Ajo çka i dallon njerëzit nga krijesat e tjera dhe i bën ata të veçantë, është pikërisht të menduarit, të logjikuarit. Zoti i Madhëruar i ka lavdëruar ata që meditojnë mbi ajetet e Tij kuranore dhe gjithësinë. S’ka dyshim që ky libër është dërguar me qëllim që njerëzit ta lexojnë, të meditojnë mbi të, e më pas ta praktikojnë atë në jetën e tyre të përditshme duke vënë në funksion gjithashtu edhe logjikën e shëndoshë.

Në ajetin 44 të sures Nahl, Allahu thotë: (Të dërguarit i çuam) me prova të qarta dhe libra. Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’ua shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë (logjikojnë).”

Zoti në Kuran, njerëzit të cilët meditojnë në krijimin e tokës dhe të qiellit dhe se si nata edhe dita ndjekin njëra tjetrën, i ka cilësuar si krijesa që logjikojnë, arsyetojnë, sikurse tregohet në ajetin 190 të sures Ali-Imran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për ata që mendojnë.”

Ai, në librin e Tij Famëlartë  tregon historitë e popujve të mëparshëm, krijimin e qiejve, se si i ka vënë në shërbim të njeriut, diellin, hënën, ditën, qiellin, tokën etj. Tregon njëkohësisht se si i ka krijuar malet, lumenjtë, frutat, bimët dhe kafshët. Ai nuk lë pa përmendur edhe mënyrën se si i ka krijuar njerëzit, se si krijoi mashkullin dhe femrën dhe se si futi në mesin e tyre dashurinë dhe ngrohtësinë për të vazhduar kështu ekzistencën e qenies njerëzore në tokë deri kur të kthehen sërish tek Krijuesi i tyre. Do të mjaftohemi vetëm me një ajet kuranor në të cilin thuhet: “Është Ai që e ka shtrirë tokën, duke krijuar në të male dhe lumenj. Dhe për çdo lloj fruti, Ai ka krijuar nga një çift. Ai ka bërë që nata ta mbulojë ditën. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë”. (Rrad, 3)

Sikurse kuptohet nga ajetet e lartpërmendura Allahu i Madhëruar kërkon prej nesh të meditojmë mbi këto ajete, thënë ndryshe kur ti lexojmë ato, të ndalemi, ta vëmë mendjen në punë dhe të logjikojmë në mënyrë të shëndoshë, sepse kështu do të kuptojmë Madhështinë, Fuqinë e Tij dhe njëkohësisht do të arrijmë të kuptojmë detyrën tonë si mëkëmbësit e Tij në tokë.

Njëra prej këtyre detyrave është pa dyshim angazhimi ynë me studime dhe hulumtime mbi ajetet kuranore dhe ato të dukurive natyrore (ajetet kevni), sikurse kanë bërë të parët tanë të cilët kanë qenë inspirim, motivim dhe inkurajim për shkencëtarët e mëvonshëm.

“Nëpërmjet tij (ujit) rriten të lashtat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe fruta të llojllojshme. Këtu ka vërtet tregues (të fuqisë hyjnore) për njerëzit, që kuptojnë. Ai ka bërë që ju ta shfrytëzoni natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën. Edhe yjet janë vënë në shërbimin tuaj me urdhrin e Tij. Njëmend, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë. Ai ka krijuar në Tokë për ju çdo gjë me ngjyra dhe cilësi të ndryshme. Natyrisht që në këto ka shenja për njerëzit që ua vënë veshin. Është Ai që ju ka vënë në shërbim detin, që ju të hani prej tij mish të freskët dhe të nxirrni nga ai stolitë që mbani. Ti sheh se si anijet e çajnë atë, që ju të kërkoni mirësitë e Allahut dhe të jeni mirënjohës (falënderues).”

Përmendja e “përdorimit të mendjes”, pastaj “marrja mësim” dhe më pas “falënderimi” në fund të ajeteve të lartpërmendura në ajetet 11-14 të sures Nahl, është shumë  domethënëse.

Dihet se në zbulimet shkencore, teknike e teknologjike kanë në themel meditimin. Popujt që mendojnë duke vënë në punë logjikën e shëndoshë por jo vetëm, të cilët nxjerrin mësime nga argumentet e Zotit të Gjithësisë e që nuk tregohen mosmirënjohës, por falënderojnë Zotin nëpërmjet adhurimeve, zhvillohen si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ana shpirtërore dhe janë të lumtur në këtë botë dhe padyshim që do të jenë të lumtur edhe në botën tjetrën. Për këtë arsye Islami e ka quajtur meditimin adhurim. Kurani e fton njeriun ta lexojë atë duke e kuptuar, duke medituar mbi të dhe gjithashtu e fton të meditojë edhe mbi librin e natyrës, gjithësisë së bashku me rregullat e tij.

Transmetohet se Ebu Derda ka thënë: “Meditimi një orë është më i pëlqyer sesa adhurimi nafile (vullnetare) për dyzet net.”

Bishr Hafi e ka shprehur me këto fjalë rëndësinë e meditimit: “Në qoftë se njerëzit meditojnë ashtu siç i ka hije rreth madhështisë së Allahut, ata nuk do të tregoheshin të pabindur ndaj urdhrave të Tij dhe nuk do të kishin punuar gjynahe.”

Ndërsa Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Në kohën tonë kur i mësonim dhjetë ajete, nuk i tejkalonim ato derisa nuk e mësonim kuptimin e tyre dhe nuk punonim me to.”

Allahu thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhamed, 24)

Muhamed El-Emin Esh-Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, në komentin e ajetit të lartpërmendur thotë: “Është e ditur se çdonjëri i cili nuk angazhohet me meditimin e ajeteve të Kuranit të Madhërishëm, me shfletimin dhe kuptimin e tyre, njohjen më thelbësore të tyre dhe të punuarit me to, llogaritet që ia kthen shpinën dhe është prej atyre që nuk e meditojnë Kuranin. Nëse Allahu ia ka dhënë dijen dhe kuptimin që t’i meditojë ajetet, por ai nuk e bën këtë, e meriton qortimin dhe kërcënimin e përmendur në ajete. Ajetet e përmendura aludojnë që meditimi i Kuranit, kuptimi, mësimi dhe të punuarit me të, është çështje që myslimanët patjetër duhet ta veprojnë.”

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë thotë: “Leximi i një ajeti me meditim dhe përsiatje është më i mirë sesa ta bësh hatme Kuranin pa meditim. Leximi me meditim është më i dobishëm për zemrën, e rrit imanin dhe e mundëson shijimin e ëmbëlsisë së tij. Kjo ishte tradita e gjeneratave të para, prej tyre kishte që një ajet e përsëriste deri në mëngjes.”  Mund të themi që bëhet një përjashtim në muajin e Ramazanit.

Ndërsa Hasan ibn Ali, ka thënë: “Ata që ishin para jush Kuranin e shihnin mesazhe nga Zoti i tyre; i meditonin ato gjatë natës dhe kujdeseshin për to gjatë ditës.”

 

Punoi: Msc. Gezim DUNGAJ

Share.

Comments are closed.