Nga Selman Farisiu, transmetohet:
Isai (a.s.), u ngarkua me detyrën për të ftuar në besim një sundimtar të Nusajbinit, të njohur për tirani dhe mendjemadhësi. Në fillim, mendoi që atje të çonte disa prej havarive. Prandaj, i pyeti:
“Kush do të shkojë?”
Jakubi tha: “Do të shkoj unë!”
Me të u bashkuan edhe Teomani dhe Shemuni. Shemuni i tha Isait (a.s.):
“O i Dërguar i Zotit! Me lejen tënde, do të shkoj dhe unë. Por, nëse do të ndihemi ngushtë, do të të thërrasim ty! Prandaj mos na e kurse ndihmën!”
Dhe që të tre dolën për udhë. Shemuni qëndroi jashtë qytetit.
“Po të keni nevojë për ndihmë, do të vij!”- u tha ai.
Jakubi dhe Teomani hynë në qytet, ku e mblodhën popullin dhe e ftuan në besimin në një Zot të vetëm. Mirëpo, për shkak se ky popull u kishte besuar shpifjeve dhe mendimeve të këqija mbi Merjemen dhe Isain (a.s.), e refuzuan ftesën e tyre. Madje i mallkuan ata. Më pas Teomanin e çuan tek sundimtari. Ai urdhëroi t’ia prisnin duart dhe këmbët, ta verbonin e ta hidhnin në birucë.
Ndërkohë, Shemuni hyri në qytet duke u fshehur. Ai arriti të afrohej me sundimtarin, duke u bërë mik i ngushtë i tij. Madje, ai u bë një prej shokëve të tij të bisedave. Një ditë, Shemuni kërkoi lejë prej sundimtarit për të pyetur Teomanin në lidhje me disa çështje. Kur u takuan, bënë sikur s’e njihnin njëri-tjetrin.
Shemuni e pyeti:
“O njeri, ç’është fjala jote?”
Teomani:
“Isai është robi dhe i dërguari i Zotit!”
Më pas, dialogu i tyre vazhdoi kështu:
“Cili është argumenti yt se e thua të vërtetën?”
“Ai shëron çdo sëmundje!”
“Këtë e bëjnë edhe mjekët. Ke tjetër?”
“E di se çfarë kanë njerëzit nëpër shtëpi dhe çfarë hanë!”
“Këtë e dinë edhe orakujt (parashikuesit). Tjetër?”
“Bën zog prej argjile që fluturon!”
“Këtë e bëjnë dhe magjistarët!”
“I ngjall të vdekurit…”
“Ja, kjo është diçka mbinjerëzore. Atëherë, le ta thërrasim Isain! Nëse me të vërtetë i ngjall të vdekurit, ta besojmë!..”
Sundimtari i miratoi fjalët e Shemunit. Prandaj, menjëherë i çuan fjalë Isait (a.s.), i cili erdhi në Nusajbin. Ai bëri sikur s’e njihte fare Shemunin. Shemuni i tha sundimtarit:
“Nëse dëshiron, le t’i provojmë aftësitë e tij mbi Teomanin!”
Kur e sollën Teomanin, Isai (a.s.), i fërkoi trupin dhe ai mori formën e mëparshme. Pastaj ia fërkoi sytë dhe shikimi iu kthye përsëri.
Shemuni u kthye nga sundimtari:
“Ja, ky me të vërtetë është argument profecie!”
Pastaj, Shemuni iu drejtua Isait (a.s.):
“O Isa! Këta që ndodhen këtu, çfarë kanë ngrënë për darkë në shtëpitë e tyre dhe çfarë kanë lënë?”
Dhe, Isai (a.s.), i tregoi që të tëra një për një.
Më vonë, i kërkuan të bënte një lakuriq prej balte, që të fluturonte. Isai (a.s.), e bëri dhe lakuriqi fluturoi. Ata i kërkuan të shëronte të sëmurët. Dhe, të gjithë të sëmurët që iu sollën, u shëruan. I kërkuan të ringjallte një të vdekur dhe, për këtë zgjodhën Sam bin Nuh-un. Me lejen e Allahut, Isai (a.s.), e ngjalli edhe atë. Më pas, Samin e pyetën:
“Kaq i plakur ishe kur vdiqe?”
“Jo! Kujtova se shpërtheu Kiameti dhe nga frika u plaka përnjëherë” -u përgjigj ai.
Pasi e vërtetoi profecinë e Isait (a.s.), Sam bin Nuhu vdiq përsëri.
Para gjithë këtyre mrekullive të qarta, sundimtari së bashku me ushtarët e tij besuan që të gjithë. Nga kjo, kuptohet se myslimani duhet të jetë i mençur dhe i urtë. Jo çdo e vërtetë thuhet në çdo vend. E vërteta thuhet në kohën dhe vendin e duhur.