Në një hadith të Profetit tonë (a.s.), tregohet një ngjarje shumë mësimdhënëse, e cila i ka ndodhur disa njerëzve të mirë prej bijve të Izraelit:

“Tre presona, të cilët kanë jetuar kohë më parë, dolën për udhë dhe, për të kaluar natën, u futën në një shpellë. Ndërkohë (që ishin në shpellë), një shkëmb bie nga mali dhe zë hyrjen e shpellës. Pas kësaj që ndodhi, tre shokët i thanë njëri-tjetrit:

“Neve nuk na shpëton dot gjë prej këtu, përveçse të lutemi me veprat tona të mira!”

Njëri prej tyre tha:

“Zoti im! Unë kisha dy prindër shumë të moshuar. Unë nuk u jepja të hanë e të pinë as fëmijëve të mi dhe as kafshëve para se t’u jepja atyre. Një ditë kisha shkuar larg për dru dhe nuk munda të kthehem para se ata t’i zinte gjumi. Unë e përgatita ushqimin e darkës, por i gjeta në gjumë. Prandaj, nuk mu duk me vend t’i zgjoja, por, as ta pinim si familje qumështin e darkës pa qenë edhe ata. Prita me enë në dorë që të zgjoheshin. Më në fund zbardhi dita. Ndërsa fëmijët qanin tek këmbët e mia nga uria. Atë çast, prindërit e mi u zgjuan dhe e pinë qumështin e mbrëmjes.

Zoti im! Nëse këtë vepër e kam bërë për kënaqësinë Tënde, na shpëto prej belasë së këtij shkëmbi!”

Shkëmbi lëvizi pak, por jo aq sa mund të dilnin.

I dyti u lut kështu:

“O Zot! Xhaxhai im kishte një vajzë, të cilën e doja më shumë se çdokush tjetër. Unë desha të bashkohesha me të. Por ajo nuk ma pranoi propozimin. Disa vjet më vonë, kur e kapi një kohë zie, erdhi tek unë. Unë i dhashë njëqind derhem me kusht që të pranonte dëshirën time. Ajo, pranoi e detyruar. Por, sapo unë iu afrova, ajo më tha:

“Ki frikë Zotin dhe mos ma merr nderin pa asnjë të drejtë!”

Ndërsa unë duke u frikësuar nga Zoti, u largova nga ajo femër që e dëshiroja aq shumë, megjithëse ajo ishte e detyruar t’i dorëzohej dëshirës sime. Madje, edhe florinjtë që ia pata dhënë, ia lashë asaj.

Zoti im! Nëse këtë gjë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo belanë e këtij shkëmbi!”

Hyrja e shpellës u hap edhe ca, por përsëri jo aq sa për të dalë ata.

Personi i tretë tha:

“Zoti im! Mora disa argatë me pagesë dhe, pasi mbaruam punën, i pagova. Mirëpo, njëri prej tyre iku pa e marrë pagesën. Unë i bashkova paratë e tij me të miat dhe shtova mallin. Pas një farë kohe njeriu erdhi tek unë dhe më tha:

– Ma jep pagesën time!

Ndërsa unë i thashë:

– Këto tufa devesh, lopësh dhe delesh, janë shtuar prej parave të tua. Merri, janë të gjitha të tuat!

Ai tha:

– O rob i Zotit! Mos u tall me mua!

– Jo nuk tallem me ty! Po them të vërtetën!

Pas kësaj, njeriu i mori të gjitha dhe shkoi pa lënë asgjë.

O Zot! Nëse e kam bërë këtë për kënaqësinë Tënde, na e largo këtë të keqe!

Më në fund, shkëmbi rrëshqiti prej hyrjes së shpellës. Më pas, ata dolën dhe vazhduan rrugën e tyre. (Buhari, Buju, 98; Ixhare, 12; Muslim, Dhikir, 100.)

Ky hadith profetik, është shembull i qartë i faktit se, njerëzit të cilët në jetën e tyre vënë në plan të parë kënaqësinë e Allahut, kanë për të merituar edhe mirësitë e Tij. Prandaj, njeriu nuk duhet të shkojë pas dëshirave të egos, por duhet t’u nënshtrohet urdhrave dhe ndalimeve të Krijuesit. Domethënë, t’i përshtatet dhe t’i dorëzohet kënaqësisë së Tij, sepse t’i përshtatesh dhe t’i dorëzohesh kënaqësisë së Allahut, është fryti më i ëmbël i dashurisë së robit ndaj Allahut.

Grada më e lartë që mund të arrijë njeriu në rrugën e Allahut, është që Allahu të jetë i kënaqur me të, gjë e cila për robin është edhe shpërblimi më i madh i kënaqjes së tij ndaj Allahut.

Lidhur me këtë të vërtetë, Allahu i Madhëruar, në Kuranin Fisnik shprehet:

“…Allahu është i kënaqur me ta, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” (Bejjine, 8)

 

Share.

Leave A Reply