Në periudhën pas mbytjes së faraonit në det, Musai (a.s.), i mbante popullit predikime plot urtësi dhe emocione. Ndërsa populli mahnitej pas dijes dhe urtësisë së tij. Ibn Abbasi (r.a.), transmeton se Ubej bin Ka’bi ka thënë se e ka dëgjuar Profetin tonë (a.s.), të ketë thënë:

Musai mbante hutbe përpara popullit. Një ditë, ai u pyet se kush ishte njeriu më i ditur. Dhe, ai u përgjigj: “Unë”. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e qortoi dhe i komunikoi një shpallje, në të cilën urdhërohej:

“Në vendin ku bashkohen dy dete, ndodhet një rob Imi, të cilit i kam dhënë dituri të veçantë (hyjnore). Në të vërtetë, ai është më i ditur se ti.”

Kur Musai (a.s.), e pyeti Allahun, se si ta gjente atë, Allahu i Madhëruar i tha:

“Merr me vete një peshk dhe në vendin ku do ta humbësh peshkun, aty do ta gjesh edhe robin Tonë”. Musai (a.s.), mori një peshk dhe pasi e futi në çantë, u nis për udhë. Së bashku me të shkoi edhe një djalë i ri, për të cilin thuhet se ka qenë, Jusha bin Nun.

Gjatë udhëtimit, kur u ulën për të pushuar, Musain (a.s.), e kishte zënë gjumi, ndërsa Jusha bin Nun, pa se peshku u ngjall dhe menjëherë u hodh në ujë. Kur Musai (a.s.), u zgjua, i tha shokut të tij:

“Eja të vazhdojmë rrugën, se ndoshta kemi edhe shumë për të bërë!”

Në Kuran, kjo ndodhi tregohet në këtë mënyrë:

(Kujto) kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: «Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.»” (Kehf, 60)

Kur Musai (a.s.) dhe Jusha bin Nun “…arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel.” (Kehf, 61)

Në fakt, Jusha bin Nun, e kishte parë peshkun kur ishte ngjallur dhe ishte hedhur në det. Por, kishte harruar t’ia thotë këtë Musait (a.s.). Ata e vazhduan rrugën së bashku. Pasi ecën për një kohë, më në fund u ulën nën një pemë.

“Kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet: «Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë».” (Kehf, 62)

Jusha bin Nun, u kujtua menjëherë dhe tha:

“…«Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm shejtani më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme!»

(Musai) tha: «Kjo është ajo që po kërkojmë». Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar dije nga ana Jonë.” (Kehf, 63-65)

Ata i ndoqën me kujdes gjurmët e tyre dhe më në fund arritën në vendin ku ndodhej shkëmbi. Aty gjetën një njeri të mbuluar me rrobën e vet dhe e përshëndetën me selam. Më pas Musai (a.s.), u prezantua duke thënë:

– Unë jam Musai!

Ndërsa, njeriu e pyeti:

– Musai, profeti i bijve të Izraelit?

Musai (a.s.), tha:

– Po! Kam ardhur tek ti që të më mësosh prej dijes që të ka mësuar Allahu!

Njeriu (Hidri), tha:

– O Musa! Ti nuk mund të durosh ndaj atyre që veproj unë. Unë veproj në bazë të një dijeje që më ka dhënë Allahu dhe të cilën ti nuk e njeh. Po ashtu, edhe ti vepron në bazë të një dijeje që të ka dhënë Allahu, të cilën as unë nuk e njoh.[1]

Mirëpo, Musai (a.s.), nguli këmbë, duke i shfaqur Hidrit dëshirën për ta njohur diturinë e tij. Në këtë mënyrë, Musai (a.s.), do të mësonte prej Hidrit urtësinë e disa ndodhive që dukeshin të çuditshme dhe të pamundura për t’u kuptuar me mendje.

“Musai i tha atij: «A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?»

Ai u përgjigj: «Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë»?” (Kehf, 66-68)

Me këto fjalë, Hidri (a.s.), na bën të ditur gjendjen psikologjike të Musait (a.s.) dhe e parapërgatit atë për ato që do të ndodhnin më vonë.

Musai (a.s.), i tha:

“Në dashtë Allahu, do të më gjesh të durueshëm, e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Kehf, 69)

Ndërsa Hidri (a.s.), i tha:

 “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (Kehf, 70) Pra, jo vetëm s’do të debatosh me mua, por as pyetje s’do të më bësh!

Sapo u mirëkuptuan në këtë çështje, Musai (a.s.) dhe Hidri (a.s.), dolën në udhëtimin e tyre të famshëm. Në Kuran, urtësitë dhe mësimet e këtij udhëtimi përshkruhen në këtë mënyrë:

“Kështu, (ata) u nisën. Kur hipën në një anije, ai (Hidri) hapi një vrimë poshtë. (Musai) tha: «Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë shumë të keqe!» (Hidri) i tha:

«A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?» Ai (Musai) u përgjigj:

«Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!» Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. (Musai)Tha:

«Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme!» Ai (Hidri) tha:

«A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?» (Musai) tha:

«Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!» Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi. (Musai) tha:

«Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.» Ai (Hidri) tha:

«Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh:

Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret, i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë.

Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm.

E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt. Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!” (Kehf, 71-82)

Këtu, kuptohet qartë se, Musai (a.s.), është një profet që nuk di gjithçka dhe se ekziston një dituri, si pjesë e diturisë hyjnore, që nuk i ishte dhënë atij.

Një kuptim tjetër, të cilin e nxjerrim nga rrëfimi me Hidrin, është se njerëzit mund t’i konceptojnë ndodhitë dhe dukuritë vetëm të lidhura me shkaqet. Por, nëse eliminohen shkaqet dhe faktorët, mendja e njeriut mbetet e paaftë dhe nuk mundet t’i kuptojë urtësitë dhe thellësitë e çështjeve.

Fakti që mendja është e paaftë për t’i kuptuar shumë ngjarje, i ngjan syrit që nuk mund të shohë pas një distance të caktuar, ose veshit, që nuk mund të dëgjojë valët e zërit poshtë apo lart një kufiri të caktuar. Në të njëjtën mënyrë, edhe mendja ka një kufi të caktuar në konceptimin e gjërave. Kur kalohen këto kufij, mendja mbetet e dobët dhe e paaftë për të kuptuar.

Kështu, nëse ngjarjet në rrëfimin e Hidrit analizohen me anë të mendjes, do të shihet se shpimi i anijes është padrejtësi dhe dhunë ndaj të zotëve të saj. Por në fakt, ajo i pengoi piratët ta rrëmbenin anijen, e cila ishte mjeti i vetëm i jetesës për të varfrit. Po ashtu, edhe vrasja e të riut, në dukje përbën një vepër kriminale. Mirëpo në fakt, ky veprim, shpëtoi jetën e botës tjetër të prindërve të tij të mirë. Edhe rindërtimi i murit të një fshati që nuk i mikpriti, duket si diçka e palogjikshme. Por në fakt, në sajë të këtij veprimi, u ruajt thesari i dy jetimëve. Nëse ai mur do të rrëzohej, thesari do të zbulohej dhe do të binte në dorë të banorëve shpirtzinj të atij fshati.

Lidhur me këtë rrëfim, në librin me hadithe të Buhariut -Allahu e mëshiroftë-, zë vend ky hadith finsik:

“Allahu e mëshiroftë Musain, birin e Imranit! Nëse ai do të kishte bërë durim, Hidri do t’i mësonte kushedi edhe sa ngjarje të tjera të çuditshme!” (Buhari, Enbija, 27; Ahmed b.Hanbel, V, 118.)

 

[1] -shih. Buhari, Tefsir, 18/2, 3, 4; Enbija, 27; Muslim, Fedail, 170.

Share.

Leave A Reply