“Kur Jusufi i tha babait të vet: “O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, Diellin dhe Hënën! I pashë të më përuleshin në sexhde” (Jusuf, 4)

Në kohën kur Jusufi (a.s.), pa këtë ëndërr, ishte shtatë vjeç. Njëmbëdhjetë yjet që pa në ëndërr, përfaqësonin vëllezërit e tij, dielli përfaqësonte babanë e tij, Jakubin (a.s.), ndërsa hëna përfaqësonte tezen e tij Lajan, sepse nëna i kishte vdekur me kohë.

Urtësia e shfaqjes së vëllezërve të tij në formën e yjeve, është se vëllezërit janë faktorë ndikues aq të rëndësishëm, sa i japin drejtim rrjedhës së jetës së njëri-tjetrit. Ndërsa përmendja e diellit dhe hënës pas yjeve, ishte një shenjë e cila tregonte se Jusufi (a.s.), do të takohej me babanë e tij, pasi të takohej me vëllezërit.

Një hebre shkoi te Profeti (a.s.) dhe e pyeti: “O Muhamed! Më thuaj, cilët janë yjet që pa Jusufi në ëndërr?”

Profeti heshti për një moment. Ndërkohë, erdhi Xhebraili (a.s.) dhe i tregoi emrat e yjeve. Atëherë, Profeti (a.s.), iu kthye hebreut dhe i tha:

“Nëse t’i tregoj, a bëhesh mysliman?”

“Po!” – i tha hebreu.

Pastaj Profeti (a.s.), tha: “Ata janë: Xherejan, Tarik, Dhejjal, Kabith, Amudan, Felik, Misbah, Daruh, Fera, Uethab, Dhalkefitejn.” Më pas shtoi: “Jusufi pa në ëndërr se këta yje, së bashku me diellin dhe hënën, zbritën nga qielli dhe i bënë sexhde.”

Hebreu tha: “Vallahi, emrat që the, janë të saktë!”

Endërrat ndahen në tri lloje:

  1. Lloji i parë, janë si rezultat i imagjinatës dhe përvojave të njeriut. Të tilla janë shikimi në ëndërr i punës dhe veprimeve me të cilat njeriu merret në jetën e përditshme, shikimi i njeriut më të dashur, etj.
  2. Lloji i dytë, janë ëndrrat konfuze që e shqetësojnë shpirtin, të cilat janë si rezultat i ngacmimeve të shejtanit. I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Ëndrra e mirë është prej Allahut, ndërsa ëndrra e keqe është prej shejtanit. Nëse dikush prej jush shikon ndonjë ëndërr që e urren, atëherë le të pështyjë tre herë nga krahu i majtë e të kërkojë mbrojtje nga Allahu prej shejtanit, sepse ajo nuk ka për t’i bërë dëm” (Buhari, Tibb, 39.)
  3. Lloji i tretë, janë ëndrrat e vërteta, lidhur me të cilat Profeti ynë (a.s.), ka thënë: “Ëndrra e besimtarit, është një pjesë prej dyzetegjashtë pjesëve të profecisë”. (Buhari, Tabir, 4.) dhe “Ëndrrën e vërtetë, e sheh njeriu i mirë, ose ajo ëndërr i tregohet atij.” (Buhari, Tabir, 5.) Personit që sheh ëndrra të tilla, i tregohen të dhëna prej Lehui Mahfudhit, nga ana e melekut të ëndrrave. Për këtë arsye, ajo ëndërr është e vërtetë. Këto janë edhe ëndrrat që shihte Jusufi (a.s.).

“Ai (Jakubi a.s.) tha: “O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje, sepse, vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut. Dhe kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty dhe të mëson shpjegimin e ëndrrave, duke e plotësuar dhuntinë e Vet ndaj teje dhe familjes së Jakubit, ashtu siç e ka plotësuar më parë ndaj të parëve tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Pa dyshim, Zoti yt është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm”. Për të gjithë ata që pyesin, në historinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij, ka shumë mësime.” (Jusuf, 5-7)

 

Share.

Leave A Reply