I cili thirri në rrugën e Allahut pa u lodhur për 950 vite rresht!

Nuhu (a.s.), është prej profetëve ulu’l-adhm[1], emri i të cilit përmendet 43 herë në Kuran. Thuhet se emri i tij i vërtetë, ka qenë Jeshkur, Sakin apo Abdulgaffar. Ndërsa nofka e tij ka qenë “Nexhijjullah” dhe “Shejhu’l-Enbija”. Nuhu (a.s.), ka jetuar rreth njëmijë vjet.

Pas ngritjes në qiell të profetit Idris (a.s.), njerëzit u larguan nga rruga e vërtetë dhe nisën të adhurojnë idhujt dhe statujat. Vetëm një grusht njerëzish të mirë vazhduan të ndiqnin dhe zbatonin ligjet e Idrisit (a.s.). Këta ishin, Vedd, Suva, Jegus, Jeuk dhe Nesri. Pasi ndërruan jetë edhe shokët e fundit të Idrisit (a.s.), brezat pasardhës të popullit të tij, ndërtuan statujat e tyre për t’i kujtuar gjithmonë. Më pas, ata filluan t’i atribuonin cilësi hyjnore këtyre statujave, aq sa filluan edhe t’i adhuronin. Çdo fis kishte një idhull të veçantë dhe çdo idhull kishte një shërbyes të veçantë.

Në rrethinat e Kufe-s jetonin disa banorë, mes të cilëve gjendej edhe Nuhu. Mirëpo, në krye të këtij vendi ishte një prijës mizor prej pasardhësve të Kabilit, i quajtur Dermesil. Midis këtij populli, që në përgjithësi adhuronte idhuj, gjendej një grup njerëzish që vazhdonin të besonin në monoteizëm (në një Zot të vetëm). Edhe Nuhu ishte prej këtij grupi. Ai e siguronte jetesën me punën e çobanit dhe herë-herë merrej edhe me tregti. Nuhu (a.s.), e konsideronte qesharake adhurimin e idhujve nga ana e popullit të tij. Mirëpo, kjo gjendje e ulët ku kishte rënë populli, e hidhëroi pamasë atë. Kur Nuhut (a.s.), iu dha profecia, atij i besuan pak vetë, ndër të cilët ishin edhe disa prej bijve të tij, Sami, Hami dhe Jafesi. Ndërsa njëri prej bijve të tij, Kenani, nuk i besoi.

Gjatë gjithë profecisë, Nuhu (a.s.), duroi shumë poshtërime, mundime dhe ofendime nga populli i vet. Ai tregoi durim dhe tolerancë të jashtëzakonshme për 950 vjet me radhë ndaj popullit të vet. Por, më në fund, e humbi shpresën prej tyre dhe iu lut Allahut, duke thënë:

أَنِّي مَغْلُوبٌ فَانتَصِرْ

“Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!” (Kamer, 10)

Allahu i Madhëruar, iu përgjigj lutjes së tij dhe e urdhëroi të ndërtonte një anije. Ai ndërtoi një anije trekatëshe, ku së bashku me të hipën tetëdhjetë besimtarë. Mori me vete edhe nga një çift për çdo kafshë. Pastaj nisën të bien shira nga qielli e të burojnë ujëra nga toka. Kështu, toka u mbulua prej ujit. Anija lundroi mbi ujë për gjashtë muaj. Pastaj, Allahu dha urdhër:

“…«O Tokë, gëlltit ujin tënd dhe ti, o qiell, ndaloje (shiun)!» Dhe uji u tërhoq e u plotësua urdhri (i Allahut). Ndërsa anija u ndal në malin al-Xhudij” (Hud, 44)

Mendohet se njerëzit u shtuan prej tre djemve të  Nuhut. Nga Sam-i u shtuan arabët dhe persët. Nga Ham-i u shtuan indianët dhe afrikanët. Nga Jasef-i u shtuan aziatikët dhe lëkurëkuqtë që mendohet të kenë kaluar në Amerikë nëpërmjet ngushticës së Beringut.

 

[1] -Profet me grada të larta.

Share.

Leave A Reply