Zoti i Madhëruar zbriti Kuranin në muajin e Ramazanit, pikërisht në natën e Kadrit, si mëshirë për të gjitha krijesat e Tij. Përmes këtij libri njerëzimi doli nga errësira shpirtërore e intelektuale në dritën që i dha kuptim jetës së tyre.

Kurani është fjala e Allahut, i cili i është zbritur profetit Muhamed a.s. nëpërmjet vahjit (zbulesës, shpalljes) me ndërmjetësimin e engjëllit Xhebrail a.s. Kurani është shkruar në formë libri, është përcjellë me miratim të përgjithshëm (tevatur) dhe këndimi i tij është adhurim. Ai fillon me suren (kaptinën) Fatiha dhe përfundon me suren Nas.

S’ka dyshim që ky libër u dërgua për t’u lexuar, kuptuar dhe praktikuar në rrugëtimin jetësor. Ai nuk ngjason me librat e tjerë të shkruar nga dora e njeriut. Fakti që ai flet për historitë e profetëve dhe popujve të mëparshëm, nuk mund të shërbejë assesi argument për ta cilësuar si një libër historie. Edhe pse në të flitet gjerësisht për astronominë e për shkencën, ai nuk është një libër shkence. Ai është një libër në të cilin flitet për çdo gjë që lidhet me jetën e kësaj bote dhe botës së përtejme, është kushtetuta e besimtarit mysliman, harta që zgjidh labirintin për në xhenet. Sikurse tregohet në suren Nahl, 89: “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.”

Ai është mrekulli prej Zotit, siç thotë vetë ai a.s.:“Sigurisht, çdo profeti të Allahut i janë dhënë mrekullitë në të cilat besohet absolutisht. Mrekullia që më është dhënë mua është Kurani Famëlartë i shpallur nga Allahu”. Andaj edhe metodologjia e të lexuarit të tij duhet të jetë e veçantë dhe ndryshe nga metodat e leximit  të zakonshëm të librave.

Vetë Kurani përdor tre terma të cilat mund të quhen edhe metoda të leximit të tij.

  • Tilavet” do të thotë vendosja e fjalëve në vendin e duhur njëra pas tjetrës, të përsërisësh, të ndjekësh dikë apo diçka, të bësh gjënë e duhur, etj.

Në suren Hud, 17 Zoti i Madhëruar thotë:

أَفَمَنْ كَانَ عَلَى بَيِّنَةٍ مِنْ رَبِّهِ وَيَتْلُوهُشَاهِدٌ مِنْهُ وَمِنْ قَبْلِهِ كِتَابُ مُوسَى إِمَامًا وَرَحْمَةً أُولَئِكَ يُؤْمِنُونَ…..

“A mos vallë, ata që duan vetëm jetën e kësaj bote, janë të barabartë me ata që mbështeten në dokumentet e qarta të Zotit të tyre, këtë e pason dëshmitari nga Zoti (Kurani), dhe para tij libri i Musait, i cili ka qenë udhërrëfyes dhe mëshirë nga Zoti. Këta (që mbështeten tek këto dokumente) besojnë Kuranin……” Ndërsa edhe në suren Shems vihet re se përdoret i njëjti term.

Ai thotë:

وَالشَّمْسِ وَضُحَاهَا (1) وَالْقَمَرِ إِذَاتَلَاهَا (2) وَالنَّهَارِ إِذَا جَلَّاهَا (3) وَاللَّيْلِ إِذَا يَغْشَاهَا (4) وَالسَّمَاءِ وَمَا بَنَاهَا (5) وَالْأَرْضِ وَمَا طَحَاهَا (6) وَنَفْسٍ وَمَا سَوَّاهَا (7) فَأَلْهَمَهَا فُجُورَهَا وَتَقْوَاهَا (8)

“Betohem në Diellin dhe shkëlqimin e tij dhe për Hënën që e përcjell atë! Për ditën që ia zbulon shkëlqimin atij (diellit) dhe për natën kur e mbulon atë! Për qiellin dhe për Atë që e ka ndërtuar! Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar! Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën!”

Siç shihet në të dy ajetet ky term është përdorur në kuptimin:“të ndjekësh”, “të pasosh”. Në suren Shems thuhet se hëna ndjek diellin dhe merr dritën prej tij dhe kështu ajo ndriçon veten dhe të tjerët. Kështu që mund të themi se, nëse njeriu dëshiron ta fitojë dritën e Kuranit, ai duhet ta ndjekë atë nëpërmjet leximit sipas rregullave të texhvidit si dhe nëpërmjet ndjekjes së dispozitave të tij. Kështu ai mund të ndriçojë veten dhe të tjerët përmes asaj çka praktikon prej dispozitave të Kuranit në jetën e përditshme.

Kështu që me “Tilavetin e Kuranit” kuptojmë ndjekjen e tij me anë të leximit duke renditur fjalët njëra pas tjetrës sipas rregullave dhe gjithashtu nëpërmjet ndjekjes së porosive në jetën tonë të përditshme. Gjithashtu kjo është e vlefshme edhe për atë, të cilit i lexohet Kurani. Ai duhet ta ndjekë atë si në lexim ashtu edhe në praktikim.

  • Kira’at-i është një lloj leximi intelektual që do të thotë lexim i Kuranit duke qenë i përqendruar në kuptimet dhe domethëniet e ajeteve të tij.

Lexuesi duhet të arrijë të kuptojë atë çka lexon nga Kurani pa qenë i ndikuar nga paragjykimet apo cytjet dhe mendimet negative që mund t’i vijnë nga shejtani i mallkuar. Prandaj Zoti i Madhëruar kërkon që sa herë të bëjmë “Kira’at” duhet t’i mbështetemi Atij nga djalli i mallkuar siç tregohet në suren Nahl, 98.

فَإِذَا قَرَأْتَ الْقُرْآنَ فَاسْتَعِذْ بِاللَّهِ مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيمِ (98)

“Kur të lexosh Kuranin (thuaj) “Eudhu bilahi minesh-shejtanirr-rraxhim” i mbështetem Allahut nga djalli i mallkuar.”

Në fakt është një fatkeqësi e madhe që një numër i konsiderueshëm myslimanësh nuk marrin mundimin ta kuptojnë atë çka lexojnë nga Kurani, sepse mjaftohen duke e lexuar atë vetëm arabisht ndërkohë që është shumë e rëndësishme të lexohet patjetër edhe në gjuhën e tyre amtare. Në rastin tonë duhet ta lexojmë patjetër atë edhe në shqip pasi kemi përkthime të mjaftueshme të disa autorëve shqiptarë. Sigurisht që vetëm leximi i tij në shqip kurrsesi nuk është i mjaftueshëm, por duhet marrë njohuri edhe nëpërmjet literaturave të tefsirit dhe hadithit etj. Ndërkohë që ka me qindra ajete nëpërmjet të cilave Zoti na urdhëron që të meditojmë mbi ajetet e Kuranit.

Nëse neglizhohet ky fakt lind natyrshëm pyetja: si mund të meditohet mbi një tekst të cilit nuk ia dimë kuptimin? Prandaj leximi në gjuhën tonë, pra në gjuhën shqipe është i domosdoshëm dhe duhet patjetër t’i bëjmë “Kira’at Kuranit”: të lexojmë duke medituar mbi domethëniet e ajeteve të tij.

  • “Tertil”, do të thotë: të lexosh dalëngadalë me vëmendje, jo vetëm duke e kuptuar atë por duke e ndjerë me zemër dhe duke e përjetuar atë, apo thënë ndryshe duke u bërë njësh me të, ta lexosh Kuranin me zemër.

Në suren Furkan, 32 Ai thotë:وَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْلَا نُزِّلَ عَلَيْهِ الْقُرْآنُ جُمْلَةً وَاحِدَةً كَذَلِكَ لِنُثَبِّتَ بِهِ فُؤَادَكَ وَرَتَّلْنَاهُ تَرْتِيلًا (32)

“E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos t’i jetë zbritur atij (Muhamedit) Kurani përnjëherësh?” Ashtu e zbritëm pjesë- pjesë që me të, të forcojmë zemrën tënde dhe ne e sollëm atë ajet pas ajeti (dalëngadalë). Siç tregohet ne suren Muzemil, 1-8:

يَا أَيُّهَا الْمُزَّمِّلُ (1) قُمِ اللَّيْلَ إِلَّا قَلِيلًا (2) نِصْفَهُ أَوِ انْقُصْ مِنْهُ قَلِيلًا (3) أَوْ زِدْ عَلَيْهِ وَرَتِّلِ الْقُرْآنَ تَرْتِيلًا (4) إِنَّا سَنُلْقِي عَلَيْكَ قَوْلًا ثَقِيلًا (5) إِنَّ نَاشِئَةَ اللَّيْلِ هِيَ أَشَدُّ وَطْئًا وَأَقْوَمُ قِيلًا (6) إِنَّ لَكَ فِي النَّهَارِ سَبْحًا طَوِيلًا (7) وَاذْكُرِ اسْمَ رَبِّكَ وَتَبَتَّلْ إِلَيْهِ تَبْتِيلًا (8)

“O ti i mbuluar! Ngrihu natën për falje, përveç një pjese të vogël të saj. Gjysmën e saj ose diçka më pas se gjysmën. Ose shto diçka prej saj dhe Kuranin lexoje me vëmendje (dalëngadalë). Ne do të të shpallim ty fjalë të rëndë (të madhe). E s’ka dyshim se aktiviteti i natës është fuqizues dhe fjalë më e qartë. Vërtet ti gjatë ditës ke angazhim të gjatë (të madh). Po ti përmende zotin tënd dhe plotësisht përkushtoju atij.”

Surja Isra, 106

وَقُرْآنًا فَرَقْنَاهُ لِتَقْرَأَهُ عَلَى النَّاسِ عَلَى مُكْثٍ وَنَزَّلْنَاهُ تَنْزِيلًا (106)

“Dhe (ta shpallim) Kuranin, të cilin Ne e ndamë pjesë-pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një.”

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi që:

Tilavet do të thotë lexim me gjuhë.

Kira’at do të thotë lexim me mendje.

Tertil do të thotë lexim me zemër.

Ndërsa profeti Muhamed a.s. në lidhje me leximin e Kuranit ka thënë: “Sa herë që mblidhen njerezit në një shtëpi nga shtëpitë e Allahut për të lexuar Kuranin e për ta mësuar atë, zbret qetësia mbi ta, i mbulon ata mëshira, i rrethojnë engjëjt dhe i përmend Allahu te krijesat (engjëjt) pranë Tij.”

Besimtari duhet ta lexojë vazhdimisht, dalëngadalë atë duke medituar mbi kuptimin e ajeteve të tij si dhe duke e ndjerë atë me zemër. Profeti a.s. sërish ka thënë: “Përsëriteni, mësojeni dhe praktikojeni Kuranin! Betohem në Allahun se Kurani ikën e largohet më shpejt se sa ikën e largohet deveja nga vendi ku është lidhur.”

Profeti (a.s) u përgjigj: “Keni librin e Zotit. Aty ka lajme për ata që erdhën para jush. Aty ndodhet çështja e atyre që vijnë pas jush, aty ndodhet gjykimi mes jush. Kurani e ndan drejt, ai nuk bën lajka. Kush e braktis atë libër nga frika e një diktatori, Zoti e shkatërron atë njeri. Kush kërkon udhëzimin jashtë tij, Zoti ka për ta humbur. Ai është litari i fortë i Zotit, është udhëzues i urtë, është rruga e drejtë. Mrekullitë e tij nuk mbarohen. Dijetarët nuk kanë të ngopur prej tij. Kush flet me të, ka thënë të vërtetën. Kush punon me të, shpërblehet. Kush gjykon me të, ka gjykuar drejt. Kush fton për tek ai, udhëzon në rrugën e vërtetë”.

Siç kuptohet, besimtari nëpëmjet “Tilavet”, “Kira’at” dhe “Tertil” të Kuranit arrin të komunikojë me Zotin e Tij në formën më të përkryer. Ai duke e lexuar me gjuhë, mendje dhe zemër do të arrijë ta gjallërojë jetën e tij, do të ndriçojë veten, familjen dhe shoqërinë në të cilën ai jeton. Sigurisht, jo vetëm leximi i Kuranit arabisht, por edhe për ata që nuk dinë të lexojnë fare, të shohin në fletët e tij është adhurim, por qëllimi i tij nuk është ky. Qëllimi i tij është takimi me dritën e tij. Ndërsa përfitimi i dritës së tij arrihet nëpërmjet praktikimit të parimeve të tij në jetën tonë të përditshme. Prandaj leximi me gjuhë, mendje dhe zemër është e domosdoshme për besimtarin mysliman.

Punoi: Msc. Gëzim DUNGAJ

Share.

Comments are closed.