Fjala “Zekat” nga ana gjuhësore do të thotë: “Shtim dhe pastrim”. Nga ana fetare do të thotë: “Dhënia e një sasie të përcaktuar (nisab) nga një pasuri me sasi të përcaktuar për kategori të përcaktuara, që plotësojnë kushte të përcaktuara”.
Urtësia e dhënies së zekatit
- Zekati e pastron njeriun nga gjynahet.
- Me anë të zekatit besimtari mëson të japë dhe të largohet nga sëmundja më e keqe e shpirtit; lakmia.
- Zekati është dëshmi për personin se është besimtar.
- Dhënia e zekatit është shkak për shtimin e begative.
- Me dhënien e zekatit forcohen lidhjet mes muslimanëve.
- Zekati është shprehje e solidaritetit mes muslimanëve dhe normalizim i jetës në shoqëri.
- Zekati e shpëton dhe e largon njeriun nga zjarri i xhehenemit.
Kategoritë që përfitojnë nga zekati
Në Kuranin fisnik, Allahu (xh.sh) ka përcaktuar 8 grupe ose kategori njerëzish, të cilët përfitojnë nga zekati. Allahu i madhëruar thotë: ” Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfërit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe admunistrimin e tij, për të tërhequr zemrat e atyre që janë të prirur drejt islamit, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë”. (Teubeh: 60).
Përgatiti: Naim Drijaj