I cili në sajë të dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit, i ktheu në trëndafilishte zjarret e Nemrudit mizor!

Ibrahimi (a.s.), ka ardhur në jetë në lindje të Babilonisë, në zonën mes lumenjve Tigër dhe Eufrat. Sipas një burimi të fuqishëm, thuhet se i ati ka qenë Taruhu, një besimtar i mirë dhe i sinqertë. Pas vdekjes së Taruhut, nëna e Ibrahimit është martuar me vëllain e Taruhut, Azerin. Pra, sipas këtij burimi, Azeri që ishte një idhujtar, është njerku i Ibrahimit (a.s.). Ndërsa sipas një burimi tjetër, Taruh është emri i vjetër i babait të Ibrahimit (a.s.). Kur u bë idhujtar, ai ka marrë emrin Azer.

Imami Sujuti, rahmetullahi alejh, thotë se, sipas një transmetimi të ardhur prej Ibn Abbasit, Azeri nuk është i ati, por xhaxhai i Ibrahimit (a.s.).

Pas Profetit tonë, Muhamedit (a.s.), Ibrahimi (a.s.), është më i virtytshmi i njerëzve. Zoti e ka vlerësuar atë duke e quajtur “halil, mik”. Prandaj ai thirret edhe “Halilurrahman”.  Ibrahimit (a.s.), i janë zbritur dhjetë fletë.

Një tjetër atribut i tij është edhe “Ebul Enbija”, “Babai i profetëve”. Bijtë e tij janë Ismaili dhe Is’haku. Nga soji i Ismailit (a.s.), rrjedh Profeti ynë, Muhamedi (s.a.v.), kurse nga soji i Is’hakut (a.s.), rrjedhin profetët e të bijve të Izraelit.

Nemrudi

Ibrahimi (a.s.), ishte dërguar si profet tek populli i Keldanit. Nemrudi, i cili ishte sunduesi i popullit të Keldanit, në fillim ka qenë njeri i drejtë e i matur. Populli i tij adhuronte yjet dhe idhujt. Më pas, me zgjerimin e sundimit të tij, Nemrudit iu rrit mendja. Për rrjedhojë, ai ndërtoi statujat e veta dhe i tha popullit:

“Edhe unë jam zot! Më adhuroni edhe mua!..”

Lidhur me këtë çështje, në Kuran urdhërohet kështu:

“A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që polemizoi me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: «Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje» ,- ai u përgjigj: «Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje!» Ibrahimi pastaj i tha: «Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi!» Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” (Bekare, 258)

Në këtë ajet bëhet e ditur harbutëria dhe mosmirënjohja e Nemrudit ndaj mirësive të Allahut.

Siç rrëfehet, një natë Nemrudi sheh në ëndërr një dritë që shkëlqente në qiell, e cila kishte shuar dritën e diellit dhe hënës. Kurse, sipas një transmetimi tjetër, Nemrudi kishte parë në ëndërr se kishte ardhur dikush që e kishte zbritur nga froni dhe e kishte përplasur në tokë. Me t’u zgjuar, duke vrapuar me shqetësim dhe nxitim, Nemrudi thirri komentuesit e ëndrrave dhe ua rrëfeu ëndrrën. Ndërsa ata i thanë:

“Ka për të ardhur një fe e re. Njeriu që ka për ta sjellë atë fe, do ta rrëzojë pushtetin tënd. Duhet të marrësh masa kundër tij!”

Pas kësaj, këshilli i Nemrudit, për t’i dalë para rrezikut, vendosi të vriste të gjithë djemtë që do të lindnin. Për këtë arsye, janë vrarë rreth njëqindmijë djem të porsalindur.

Pikërisht atë kohë, nëna e Ibrahimit ishte shtatzënë me Ibrahimin. Sapo afroi koha e lindjes, ajo i tha të shoqit, Azerit:

“Ti shko në tempull dhe lutu për mua atje! Po qe se do të lind djalë, do të ta sjell atje dhe ti çoja vetë Nemrudit. Kështu, ai ka për ta vrarë djalin, kurse ty ka për t’u rritur vlera para tij!..”

Pas ikjes së Azerit në tempullin e idhujve, lindi Ibrahimi. E ëma e çoi fshehurazi në një shpellë dhe e vendosi atje. Kur Azeri u kthye në shtëpi, e shoqja i tha se fëmija lindi shumë i dobët dhe për këtë arsye vdiq.

Kur Azeri dilte prej shtëpie, e ëma shkonte në shpellë dhe i jepte gji Ibrahimit. Ndonjëherë ajo e gjente Ibrahimin duke thithur gishtat e vet. Sipas një transmetimi, Xhebraili (a.s.), bënte që prej gishtave të tij të rridhte qumësht dhe lëng hurme.

Siç rrëfehet, Ibrahimi (a.s.), i cili e kaloi periudhën e fëmijërisë në shpellë, kur doli nga shpella, filloi të kumtonte besimin monoteist. Në Kuran urdhërohet:

“Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë…” (Enbija, 51)

Pjekuria është aftësia për ta ndarë të drejtën nga e shtrembra. Në sajë të kësaj pjekurie, Ibrahimi (a.s.), pa marrë mësim dhe edukim prej askujt, u bë njohësi i shumë të vërtetave të mëdha hyjnore si dhe udhëzuesi i udhës së besimit në një Zot të vetëm!

Allahu është Zoti im!

“Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: «Ky është Zoti im!» Por, kur perëndoi ylli, ai tha: «Nuk i dua ata që perëndojnë!» Kur pa Hënën duke lindur, tha: «Ky është Zoti im!» Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: «Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit.» Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: «Ky është Zoti im, ky është më i madhi!» Por, pasi dielli perëndoi, ai tha: «O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët!»” (En’am, 76-79)

E vërteta e shprehur në këto ajete fisnike, është se rruga e atyre që besojnë zot tjetër veç Zotit që ka krijuar gjithësinë, është e shtrembër. Në mënyrë të veçantë, këtu parashtrohet se, në mënyrë analoge, çdo njeri me mend në kokë ka mundësi që, në sajë të meditimit, të arrijë në dijen përkatëse të ekzistencës dhe unitetit të Zotit, si dhe në besimin monoteist. Nisur nga kjo, dijetarët sunnitë, Maturiditë, janë shprehur se, edhe njerëzit të cilëve nuk u ka arritur Islami, janë përgjegjës për të besuar në ekzistencën dhe unitetin e Zotit me qëllim që të arrijnë shpëtimin e tyre. Mirëpo, për shkak se nuk mund ta dinë se çfarë veprash mund të bëjnë, ata nuk konsiderohen përgjegjës për veprat e tyre.

 

Share.

Leave A Reply