Kur Salihu (a.s.) mbushi dyzet vjeç, Xhebraili (a.s.), i solli profecinë nga ana e Allahut. Në fillim ai ngurroi për shkak se populli i tij nuk do ta pranonte besimin në një Zot. Por  Xhebraili (a.s.), e urdhëroi:

“O Salih! Shko dhe ftoje popullin tënd në besimin në një Zot të vetëm!”

Pastaj shtoi:

“O Salih! Ti ke për të parë gjëra që s’kanë ngjarë as në kohën e Nuhut dhe të Hudit!” Më pas u ngjit lartësive qiellore.

Pas kësaj, Salihu (a.s.), në fillim shkoi te kryetari i popullit, Xhenda, të cilit i kumtoi besimin në një Zot të vetëm dhe e ftoi të besonte. Xhenda e priti ftesën me qetësi e maturi dhe, duke iu përgjigjur në një mënyrë të pranueshme, i thotë:

“Po e njoftoj popullin për këtë. Nëse nuk pranojnë, atëherë i themi të dy bashkë!”

Më pas, Xhenda mblodhi popullin dhe i njoftoi për profecinë e Salihut (a.s.) dhe ftesën e tij për të besuar në një Zot të vetëm. Ndërsa njerëzit i thanë:

“O Xhenda! Le të vijë vetë e të na i thotë këto!”

Pas kësaj, Salihu (a.s.), doli para popullit dhe u tregoi besimin në një Zot. Lidhur me këtë, Allahu i Lartë urdhëron:

“Popullit të Themudit (Ne i dërguam) vëllain e tij, Salihun. «O populli im, – u tha ai – adhuroni vetëm Allahun. Ju s’keni zot tjetër përveç Atij! Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të; andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni me pendim tek Ai! Pa dyshim, Zoti im është afër dhe u përgjigjet (lutjeve).»” (Hud, 61)

“Edhe populli i Themudit i quante gënjeshtarë të dërguarit. Kujto kur vëllai i tyre – Salihu, u tha: «Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju, andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.»” (Shuara, 141-145)

“Ata thanë: «O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale). A mos vallë po na ndalon të adhurojmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë? Vërtet, ne jemi në mëdyshje për thirrjen tënde!»

Ai tha: «O populli im, mendoni pak! Nëse Zoti im më ka dhënë provë të qartë nga Vetja dhe mëshirë, kush do të më mbrojë nga dënimi i Allahut, nëse nuk e dëgjoj?! Ju (me këtë) mua do të më shtonit vetëm humbjen.»” (Hud, 62- 63)

(Salihu) tha: «O populli im, përse ju e dëshironi të keqen para së mirës?! Përse nuk kërkoni nga Allahu falje (të gjynaheve) që të mund të mëshiroheni?!» (Neml, 46)

Me gjithë këto fjalë plot vërtetësi e urtësi, njerëzit e akuzuan Salihun (a.s.), për gënjeshtar të magjepsur.

“I thanë: “Ti s’je veçse një i magjepsur!” (Shuara, 153)

Pastaj thanë mes vete:

“Vallë, a të ndjekim një njeri nga mesi ynë? Atëherë do të ishim vërtet në rrugë të humbur dhe të çmendur!” (Kamer, 24)

Më pas vazhduan të thonë:

“Vallë, vetëm atij mes nesh t’i dërgohet Shpallja? Jo, ai është gënjeshtar mendjemadh!” (Kamer, 25)

Këtyre akuzave plot injorancë të popullit të Themudit, Allahu u dha një përgjigje tepër kërcënuese:

“Nesër do ta marrin vesh ata se, kush është gënjeshtari mendjemadh!” (Kamer, 26)

“…Së shpejti do të pendohen!” (Mu’minun, 40)

*

Pavarësisht çdo gjëje, Salihu (a.s.), vazhdonte t’i kumtonte popullit besimin e vërtetë e t’i ftonte në rrugën e drejtë:

“Vallë, a mendoni ju, se do të mbeteni këtu të sigurt, në kopshte e pranë burimeve, në ara me të lashta dhe palma hurmash me fruta të shijshme?” (Shuara, 146-148)

“Kujtoni kur Ai ju bëri zëvendës pas fisit Ad dhe ju dhuroi vendbanime në Tokë; në rrafshinat e saj po ngrini pallate e në kodrina po gdhendni shtëpi. Kujtoni të mirat e Allahut dhe mos bëni çrregullime në Tokë!” (A’raf, 74)

“Ju i gdhendni shtëpitë në male me mjeshtri të rrallë, andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua dhe mos dëgjoni urdhrat e atyre që e teprojnë në të keqe e të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë e nuk sjellin përmirësim.” (Shuara, 149-152)

Mirëpo, populli nuk i besoi Salihut (a.s.), duke u arsyetuar me disa shkaqe të rëndomta:

“Ti kërkon të na marrësh pasuritë dhe të bëhesh prijësi ynë!” Pastaj vazhduan me një arsyetim tjetër të kotë duke thënë:

“Ne kemi idhujt tanë. E, tani, a mos duhet t’i lëmë këta që i shohim e të besojmë një që nuk e shohim?”

“Si të ngarkoi me detyrë Allahu, kur ti nuk e sheh Atë?”

“Nëse thua të vërtetën, bëj për ne një punë që s’mund ta bëjë askush!”

“Ti je vetëm një vdekatar – ashtu si ne, andaj na sill një mrekulli, nëse ajo që thua është e vërtetë!” (Shuara, 154)

 

Share.

Leave A Reply