I Dërguari i Allahut (s.a.s) ishte dyzet vjeç. Periudha gjashtëmujore e përgatitjes që kaloi për të arritur pjekurinë për t’u bërë bashkëbisedues i mesazhit ose zbulesës hyjnore, kishte marrë fund.

Ishte dita e 17 e muajit të bekuar të Ramazanit. Siç e kishte bërë rregull, Profeti (s.a.s.) ndodhej në shpellën Hira. Erdhi Xhebraili (a.s.) dhe i tha:

“Lexo!”

“Unë nuk di të lexoj!” – Iu përgjegj ai.

Engjëlli Xhebrail (a.s.) e shtrëngoi fort Hz. Muhammedin gjersa këtij iu prenë forcat dhe i tha përsëri:

“Lexo!”

“Unë nuk di të lexoj!” – Iu përgjigj përsëri Hz. Muhammedi.

Pas kësaj, Engjëlli e shtrëngoi Hz. Muhammedin (s.a.s.) për të dytën herë gjersa iu prenë fuqitë, dhe i tha:

“Lexo!”

Dhe Profeti (s.a.s) iu përgjigj përsëri po ashtu:

“Unë nuk di të lexoj! (Nuk di çfarë të lexoj!)”

Pas kësaj, Xhebraili (a.s.) e shtrëngoi për të tretën herë Profetin dhe e la. Pastaj ia zbuloi fjalët hyjnore:

“Lexo me emrin e Zotit tënd që ka krijuar; e ka krijuar njeriun prej një cope gjaku të ngjizur! Lexo në emër të Zotit tënd që është më bujari! Ai e mësoi njeriun të shkruajë me pendë, i mësoi njeriut atë që nuk e dinte!” (el-Alak, 1-5)

Me këtë urdhër hyjnor, filloi, në personin e të Dërguarit të Allahut, zbritja e Kur’anit, favorit më të madh të Zotit për të gjithë njerëzimin.

Këto ajete konceptoi së pari Hz. Muhammedi (s.a.s.) nga Kur’ani i Qartë130 që nisi të zbriste nga portat e qiellit në tokë si mëshirë dhe shërim. Pas largimit të Xhebrailit (s.a.s.), me zemrën që i dridhej nga impresionimi i mesazhit hyjnor, Profeti u kthye te Hz. Hatixheja dhe i tha:

“Mbulomë, mbulomë!..”

Pastaj, pasi pushoi një copë herë dhe e mblodhi veten, Profeti ia rrëfeu këtë ndodhi Hz. Hatixhesë, me të cilën ai kaloi një jetë model për njerëzimin, dhe e pyeti me frikë:

“E kush ka për të më besuar mua, Hatixhe?”

Dhe ajo bashkëshorte e bekuar iu përgjigj kështu Profetit:

“Betohem në Allahun (xh.xh.) se Ai kurrë s’ka për të të lënë ty të turpërohesh! Sepse ti i mbron të afërmit, ti merr mbi vete barrën e atyre që s’janë të zotët për ta mbajtur, ti i jep të varfërit dhe e ushqen mikun, ti e ndihmon popullin duke gjykuar me drejtësi mes njerëzve!..”

Pastaj, duke u bërë personi i parë që i besoi Profetit, Hz. Hatixheja i tha këto fjalë:

“O i Dërguari i Allahut! Unë të pranoj dhe të vërtetoj ty! Në fillim më fto mua në rrugën e Allahut!” Pra, në një kuptim, me qëndrimin e saj, Hz. Hatixheja i thoshte:

“E mira sjell vetëm të mira! Ç’mund të jetë tjetër shpërblimi i të mirës, veçse e mirë?”

Kështu, ajo e vlerësonte se e kaluara e tij e pastër dhe e shkëlqyer ishte paralajmëruesja dhe mbështetësja e të ardhmes së tij të qartë. Edhe Zoti po kështu urdhëron:

 “A nuk është përgjegjësja e së mirës vetëm e mirë?” (er-Rahman, 60)

Pas kësaj, Hz. Hatixheja (r.a.) e mori Profetin (s.a.s.) me vete dhe e çoi në shtëpinë e Varaka bin Nevfelit, djalit të ungjit të saj.

Varaka bin Nevfel ishte ndër ata personalitete të rrallë e të zgjedhur të cilët, në periudhën e injorancës pagane e politeiste paraislamike, nuk adhuronin idhujt. Ai ishte bërë krishter. Ai njihte hebraishten dhe bënte citime prej ungjillit. Në këtë kohë ai ishte plakur aq shumë sa i kishte ikur drita e syve. Hz. Hatixheja i tha kështu atij:

“O biri i tim ungji! Dëgjo pak se ç’thotë ky djali i vëllait tënd!”

Varaka bin Nevfel pyeti me kureshtje: “Ç’ka biri i tim vëllai?”

Dhe Profeti ia përshkroi ç’i kishin ngjarë.

Sytë e Varakas që rroku në fjalët e tij të vërtetën më të lartë të Kohës së Fundit131, në fillim shkëlqyen me buzëqeshje pastaj, duke u zhytur në mendime të thella, u përqëndruan në seriozitet dhe ai tha: “Ai që ke parë ti, është “i Nderuari i Madh” (Xhebraili) që Zoti ia pati dërguar edhe Musait. Eh, sikur në ditët e ftesës tënde të ndodhesha i ri! Eh, sikur, kur fisi yt të të përzejë prej vatanit, të isha ende në jetë!”

I Dërguari i Allahut e pyeti me çudi:

“Mos vallë ata kanë për të më përzënë prej vatanit?”

Dhe Varaka iu përgjigj: “Po! Sepse nuk ka njeri ndër ata si ti që u ka ardhur zbulesa hyjnore e të mos jenë përballur me armiqësi! Po qe se do t’i arrij ditët kur do të fillosh ftesën, do të të ndihmoj gjer në fund!”

Pa shkuar shumë pas këtij takimi, Varaka bin Nevfel vdiq. Edhe komunikimi hyjnor hyri në periudhën e ndërprerjes për një farë kohe. (Buhari, Bed’u’l-Vahj, 1; Enbija, 21; Tefsir, 96; Muslim, Iman, 252)

Në ajetet e zbritura më pas, Allahu i Lartë i drejtohet kështu të Dërguarit të Tij:

 “E, kështu, Ne të dërguam ty Xhebrailin me urdhrin Tonë dhe të zbuluam Kur’anin kur ti s’e dije se ç’ishte libri e ç’ishte besimi! Ne e bëmë atë dritë me të cilën vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robve Tanë. Pa dyshim, ti udhëzon për në rrugë të drejtë!” (esh-Shu’ra, 52)

 “Ne të frymëzuam ty ashtu siç patëm frymëzuar edhe Nuhun dhe profetët pas tij…” (en-Nisa, 163)

Lidhur me fjalën “lexo!” si fjala e parë e zbulesës hyjnore për Hz.Muhammedin (s.a.s.), personalitetet mistikë kanë bërë një koment të tillë:

“Lexo! Çdo gjë lexo! Librin e Allahut lexo! Ajetet e Allahut lexo! Librin e gjithësisë lexo! Vazhdimisht lexo! Lexo që njerëzit të largohen prej mbrapshtisë e të hyjnë në rrugë të drejtë! Lexo që feja jote të përgjithësohet! Me emër të Allahut lexo! Me emrin e Zotit tënd që krijon, lexo! Me emrin e Zotit tënd të madh që e krijon njeriun prej një cope gjaku të mpiksur e që i jep atij mundësitë për të lexuar çdo gjë, për të ndriçuar çdo gjë, për të kuptuar çdo gjë dhe për t’i përjetuar të gjitha ato që kupton! Lexo me emrin e Allahut që, duke i dhuruar njeriut dhuntinë e leximit, i ka bërë atij favorin më të madh! Lexo që të mësosh! Lexo çdo rresht të shkruar prej dorës së fuqisë hyjnore! Me emrin e Allahut që i mësoi njeriut atë që nuk dinte!”

Duke u shprehur “isha i papjekur” për periudhën e leximit formal të librit, “u poqa” për periudhën e leximit të enigmës së gjithësisë dhe “u dogja” për periudhën e përcëllimit prej enigmës hyjnore, poeti Xhelaledin Rumiu ka shprehur etapat shpirtërore nëpër të cilat ka kaluar ai vetë lidhur me zbatimin e urdhrit “lexo!”

Urdhri “lexo!” i Kur’anit është shumë i rëndësishëm. Por po kaq i rëndësishëm është edhe urdhri për të lexuar me emrin e Allahut që përcakton mënyrën e leximit dhe zbatimin e urdhrit në fjalë.

Urdhri “lexo” nuk është vetëm një urdhër formal për një lexim formal, por ardhja e zemrës në gjendjen e receptorit të librit dhe urtësisë në përfundim të pastrimit dhe purifikimit moralo-shpirtëror. Me këtë aludohet për mundësinë e leximit të çdo gjëje me anë të zemrës e cila është reflektuese e shfaqjeve. Me fjalë të tjera, urdhri “lexo” është që gjithësia të shndërrohet në libër, që zemra, duke i shpalosur faqet e gjithësisë, të mund t’i lexojë urtësitë dhe të fshehtat, shkurt, që njeriu ta lexojë, ta kuptojë dhe ta përjetojë gjithësinë, vetveten dhe Kur’anin.

Nga ajetet e zbritura të parat, mund të nxirren edhe këto përfundime:

Çdo punë duhet filluar me emrin e Allahut.

Njeriu i cili krijohet nga një copë gjaku e mpiksur dhe që pastaj merr trajtën më të bukur, kurrë nuk duhet ta harrojë se është i dobët, se është asgjë para fuqisë hyjnore!

 “Ai e mësoi njeriun të shkruajë me pendë, i mësoi njeriut atë që nuk e dinte!” (el-Alak, 4-5)

Në këto ajete, njeriut i bëhet e ditur rëndësia e dijes dhe diturisë, në të njëjtën kohë, nënvizohet se çdo gjë që mëson dhe di njeriu, e ka prej Zotit dhe se mundësia e tij për të mësuar dhe ditur është favor i Zotit për të!

Prandaj, njeriu duhet ta mbajë vazhdimisht në mendje lartësinë sublime të Zotit dhe kurrë të mos bëhet mosmirënjohës!

Share.

Comments are closed.