Që barti të fshehtën e mahnitjes qiellore!
Thuhet se Idrisi (a.s.), ka lindur në rrethinat e Babilonisë, e cila ishte një vendbanim që gjendej midis lumenjve Tigër dhe Eufrat, në zonën e Mesopotamisë. Mendohet se ai ishte nip i Ademit (a.s.), në brez të gjashtë. Në Kuran gjenden katër ajete lidhur me të.
Idrisi (a.s.), merrej me adhurim dhe shoqërohej me njerëz të mirë edhe para se t’i vinte profecia. Gjithashtu, ai e siguronte jetën me punën e duarve të veta.
Ai jetoi në një popull me prejardhje prej Kabilit. Ky ishte një popull i prishur si nga ana materiale, ashtu edhe nga ana shpirtërore. Ata e kishin harruar adhurimin e Zotit dhe bënin çdo të keqe e të ndaluar, duke e konsideruar si normale dhe të lejuar. Allahu i Madhëruar, e dërgoi Idrisin (a.s.), si profet për këtë popull të larguar nga rruga e së vërtetës, me qëllim që t’i udhëzonte.
Profetit Idris (a.s.), iu shpallën rreth tridhjetë fletë në formën e urdhrave hyjnorë, me anë të të cilave i bëheshin të ditura urdhrat dhe ndalimet e Allahut. Idrisi (a.s.), i kumtoi dhe ia bëri të njohura këto urdhra e ndalime popullit ku jetonte.
Mendohet se shpalljeve që kumtoi Idrisi (a.s.), i besuan rreth një mijë persona. Gjithashtu, Idrisit (a.s.), i vinin melekët grupe -grupe dhe takoheshin e bisedonin me të.
Ai u thoshte njerëzve të vet fjalë të urta e u jepte porosi, disa prej të cilave janë:
“Kur njeriut të mençur i rritet pozita, i rritet edhe modestia!”
“Njeriu i mençur nuk e sheh të metën e tjetrit dhe nuk ua përplas në sy të metat të tjerëve! Nëse i shtohet pasuria, nuk mburret dhe nuk prishet moralisht!”
“Kush nuk e pastron egon e vet, do të thotë se është i pamend!”
“Dashuria për këtë botë dhe për botën tjetër nuk bëhen kurrë bashkë!”
“Kur të luteni, qëllimi juaj le të jetë i pastër!..”
Mendohet se nga fundi i jetës, Idrisi (a.s.), është ngritur në qiell. Ky mendim ka dalë prej ajetit 57 të sures Merjem, ku urdhërohet:
“Ne e ngritëm atë në një vend të lartë!”
Ky “vend i lartë”, interpretohet si ngritje në një nivel tek Zoti, ngritje në Xhenet ose ngritje në nivelin e katërt të qiellit. Në sahihun e Buhariut dhe Muslimit, shënohet një hadith, i cili përforcon faktin se ai është ngritur në qiell:
“Kur arrita, gjatë Miraxhit në katin e katërt të qiellit, u takova me Idrisin. Xhebraili më tha:
– Ky që sheh, është Idrisi. Jepi selam atij! Dhe unë i dhashë selam. Edhe ai iu përgjigj selamit tim e më pas më tha:
– Mirëserdhe, o vëlla i mirë, o profet i mirë!” (shih. Buhari, Bed’u’l-Hak, 6; Muslim, Iman, 259-264.)
Besnikëria, drejtësia dhe virtytshmëria e Idrisit (a.s.), përshkruhen kështu në Kuranin Fisnik:
“Trego në Libër për Idrisin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.” (Merjem, 56)
“(Kujto) Ismailin, Idrisin dhe Dhulkiflin! Të gjithë këta kanë qenë të durueshëm. Ne i pranuam ata me mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ata ishin ndër të drejtët.” (Enbija, 85-86)
Shprehjet, “të drejtë dhe të durueshëm”, që përdoren në këto ajete për profetët e përmendur, është për të shpjeguar virtytet e tyre dhe për t’i lavdëruar ata.
Profetët, ashtu siç janë pikat kulmore të përsosmërisë shpirtërore, janë edhe pikat kulmore të përsosmërisë lëndore. Për shembull, Ademi (a.s.), ka prirë në fushën e bujqësisë, ndërsa Idrisi (a.s.), në rrobaqepësi. Megjithëse shkrimi ka filluar bashkë me njerëzit e parë, në sajë të përpjekjeve personale të Idrisit (a.s.), shkrimi u zhvillua edhe më shumë. Përveç kësaj, mendohet se ai ka hedhur themelet e shkencës së fizikës dhe kimisë.
Idrisi (a.s.), është një profet të cilit i janë zbritur fletë-shpallje hyjnore dhe është lavdëruar në Kuran për besnikërinë, drejtësinë dhe virtytshmërinë e tij. Gjithashtu, ai është ngritur nga Allahu në një pozitë të lartë, që në jetën e kësaj bote. Ai është ndër ata që janë bërë monument durimi dhe shembull i mirë për popullin e tij dhe brezat pasardhës. Ai është prej njerëzve të mirë e të devotshëm, të cilët kanë merituar mëshirën hyjnore.