“(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar…” (Enbija, 87)
Dhun-nun, është epiteti i Junusit (a.s.) dhe do të thotë “njeriu i peshkut”. Pasi u largua prej qytetit, Junusi (a.s.), arriti në breg të lumit Tigër dhe hipi në një anije. Në Kuran urdhërohet:
“Ai iku drejt një anijeje të mbushur plot e përplot.” (Saffat, 140)
Në ajetin fisnik, folja “iku” (ebeka), e cila përdoret për Junusin (a.s.), do të thotë, skllav që ikën prej të zotit. Junusi (a.s.), i zemëruar me popullin e tij, u largua prej vendit pa pritur lejen e Allahut. Për këtë arsye, në mënyrë metaforike është përdorur edhe folja “ebeka”.
Pasi Junusi (a.s.), hipi në anije, ajo u nis dhe pas njëfarë kohe qëndroi në mes të ujit. Sado që u përpoqën, ata nuk e lëvizën dot anijen. Udhëtarët filluan të frikësoheshin se mos mbytej anija. Për rrjedhojë, ata menduan se ky ishte një ogur i zi dhe se në anije ndodhej dikush që ishte gjynahqar. Prandaj, ata hodhën short për të gjetur fajtorin. Dhe, shorti i ra Junusit (a.s.), i cili e kuptoi se kjo ndodhi ishte një sprovë, për shkak se ai e braktisi popullin e tij pa pritur urdhrin e Allahut: Për këtë arsye, i dorëzuar tek Zoti, tha:
“Po, unë jam ai robi gjynahqar!”
Mirëpo njerëzit në anije, duke e kuptuar nga pamja se ai ishte një njeri i mirë, e përsëritën shortin disa herë, ku në secilën herë, shorti i ra Junusit (a.s.). Më në fund, të pashpresë, menduan se: “gjithsesi, ky duhet të jetë fajtor”. Prandaj e lëshuan Junusin (a.s.), në thellësinë e ujërave. Në Kuran urdhërohet:
“(Junusi) hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe humbi.” (Saffat, 141)
“…(Junusi) mendoi se Ne nuk do ta dënojmë…” (Enbija, 87)
“Pastaj atë e gëlltiti një balenë, se ai kishte bërë diçka të gabuar.” (Saffat, 142)
Më në fund, Junusi (a.s.), ndodhej në barkun e një peshku! Atje ishte errësirë. Junusi (a.s.), ishte ende gjallë dhe i vetëdijshëm. Zoti e urdhëroi peshkun të mos i shkaktonte plagë Junusit (a.s.) dhe të mos ia dëmtonte kockat. Duke pranuar me kënaqësi vendimin hyjnor, Junusi (a.s.), ia dorëzoi veten Zotit.
فَنَادَىٰ فِي الظُّلُمَاتِ أَن لَّا إِلَـٰهَ إِلَّا أَنتَ سُبْحَانَكَ إِنِّي كُنتُ مِنَ الظَّالِمِينَ
“… dhe thërriti nga errësira: «S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!»” (Enbija, 87)
Ndërkohë, Junusi (a.s.), dëgjoi ca zëra në barkun e peshkut dhe deshi të dinte se ç’po ndodhte. Allahu i Lartë e njoftoi se ndodhej në barkun e një peshku dhe urdhëroi:
“O Junus! Këto janë zërat e gjallesave të detit që bëjnë dhikër!..”
Ashtu si çdo herë tjetër, edhe këtë radhë, në kushtet e vështira të kësaj qelie të errët, Junusi (a.s.), u përpoq të mos e linte përmendjen e Zotit të vet. Junusi (a.s.), vazhdoi të shprehte pendesë e të lutej. Kur melekët e morën vesh gjendjen e tij, iu lutën Allahut, duke kërkuar falje për të. Më në fund, pas kërkimit të faljes dhe përmendjes së shumtë të Allahut që bëri Junusi (a.s.), Allahu ia fali gabim dhe urdhëroi:
“Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Enbija, 88)
Shkaku i vetëm i kësaj faljeje, ishte dhikri i shumtë i Junusit (a.s.). Lidhur me këtë, në Kuranin fisnik, urdhërohet:
“Dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.” (Saffat, 143-144)
Jusufi (a.s.) pati shpëtuar në saje të dhikrit të Zotit, të njohjes së gabimit dhe dorëzimit. Këto qenë shndërruar për të në një mëshirë dhe dhunti të madhe!
Është një moment i rëndësishëm që Junusi pati duruar tridhjetë e shtatë ditë nga afati i dhënë për ndëshkim e tri ditë nuk pati duruar. Si përgjigje, zoti e pati vënë në provën e vështirë të zbatimit të durimit në barkun e peshkut!
Më në fund, peshku që e pati bartur Junusin në bark si një amanet të lartë, me urdhër të Zotit, e la atë në breg:
“E nxorëm atë jashtë të pandjenjë…”
“Dhe (për t’i bërë hije) bëmë t’i mbijë pranë një bimë kungull gjethegjerë…” (Saffat, 145-146)
Kur peshku e nxori në breg Junusin (a.s.), ai ishte i dobësuar, i këputur, i sëmurë dhe kishte nevojë për ndihmë. Koha ishte mjaft e nxehtë. Por, Allahu bëri që pranë tij të mbijë një bimë gjethegjerë për ta mbrojtur nga djegia e rrezeve të nxehta të diellit. Nën hijen e atyre gjetheve nuk kishte as miza dhe as insekte, të cilat mund ta dëmtonin Junusin (a.s.). Përveç këtyre, Allahu i Madhëruar bëri që kjo bimë të japë fruta të cilat pikonin qumësht për Junusin (a.s.).
Kur Junusi (a.s.), e mblodhi veten, mori rrugën për në Ninovë. Kur iu afrua qytetit, takoi një çoban të cilin e pyeti për gjendjen e njerëzve. Çobani i tregoi për të gjitha ç’kishin ndodhur. I tregoi se populli ishte penduar, kishte besuar dhe Allahu i kishte falur. Tani të gjithë njerëzit prisnin ardhjen e Junusit (a.s.), i cili do t’u mësonte urdhrat dhe ndalimet e Allahut.
Kur populli e mori vesh lajmin e kthimit të Junusit (a.s.), i shkoi menjëherë pranë. Ndërkohë, Junusi (a.s.), ishte duke u falur. Pasi mbaroi faljen, njerëzit e përqafuan me mall dhe i kërkuan falje. Po ashtu, edhe Junusi (a.s.), u soll me mirëkuptim, i fali ata dhe nisi t’u mësonte urdhrat dhe ndalimet e Zotit. Pas kësaj, populli e tij vazhdoi të jetonte një jetë të lumtur, të bindur ndaj Zotit dhe të Dërguarit të Tij. Lidhur me këtë, Kurani shprehet:
“Dhe, ata i besuan, prandaj u dhamë jetë të këndshme për një kohë.” (Saffat,148)
Atyre që marrin përsipër kauzën e Zotit, u duhet të veprojnë me durim, qetësi dhe vendosmëri. Junusi (a.s.), u largua prej popullit të tij, pa e pritur urdhrin hyjnor, për shkak se ishte mërzitur dhe hidhëruar shumë me ta. Në njëfarë kuptimi, ky veprim tregonte padurim dhe nxitim. Edhe pse ishte në kushte shumë të vështira, ky veprim ishte një gabim nga ana e tij.
Siç dihet, edhe Muhamedi (a.s.), i duroi të gjitha mundimet, padrejtësitë dhe torturat e idhujtarëve në Mekë dhe priti derisa erdhi urdhri hyjnor për t’u shpërngulur (për hixhret). Allahu i Madhëruar, në ajetin e 80 të sures “Isra”, e cila në të njëjtën kohë bart edhe kuptimin e një lutjeje, ia shprehu në këtë mënyrë lejen hyjnore:
“Thuaj: «O Zoti im, më shpjer në një hyrje të kënaqur, më nxirr nga një dalje të kënaqur dhe më dhuro nga Ti fuqi, që do të më ndihmojë!»”
Allahu i Madhëruar, braktisjen e popullit nga ana e Junusit (a.s.), e tregoi si shembull për Profetin tonë (a.s.) dhe kërkoi që ai të bënte durim gjatë detyrës së profecisë që i ishte ngarkuar:
“Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut (Junusi a.s.), kur iu lut Zotit të vet i dëshpëruar (në barkun e balenës)! Sikur të mos i vinte mëshira prej Zotit tënd, ai do të hidhej në një shkretëtirë, i fajësuar! Por Zoti i tij e zgjodhi dhe e futi me punëmirët.” (Kalem, 48-50)