Për një ndikim më të plotë të fjalës së Allahut tek njeriu dhe xhinët, përveç leximit të saktë e pa gabime, është shumë e rëndësishme edhe bukuria e zërit. Ashtu siç mund të marrin kuptime të ndryshme sipas mënyrës së shqiptimit, fjalët mund të ndikojnë në mënyrë të ndryshme edhe tek njerëzit, sipas gjendjes shpirtërore, mimikës apo gjesteve të atij që flet.

Për shembull, stili i përgjërimit të një lypësi, dallohet jo vetëm nga fjalët e zgjedhura, por, në të njëjtën kohë, edhe nga mënyra e shqiptimit të tyre. Po ashtu, një shembull i mirë i kësaj, është edhe fuqia ndikuese që merr nga harmonia e fjalëve fjalimi i një komandanti para një beteje të përgjakshme, ku ai nxit ushtarët e tij për luftë.

Është e qartë se ky fakt që vlen për fjalët e thjeshta të njeriut, ka shumë më tepër rëndësi kur bëhet fjalë për Librin e Allahut, Kuranin Fisnik. Në fakt, leximi/këndimi i Kuranit Fisnik, është bërë një degë më vete mes shkencave Islame. Kësaj dege, të quajtur “Shkenca e Këndimit”, i është dhënë një rëndësi aq e madhe, saqë në këtë fushë kanë dalë kolosë diturie, ashtu siç kanë dalë edhe në fushën e jurisprudencës Islame.

Siç e dimë edhe prej Kuranit Fisnik, me fjalën hyjnore që e lexonte me zërin e tij të mrekullueshëm, Daudi (a.s.), entuziazmonte zogjtë dhe malet, të cilët i nënshtroheshin atij. Në dhikrin që bënte ai me zërin e tij të mrekullueshëm, merrnin pjesë të gjitha krijesat.

Zëri, është një prej dhuntive më të mëdha që na ka falur Allahu i Madhëruar. Nëse nuk do të ekzistonte zëri, kushedi çfarë zbrazëtie do të kishte në gjithësi! Ashtu siç ka shumë mirësi të veta, zëri mund të përdoret edhe në forma negative. Si çdo gjë në gjithësi që ka të kundërtën e vet, në të njëjtën mënyrë, ka edhe zë të mirë, edhe zë të keq. Për shembull, aq sa kënaqësi e prehje i jep zëri i bilbilit një shpirti të ndjeshëm, duke ia mbushur zemrën me hare, po aq shqetësim i jep edhe zëri i një korbi.

Ashtu si midis njerëzve, zëri ka ndikim pozitiv dhe negativ edhe midis kafshëve. Ndërkohë që ulërima e luanit në pyll u shtie frikën në zemër të gjithë kafshëve të dobëta, gjarpri, që është një kafshë me gjak të ftoftë, del nga shporta e nis të lëvizë me harmoni kur dëgjon fyellin e një fakiri indian! Po ashtu, melodia përdoret edhe për të shtuar shpejtësinë e ecjes së devesë në shkretëtira.

Siç tregohet, edhe gjahtarët i gjuajnë sorkadhet duke i tërhequr me melodinë e një fyelli në krye të një burimi. Sorkadhet që dëgjojnë tingujt e fyellit, dalin nga pylli, afrohen tek melodia pranë burimit, bien në gjunjë dhe derdhin lot të ngrohtë. Në këtë mënyrë, gjahtarët e fshehur përreth, dalin dhe i kapin këto kafshë energjike duke përfituar nga gjendja e tyre.

Zëri, që ndikon kaq shumë edhe tek kafshët, është e pamundur të mos ndikojë edhe tek njeriu, i cili është më i përsosur se ato! Për shembull, tingulli i monedhës, është burim kënaqësie për ata që janë të dhënë pas kësaj bote; tingulli i ujit dhe bilbilit, është kënaqësi për romantikët dhe njerëzit me shpirt poeti; ndërsa këndimi i Kuranit dhe ezanit, janë burim kënaqësie e prehjeje për udhëtarët e rrugës së Zotit që e kanë të pastruar shpirtin.

Kur çështjet e kësaj bote ia rëndonin shpirtin, Profeti ynë (a.s.), i thoshte Bilalit:

“O Bilal! Na këndo një ezan, të qetësohemi!…”[1]

Kur këndon bilbili, nga malet përballë nuk jehon tjetër veçse zëri i tij; kështu ndodh edhe kur tingujt e ezanit qëndisin hapësirën qiellore… Dhe, aq sa të ndjeshëm jemi në një moment të tillë, po aq do të ndikojë edhe ai zë tek ne.

Në fakt, të gjalla dhe jo të gjalla qofshin, të gjitha krijesat, e përmendin Allahun në mënyrë të vazhdueshme. Këtë, e mësojmë nga Kurani Fisnik, ku urdhërohet:

“Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata. Ai, me të vërtetë, është i Butë dhe Falës.” (Isra, 44)

Madhërimin që bëjnë ato, mund ta ndjejnë vetëm njerëzit me zemër të ndjeshme. Ata, ndodhen në pasionin e këtij madhërimi.

Këta tinguj dhikri, janë fjalë hyjnore pa shkronja e të heshtura që nuk mund t’i dëgjojë kushdo. Dëgjimi i tyre është diçka e posaçme vetëm për njerëzit e urtë, zemrat e të cilëve janë gjithmonë të zëna me dhikër dhe që e kanë bërë dhikrin natyrë të vetën, çdo zë e perceptojnë si dhikër.

Shkurtimisht, dhikri është zëri më i bukur tek Allahu, qoftë ai me tinguj apo jo. Fjala dhikër, ka kuptime të gjera, ku krahas kuptimit të vet të veçantë, është bërë titull edhe për librat hyjnorë. Për rrjedhojë, në ajetet e Kuranit, lidhur me Teuratin dhe Kuranin përdoret edhe fjala “dhikr”.

Nisur nga kjo, zërat dhe frymët, si domosdoshmëri e urdhrit “Lexo me emrin e Zotit tënd!”, që është edhe fermani i parë i Allahut, kanë fituar nder dhe dinjitet, me anë të “zërit” të Kuranit. I Dërguari Allahut (a.s.), na mëson:

“Stoliseni Kuranin me zërin tuaj!” (Ibn Maxhe, Ikamet, 176.)

Me këtë, Profeti (a.s.), ka theksuar se edhe zëri i bukur mund ta zbukurojë Kuranin, duke e bërë atë më ndikues tek të tjerët. Po ashtu, edhe ky hadith, shpreh të njëjtin kuptim:

“Zbukurojeni Kuranin me zërin tuaj, sepse zëri i bukur ia shton edhe më tepër bukurinë Kuranit.” (Darimi, Fadailu’l-Kuran, 34.)

Ndërsa në një transmetim tjetër, Profeti ynë (a.s.), thotë:

“Nuk është prej nesh ai që nuk e zbukuron zërin kur këndon Kuranin!” (Buhari, Teuhid, 44; Ebu Daud, Vitr, 20.) Sipas dijetarëve, edhe ai që nuk ka zë të bukur, duhet të mundohet ta këndojë Kuranin me zë të bukur me aq sa ka mundësi.

Për shkak se Kurani është më e bukura e fjalëve, edhe bukuria dhe madhështia e zërit të njeriut del në pah me anë të leximit të Kuranit. Çdo zë të ngop, por zëri i Kuranit, kurrë!..

Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

Allahu i Madhëruar, nuk është kënaqur me asgjë tjetër, më shumë se sa është kënaqur nga këndimi i Kuranit me zë të bukur dhe të lartë nga një profet me zë të bukur.” (Buhari, Fadailu’l-Kur’an, 19; Teuhid, 32; Muslim, Musafirin, 232-234.)

Edhe kënaqësia, edhe prehja e pendestarëve, gjendet në madhështinë e tingujve të Kuranit, e cila deh shpirtrat! Të ngushëlluarit me tingullin e tij ushqehen. Gjuha e tij, është edhe gjuha e xhenetit!

Mirëpo, indiferentët që nuk ia hapin zemrën zërit të Kuranit, njohin vetëm anën e jashtme të jetës dhe mbeten të privuar prej të vërtetave të brendshme dhe botës shpirtërore. Ata vrapojnë pas kënaqësive dhe epsheve të kësaj bote, prandaj nuk e kuptojnë urtësinë hyjnore. Ata përfitojnë me pangopësi nga sofra e kësaj bote dhe nuk e njohin pronarin e kësaj sofre, Allahun e Madhëruar, i Cili është “Rrezzak” (furnizues, ushqyes). Ata i varrosin të afërmit në varre, por jetojnë pa ditur asgjë për nëntokën. Sa çudi është me ata që jetojnë në pronën hyjnore, por i bëhen armiq Pronarit të saj!

Kurse besimtarët me zemrën mbushur me Kuran, jetojnë duke medituar mbi të vërtetat e larta. Fjala hyjnore që lexojnë, i thotë kështu zemrës së tyre:

“Ti je rob i Zotit dhe jeton në pronën e Tij! Ti furnizohesh me mirësitë e Tij! Prandaj zhytu në urtësinë dhe të fshehtën e Kuranit dhe udhëto drejt Zotit tënd me zemrën të pastër!”

Ata, zemra e të cilëve mbushet me Kuran, jetojnë të vetëdijshëm se janë rob të Zotit. Ata falënderojnë për të mirat që u jepen dhe jetën e tyre të përkohshme e përdorin për të fituar jetën e përjetshme. Nisur nga kjo, për ata që marrin frymëzim shpirtëror prej Profetit tonë (a.s.), Kurani është gjuha e tokës dhe e qiellit; është thesari i begatisë shpirtërore. Kjo, sepse Profeti dhe Kurani janë dy burime drite të dhuruara nga Zoti për robërit e Tij. Aq sa është e shuar bota pa njeriun, aq është edhe njeriu pa Kuranin. Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Ai që nuk ka qoftë edhe një copëz Kuran në zemrën e tij, është si një shtëpi gërmadhë!” (Tirmidhi, Fadailu’l Kur’an, 18; Darimi, Fedailu’l-Kur’an, 1.)

Gjithësia është një Kuran pa zë, Kurani është një gjithësi me zë. Ndërsa njeriu, si një monument ku shfaqen enigmat hyjnore, është thelbi i këtyre. Kurani është mrekulli e fjalës dhe ligjëratë e Krijuesit. Zemra e cila qëndron larg të vërtetave Kuranore, është e dënuar të humbë në të dyja botët. Ndërsa një jetë e cila jetohet në bazë të të vërtetave Kuranore, është jetë e xhenetit. Lidhur me këtë, Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Zemrat ndryshken ashtu siç ndryshket hekuri!” Kur e pyetën se çfarë mund ta pastrojë e ta shkëlqejë atë, ai tha:

“Leximi i shpeshtë i Librit të Allahut dhe përmendja e shpeshtë e Allahut.” (Ali el-Muttaki, Kenzu’l-ummal, II, 241.)

Po ashtu, në një hadith tjetër, Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Jepuni syve pjesën e vet të adhurimit!” Ndërsa sahabët, pyetën:

– Cila është pjesa e syve o i Dërguari i Allahut?

“Shikimi i Kuranit, mendimi i përmbajtjes së tij dhe marrja mësim prej urtësive të tij.” – u përgjigj Profeti (a.s.). (Sujuti, Xhamiu’s-Sagir, I, 39.)

Leximi i Kuranit, është aq i rëndësishëm në jetën e një besimtari, saqë Allahu i Madhëruar, lexuesit e Kuranit i përmend në krye të atyre që do të arrijnë shpërblime të pafundme:

“Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.” (Fatir, 29-30)

“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten!” (Enfal, 2)

*

Leximi i Fjalës së Allahut, është padyshim një nga adhurimet më të pëlqyeshme. Për rrjedhojë, është e domosdoshme që ajo të lexohet në mënyrën më të bukur. Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar, urdhëron:

وَرَتِّلِ الْقُرْآنَ تَرْتِيلًا

“… dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë!” (Muzzemmil, 4)

Nga ana tjetër, përkrah leximit të Kuranit, është shumë e rëndësishme të dëgjosh në heshtje ndërkohë që këndohet Kurani. Kjo, sepse leximi i Kuranit është sunet, ndërsa dëgjimi i tij, është farz (i detyrueshëm). Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar, urdhëron:

وَإِذَا قُرِئَ الْقُرْآنُ فَاسْتَمِعُوا لَهُ وَأَنصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ

“Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni!” (A’raf, 204)

Qoftë në namaz, qoftë jashtë tij, kur lexohet Kuran, domethënia e tij duhet kuptuar mirë. Për të përfituar prej këshillave të tij dhe për t’i rregulluar sjelljet dhe veprimet tona sipas tij, duhet të heshtet dhe e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet tek ai.

Kjo, sepse heshtja jep mundësi për të dëgjuar mirë; dëgjimi i mirë, shton urtësinë; urtësia e nxit njeriun në besim dhe vepra të mira; ndërsa besimi dhe veprat e mira, e bëjnë njeriun të përfitojë mëshirën dhe dhuntinë hyjnore.

Të Dërguarit të Allahut (a.s.), i pëlqente ta dëgjonte Kuranin prej të tjerëve. Ndonjëherë, ia kërkonte Ibn Mes’udit (r.a.), të cilin e dëgjonte më një kënaqësi të madhe shpirtërore. Njëherë e dëgjoi Ibn Mes’udin (r.a.), duke kënduar Kuran dhe iu përlotën sytë e bekuar.

Këtë ngjarje, Abdullah Ibni Mes’udi (r.a.) e përcjell kështu:

“Një herë, Profeti (a.s.), më tha:

“O Ibni Mes’ud! Këndo Kuran për mua!”

– O i Dërguar i Allahut! Si ta këndoj unë për ju, ndërkohë që Kurani ju është shpallur ju?” – i thash unë.

Pastaj i Dërguari i Allahut më tha:

“Mua më pëlqen ta dëgjoj Kuranin edhe prej të tjerëve!”

Për këtë arsye, unë fillova të këndoja suren Nisa. Kur arrita në ajetin e 41[2] të saj, më tha:

“Mjaft!”

Atë moment pashë se po i rridhnin lot nga sytë…” (Buhari, Tefsir, 4/9; Muslim, Musafirin, 247.)

Një natë, Usejd bin Hudajri (r.a.), po këndonte suren “Bekare” apo “Kehf” me zë të ëmbël, duke i lexuar fjalët një e nga një. Pranë kishte lidhur kalin, i cili papritmas filloi të frikësohej. Kur Usejdi (r.a.), pushoi, kali u qetësua. Sapo filloi të këndonte përsëri, kali u nervozua prapë. Kur Usejdi (r.a.) pushoi, edhe kali u qetësua përsëri. Më pas, kur Usejdi (r.a.), filloi të këndonte, me kalin ndodhi e njëjta gjë. Atëherë Usejdi (r.a.), e la këndimin e Kuranit. Aty pranë po flinte djali i tij, Jahja. Prandaj, nga frika se mos ia shkelte kali e tërhoqi djalin më tutje. Ndërkohë, e ngriti kokën lart nga qielli dhe pa disa gjëra që ndriçonin si kandil. Kur erdhi mëngjesi, ai shkoi tek Profeti (a.s.) dhe ia tregoi ngjarjen. Ndërsa Profeti (a.s.), i tha:

“Këndo, o biri i Hudajrit, këndo o biri i Hudajrit!” Më pas, Profeti (a.s.), e pyeti:

“A e di se çfarë ishin ato që pe në qiell?”

“Jo!” – tha Usejdi (a.s.):

Atëherë, Profeti (a.s.), tha:

“O Usejd! Ata ishin melekë, të cilët u afruan prej zërit tënd. Nëse do të kishe vazhduar të këndoje, ata do të dëgjonin deri në mëngjes. Atëherë edhe njerëzit do t’i shihnin dhe nuk do të mund t’u shpëtonin syve të tyre…” (Buhari, Fedailu’l-Kur’an, 15; Muslim, Musafirin, 240-243.)

Ky hadith, tregon se zëri i Kuranit ndikon shumë tek melekët. Madje edhe tek kafshët. Për rrjedhojë, kush e di se si ndikon Kurani në zemrat që kanë shpëtuar prej turbullirës dhe janë ndriçuar me dritën e tij!

Omeri (r.a.), e ka përfunduar suren Bekare për dymbëdhjetë vjet dhe, në shenjë falënderimi ndaj Allahut, ka bërë kurban një deve.[3] Kjo, është diçka shumë domethënëse, sepse kjo tregon se ai nuk lexonte vetëm fjalët e Kuranit. Por përkundrazi, ai e lexonte duke kuptuar urtësinë e tij dhe detajet hyjnore që ndodhen në të dhe i vinte në jetë të gjitha ato që mësonte prej tyre. Vetëm në këtë mënyrë është i mundur përfitimi prej Kuranit në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Poeti Xhelaleddin Rumiu thotë:

“Fjalët e Kuranit mund të shkruhen me një sasi boje. Ndërsa për të fshehtat e tij nuk mjaftojnë as detet dhe as oqeanet pa anë e pa fund!..”

Për rrjedhojë, hafëz i vërtetë i Kuranit është ai që ndien shije me këndimin e tij, që punon sipas rregullave të tij, që është i pajisur me moralin e tij e që është përplotësuar me urtësitë e tij.
Kur këta njerëz të tillë të ndërrojnë jetë, tokës do t’i jepet urdhri: “Mos e tret trupin e tij!”

Kështu, një nga miqtë e Zotit, Mahmud Sami Ramazanogllu, tregon si dëshmitar okular se, kur varri i një hafëzi që kishte këto cilësi është hapur pas tridhjetë vitesh, me qëllim të shpërnguljes së varrit për shkak të ndërtimit të një rruge, u vu re se trupi i tij nuk ishte tretur aspak. Madje edhe qefini i tij qëndronte i pastër dhe i pacenuar.

*

I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Më i dobishmi prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë edhe të tjerëve!” (Buhari, Fedailu’l-Kur’an, 21.)

Kurani Fisnik, është një fjalë e lartë hyjnore dhe dhurata më e madhe e dërguar nga Allahu i Madhëruar për njerëzimin. Lidhur me këtë, Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Epërsia e Fjalës së Allahut ndaj fjalëve të krijesave, është si epërsia e Allahut ndaj robërve të Tij.” (Darimi, Fedailu’l-Kur’an, 6.)

Fjala madhështore e Allahut, duhet të lexohet me një zemër vigjilente. Ai që lexon Kuranin Fisnik, përfiton prej tij aq sa zotëron pjekuri dhe ndjeshmëri shpirtërore. Kjo, sepse Kurani Fisnik, perden e enigmave hyjnore ua hap vetëm zemrave që kanë arritur pjekurinë e duhur për t’i kuptuar ato. Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Besimtari që lexon Kuran, është si fruti i qitros, i cili edhe aromën, edhe shijen e ka të këndshme. Besimtari që nuk lexon Kuran, është si hurma, e cila s’ka aromë, por shijen e ka të mirë. Hipokriti që lexon Kuran, është si bima e rejhanit, e cila ka aromë të mirë, por shije të hidhur. Hipokriti që nuk lexon Kuran, i ngjan bostanit të hidhur[4], i cili është pa aromë dhe me shije të hidhur.” (Buhari, Et’ime, 30; Fedailu’l-Kur’an, 17, 36; Muslim, Musafirin, 243.)

Ndërsa në një hadith tjetër, Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

 “Ata lexojnë Kuran, por ai nuk u kalon poshtë fytit!” (Buhari, Fedailu’l-Kur’an, 36.) Me këtë, Profeti (a.s.), ka dashur të thotë se, Kurani që lexohet pa medituar mbi të, nuk ka asnjë begati. Lidhur me njerëzit që e lexojnë Kuranin me indiferencë, Allahu i Madhëruar, ka thënë:

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَىٰ قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا

“Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhammed, 24)

 Robërit zemërgjerë që mendojnë thellë, përfitojnë shumë prej këtij paralajmërimi. Kur Profetit tonë (a.s.), iu shpall, ajeti “…O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto! Lartësuar qofsh (nga çdo e metë) dhe na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.”[5], ai qau deri në mëngjes me lotët e tij të bekuar e të bukur si perla, të cilët do t’i kishin zili edhe yjet në qiej.

Ata bin Ebi Rebah (Allahu e Mëshiroftë), transmeton se e ka pyetur nënën tonë Aishen (r.anha.):

– A më tregon për një nga gjendjet më të mahnitshme që ke vënë re tek i Dërguari i Allahut? Aishja (r.a.), është përgjigjur:

– E cila prej gjendjeve të tij nuk është e mahnitshme!? Dhe vazhdoi!..; Një natë, erdhi pranë meje dhe hyri në shtrat. Më vonë tha:

“Nëse më lejon, dëshiroj të ngrihem e të adhuroj Zotin tim!”

– Për Zotin, unë dëshiroj shumë të jemi bashkë, por më tepër më kënaq ajo që të kënaq edhe ty. – i thashë unë. Më pas u ngrit, mori abdest, qëndroi në namaz dhe filloi të qajë. Ai qau aq shumë, saqë lotët i rrodhën mbi kraharor. Më pas u përkul në ruku dhe qau përsëri. Edhe kur ra në sexhde qau. Po ashtu edhe kur ngriti kokën nga sexhdja. Kjo gjendje, vazhdoi derisa erdhi Bilali (r.a.), për të thirrur ezanin e sabahut. Kur Bilali (r.a.), e pa të Dërguarin e Allahut (a.s.), duke qarë, e pyeti:

– O i Dërguari i Allahut! Ç’të bëri të qash, ndërkohë që ty të janë falur të gjitha gjynahet e të shkuarës dhe të ardhmes!? Profeti (a.s.), u përgjigj:

“A të mos bëhem një rob që e falënderon shumë Allahun? Për Allahun! Këtë natë, më zbritën ajete të tillë, që turp të ketë ai që i lexon dhe nuk mediton mbi to!” – dhe lexoi këto ajete:

إِنَّ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَاخْتِلَافِ اللَّيْلِ وَالنَّهَارِ لَآيَاتٍ لِّأُولِي الْأَلْبَابِ الَّذِينَ يَذْكُرُونَ اللَّـهَ قِيَامًا وَقُعُودًا وَعَلَىٰ جُنُوبِهِمْ وَيَتَفَكَّرُونَ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ رَبَّنَا مَا خَلَقْتَ هَـٰذَا بَاطِلًا سُبْحَانَكَ فَقِنَا عَذَابَ النَّارِ

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për njerëzit e mençur, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë): «O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto! I lartësuar qofsh (nga çdo e metë) dhe na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.»” (Al-Imran, 190-191)[6]

Nisur nga kjo, lotët e besimtarëve të derdhura nga frika prej Allahut, janë stolitë e paçmueshme të netëve të përkohshme, yjet e errësirave të varreve dhe vesa me aromë trëndafili e bahçeve të xhenetit. Allahu na ruajtë të gjithëve prej syrit që nuk loton dhe zemrës që është e pandjeshme përballë urtësisë dhe bukurisë së Kuranit Fisnik!

 

[1] – shih. Ebu Daud, Edeb, 78.

[2] – Kuptimi i ajetit është: “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!”

[3] – shih. Kurtubi, Tefsir, I, 40.

[4] – Profeti (a.s.), e ka quajtur “bostani apo shalqiri i Ebu Xhehlit”.

[5] – Al-Imran, 191.

[6] – shih. Ibn-i Hibban, II, 386.

Share.

Leave A Reply