I cili, duke u ringjallur pas një vdekjeje njëqindvjeçare, u bë shembull për ringjalljen pas Kiametit

Uzejri ka qenë prej gjakut të Harunit (a.s.). Ndër hebrenj, njihet me emrin Ezra. Ai ishte një nga të paktët që e dinin Teuratin përmendësh në kohën e tij.

Në Kuran nuk ka ndonjë të dhënë të qartë nëse Uzejri ka qenë profet apo jo. Gjithashtu, këtë e mbështet edhe fjala e Profetit tonë, Muhamedit (a.s.), i cili ka thënë:

“Nuk e di nëse Uzejri ka qenë profet apo jo!” (Ali el-Muttaki, XII, 81/34087.)

Në Kuranin Fisnik, lidhur me Uzejrin, flitet vetëm në një vend. Aty tregohet se atij i është marrë shpirti nga ana e Allahut dhe, pas njëqind vjetësh i është kthyer përsëri duke u ringjallur.

Në periudhën kur ka jetuar Uzejri, bijtë e Izraelit e kishin tepruar shumë në punë të këqija. Për këtë arsye, Allahu i dënoi ata me anë të Buhtunnasrit, i cili pushtoi zonën e Damaskut dhe Jordaninë, shkatërroi Bejt-i Makdisin, vreshtat e kopshtet dhe vrau barbarisht të dobëtit. Ndërsa të rinjtë dhe ata që iu dukën të dobishëm, i mori rob, ku mes tyre ndodhej edhe Uzejri.

Sipas transmetimeve, në moshën pesëdhjetë vjeçare, Uzejri iku në një farë mënyre dhe shpëtoi nga robëria. Më pas, u nis me një gomar për në Kuds (Jerusalem). Kur iu afrua qytetit, pa ndërtesat e mbetura gërmadhë, kopshtet e vreshtat e shkatërruara dhe u hidhërua thellë. Për shkak se e kishte marrë uria shumë, u ndal, e lidhi gomarin në një pemë dhe mblodhi ca fiq e i hëngri. Pastaj shtrydhi ca rrush dhe e piu lëngun e tyre. Më pas u ul nën një pemë dhe hodhi vështrimin në atdheun e tij të shkatërruar dhe në kockat e bëra stivë. Duke medituar për fuqinë e Zotit, mendoi se si ka për t’u ringjallur çdo gjë nga fillimi. E, kështu, e zuri gjumi.

Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: «Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!» Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: «Sa kohë ke ndenjur këtu?» – Ai u përgjigj: «Një ditë ose gjysmë dite». – «Jo» – i tha Allahu, «por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!» Kur atij iu bë e qartë, ai tha: «Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!»” (Bekare, 259)

Kur Uzejri ra në gjumë, ishte kohë mëngjesi, ndërsa kur u zgjua, dielli nuk kishte perënduar. Mirëpo, nga rënia në gjumë e gjer në zgjim kishim kaluar njëqind vjet! Sipas transmetimeve, në këtë kohë Buhtunnasri kishte vdekur, të gjithë robërit ishin liruar dhe ishin kthyer në Kuds. Ndërsa Bejt-i Makdisi ishte meremetuar dhe i gjithë qyteti ishte rregulluar.

Sipas një transmetimi që e shënon Ibn Kethiri në tefsirin e tij, thuhet se: Pas gjithë këtyre që kishin ndodhur, Uzejri i hipi gomarit dhe u fut në qytet, ku pa se çdo gjë kishte ndryshuar. Njerëzit nuk ishin ata që njihte ai, e as ndërtesat, ato që dinte ai! Ndërkohë, Uzejri kërkoi lagjen e vet dhe sipas hamendjes, qëndroi para një shtëpie. Në pragun e asaj shtëpie pa një grua të verbër e të paralizuar, të cilën e pyeti:

– Ku është shtëpia e Uzejrit?

Gruaja i përgjigjet me hidhërim:

– Kjo është shtëpia e Uzejrit, por ai vetë ka njëqind vjet që ka humbur. Ndërsa unë jam shërbëtorja e tij!

Pas kësaj, Uzejri prezantoi veten duke thënë: “Unë jam Uzejri!” dhe i tregoi gjithçka që i kishte ndodhur. Shërbëtorja u gëzua shumë nga këto që dëgjoi dhe i kërkoi Uzejrit të lutej që Allahu t’i kthente sytë dhe fuqinë, me qëllim që ta shihte me sytë e saj. Uzejri e falënderoi Allahun për të mirat që i kishte dhënë dhe u lut për shërbëtoren, e cila e rifitoi shëndetin dhe fuqinë.

Në kohën kur Uzejri ra në gjumë dhe vdiq, kishte një djalë 18-vjeçar. Tani ai ishte një plak 118 vjeçar me flokë të thinjur, ndërsa i ati, 50 vjeç. Për shkak të gjithë kësaj kohe që kishte kaluar, djali nuk mundi ta njihte të atin. Prandaj i tha:

– Babai im kishte një nishan si gjysmëhënë në kurrizin e tij!

Uzjeri u tregoi kurrizin dhe ata panë se në shpinën e tij kishte me të vërtetë një nishan si gjysmëhëne. Pas kësaj, askush nuk dyshoi më se ai ishte me të vërtet Uzejri.

Kur Buhtunnasri e pushtoi dhe e plaçkiti Jerusalemin, i dogji edhe të gjitha kopjet e Teuratit. Për këtë arsye, Uzejri e ringjalli fenë në bazë të dijeve që kishte.

Sipas një transmetimi që vjen prej Ibn Abbasit (r.a.), kur bijtë e Izraelit e kishin lënë Teuratin dhe vepronin sipas qejfit dhe interesave të tyre, Allahu ua mori Teuratin dhe i bëri të harrojnë gjithçka prej tij. Për këtë arsye, bijtë e Izraelit ishin thellësisht të hidhëruar. Në mënyrë të veçantë, Uzejri, i cili iu lut dhe iu përgjërua shumë Allahut për këtë. Më vonë, Allahu zbret një dritë e cila hynë në zemrën e tij, duke ia kujtuar Teuratin e harruar. Më pas, ai ia mësoi përsëri Teuratin bijve të Izraelit. Sipas këtij transmetimi, thuhet se më vonë u gjet një sënduk ku ishte fshehur një kopje e vjetër e Teuratit. Bijtë e Izraelit e krahasuan atë me Teuratin që u mësoi Uzejri dhe panë se gjithçka ishte në përputhje. Për këtë arsye ata e deshën shumë Uzejrin. Madje, e ngritën aq shumë atë, saqë në brezat e mëvonshëm zuri vend një besim i pabazë, se gjoja Uzejri ishte biri i Zotit. (Taberi, Xhamiu’l-Bejan, X, 143.)

Lidhur me këtë çështje, në Kuran urdhërohet:

“Hebrenjtë thonë: «Uzejri është i biri i Allahut». Të krishterët thonë: «Mesihu është i biri i Allahut». Këto janë fjalët e tyre, nga goja e tyre, i imitojnë fjalët e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si po shmangen (nga e vërteta)!

Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim).” (Teube, 30-31)

Edhe pse hebrenjtë e sotëm nuk e pranojnë se kanë thënë që Uzejri është biri i Zotit, në një periudhë të historisë së tyre, një grup prej hebrenjve ka shkuar aq larg në lavdërimin dhe ngritjen e tij, saqë i kanë atribuar atij edhe cilësi të Zotit.

Share.

Leave A Reply