Tek të gjithë profetët ka disa cilësi të përbashkëta. Këto janë besa dhe besnikëria, zgjuarsia profetike, pafajshmëria dhe aftësia kumtuese.152 Brenda kornizës së këtyre veçorive plotësohet besimi te profetët.

Besa, besnikëria dhe ndershmëria në fjalë dhe veprime. Në kumtimin e konkluzioneve, urdhrave dhe ndalimeve hyjnore si dhe në çdo lloj informacioni dhe lajmi të dhënë prej tyre, profetët janë të ndershëm, fjalëdrejtë dhe besnikë. Ata karakterizohen nga drejtësia dhe ndershmëria e përhershme në fjalë dhe veprime. Fjalët dhe veprimet e tyre janë pasqyra të njëra-tjetrës. Është e pamundur që ata të gënjejnë. Allahu (xh.xh.) i ka lavdëruar profetët për ndershmërinë dhe besnikërinë e tyre:

 “Kujto edhe ç’kemi treguar në libër mbi Ibrahimin! Pa dyshim, ai ishte një nebi fjalëdrejtë!” (Merjem, 41)

Allahu i Lartë e njofton në këtë mënyrë faktin se profetët nuk mund të heqin dorë qoftë edhe për një çast nga ndershmëria dhe besnikëria në fjalë dhe veprime:

“Po qe se (Resuli, i Dërguari) do të kishte sajuar disa fjalë në emër Tonë, do ta rrëmbenim me forcë dhe, pa dyshim, do t’ia këputnim damarin e qafës!” (Hakka, 44-46)

Drejtësia, ndershmëria dhe besnikëria e profetëve është aq e lartë, saqë është pohuar dhe vërtetuar edhe nga ata që nuk u kanë besuar. Ja, disa nga shembujt e panumërt të kësaj:

Në ditët kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpalli për herë të parë ftesën profetike, u bëri zë kështu Kurejshve nga një shkëmb i lartë i kodrës Safa:

“O Kurejshë! Sikur t’ju thosha se në rrëzë të këtij mali apo në luginën pas po kalojnë kalorës armiq që janë nisur për të rrëmbyer pasurinë tuaj, a do të më besonit mua?”

Dhe ata, pa u menduar fare, iu përgjigjën:

“Po, do të të besonim sepse gjer tani të kemi parë vetëm në të drejtë, sepse kurrë nuk dëgjuam të kesh gënjyer!” (Buhari, Tefsir, 26)

Një nga pyetjet që perandori i Bizantit, Herakliti, i drejtoi Ebu Sufjanit i cili s’ishte bërë ende musliman, me qëllim për të marrë njohuri mbi Profetin (s.a.s.) ishte edhe kjo:

“A pati ndodhur ndonjëherë që të mos e ketë mbajtur fjalën?”

Megjithëse Ebu Sufjani ishte në opozitë me Profetin (s.a.s.) në atë kohë, i dha këtë përgjigje:

“Jo, ai e mban patjetër fjalën e dhënë!” (Buhari, Bed’u’l-Vahj, 1, 5-6; Muslim, Xhihad, 74)

Ubej bin Halef nga politeistët e Mekës, ishte nga armiqtë më të tërbuar të Islamit. Para hixhretit, i thoshte Hz. Muhammedit:

“Po ushqej një kalë duke i dhënë të hajë nga gjërat më të mira. Një ditë do t’ia hip atij kali dhe do të të vras ty!”

Një radhë, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia ktheu atij:

“Inshallah, në dashtë Allahu, unë do të të vras ty!”

Ditën e luftës së Uhudit, ky politeist kokëtrashë e kërkonte Profetin (s.a.s.) dhe thoshte kështu:

“Po qe se ai shpëton sot, do të thotë se puna ime ka marrë fund!”

Me këtë mendim, ai iu afrua Profetit për ta sulmuar. Ndërkaq, sahabet deshën t’ia këputnin kokën qysh kur ndodhej larg, por i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha:

“Lëreni të vijë!”

Kur Ubej bin Halef u afrua, Profeti ia mori heshtën nga dora një sahabeje, mirëpo Ubeji nisi të kthehet pas me vrap. Duke ia lëshuar heshtën, Profeti i thirri:

“Ku po ikën, o gënjeshtar?”

Heshta ia gërvishti lehtë qafën Ubejit. Mirëpo për kaq gjë, ai u rrëzua nga kali! Pasi bëri disa kapërcime, nisi të vrapojë me shpirt ndër dhëmbë në drejtim të anës së vet. Edhe vraponte, edhe bërtiste me sy të zgurdulluar:

“Betohem se Muhammedi më vrau!..”

Politeistët e tjerë që iu afruan për ta parë se ç’i kishte ndodhur, i thanë:

“Kjo është një gërvishtje e lehtë!”

Por ai s’u ngushëllua dhe u tha atyre:

“Qysh në Mekë, Muhammedi më pati thënë: “Unë patjetër kam për të të vrarë ty!” Betohem se edhe sikur një pështymë të më hedhë ai, unë vdes!”

Dhe vazhdoi të bërtasë nga dhimbja. Zëri i dilte si buallitja e një kau!

Ebu Sufjani i tha me qortim:

“A bërtet kaq shumë njeriu për një gërvishtje kaq të vogël?”

Mirëpo Ubeji ia ktheu kështu:

“A e di ti se kush ma bëri këtë gërvishtje? Kjo është plagë e hapur nga Muhammedi! betohem në Latin dhe Uzzan se dhimbjen që ndjej nga kjo plagë nuk do ta duronte tërë popullsia e Hixhazit sikur edhe t’ua përpjestonim të gjithë banorëve të saj një për një! Muhammedi më pati thënë në Mekë: “Unë patjetër kam për të të vrarë ty!” Dhe unë qysh në atë kohë e kam ditur se kam për të vdekur nga dora e tij dhe s’kam për të shpëtuar dot prej tij!”

Si armik i tërbuar i Profetit, më në fund, Ubeji vdiq në rrugë një ditë para arritjes në Mekë. (Ibni Is’hak, f. 89; Ibni Sa’d, II, 46; Hakim, II, 357)

Edhe kjo ngjarje tregon se edhe një politeist i tërbuar që e njihte nga afër Hz. Muhammedin (s.a.s.), besonte se sa e drejtë, e vërtetë dhe e fuqishme ishte fjala e tij!

Ebu Mejsere thotë:

“Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s) kishte shkuar te Ebu Xhehli dhe shokët e tij. Me ta parë Profetin, ata i thanë:

“O Muhammed, Vallahi ne nuk të përgënjeshtrojmë ty! Për ne, ti je një njeri i ndershëm, i drejtë dhe besnik! Ne nuk u besojmë gjërave që ke sjellë ti dhe ato i përgënjeshtrojmë!”

Pas kësaj, zbriti ajeti:

 “Sigurisht, e dimë se fjalët e tyre do të të dëshpërojnë; në të vërtetë, ata nuk të quajnë ty gënjeshtar, por, mizorët, i mohojnë me vetëdije ajetet e Allahut!” (el-En’am, 33)” (Vahidi, f. 219)

Vetëm fytyra dhe pamja e Hz. Muhammed Mustafait (s.a.s.), pa thënë ai asnjë fjalë, ishin shprehje konkrete e drejtësisë dhe besnikërisë së tij, aq sa, njëri nga dijetarët e shquar të hebrenjve, Abdullah bin Selam, pati pohuar besimin vetëm për fytyrën e bukur të Profetit, duke u shprehur kështu:

“Kjo fytyrë nuk mund të jetë fytyrë gënjeshtari!” (Tirmidhi, Kijame, 42; Ahmed, V, 451)

Eshtë e pamundur që dikush i cili në jetën e mëparshme, para se t’i jepet profetësia, të mos u ketë thënë gënjeshtra njerëzve qoftë edhe me shaka, të thotë gënjeshtra mbi Zotin. Profeti ynë e ka konsideruar gënjeshtrën shenjë dyfytyrësie dhe ia ka ndaluar me forcë gënjeshtrën ummetit, bashkësisë së vet!154

Në një hadith, Profeti (s.a.s.) ka thënë kështu:

“Për sa kohë që robi të vazhdojë të gënjejë dhe të bartë qëllimin për të gënjyer, në zemër i formohet një njollë e zezë. Pastaj kjo njollë zmadhohet dhe e gjithë zemra i nxihet. Më në fund, ky njeri shënohet te Allahu në radhët e gënjeshtarëve!” (Muvatta, Kelam, 18)

Nufej bir Harith (r.a.) rrëfen:

Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s) na pyeti tri herë:

“A t’ju tregoj për më të rëndin e mëkateve të mëdhenj?”

Dhe ne i thamë:

“Po, o i Dërguari i Allahut!”

Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u shpreh kështu:

“T’i bësh shok Allahut, të mos u bindesh prindërve!”

Pastaj, lëvizi nga vendi ku ishte mbështetur, u drejtua dhe shtoi:

“Dëgjoni mirë! Edhe të gënjesh dhe të bësh dëshmi të rreme!”

Dhe aq e përsëriti këtë fjalë, sa, që të mos lodhet e dëshpërohet, iu lutëm të heshtë! (Buhari, Edeb, 6; Muslim, Iman, 143)

Edhe në Kur’an, rëndësia e drejtësisë, ndershmërisë dhe besnikërisë në fjalë është deklaruar në këtë mënyrë:

 “Allahu i Lartë do të urdhërojë kështu: “Kjo është dita kur besnikëve do t’u bëjë dobi besnikëria e tyre. Për ta ka xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta, edhe ata janë të kënaqur me Zotin e tyre. Ja, ky është shpëtimi dhe fitimi i madh!” (el-Maide, 119)

Share.

Comments are closed.