1. Ata kishin marrë idhujt për zota

Statujat, bustet dhe monumentet e ndërtuara për nderim dhe kujtim, me kalimin e kohës janë shndërruar në idhuj që janë adhuruar. Besimi në idhuj, gjatë gjithë historisë, e ka larguar dhe e ka devijuar njerëzimin nga rruga e drejtë. Kështu, edhe populli i Nuhut (a.s.), tha:

“Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin”! (Nuh, 23)

Vedd-i ishte një idhull në formë mashkulli; Suva-ja si femër; Jegus-i si luan; Jeuk-u, si kalë; Nesr-i, si shqiponjë.[1]

Fetë monoteiste, e mbajnë Krijuesin larg prej formësimit dhe imagjinatës, duke i orientuar njerëzit të perceptojnë diçka jashtë materies dhe formës. Pra, i orienton të konceptojnë realitete shpirtërore përtej materies. Mirëpo mendja e njeriut, priret gjithmonë ta mendojë Krijuesin si diçka që ka formë. Njeriu, e imagjinon në mendjen e vet brenda dimensioneve që mund të perceptojë vetë, ose e përngjan Atë me disa qenie në të cilat beson sa ka fuqi hyjnore. Dhe kjo, e çon njeriun në idhujtari, e cila është një lloj shirku[2].

Për këtë arsye, Islami, me qëllim që ta largojë mendjen e njeriut nga formësimi i Allahut, e ka ndaluar bërjen e portreteve dhe statujave të gjallesave. Kjo, sepse Allahu ka cilësinë “muhalefetun li’l-hauadis”, pra i pangjashëm me asnjë qenie tjetër të krijuar. Ai është përtej çdo dimensioni, forme apo imagjinate njerëzore. Lidhur me këtë, Shejh Shibli thotë:

“Kur ta konceptoni Zotin në mendimin tuaj dhe të pandehni se e arritët ta kuptoni plotësisht formën e Tij, atëherë këto mendime ju kthehen mbrapsht, sepse këto lloj mendimesh janë gjëra të prodhuara në mendjen tuaj dhe ashtu si ju, edhe ato janë të krijuara më vonë!..”

Këtu, Shibli thekson domosdoshmërinë e diferencimit mes atij që është i pafillimtë (Allahut) dhe asaj që është krijuar më pas, siç është njeriu dhe çdo gjë që sajon ai në mendimin e tij. Ai thotë se, lidhur me njohjen e Zotit, për njeriun nuk ka mënyrë tjetër përveç metodave dhe cilësive që Allahu i ka caktuar Vetë.

Ndërsa në ditë tona, ekziston një çështje në lidhje me të cilën njerëzit rrezikojnë të bien në shirk (idhujtari). Dhe kjo, është lutja dhe përgjërimi që bëhet tek varri i dikujt që besohet se ka grada të larta tek Allahu. Ajo që duhet pasur kujdes në këtë çështje, është se lutjet s’duhet t’i drejtohen njeriut, sepse kjo çon në hyjnizimin e tij, pra në politeizëm. E njëjta gjë ndodhi edhe me popullin e Nuhut (a.s.).

2. Ata e kishin tepruar në padrejtësi dhe punë të këqija

“Ata ishin më mizorët, më të tërbuarit!..” (Nexhm, 52)

3. Ata nuk ndaleshin nga veprimi i asnjë gjynahu

“Ata ishin një popull i mbrapshtë (perversë, të dalë nga udha)!” (Dharijat, 46)

4. Ata i kishin humbur të gjitha virtytet e mira dhe prireshin vetëm për keq

“Me të vërtetë, ata ishin një popull i keq!..” (Enbija, 77)

5. Ata ishin ulur aq poshtë, sa nuk u kishte mbetur më ndjenja e ndërgjegjes

“Vërtetë, ata ishin një popull i verbër!” (A’raf, 64)

Vitet e gjata të kumtimit dhe këshillës

Nuhu (a.s.), ishte pesëdhjetë vjeç kur Xhebraili (a.s.), i erdhi dhe i kumtoi profecinë, duke i thënë:

“Shko tek Dermesili dhe populli i tij dhe kumtoja besimin në një Zot të vetëm!..”

Ndërsa Nuhu (a.s.), dha fjalën se do t’ua kumtonte njerëzve besimin në një Zot të vetëm sa të ishte gjallë! Në Kuran, urdhërohet:

“Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne!” (Ahzab, 7)

“Shumë kohë më parë, Ne dërguam Nuhun te popullit i tij. (Ai u tha): «Unë jam për ju paralajmërues i hapët; që të adhuroni vetëm Allahun. (Përndryshe) unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të dhembshme».” (Hud, 25-26)

Në kohët e para Nuhu (a.s.), e bënte kumtesën mbi besimin monoteist dhe i këshillonte njerëzit fshehtas. Më pas filloi ta bëjë haptas. Megjithëse gjatë rinisë kishte fituar dashurinë e gjithkujt, pasi u ngarkua me kumtimin e urdhrave hyjnorë, atij i besuan shumë pak veta.

Kur sundimtari i popullit, Dermesili, mori vesh për veprimtarinë kumtuese të Nuhut (a.s.), i pyeti ata që ndodheshin pranë:

“Kush është ky?”

Ata i thanë:

“E quajnë Nuh bin Lamek. Por megjithëse është prej nesh, është një njeri që nuk vepron si ne. Në fillim ishte njeri i mençur, pastaj e humbi mendjen. Tani thotë se është profet!..”

Më pas, kur i thanë se dilte kundër idhujve, Dermesili e thirri pranë Nuhun (a.s.) dhe e iu hakërrye:

“Turp të kesh! Ti po i mohon zotat tanë?”

Dermesili dhe ata që nuk i besuan Nuhut (a.s.), talleshin me të për shkak se përreth tij mblidheshin të varfrit. Mohuesit, i thoshin Nuhut (a.s.):

“Vallë, a të të besojmë ne ty, ndërkohë që ty po të pasojnë më të ulëtit?” (Shuara, 111)

Për shkak të mendjemadhësisë që i kishte pushtuar, ky popull injorant dhe mizor, i shihte me përbuzje të varfrit dhe nevojtarët. Por Nuhu (a.s.), i mbronte ata që i besuan, aq sa mbronte edhe çështjen e tij të besimit në një Zot të vetëm. Ai reagonte ndaj akuzave të mohuesve, duke u thënë:

“…Unë nuk mund t’i dëboj ata që besojnë. Ata do të takohen me Zotin e tyre. Mirëpo, unë shoh se fatkeqësisht, ju jeni popull, që nuk di. O populli im, kush do të më mbrojë nga Allahu, nëse unë i dëboj (besimtarët)? A nuk doni të merrni këshillë?” (Hud, 29-30)

Pas vdekjes së Dermesilit, vendin e tij e zuri i biri, Nevlini, i cili ishte mizor e tiran po aq sa i ati.

Nuhu (a.s.), e vazhdoi në të njëjtën mënyrë detyrën e tij edhe në kohë të Nevlinit. Njerëzit talleshin me të, e rrihnin, e qëllonin me gurë dhe i hidhnin dhé sipër. Por ai tregonte një durim të madh. Si një favor hyjnor, herë pas here plagët ia mjekonte Xhebraili (a.s.). Idhujtarët i thoshin:

– Mjerë për ty, o Nuh! Me gjithë këtë dajak e këto sharje që po ha, akoma nuk po heq dorë nga e jotja!

Kurse Nuhu (a.s.), u përgjigjej duke i këshilluar:

“Unë nuk jam i marrë! Etërit tuaj tani po vuajnë (në varr)! Mblidhni mendjen!”

Më pas, për t’i bërë të kuptonin se nuk kishte frikë prej tyre, u thoshte:

“Nëse i ktheni shpinën ftesës dhe këshillës sime, s’më bëni dëm mua! Unë nuk kam frikë nga e keqja juaj, sepse i jam mbështetur plotësisht Zotit tim!.. Prej jush nuk kërkoj as shpërblim!..”

Në Kuran urdhërohet:

“Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi; mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve. Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!” (Shuara, 109-110)

*

Privimi nga udhëzimi

Shkaqet kryesore se pse një pjesë e njerëzve nuk e ka pranuar besimin monoteist të sjellë nga profetët dhe, për pasojë, ka mbetur e privuar nga rruga e drejtë, janë këto:

a) Teprimi dhe egërsia:

Në fenë e vërtetë, ka një besim mbi jetën e përtejme, ku jepet shpërblimi dhe ndëshkimi për veprat e kryera në këtë jetë. Prandaj individët nuk mund të veprojnë lirisht siç duan. Ata janë të detyruar t’i rregullojnë sjelljet dhe veprimet e tyre sipas parimeve fetare.

Gjatë gjithë historisë, në shoqëritë idhujtare, ku nuk ekzistonte besimi në botën tjetër, të fuqishmit i shtypin të dobëtit dhe i skllavërojnë sipas dëshirave personale. Për shkak se në këto shoqëri të gjitha të drejtat u përkisnin të fuqishmëve, ata nuk besonin se do të paguanin për veprat e tyre në botën tjetër. Prandaj, besimi mbi jetën tjetër, që predikonte feja e vërtetë i shqetësonte shumë ata.

Kështu, frika e parë serioze e shfaqur ndër idhujtarët pas shfaqjes së Islamit, ishte lajmi lidhur me çështjen e “Ahiretit”, (jetës pas vdekjes). Idhujtarët u tronditën aq shumë prej kësaj, saqë e quajtën: “Lajm i madh!”. Këtë shqetësim të tyre, Kurani Fisnik e shpreh kështu:

“Për çfarë e pyesin ata njëri-tjetrin? Për Lajmin e madh, rreth të cilit ata kanë kundërshtime.” (Nebe, 1-3)

b) Cenimi i interesave:

Në fenë e vërtetë ka një jetë adhurimi të disiplinuar e të rregullt, gjë e cila s’ndodh në idhujtari. Idhujtarët janë mësuar t’i përdorin idhujt sipas interesave dhe dëshirave të tyre. Prandaj, atyre u duket shumë e vështirë jeta në fenë e vërtetë me adhurime të vërteta.

c) Ata janë të privuar nga personalitetet shembullore:

Në fenë e vërtetë, është e nevojshme që populli të marrë shembull prej profetëve. Kurse në idhujtari s’ka një model i cili mund të merret shembull dhe nuk ka ndonjë detyrim të tillë. Ata veprojnë e sillen sipas dëshirave trupore e egoistike.

d) Mburrja dhe mendjemadhësia:

Idhujtarët e fuqishëm, të pasur e me pozitë të lartë shoqërore, përjetojnë fatkeqësinë e përçmimit të profetëve dhe pasuesve të tyre, të cilët bëjnë një jetë të thjeshtë në shoqëri. Kjo, sepse ata pandehin se po të shoqërohen me besimtarët e varfër e të pafuqishëm, kanë për ta humbur vlerën në shoqëri.

e) Joshja nga jeta e kësaj bote:

Një prej shkaqeve që bëhet pengesë e udhëzimit të idhujtarëve, është joshja e tyre nga jeta e kësaj bote (malli, pasuria, fëmijët, etj.), e cila i çon në indiferentizëm dhe ua verbon sytë e zemrës për ta parë të Vërtetën.

Në Kuran urdhërohet:

“Njerëzve u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” (Al-i Imran, 14)

Siç tregohet në ajetin 71 të sures Junus, Nuhu (a.s.), demaskoi qëllimet e këqija të popullit idhujtar dhe i sfidoi ata:

  1. Përdorni të gjitha mjetet dhe mënyrat për të arritur qëllimin tuaj!
  2. Thirrni bashkëpunëtorët tuaj!
  3. Veproni hapur dhe mos u mundoni të fshiheni!
  4. Veproni gjithçka të keqe që dini kundër meje!
  5. Veproni menjëherë kundër meje dhe mos më afatizoni! (Junus, 71)

Këto fjalë të Nuhut (a.s.), tregonin vendosmërinë e tij në mbështetjen dhe dorëzimin tek Zoti i tij.

Kërkimi i ndëshkimit nga populli i pagdhendur

Askush nuk e besoi më Nuhun (a.s.), përveç atyre që e besuan në çastin e parë të ftesës së tij. Krahas kësaj, edhe mundimet që i shkaktuan idhujtarët atij dhe besimtarëve, arritën kulmin. Ata u tërbuan në atë masë, sa me një guxim prej injorantësh, e kërkonin vetë ndëshkimin hyjnor.

“Ata thanë: «O Nuh, ti na kundërshtove ne, madje e zgjate kundërshtimin. Le të na godasë ajo me çfarë na kërcënon, nëse thua të vërtetën!»” (Hud, 32)

Pas kësaj shpalljeje, populli mizor, vazhdoi ta përbuzte dhe ta përgënjeshtronte kumtesën e tij. Pasi ata i thanë t’ua sillte ndëshkimin që u kishte premtuar, Nuhu (a.s.), ua kujtoi edhe njëherë forcën dhe vullnetin e Zotit:

“Tha (Nuhu): «Vetëm Allahu do t’jua sjellë atë, nëse dëshiron; e ju Atij nuk mund t’i ikni. Këshilla ime nuk do t’ju bëjë dobi edhe sikur të doja t’ju këshilloja, nëse vullneti i Allahut është që t’ju shkatërrojë. Ai është Zoti juaj dhe ju tek Ai do të ktheheni».” (Hud, 33-34)

Më në fund, si paralajmërim i parë i ndëshkimit hyjnor, Zoti e la dyzet vjet pa shi këtë popull të pagdhendur. Ata nuk po lindnin më fëmijë dhe kafshët u ngordhën. Të pashpresë, iu drejtuan Nuhut (a.s.), i cili u tha:

“Hiqni dorë nga adhurimi i idhujve që të lutem për ju!”

Më pas, Nuhu (a.s.), iu drejtua Allahut me këtë fjalë:

(O Zot!) I thashë (popullit): «Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!»” (Nuh, 10-12)

Nuhu (a.s.), vazhdoi ta paralajmërojë e ta këshillojë popullin e vet:

“Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë), ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)? A nuk e shihni se si Allahu i ka krijuar shtatë qiejt njëri mbi tjetrin, dhe në ta e ka bërë Hënën dritë, kurse Diellin e ka bërë fener? Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët, pastaj ju kthen tek ajo dhe prej saj sërish do t’ju nxjerrë. Allahu për ju e ka bërë Tokën shtrojë të gjerë, që të ecni nëpër të, nëpër rrugët e gjera.” (Nuh, 13-20.)

Mirëpo, populli i pagdhendur nuk ua vuri veshin këtyre këshillave plot urtësi. Prandaj:

“Nuhu tha: «O Zoti im, ata më kundërshtuan mua dhe u dhanë pas atyre njerëzve, pasuria dhe fëmijët e të cilëve nuk kanë sjellë gjë tjetër, veç shkatërrimit.

Ata kurdisën një kurth të madh, dhe thanë: «Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin!» E kështu kanë futur në rrugë të gabuar shumë (njerëz). Prandaj, keqbërësve mos u shto gjë tjetër, veç humbjes!»” (Nuh, 21-24)

*

Një baba, i thotë të birit duke i treguar me gisht Nuhun (a.s.):

“Shiko, mos i beso atij!”

Pas kësaj, djali merr shkopin e të atit dhe e godet Nuhun (a.s.), në kokë. Ashtu i gjakosur, Nuhu (a.s.), i drejtohet Zotit:

“O Zot! Nëse ke dëshiruar të mirën e tyre, drejtoji në udhë të drejtë! Ndryshe, më jep durim gjersa të vendosësh për ta. Ti je më i Miri i gjykuesve!”

Mirëpo, kur këmbëngulja në mundime dhe ofendime erdhën duke u shtuar, nuk ngeli më gjë për të bërë. Prandaj, Nuhu (a.s.), iu drejtua Allahut me lutje:

“O Zot! U munda! Më ndihmo!” (Kamer, 10)

Kur një brez prej popullit të Nuhut (a.s.), vdiste, e porosiste brezin pasardhës të mos i besonin Nuhut (a.s.), ta kundërshtonin atë dhe ta luftonin. Baballarët, i rrisnin dhe i edukonin fëmijët e tyre duke u thënë:

– Mos i besoni kurrë Nuhut sa të jetë gjallë!

Natyrshmëria e këtij populli ishte prishur plotësisht dhe tashmë nuk e njihnin më besimin dhe të vërtetën. Për këtë arsye, Nuhu (a.s.), tha:

“«O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë! O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!»” (Nuh, 26-28)

Pas kësaj lutjeje erdhi urdhri për ndërtimin e anijes:

“Dhe Nuhut iu shpall: «Nga populli yt askush nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata! Ndërto anijen nën Sytë (mbikëqyrjen) dhe udhëzimin Tonë dhe mos m’u drejto më për ata që janë keqbërës! Ata, me siguri, do të fundosen».” (Hud, 36-37)

Kur e panë Nuhun (a.s.), që po ndërtonte një anije, idhujtarët vazhduan të tallen me të:

“Ai nisi të ndërtonte anijen. Sa herë që kalonte pranë tij paria e popullit të tij, e përqeshte. Ai u tha: «Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu si po talleni ju dhe, së shpejti, me siguri, do ta merrni vesh, kë do ta gjejë dënimi poshtërues dhe mbi kë do të bjerë dënimi i përhershëm».” (Hud, 38-39)

Mirëpo, idhujtarët nuk mjaftoheshin me kaq, por vinin natën për të djegur anijen. Për shkak se nuk e digjnin dot, i thoshin Nuhut (a.s.):

“Kjo është magjia jote!”

Pas këtyre, vazhduan ta tepronin në armiqësi dhe ofendime, aq sa filluan ta ndynin anijen me urinë dhe jashtëqitje. Mirëpo, kur u ra zgjebja, u detyruan të lyenin fytyrat me jashtëqitjet e veta. Por, megjithëse Allahu i paralajmëronte me këto shenja, ata nuk arritën të kuptonin asgjë dhe nuk u zgjuan nga gjumi i indiferencës.

Ndëshkimi: Tufani

Siç thuhet, anija që ndërtoi Nuhu (a.s.), me besimtarët, u bë prej një druri të rezistueshëm ndaj kushteve të vështira. Ka transmetime që thonë se, ndërtimi i saj përfundoi në dy-tre vjet, ishte trekatëshe dhe me avull.

Sipas një transmetimi të Ibn Abbasit, në anije ndodheshin tetëdhjetë njerëz dhe nga një çift për çdo kafshë. Pasi mbaruan të gjitha përgatitjet, erdhi edhe urdhri hyjnor që priste Nuhu (a.s.):

“Kur arriti urdhri Ynë e uji nisi të gufojë nga sipërfaqja e Tokës, Ne i thamë: «Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift, familjen tënde – përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit – dhe besimtarët!» Por shumë të paktë ishin ata që i kishin besuar atij!” (Hud, 40)

Fjala arabe “tennur”, që gjendet në tekstin origjinal arabisht të ajetit, ka disa kuptime ndër të cilat është edhe “furrë”. Nisur nga kjo, disa dijetarë thonë se në anijen e Nuhut (a.s.), gjendej një sistem me kazanë që ziente me zjarr dhe e cila e vinte anijen në lëvizje me avull.

Ndër ata që mbetën jashtë gjemisë, qe edhe i biri i Nuhut (a.s.), Kenani. Megjithëse babai i tij e këshilloi për të fundit herë, prapë nuk pati dobi.

“Dhe ajo lundronte me ata nëpër valët e mëdha e të larta sa malet, ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: «O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!» (I biri) tha: «Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji». Nuhu iu përgjigj: «Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!» Një valë në mes tyre i ndau dhe ai u fundos.” (Hud, 42-43)

“Pastaj Nuhu iu lut Zotit dhe i tha: «O Zoti im, biri im është nga familja ime, premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykatësi më i drejtë!»” (Hud, 45)

Fakti që Nuhu (a.s.), lëshoi mallkimin e tij për popullin e vet, ndërkohë që për të birin e pabindur iu lut Zotit, e vunë në pozitë të vështirë Nuhun (a.s.). Për këtë arsye, atij iu tërhoq vëmendja që të mos bëhej nga injorantët:

(Allahu) tha: «O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe. Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit».” (Hud, 46)

I penduar për rrëshqitjen, Nuhu (a.s.), iu drejtua Zotit:

“O Zoti im, mbështetem tek Ti për Të të mos kërkuar gjëra, për të cilat nuk kam dijeni. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit!” (Hud, 47)

Allahu e urdhëroi Nuhun (a.s.), të mos lutej për mohuesit:

“…mos M’u drejto më për ata që janë keqbërës! Ata, me siguri, do të fundosen!” (Hud, 37)

“Dhe Ne i shpallëm atij: «Ndërto anijen nën Sytë (mbikëqyrjen) dhe frymëzimin Tonë e, kur të vijë urdhri Ynë e të vërshojë uji nga furra, ngarko në anije prej çdo lloj gjallese nga një çift dhe familjen tënde, përveç atyre që janë dënuar të humbasin, dhe mos M’u drejto për ata që kanë bërë të këqija se ata, me të vërtetë, do të fundosen!»” (Mu’minun, 27)

“Dhe Ne i hapëm dyert e qiellit me ujë të rrëmbyeshëm dhe i shpërthyem burimet e tokës, e u takuan ujërat për një qëllim të paracaktuar.” (Kamer, 11-12)

Nuhu (a.s.) dhe ata që ndodheshin me të në anijen që u ngrit mbi ujërat e furishëm, ishin nën mbrojtjen e Allahut, edhe pse ajo lundronte në mes të dallgëve të egra. Zoti urdhëron kështu në Kuran:

“Dhe ajo lundronte me ata nëpër valët e mëdha e të larta sa malet,…” (Hud, 42)

(Anija) e cila lundronte nën Sytë Tanë: si shpërblim për atë (Nuhun a.s.) i cili u mohua. Ne e kemi bërë atë si shenjë, por a ka kush që ia vë veshin? Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!” (Kamer, 14-16)

Tërheqja e ujërave

Para se të hipnin në anije, Allahu i Madhëruar i mësoi Nuhut (a.s.), këtë lutje:

“Kur të hipësh në barkë ti dhe ata që janë me ty, thuaj: «Qoftë lavdëruar Allahu, i cili na shpëtoi prej popullit keqbërës!» Dhe thuaj: «Zoti im, më zbarko në vend të bekuar, se Ti je më i miri për të na zbarkuar.»” (El-Mu’minun, 28-29)

Siç rrëfehet, tufani filloi në ditën e parë të muajit Rexhep, që është muaji i shtatë i kalendarit hënor dhe njëri prej tre muajve “të mirë” dhe vazhdoi gjashtë muaj rresht. Më pas, Zoti urdhëroi qiellin dhe tokën:

“O Tokë, gëlltit ujin tënd dhe ti, o qiell, ndaloje (shiun)!” (Hud, 44)

Si përfundim, anija ndaloi në malin Xhudi, më 10 Muharrem (muaji i parë i kalendarit hënor), në Ditën e Ashures. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Nuhun (a.s.):

“O Nuh, zbrit me përshëndetje prej Nesh dhe me bekime për ty dhe pasardhësit e atyre që gjenden me ty. Disa popujve (pas teje), Ne do t’u japim kënaqësi e pastaj do t’i godasë nga Ne dënimi i dhembshëm!” (Hud, 48.)

“…Pastaj i bëmë ata zëvendës (të atyre që u zhdukën), kurse ata që përgënjeshtruan shpalljet Tona i fundosëm. Shikoje sesi ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar!” (Junus, 73)

Zoti e bën të qartë kështu në Kuran fundin e mohuesve, të padrejtëve e mizorëve:

“Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën mbrojtës tjetër për veten në vend të Allahut.” (Nuh, 25)

Dita e Ashures

Pas zbritjes shëndoshë e mirë në malin Xhudi, Nuhu (a.s.) dhe besimtarët mbajtën agjërim në shenjë falënderimi ndaj Zotit. Dhe nga ushqimet e mbetura përgatitën ashure. Për këtë arsye, dita që përkon me atë ditë, pra 10 Muharrem, është sunet të japësh sadaka, të shpërndash ëmbëlsirë dhe të agjërosh.

Ebu Hurejre (r.a.) transmeton këto fjalë prej të Dërguarit të Allahut (a.s.):

“Agjërimi që ka shpërblim më të madh pas agjërimit të Ramazanit, është agjërimi i mbajtur në muajin Muharrem, që është një muaj hyjnor!” (Muslim, Saum, 38.)

Nëna jonë Aishe (r.anha) transmeton:

“Në periudhën e injorancës, Kurejshët agjëronin Ditën e Ashures. Edhe Muhamedi (a.s.), e ka mbajtur këtë agjërim para se të bëhej profet.” (Buhari, Saum, 69, Menakibu’-Ensar, 26, Tefsir, 2/24.)

Transmetohet se, në këtë ditë, Allahu pranoi pendesën e  Ademit (a.s.) dhe e konsideroi “Safijullah”, “Robi i zgjedhur i Allahut”; Idrisin (a.s.), e ngriti në një pozitë të lartë;  Nuhun (a.s.), e zbriti prej anijes; Ibrahimin (a.s.), e shpëtoi prej zjarrit;  Musait (a.s.), i shpalli Teuratin;  Jusufin (a.s.), e shpëtoi prej burgut;  Jakubit (a.s.), i ktheu shikimin;  Ejjubin (a.s.), e shëroi;  Junusin (a.s.), e shpëtoi prej barkut të peshkut; shpëtoi bijtë e Izraelit duke e ndarë përmes Detin;  Daudin (a.s.), e fali; Sulejmanit (a.s.), i dha pasuri e sundim; dhe Muhamedit (a.s.), ia fali të gjitha gjynahet e të shkuarës e të së ardhmes.

Sipas dijetarëve, fjala “tufan” ka kuptim të përgjithshëm. Fjala është për një përmbytje të përgjithshme. Në librin “Mir’at-i Kainat”, “Pasqyra e gjithësisë”, thuhet:

Sapo anija zuri tokë, tetëdhjetë vetë themeluan qytetin “Medinetu Semanin”, “Qyteti i të tetëdhjetëve”. Këtij qyteti i thonë edhe “Tregu i të tetëdhjetëve”. Ja pra, shtimi i dytë i njerëzimit,  është bërë prej këtyre tetëdhjetë vetëve.

Djali i madh i Nuhut (a.s.), Sam-i ka qenë një person i mençur, i zgjuar dhe i mirë. Ai e zëvendësoi të atin pas vdekjes. Ai pati merituar lutjet dhe bekimet e të atit. Njerëzit e mirë, në përgjithësi, prej tij kanë rrjedhur. Supozohet se prej djalit tjetër, Ham-it janë shtuar indianët dhe afrikanët. Kurse prej djalit tjetër, Jafes-it, janë shtuar aziatikët dhe lëkurëkuqtë.

Megjithatë, ka edhe mendime se, përmbytja nuk ka qenë e përgjithshme por vetëm për popullin e Nuhut (a.s.). Madje as çiftet e kafshëve që janë bartur në anije, nuk kanë qenë prej çdo lloj kafshe por vetëm prej disa kafshëve shtëpiake e të zbutura. Allahu e di më së miri. Por ajo që kërkohet prej nesh, është të marrim mësim prej këtyre ndodhive e jo të merremi me detaje, duke e harruar qëllimin kryesor të këtyre ngjarjeve të mëdha për njerëzimin.

Ndërkaq, me kalimin e kohës, porositë fetare u harruan përsëri dhe njerëzit nisën të adhurojnë yjet, diellin dhe idhujt.

Sipas komentuesit Fahredini Raziu, në thënien e Kuranit se, Nuhu (a.s.), pati kaluar 950 vjet mundime e vuajtje mes popullit të tij, është pasur për qëllim qetësimi i të Dërguarit të Allahut. Kjo, sepse Nuhu (a.s.), kishte duruar një periudhë aq të gjatë, saqë përbënte një shembull të shkëlqyer për të gjithë njerëzit.

 

[1] Shih. E.Hamdi Yazir, 8/5378.

[2] – shirk. Konsiderimi i diçkaje si shok, ortak apo të ngjashëm me Allahun.

Share.

Leave A Reply