I cili la emër të mirë ndër njerëz dhe meritoi selamin e Allahut; “Paqja qoftë mbi Iljasin!”

Iljasi (a.s.), është prej brezit të Harunit (a.s.). Ai është një nga profetët e dërguar tek bijtë e Izraelit. Allahu i Lartë urdhëron:

“Edhe Iljasi ka qenë vërtet një prej të dërguarve.” (Saffat, 123)

Pasi bijtë e Izraelit shtinë në dorë Palestinën, njëri prej fiseve të tyre u vendos në Ba’lebek. Në krye të këtij fisi ishte një sundues mizor. Siç rrëfehet, qyteti në fillim quhej “Bek”, por më pas, kur sundimtari tiran bëri një idhull të mbiquajtur “Ba’l” dhe e detyroi popullin ta adhuronte, këta dy emra u bashkuan dhe qyteti u quajt “Ba’lebek”. Ja, pra, Iljasi (a.s.), ishte dërguar si profet në këtë qytet për t’i ftuar në besimin e Zotit njerëzit që, të larguar nga besimi monoteist, kishin rënë në politeizëm.

Idhulli që adhuronte ky popull, ishte dhjetë metra i lartë dhe ishte punuar prej ari. Iljasi (a.s.), u thoshte njerëzve:

“Hiqni dorë prej adhurimit të idhullit dhe besoni e adhuroni vetëm Allahun, Krijuesin e çdo gjëje!”

Ndërsa në Kuran urdhërohet:

“Ai i tha popullit të vet: «A nuk po i frikësoheni Allahut?!» Vallë, a i luteni ju Ba‘lit, ndërsa braktisni Krijuesin më të mirë, Allahun, Zotin tuaj dhe Zotin e të parëve tuaj të lashtë?!»” (Saffat, 124-126)

Por të bijtë e Izraelit nuk ia vunë veshin këshillave të Iljasit (a.s.) dhe e përzunë atë prej qytetit. Për rrjedhojë atyre u ranë fatkeqësi të ndryshme. Por pa kaluar shumë, ata e kuptuan të vërtetën, e gjetën Iljasin (a.s.), i shfaqën besimin e tyre dhe shpëtuan prej të gjitha shqetësimeve.

Mirëpo, për shkak se ishin një popull i pabindur, ata nuk u treguan të vendosur në besim dhe u ndanë nga udha e drejtë. Megjithëse Iljasi (a.s.), i këshilloi shumë herë, ata nuk e dëgjuan. Për rrjedhojë, pasi erdhi urdhri i Zotit, Iljasi (a.s.), u largua prej tyre. Më pas ky popull u privua nga mëshira dhe falja e Allahut. Në këtë mënyrë, ata pësuan ndëshkimin hyjnor dhe u shkatërruan. Ata gjetën atë që meritonin, si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën. Allahu i Lartë urdhëron:

“Ata e quajtën atë gënjeshtar dhe, për këtë shkak, do të çohen (në dënimin e Zjarrit), përveç robërve të sinqertë të Allahut.” (Saffat, 127-128)

Pas largimit prej Ba’lebekut, Iljasi (a.s.), arriti në një fshat. Aty, filloi t’i ftojë njerëzit në besimin e vërtetë. Ata e pranuan këtë ftesë dhe i kërkuan Iljasit (a.s.), të qëndronte në fshatin e tyre. Ai e pranoi ftesën e tyre dhe qëndroi si mik në shtëpinë e një gruaje të moshuar, e cila kishte edhe një djalë të sëmurë. Iljasi (a.s.), fali dy rekate namaz dhe iu lut Allahut t’i jepte shërim djalit. Për rrjedhojë, djali u shërua dhe nuk u nda më kurrë prej Iljasit (a.s.). Ky djalë quhej Eljesa dhe prej Iljasit (a.s.), mësoi Teuratin.

Iljasi (a.s.), pjesën e mbetur të jetës, e kaloi duke kumtuar fenë e Allahut, duke i nxitur njerëzit në të mirë dhe duke i penguar nga e keqja.

Rrëfehet se, kur Iljasi pa Azrailin, melekun e vdekjes, u frikësua shumë. Azraili, e pyeti për kureshtje:

“O profet i Allahut! A u trembe prej vdekjes?”

Iljasi iu përgjigj:

“Jo, u bëra kështu jo prej frikës së vdekjes, por sepse kam për t’i dhënë lamtumirën kësaj bote…”

Pastaj vazhdoi kështu:

“Në jetën e kësaj bote u përpoqa të bëj detyrën e robit ndaj Zotit; të nxis për të mirë e të pengoj të keqen, ta kaloj kohën me adhurim dhe me punë të mira dhe të jetoj me një moral të bukur. Këto qenë burim kënaqësie për mua dhe ma mbushën jetën me gëzime dhe kënaqësi shpirtërore. Por mërzitem se, pasi të vdes, nuk do të mundem t’i jetoj më këto kënaqësi dhe do të mbetem peng në varr gjer në Kiamet!..”

Shkurtimisht, edhe Iljasi (a.s.), u bashkua me Zotin e vet, duke lënë pas një kujtim të bukur dhe duke merituar mirësitë dhe lavdërimet hyjnore:

“Dhe Ne e lamë atë kujtim të mirë te brezat e mëvonshëm: “Paqja qoftë mbi Iljasin!” Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët! Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.” (Saffat, 129-132)

Zoti na e mundësoftë ta kalojmë jetën të udhëzuar në rrugë të drejtë, duke u ruajtur nga mashtrimi i kënaqësive të përkohshme të kësaj bote dhe duke i kryer denjësisht adhurimet ndaj Tij, me qëllim që të meritojmë lumturinë e amshuar!..

 

Share.

Leave A Reply