Hauaritë (ndihmësit) e Isait (a.s.), kërkuan prej tij të lutej që Allahu t’u zbriste një sofër nga qielli.

“Kujto kur dishepujt thanë: «O Isa, i biri i Merjemes, a mundet Zoti yt të na zbresë një sofër prej qielli?» Ai tha: «Kini frikë Allahun, nëse jeni besimtarë të vërtetë!»” (Maide, 112)

Në fillim, Isai (a.s.), i pyeti në formë paralajmërimi:

“A po dyshoni për fuqinë e Zotit? Si keni guxim e kërkoni një gjë të tillë?”

Hauaritë thanë:

“Nuk kemi ndonjë qëllim tjetër, veçse të shijojmë mirësitë e Allahut dhe të na kënaqen zemrat edhe më shumë! Prandaj e kërkuam një sofër të tillë!”

“Ne dëshirojmë të hamë nga ajo – thanë ata –, me qëllim që të na qetësohen zemrat dhe ta dimë se na ke thënë të vërtetën dhe për atë të jemi dëshmitarë”. (Maide, 113)

Pas kësaj, Isai (a.s.), mori gusul (larje e plotë e trupit) dhe fali dy rekate namaz. Ai iu përgjërua Allahut me përulësi të madhe, duke iu lutur që dita kur do të dhurohej kjo sofër, të bëhej një ditë feste.

“O Allah, o Zoti ynë! – tha Isai, i biri i Merjemes – Zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin dhe të fundmin tonë dhe të jetë mrekulli prej Teje dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!” (Maide, 114)

Kjo lutje u pranua dhe nga qielli zbriti një sofër, mbi të cilën (sipas transmetimeve) ndodhej një peshk i pjekur, kripë, uthull, bukë, ullinj, djathë, mjaltë, etj. Gjithashtu, sofra ishte e mbushur edhe me perime të freskëta.

 

Share.

Leave A Reply