I cili pasurinë dhe sundimin madhështor në këtë botë, i barti jashtë zemrës së tij.

*

Sulejmani (a.s.), ka lindur në rajonin e Gazas, e cila sot ndodhet në tokat e Palestinës. Ai ishte 12-13 vjeç kur i vdiq i ati, Daudi (a.s.).

Që në fëmijëri, Sulejmani (a.s.), kishte një zgjuarsi të theksuar dhe një aftësi kuptuese të lartë. Lidhur me zgjuarsinë e Sulejmanit (a.s.), transmetohet një hadith i tillë:

“…Njëherë, ishin dy gra që kishin pranë nga një djalë. Gjatë rrugës, i sulmoi një ujk, i cili rrëmbeu djalin e gruas më të madhe. Pas kësaj, gruaja më e madhe, i tha shoqes së saj më të re në moshë:

– Ujku rrëmbeu djalin tënd!

Kurse gruaje e re kundërshtoi:

– Jo, s’është e vërtetë; ujku rrëmbeu djalin tënd!

Gratë filluan të debatonin dhe më në fund, iu drejtuan Daudit (a.s.), që t’ua zgjidhte çështjen. Daudi (a.s.), vendosi që djali t’i përkiste gruas së madhe. Mirëpo, gruaja e re, nuk e pranoi gjykimin që dha Daudi (a.s.) dhe për këtë arsye iu drejtua Sulejmanit (a.s.). Kur shkuan tek ai, i treguan vendimin e Daudit (a.s.). Pas kësaj Sulejmani (a.s.), tha:

– Më sillni një thikë! Do ta ndaj fëmijën më dysh dhe do t’ua jap grave!

Atëherë, gruaja më e re u hodh në çast:

– Aman, mos e bëj! Allahu të mëshiroftë! Fëmija është i kësaj gruaje!

Pas këtyre fjalëve, Sulejmani (a.s.), vendosi që fëmija t’i përkiste gruas më të re! (Buhari, Enbija, 40. vëll IV, f. 136.)

Kjo, sepse dhembshuria e nënës mund të pranojë humbjen e fëmijës, por jo vdekjen e tij!

*

Një rrëfim tjetër lidhur me zgjuarsinë e Sulejmanit (a.s.) është edhe ky:

Një natë, një tufë delesh kishin hyrë në një arë të mbjellë dhe e kishin shkatërruar plotësisht. Të zotët e arës shkuan dhe u ankuan tek Daudi (a.s.). Ara e shkatërruar, në aspektin e vlerës ekonomike, ishte e barabartë me vlerën e tufës së deleve. Për këtë arsye, Daudi (a.s.), vendosi që tufa t’u jepej pronarëve të arës. Atë kohë, Sulejmani, që i ndodhej pranë, megjithëse i vogël në moshë, ndërhyri dhe tha:

– Baba, ka edhe një mënyrë tjetër! Le t’ua japim delet pronarëve të arës në formë huaje, me qëllim që të kenë mundësinë të përfitojnë prej qumështit dhe leshit të tyre derisa ta rregullojnë arën e ajo të vijë në gjendjen ku ishte. Kur punët të vihen në vijë, tufa t’i rikthehet të zotit!”

Daudi (a.s.), e pëlqeu shumë zgjidhjen e të birit dhe ashtu vendosi. Kjo ngjarje, në Kuranin Fisnik tregohet kështu:

(Kujtoje) edhe Daudin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve. Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre. Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri!..” (Enbija, 78-79)

Daudi (a.s.), për shkak të zgjuarsisë së jashtëzakonshme dhe lidhjes së tij me zemër pas Zotit, e zgjodhi Sulejmanin (a.s.), pasuesin e vet mes nëntëmbëdhjetë djemve të tij. Mirëpo, bijtë e Izraelit e kundërshtuan këtë zgjedhje të Daudit (a.s.):

– Sulejmani është ende fëmijë. Mes nesh ka më të aftë dhe më të mëdhenj se ai!- thanë ata.

Pas këtij kundërshtimi, Daudi (a.s.), në bazë të urdhrit hyjnor që i erdhi, bëri një provim para të gjithë dijetarëve, ku e pyeti djalin e tij Sulejmanin:

– Ç’është ajo, drejtësia e të cilës bëhet shkak për drejtësinë e organeve të tjera, ndërsa devijimi i saj bëhet shkak për devijimin e organeve të tjera?

– Zemra! – u përgjigj Sulejmani.

Dijetarët e pëlqyen shumë këtë përgjigje.

Më pas, Daudi (a.s.), mblodhi bastunët e të gjithë atyre që donin të bëheshin sundimtarë pas tij, shkroi emrat e tyre sipër dhe i mbylli bastunët në një dhomë. Pasi kaloi njëfarë kohe, u vu re se vetëm bastuni i Sulejmanit kishte gjelbëruar dhe lëshuar gjethe. Daudi (a.s.), e falënderoi Zotin për këtë mirësi, kurse bijtë e Izraelit e pranuan Sulejmanin për sundimtar pas Daudit (a.s.).

Pasi e zgjidhi çështjen e pasuesit të tij në sajë të mirësisë së Allahut, Daudi (a.s.), i dha këto porosi të birit:

* O bir! Mos bëj shaka, se dobia e saj është e paktë dhe më pas sjell pendim!

* Mos u nevrikos, sepse kjo e ul nivelin e njeriut! Por, nëse nevrikosesh, largohu prej aty ku je!

* Mos u miqëso me njerëz të ulët dhe të poshtër!

* Mos prit gjë prej njerëzve! T’ua ngulësh sytë mirësive që Allahu u ka dhënë të tjerëve e ty jo, është varfëri për ty!

* Mësoje veten dhe gjuhën tënde me të drejtën!

* Puno që e sotmja të jetë më e mirë se e djeshmja!

* Kapu pas devotshmërisë, sepse ajo e lartëson njeriun!

* Mos e prit shpresën prej mëshirës së Allahut, sepse mëshira e Tij përfshin çdo gjë!

Pas vdekjes së Daudit (a.s.), Sulejmani u bë sundimtar.

“Ne i falëm Daudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit!” (Sad, 30)

Sulejmanit (a.s.), iu dhanë shumë mirësi dhe mundësi administrimi.

“Ne i dhamë Daudit dhe Sulejmanit dituri dhe ata thanë: «Qoftë lavdëruar Allahu që na ka ngritur mbi shumicën e robërve të Tij besimtarë!»” (Neml, 15)

Sulejmani (a.s.), kuptonte gjuhën e zogjve dhe mënyrën e tyre të përmendjes së Allahut.

“Sulejmani e trashëgoi Daudin dhe tha: «O populli im! Neve na është mësuar gjuha e shpendëve dhe na është dhënë gjithçka. Kjo është vërtet dhunti e madhe»” (Neml, 16)

Atij iu dha administrimi i njerëzve, i xhinëve, i kafshëve dhe i erës. Të gjithë i bindeshin urdhrit të tij.

“Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë.” (Enbija, 81)

“Sulejmanit Ne ia nënshtruam erën, me të cilën udhëtimin e një muaji ai e bënte brenda një paraditeje ose një pasditeje. Ne i dhamë atij një burim të rrjedhshëm bakri të shkrirë dhe xhinde që i bëmë të punonin para syve të tij, me urdhrin e Zotit të tij. Këdo prej tyre që largohet nga urdhri Ynë, do ta bëjmë që të shijojë dënimin e Zjarrit.

Ata punonin për atë çfarë të dëshironte: faltore dhe statuja, enë të gjera si puse dhe kazanë të mëdhenj të palëvizshëm. “O familje e Daudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” (Sebe’, 12-13)

Fjala “statuja” që kalon në ajetin e mësipërm, nënkupton buste ose portrete të bërë prej materialesh të ndryshme, si bakri, argjila, qelqi etj. Nisur nga kjo, një pjesë e dijetarëve janë të mendimit se në kohën e Sulejmanit (a.s.), punimi i statujave apo portreteve të krijesave të gjalla dhe jo të gjalla, ka qenë i lejueshëm. Ndërsa një pjesë tjetër e dijetarëve, mendojnë se edhe në kohën e Sulejmanit (a.s.), punimi i statujave të gjërave të gjalla ka qenë i ndaluar, sepse ai ka gjykuar me ligjet e Musait (a.s.). Për rrjedhojë, fjala “statuja”, që në arabisht është “temasil”, nënkupton vetëm statuja apo portretet e gjërave jo të gjalla.

Megjithatë, edhe sikur të pranojmë se në legjislacionin e Sulejmanit (a.s.), ka qenë i lejuar portretizimi i gjërave të gjalla, në Islam, kjo gjë është ndaluar. Sipas Ebu Hudhejfes, Profeti ynë (a.s.), i ka mallkuar ata që bëjnë portrete të gjërave të gjalla.

 

Share.

Leave A Reply