnore…

Ahmet Tashgetiren

Share.

Leave A Reply