Asija, e cila rridhte nga gjaku i Rejjan bin Melikit, faraonit që i pati besuar Jusufit (a.s.), ishte gruaja e faraonit. Sapo e pa Musain, të cilin ia prunë brenda një arke, në zemrën e saj lindi një dashuri e madhe për të, sepse fëmija ishte shumë i bukur. Ajo e mori në krahë dhe e shtrëngoi fort në gji. Pastaj, e çoi tek faraoni dhe e bindi atë që ta mbanin, duke i thënë:
“Ky do të bëhet fëmija jonë. Në të ardhmen do të na ndihmojë dhe do të na mbrojë! Le të jetë biri ynë i dashur! Prandaj mos e vrit!”
“Gruaja e Faraonit i tha atij: «Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë». Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin.” (Kasas, 9)
Pasi u vendos që Musai (a.s.), të qëndronte në pallat, ata kërkuan një mëndeshë (nënë qumështi), për ta ushqyer me gji. Mirëpo, fëmija nuk pranonte të pinte prej asnjë mëndeshe. Ndërkohë, motra e madhe e Musait, Merjemja, e cila kishte dëgjuar për këtë, i lajmëroi se, nëse e pranonin në pallat, nëna e saj do ta ushqente fëmijën me gji në mënyrë vullnetare. Në fakt, nëna e Musait (a.s.), e kishte porositur vajzën e saj, Merjemen:
“…«Shko pas tij!» E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët. Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë. Kështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): «A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?» Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Kasas, 11-13)
Nëna e Musait (a.s.), nuk dyshonte aspak se premtimi hyjnor do të realizohej. Prandaj, me qëllim që të mos dyshonin, ajo nuk e pranoi menjëherë kërkesën për t’i dhënë gji Musait.
“Unë e kam një fëmijë që e quajnë Harun[1]. Po më pranuat bashkë me të, do t’i jap gji fëmijës, përndryshe, nuk mundem!..”
Kështu, ata nuk e kuptuan se ajo ishte nëna e Musait dhe e pajtuan t’i jepte gji fëmijës me pagesë.
Kur faraoni dhe e shoqja dëshiruan ta birësonin Musain, padyshim se ata mendonin se ai do të edukohej në mënyrën dhe kulturën e tyre dhe se do të ndiqte hapat e tyre. Mirëpo, gjatë edukimit, ekzistojnë dy faktorë të rëndësishëm që i japin drejtim jetës së njeriut: trashëgimia dhe edukata. E para, janë cilësitë e trashëguara që i jepen njeriut që në lindje. E dyta, është edukimi të cilit njeriu i nënshtrohet që prej lindjes. Për rrjedhojë, njeriu herë mbetet nën ndikimin e trashëgimisë, herë të edukatës dhe herë të të dyjave. Kjo e vërtetë, shprehet në një mënyrë plot finesë, në ajetin 9. të sures el-Kasas: “…Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin!”
Derisa e gjeti Musain, faraoni vrau 980.000 fëmijë të pafajshëm! Ndërsa Allahu i Madhëruar, po e edukonte dhe përgatiste Musain (a.s.), në pallat dhe, me të do ta fundoste faraonin së bashku me mbretërinë e tij. Kjo, sepse profetët janë nën edukimin dhe vullnetin e Allahut. Lidhur me këtë, Profeti ynë (a.s.), në një hadith të tij, shprehet:
“Mua më edukoi Zoti im me një edukatë të bukur.” (Sujuti, xhamiu’s-Sagir, I, 12.)
Nëna e Musait (a.s.), filloi t’i jepte gji djalit të saj në pallatin e faraonit. Mirëpo, kryeministri, Hamani, dyshoi dhe i tha nënës së Musait (a.s.):
“Mos vallë është i yti ky fëmijë? Sepse ai nuk e pranoi gjirin e asnjë gruaje veç teje!”
Nëna e Musait (a.s.), iu përgjigj, duke e bindur atë:
“Nuk e di pse, por të gjithë fëmijët më duan dhe unë i dua ata, sepse qumështi im është i ëmbël.”
Si përfundim, asaj i lidhën një pagesë dhe e shpërblyen me florinj.
Kjo, ishte një mirësi e madhe prej Allahut. Lidhur me këtë, në Kuran urdhërohet:
“…Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur Ne të mos ia kishim forcuar zemrën, që të bëhej besimtare e vërtetë.” (Kasas, 10)
Kur Asijen e merrte malli për Musain, e sillte atë në pallat së bashku me mëndeshën e tij dhe e priste me dhurata. Një ditë, Musai u dërgua në dhomën e faraonit, i cili e mori në prehër. Musai ia tërhoqi fort mjekrën faraonit dhe i shkuli një qime. Më pas i ra me shpullë. Sipas një transmetimi, Musai mori kamxhikun që mbante në dorë faraoni dhe e qëlloi. Faraoni u nevrikos shumë dhe tha:
“Ja ky qenka armiku që kërkoj unë!..”
Pastaj, vendosi ta vriste Musain. Por gruaja e tij, Asija, e dëgjoi këtë vendim dhe erdhi me të shpejtë, duke thënë:
“Ai është fëmijë, nuk kupton se çfarë bën! Po deshe, le ta vëmë në provë. Le t’i vendosim para një pjatë me diamante e rubin dhe një pjatë me prush. Nëse fëmija merr diamantet, do të thotë që është i mençur. Por, nëse merr prushin, dije se ai është vetëm një fëmijë që s’di se çfarë bën!”
Faraoni e pranoi këtë propozim dhe, menjëherë i sollën dy pjata: njërën me diamante dhe tjetrën me prush. Sapo Musai po e çonte dorën tek pjata me diamante, Xhebraili (a.s.), ndërhyri me urdhër të Allahut dhe ia shtyu dorën drejt pjatës tjetër. Për rrjedhojë, Musai kapi një prush dhe e futi në gojë. Gjuha iu dogj dhe kur u rrit nuk i shqiptonte mirë fjalët. Problemi me gjuhën e tij, vazhdoi derisa ai iu lut Allahut në malin Tur.
Kur i pa ato që ndodhën, faraoni tha:
“Po, është fëmijë prandaj veproi ashtu!” Dhe më pas e fali Musain.
Allahu i Madhëruar, bëri që të gjithë njerëzit përreth Musait (a.s.), ta donin atë:
“…Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim.” (Ta-Ha, 39.) Në sajë të kësaj mirësie, çdokush që e shihte Musain (a.s.), ndiente në zemër dashuri për të.
Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë punë të mira.” (Kasas, 14)
Pas kësaj periudhe, Musai (a.s.), filloi të shprehet hapur se, feja e faraonit ishte e prishur dhe besëtyte.
Vdekja e koptit
Faraoni kishte një bukëpjekës kopt shpirtkeq, të quajtur Fatun. Një ditë, ky po rrihte një sipti të quajtur Samir. Samiri kërkoi ndihmë prej Musait (a.s.), i cili ndërhyri për t’i ndarë. Ai e shtyu Fatunin dhe e goditi. Kjo goditje, e rrëzoi Fatunin në tokë, ku edhe dha shpirt.
Musai (a.s.), u hidhërua shumë prej kësaj që ndodhi. Ai nuk kishte qëllim të vriste Fatunin, por vetëm të mbronte Samirin. Me një hidhërim të madh, iu drejtua Allahut dhe i kërkoi falje. Lidhur me këtë, në Kuranin Fisnik, urdhërohet:
“Një herë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij (kundërshtarit), duke e vrarë. Pastaj tha: «Kjo është punë e shejtanit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!»” (Kasas, 15)
Për shkak se Musai (a.s.), kishte filluar të kumtonte besimin monoteist dhe t’u tregonte njerëzve për të vërtetat, koptët, që ishin populli i faraonit, morën qëndrim kundër tij. Për këtë arsye, ai preferonte të hynte në qytet në një kohë kur banorët kishin hyrë nëpër shtëpitë e tyre. Në këtë kohë, ai pa edhe dy personat që po rriheshin. Fakti që pasi e vrau me një grusht koptin, Musai (a.s.), tha; “Kjo është punë e shejtanit!”, tregon se ai nuk kishte pasur qëllim ta vriste. Pra, ai u përball me një përfundim që as që e kishte menduar. I hidhëruar dhe i penduar jashtë mase për atë që bëri, ai thotë:
“«O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!» Dhe Ai e fali. Padyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti. Musai tha: «O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!»” (Kasas, 16-17)
Ndërkohë, koptët i kërkuan faraonit të gjente vrasësin e njeriut të tyre. Për këtë arsye, faraoni kërkoi të silleshin dëshmitarë në lidhje me vrasësin. Por, askush nuk mundi të sillte një dëshmitar. Prandaj, për të gjetur personin e shumëkërkuar, faraoni doli jashtë qytetit.
Të nesërmen, Musai (a.s.), pa se i njëjti sipti, po grindej përsëri me një kopt tjetër. Sipti kërkoi përsëri ndihmë prej Musait (a.s.), i cili i tha:
“Për shkakun tënd i bëra padrejtësi vetes sime!”
Kopti, që i dëgjoi këto fjalë, vrapoi menjëherë tek faraoni dhe e paditi Musain (a.s.), duke thënë:
“Vrasësi i bukëpjekësit tuaj është Musai!”
Pas kësaj, faraoni mori vendim ta dënojë me vdekje Musain (a.s.). Mirëpo, djali i xhaxhait të faraonit, në mënyrë të fshehtë e lajmëron Musain (a.s.), për vendimin që ishte marrë, sepse ai ishte prej atyre që e donin shumë Musain.
Gjendja e Musait (a.s.), pasi vrau koptin dhe iu lut Allahut për falje, në Kuran përshkruhet në këtë mënyrë:
“Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të ndodhte, ai që të djeshmen e kishte thirrur në ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: «Ti qenke me të vërtetë një ngatërrestar i hapur!»
Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: «O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në Tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi».
Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: «O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë».
Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës!»” (Kasas, 18-21)
[1] – Haruni kishte lindur më parë se Musai dhe ishte më i madh në moshë. Për rrjedhojë atë nuk e kishin vrarë ushtarët e Faraonit.