Në sajë të bashkëbisedimit me Allahun, Musai (a.s.), kishte arritur një gradë të lartë. Ai kënaqej aq shumë gjatë bisedës me Zotin e tij, saqë dëshira për ta parë Atë, u shtua jashtë mase. Pasi e shprehu dëshirën e tij për ta parë Allahun, Ai, i tha:

“Ti nuk mund të më shohësh Mua! Por shihe atë mal! Nëse ai do të mund të qëndrojë, edhe ti do të mund të më shohësh Mua!” (Thuhet se ai ishte mali i madh Zubejr në zonën e Medjenit).

Allahu i tregoi Musait (a.s.) një rreze prej dritës së tij. Rrezja preku malin i cili shpërtheu dhe u bë copë e thërrime. Musai (a.s.), u frikësua jashtë mase nga e gjithë kjo fuqi e jashtëzakonshme dhe i ra të fikët. Kjo ngjarje, në Kuran shprehet kështu:

“Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: «O Zoti im, shfaqu që të shoh!» Zoti tha: «Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua». E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: «I lavdëruar qofsh Ti o Zot! Kthehem te Ty i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!»” (A’raf, 143)

Pas kësaj ndodhie, filloi zbritja e Teuratit. Ai zbriti në formën e shtatë apo dhjetë tabelave.

Një bisedë në malin Tur

Musai (a.s.), pyeti:

– O Zot! Cilët rob janë më të dashur për Ty?

Allahu u përgjigj:

– Robërit e Mi, që më përmendin dhe nuk më harrojnë!

Musai (a.s.), pyeti përsëri:

– Cili prej robërve të Tu është më i ditur?

Allahu u përgjigj:

– Ai që ua mëson njerëzve ato që di; që u tregon të drejtën, që e dëgjon atë dhe duke e zbatuar atë në veten e vet, ruhet prej së keqes!

 

Share.

Leave A Reply