Pasi kaloi dymbëdhjetë vjet në Egjipt, Isai (a.s.), u kthye në Jerusalem dhe u vendos në qytetin e Nazaretit[1]. Në moshën tridhjetë vjeç, Isait (a.s.), iu dha profecia. Pas kësaj, ai menjëherë filloi t’i thërrasë njerëzit në besimin e një Zoti të vetëm.

Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Padyshim, Ne dërguam Nuhun dhe Ibrahimin dhe u dhuruam trashëgimtarëve të tyre Profecinë dhe Librin. Disa syresh ishin në rrugë të drejtë, kurse shumica prej tyre ishin gjynahqarë të pabindur.” (Hadid, 26)

Nga ajeti i mësipërm, kuptohet se, katër librat e shenjtë, iu dhanë profetëve nga soji i tyre.

“Pas tyre Ne çuam të dërguar të tjerë, mandej dërguam Isain, të birin e Merjemes. Ne i dhamë atij Ungjillin, kurse në zemrat e pasuesve të tij mbollëm butësi dhe mëshirë. Sa për murgërinë, Ne nuk ua urdhëruam atë, por ata e shpikën vetë për të arritur kënaqësinë e Allahut. E megjithatë, ata nuk u kujdesën si duhet për të. Kështu, Ne u dhamë  besimtarëve të vërtetë prej tyre shpërblimin e merituar, sado që shumë prej tyre janë të pabindur.” (Hadid, 27)

Murgëria, është një botëkuptim dhe mënyrë jetese e sajuar prej të krishterëve shumë kohë pas Isait (a.s.). Siç rrëfehet, pas Isait (a.s.), besimtarët janë përballur me tortura dhe vuajtje të shumta të mohuesve, të cilët janë përpjekur për t’i asgjësuar. Midis mohuesve dhe besimtarëve, janë zhvilluar tre beteja të mëdha, ku besimtarët kanë pësuar humbje të shumta. Pjesa e besimtarëve të mbetur gjallë pas këtyre betejave, nga frika se po të vriteshin edhe ata nuk do të mbetej njeri që të ftonte në fe, kanë marrë vendim të mos luftojnë më tej por të merren vetëm me adhurim. Për këtë arsye, këta njerëz të cilët treguan sinqeritet dhe përkushtim në fe, duke u larguar prej ngatërresave, hoqën dorë prej të gjitha kënaqësive të kësaj bote, si martesa, ngrënia dhe pirja e tepërt etj., dhe u ngujuan nëpër male, shpella e qeli, për t’u marrë vetëm me adhurim. Të tjerët që nuk vepruan kështu, me kalimin e kohës e humbën identitetin e tyre dhe duke mohuar fenë e Isait (a.s.), përqafuan fenë e sunduesve. Pasi u përzjenë me popullin që besonte  shumë zota, filloi të shfaqet edhe besimi i trinitetit, pra, besimi në tre zota të bashkuar në një (Babai, biri dhe shpirti i shenjtë). Më vonë, kur profeti i fundit, Muhammedi (s.a.v.), nderoi botën me ardhjen e tij, ata nuk e pranuan profecinë e tij, duke mohuar dhe devijuar nga rruga e drejtë.

*

Isai (a.s.), vazhdonte të kumtonte fenë e vërtetë. Mirëpo, shumica e njerëzve ngulnin këmbë në mohimin e tyre. Isai (a.s.), shfaqi mrekulli të shumta dhe vërtetoi Teuratin që iu zbrit Musait (a.s.). Por, i shpalli popullit se disa ligje të Allahut të Madhëruar, kishin ndryshuar:

“Dhe (kam ardhur te ju) për t’ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Ju kam sjellë një provë nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni! Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është rruga e drejtë!” (Al-i Imran, 50-51)

“Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: «O bijtë e Izraelit, unë jam i Dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje.» Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: «Kjo është magji e hapur!»” (Saff, 6)

Siç rrëfehet, në kapitullin e 14/16 të Ungjillit të Gjonit, Isai (Jezusi) ka thënë kështu:

“Dhe unë do t`i lutem Atit dhe ai do t`ju japë një Ngushëllues (faraklit) tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju!”

Ndërsa në kapitullin e 16 ka thënë kështu:

“Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t`jua dërgoj!..” “…Kam edhe shumë gjëra të tjera për t`ju thënë, por ato ende ju nuk mund t`i mbani. Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t`ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t`ju kumtojë gjërat që do vijnë.” (Gjoni 16/ 7-8; 12-13.)

Fjala “faraklit”, është një fjalë që shpreh “lavdërim” (hamd), të cilën disa të krishterë e kanë shpjeguar si “shpëtimtar”, kurse disa të tjerë e kanë interpretuar si “hammad” dhe “hamid”, që do të thotë, falënderues dhe lavdërues i madh. Dhe kjo, tregon se fjala “faraklit”, përputhet me rrënjën e fjalëve Ahmed dhe Muhammed.

*

Me kalimin e kohës, urrejtja e mohuesve ndaj Isait (a.s.), u shtua shumë. Isai (a.s.), e kuptoi këtë gjë dhe duke iu drejtuar dymbëdhjetë ndjekësve (apostujve) që kishte zgjedhur mes atyre që e besonin, i pyeti:

“Kush do të bëhet ndihmësi im në shërbimin ndaj fesë së Zotit dhe mbrojtjen e saj?”

Të gjithë apostujt iu përgjigjën me një zë:

“Ne jemi ndihmësit e tu! Do të të ndihmojmë me gjithçka në rrugën e Zotit, sepse ia kemi dhënë zemrën fesë së tij! Ji dëshmitar se ne jemi myslimanë të vërtetë të lidhur pas fesë tënde!”

Në Kuran urdhërohet:

“Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: «Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?» Nxënësit (e tij) u përgjigjën: «Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij).” (Al-i Imran, 52)

“O besimtarë, bëhuni ndihmësit e Allahut, ashtu siç u tha dishepujve Isai, i biri i Merjemes: «Kush janë ndihmësit e mi për çështjen e Allahut?» Dishepujt u përgjigjën: «Ne jemi ndihmësit e Allahut!» Kështu, një pjesë nga bijtë e Izraelit e besoi, kurse pjesa tjetër e mohoi. Prandaj Ne i forcuam besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata dolën ngadhënjimtarë.” (Saff, 14)

Apostujt ishin dymbëdhjetë besimtarë të sinqertë që e patën besuar të parët Isain (a.s.) dhe e patën ndihmuar atë. Në Kuran, këta përmenden me emrin “Hauari” dhe “Ensarullah”. Hauaritë, ishin zgjedhur nga Isai (a.s.), për të përhapur fenë e vërtetë. Një ndër këta është edhe Bernabeu, shkruesi i ungjillit që mban emrin e tij.

 

[1] – Në arabisht, shqiptohet Nasira. Për këtë aryse edhe të krishterët thirren nasrani.

Share.

Leave A Reply