Allahu i Lartë u ka dërguar njerëzve profetë nga lloji i tyre, që kanë jetuar mes tyre dhe që e kanë njohur jetën me të gjitha hollësitë. Përballë kërkesës së politeistëve për t’u treguar atyre mrekulli (që t’u mbushet mendja), Zoti ynë i Lartë e ka udhëzuar Profetin (s.a.s.) që t’u thotë kështu:

“… Thuaju: “E madhëroj Zotin tim! Unë s’jam veçse një i dërguar si njeri!” Kur njerëzve u vjen orientimi, pengohen të besojnë vetëm ngaqë thonë: “A një njeri dërgoi Allahu si profet?” Thuaju: “Po qe se ata që jetojnë e lëvizin mbi tokë të qetë, do të ishin (jo njerëz, por) engjëj, edhe Ne do t’u dërgonim si profet një engjëll!” (el-Isra, 93-95)

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka bërë të ditur se nuk mund të tregojë mrekulli me vullnetin e vet pa lejen e Allahut të Lartë, sepse edhe vetë i dërguari është njeri si të gjithë njerëzit e tjerë! Në shumë ajete, Zoti e ka deklaruar këtë të vërtetë duke u shprehur:

 “Thuaju: “Edhe unë jam njeri si ju, vetëm se mua më është komunikuar se Zoti ynë është një Zot i vetëm!..” (el-Kehf, 110)

Hadithi si më poshtë e shpall hapur se Krenaria e Gjithësisë, profeti ynë (s.a.s.) ka qenë njeri:

“Edhe unë jam njeri si ju. Ju vini tek unë për zgjidhjen e çështjeve tuaja. Disa herë, unë mund të vendos në favor të dikujt duke u mbështetur në provat e tij, kurse, disa herë, në favor të dikujt tjetër për shkak të aftësisë bindëse më të madhe të fjalëve të tij duke u mbështetur në ato që dëgjoj. Ndërkaq, në qoftë se kam vendosur në favor të dikujt duke cënuar të drejtën e vëllait të vet, (ta dijë se) kam prerë për të një copë zjarri nga xhehennemi!” (Buhari, Shehadat, 27, Mezalim, 16; Muslim, Akdije, 5)

Profetët janë dërguar jo vetëm për ta kumtuar mesazhin hyjnor, por, në të njëjtën kohë, për të parashtruar një mënyrë jetese në përputhje me të, për të shpalosur një personalitet shembullor e model përballë çdo ngjarjeje dhe për të përbërë një kriter praktik. Ndërkaq, meqë kjo do të realizohej brenda një shoqërie njerëzore, këtë detyrë mund ta bënte vetëm një qenie njerëzore. Po qe se njerëzve do t’u dërgohej një engjëll si përfaqësues i Zotit, e vetmja gjë që do të mund të bënte ai, do të ishte t’ua përcillte njerëzve mesazhin hyjnor. Sepse engjëlli nuk do të mund të jetonte mes njerëzve dhe bashkë me ta, nuk do të mund të bëhej pjesëmarrës në jetën dhe çështjet e tyre për t’ua korrigjuar idetë, mendimet, aktet dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore. Atëherë, edhe njerëzit, duke pretenduar se nuk janë engjëll, por njeri, do të parashtronin pretekste mbi pamundësinë e tyre për t’i zbatuar urdhrat dhe ndalimet hyjnore!

Prandaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), si rrjedhojë e detyrës për t’u bërë shembull dhe model për bashkësinë e vet, nuk e pati vazhduar jetën me anë të jashtëzakonshmërive që kishte mundësi në sajë të kompetencës profetike dhe gjendjet mbinjerëzore i pati përjetuar rrallë dhe vetëm individualisht. Pjesa dërrmuese e akteve dhe veprimeve që ia kanë mbushur jetën, janë realizuar në kornizën e domosdoshmërive dhe mundësive njerëzore. Për këto shkaqe, çdokush që kërkon të bëhet një tregtar ideal, një kryetar familjeje i përkryer, një komandant ushtarak i shkëlqyer ose administrator dhe qeveritar, mund të fitojë nga jeta e tij parime që do t’i bëheshin prijëse në jetën dhe fushën përkatëse.

Gjatë gjithë historisë, te njerëzit është formuar dhe ka gjëlluar vazhdimisht opinioni i gabuar se njeriu nuk mund të bëhet përfaqësues (ambasador) i Allahut, Zotit. Fakti që profetët kanë qenë njerëz si të gjithë njerëzit, që kanë ngrënë e pirë, domethënë, janë ushqyer, që kanë patur gra e fëmijë, përgjithësisht, që kanë patur cilësi, veti dhe karakteristika njerëzore si këto që porsa u përmendën, janë konsideruar si të meta që s’duhet të ekzistojnë te një përfaqësues (ambasador) i Zotit dhe, në këtë mënyrë, është formuar guximi për t’i atribuar dëshirës volitive të Zotit gabime e të meta. Shumë profetë janë përballur me kundërshtime të këtij drejtimi nga njerëzit tek të cilët kanë qenë dërguar.

Në mënyrë diametralisht të kundërt me këtë, ndjekësit e disa profetëve, duke e çuar në teprim të skajshëm dashurinë dhe besnikërinë e ushqyer ndaj tyre, me kalimin e kohës, kanë filluar të besojnë se profeti i tyre apo i admiruar i tyre nuk është njeri. Duke i lartësuar me të tepërt dhe jashtë kufirit profetët, u kanë atribuar hyjnitet dhe, kështu, kanë rënë në politeizëm dhe herezi. Disa e kanë bërë profetin për Zot, disa e kanë pandehur profetin për bir të Zotit ose mishërim (trupëzim) të Zotit dhe, duke u larguar nga besimi monoteist konsekuent, kanë sajuar një besim antropomorfik. Si në krishterizëm…

Kuptimi dhe urtësia kryesore e faktit që në Kur’an dhe në hadithet profetike përqëndrohet me përparësi mbi natyrën njerëzore të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), është mbrojtja e bashkë sisë muhammediane nga ky gabim ku patën rënë bashkësitë e mëparshme.

Hz. Omeri (r.a.) ka përcjellë se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka porositur kështu:

“Mos më lavdëroni tepër siç patën bërë krishterët për Isain, të birin e Merjemes! Eshtë jashtë çdo diskutimi se unë jam një rob i Allahut, prandaj, për mua thoni: “Robi dhe i dërguari i Allahut!” (Buhari, Enbija, 48)

Kurse në një hadith tjetër, Profeti (s.a.s.) ua ka tërhequr kështu vëmendjen personave që tregojnë konsideratë të lartë të tepruar për të:

“Mos më lartësoni mua mbi gradën që e kam të drejtë, sepse Allahu i Lartë, para se të më bënte përfaqësuesin e vet, më pati bërë robin e vet!” (Hakim, III, 197/4825; Hejsemi, IX, 21)

Një shkak tjetër që Profeti e prek shpesh specifikën e qenies së vet njeri dhe rob i Zotit, është modestia e tij e jashtëzakonshme.

Abdullah bin Xhubejr (r.a.) tregon:

“Një ditë kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po ecte në rrugë me një grup sahabesh, njëri prej tyre deshi ta mbronte Profetin nga dielli me anë të një mbulese. Me ta dalluar se dikush po i bënte hije, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha ta linte atë punë dhe e mori mbulesën dhe e vuri në tokë. Pastaj tha:

“Edhe unë jam njeri si ju!” (Hejsemi, IX, 21)

Share.

Comments are closed.