Në Kuran, fjalët “Zebur” dhe “Zubur”, përdoren në vende të ndryshme. Zebur, do të thotë “libër”, kurse Zubur, “libra”. Në lidhje me Daudin (a.s.), fjala “Zebur”, përmendet në tre vende. Ndërsa fjala “Zubur”, nuk përdoret në lidhje me Daudin (a.s.), por në lidhje me librat hyjnorë që u janë dhënë profetëve. Këtë e shohim edhe në ajetin e mëposhtëm:

وَإِنَّهُ لَفِي زُبُرِ الْأَوَّلِينَ

“Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet (librat) e të parëve.” (Shuara, 196)

Në këtë ajet, theksohet se emri i Profetit tonë (a.s.), përmendet edhe në libra që u janë zbritur profetëve të mëparshëm, duke e përgëzuar botën dhe profetët me ardhjen e tij.

Ndërsa në lidhje me Zeburin, që iu dha Daudit (a.s.), në Kuran urdhërohet:

“…Ne i kemi ngritur disa profetë mbi të tjerët dhe Daudit i kemi dhënë Zeburin.” (Isra, 55)

“Ne shënuam në Zebur, pas Teuratit, që tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” (Enbija, 105)

Lidhur me Zeburin, Kurani nuk jep shumë të dhëna. Ndërsa në burimet islame, kur flitet për Daudin (a.s.), fakti që atij i është dhënë libër, përmendet si një ndër veçoritë e tij të larta. Dijetarët Islam, shprehen se në Zebur, nuk përfshihen çështje, si urdhra apo ndalesa hyjnore. Në të bëjnë pjesë vetëm lutje dhe përgjërime drejtuar Allahut.

Për shkak se Daudi (a.s.), ka ardhur pas Musait (a.s.), në zbatimin e gjykimeve fetare, ai ka vepruar në bazë të Teuratit. Ndërsa Zeburi, ishte më tepër një libër që nxirrte në pah dashurinë e njerëzve ndaj Allahut; pra, një libër ku lutjet dhe përgjërimet drejtuar Allahut, shpreheshin  në formë poezish.

Zeburi i sotëm, bën pjesë në Librin e Shenjtë (Teurat), në një pjesë të quajtur “Psalmet”. Kuptimi i fjalës “Psalm”, është këndimi i disa pjesëve prekëse dhe me kuptim nën shoqërimin e një melodie. Gjithsej janë 150 psalme. Rreth shtatëdhjetë prej tyre i atribuohen Daudit (a.s.). Ndërsa pjesa tjetër, kanë burime të tjera.

Për rrjedhojë, Zeburi i sotëm, nuk është Zeburi për të cilin flitet në Kuran që i është zbritur Daudit (a.s.). Kjo, sepse pjesët e Librit të Shenjtë, nuk janë shënuar dhe ruajtur në formën origjinale, në të cilën kanë zbritur për herë të parë. Për shkak se më vonë i është nënshtruar ndërhyrjeve njerëzore, është e pamundur që Zeburi të ekzistojë në formën e tij të parë origjinale.

Gjithashtu, Zeburi i sotëm, ka filluar të shkruhet pesëqind vjet pas vdekjes së Daudit (a.s.) dhe, krahas jetës dhe misionit të tij profetik, në të janë shtuar edhe poezitë e rreth 100 poetëve anonimë.

Botëkuptimi lidhur me Zotin në Zebur, është i njëjti me atë në Teurat. Domethënë, se edhe në Zebur, Zotit i atribuohen cilësi njerëzore, të cilat nuk përputhen aspak me Madhështinë e Tij hyjnore. Ashtu si në pjesët e tjera të Teuratit, edhe në Zebur, Zotit i atribuohet një “bir”, gjë e cila është në kundërshtim me besimin monoteist (në një Zot të vetëm). Në një nga psalmet e Zeburit të sotëm, Daudi (a.s.), shprehet në këtë mënyrë:

“Zoti më tha: “Ti je biri im! Unë sot ty të bëra birin tim!” (Psalmet, 2/7)

Si përfundim, Zeburi i sotëm është vetëm një libër poezish. Aty s’ka gjë tjetër veç disa lutjeve të atribuara Daudit (a.s.) dhe disa të tjerëve. Për rrjedhojë, është e pamundur të kuptosh se, sa prej tij është shpallje hyjnore, sa është frymëzim personal dhe sa është prej mendjes njerëzore!

 

Share.

Leave A Reply