Prof. Dr. Hasan Kamil Jëllmaz

Teuhidi është një metodë jete dhe mënyrë jetese përtej të qenit një sistem besimi dhe mendimi. Besimi në njësimin e Allahut Teala, në ahadijet dhe vahdanijet, është baza e parë e teuhidit. Në të njëjtën kohë, teuhidi është një përpjekje për të parë vetëm Njërin (Zotin) e për ta perceptuar Atë në këtë botë. Po ashtu, edhe për të kuptuar të vërtetën që shprehet në poezi, duke u zhveshur nga ekzistenca që na përket ne:
Ti je Ai që jep, Ai që merr dhe Ai që krijon,
Çfarë mund të kemi ne përveç asaj që ke dhënë Ti?
Teuhid do të thotë që në ubudijet dhe adhurim t’i drejtohesh atij, i cili është Një, të largosh nga bota e zemrës, mendjes e mendimit çdo gjë përveç Atij dhe të mendosh vetëm ekzistencën e Tij duke u zhveshur nga egoizmi.
Në literaturën e mistikës islame, flitet për teuhidin njerëzor dhe atë hyjnor. Teuhidi njerëzor është teuhidi që realizohet me anë të frikës së ndëshkimit. Ndërsa teuhidi hyjnor është ai që bëhet me ndjenjën e madhërimit, sepse natyra njerëzore është e prirur për të pritur shpërblim për atë që ka bërë dhe për t’i dhënë vlerë asaj. Përderisa njeriu të mos shpëtojë nga këto dobësi në besimin e teuhidit, nuk mund të arrijë teuhidin hyjnor. Në teuhidin hyjnor ka madhërim dhe respekt të përzier me dashuri. Sigurisht se teuhidi i lindur nga dashuria e respekti, nuk është i njëjtë me teuhidin që formohet duke pasur frikë nga ndëshkimi. Të kesh frikë nga ndëshkimi i Allahut të Madhëruar, sigurisht se është një sjellje e mirë, por madhërimi i mbështetur në dashuri, është një ndjenjë më sublime.
Për të arritur teuhidin hyjnor, ne duhet ta ndërrojmë moralin e nefsit që me egoizëm pohon “unë, unë” duke ia atribuar vetes ato që ka bërë, sepse, vetëm Allahu i Madhëruar e meriton atë “Unë” në kuptim të plotë të fjalës. Allahu Teala e paralajmëroi të Dashurin e Tij dhe sahabët e nderuar që të mos kaplohen nga dehja e fitores së Luftës së Bedrit dhe u tha: “Sigurisht, nuk ishit ju që i vratë ata, por i vrau Allahu! Kur gjuaje, nuk ishe ti (Muhamed), por ishte Allahu Ai që gjuante, me qëllim që t’u bënte besimtarëve një dhuratë të bukur. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.”
Historikisht e dimë se ushtria islame prej më shumë se treqind ushtarësh, e shkatërroi ushtrinë e politeistëve, që kishte më shumë se nëntëqind ushtarë. Në të njëjtën kohë, pati vrarë edhe prijësit e mushrikëve. Në momentet më të ashpra të luftës, i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, u lut duke ngritur duart nga qielli dhe një grusht rërë që e mori nga toka, ua hodhi armiqve drejt e në fytyrë. Në fund, politeistët u shkatërruan dhe myslimanët fituan, por Allahu Teala, si një domosdoshmëri e besimit të teuhidit, i paralajmëroi ata më këtë ajet fisnik, me qëllim që të mos harrohej se Ai (xh.sh.), ishte vepruesi absolut.
Teuhid, përveç synimit të Allahut Teala në ibadet e në adhurim dhe drejtimit nga Ai, do të thotë edhe që të shikosh vetëm Atë si veprues absolut. Kjo e vërtetë vihet re qartë në ajetin fisnik.
Të shohësh Njërin, është punë e ndihmës hyjnore. Nëse Allahu i Madhëruar ia tregon, atëherë njeriu mund ta shikojë atë të vërtetë, nëse jo, është i paaftë për ta bërë një gjë të tillë. Për të parë Njërin, duhet të shpëtojmë nga hutimi. Tregimi i çirakut të hutuar e shpjegon shkëlqyeshëm këtë. Sipas një transmetimi, një mjeshtër e urdhëron çirakun e tij të hutuar, që i shikonin sytë dysh, që t’i sillte shishen nga rafti. Çiraku vrapon për të marrë shishen, por në raft shikon dy shishe. Mjeshtrit i thotë: “Mjeshtër! Në raft ka dy shishe. Cilën të të sjell?” Edhe pse mjeshtri i thoshte se në raft kishte një shishe, çiraku insistonte në mendimin se ishin dy. Atëherë mjeshtri i tha: “Thyeje njërën dhe sill tjetrën!” Por kur u thye njëra shishe, u zhduk edhe tjetra, sepse syri i çirakut ishte i hutuar dhe një objekt e shikonte si dy të tillë. Kur u thye shishja, çiraku e kuptoi të vërtetën. Edhe teuhidi kështu është. Ata që e shikojnë botën të hutuar, gjithmonë shohin dy apo më shumë. Por ata që e thyejnë shishen e dytë, e kuptojnë teuhidin e vërtetë.
Në teuhid ka kuptimin e mushahedes (shikimit), po ashtu edhe të murakabes (rishikimit). Në përkufizimin e ihsanit (mirësia e adhurimit të Allahut sikur e shikon Atë, sepse, edhe nëse nuk e shikon, Ai të shikon ty) në hadithin që njihet si hadithi i Xhebrailit, mund të shikohen të dy dimensionet e teuhidit. Kuptimi i shikimit shprehet në fjalinë që thotë: “Të adhurosh Allahun sikur e shikon Atë” dhe kuptimi i rishikimit shprehet në fjalinë, që thotë: “Edhe nëse nuk e shikon Atë, Ai të shikon ty.”
Në një teuhid në kuptimin e shikimit, robi e shikon veten e tij dhe çdo gjë se ekziston prej Allahut Teala, pa i atribuar asnjë gjë vetes dhe aftësive të tij. Kur shikon gjërat, dëshmon fuqinë që i administron ato dhe e kupton se ato ekzistojnë prej Tij. Në këtë mënyrë, ia lë Atij vullnetin dhe administrimin e tyre. Kështu, e vërteta e teuhidit e pushton të gjithë robin. Si rezultat, robi e shikon se çdo gjë ekziston prej Allahut Teala. Ngado që të hedhë sytë, dëshmon argumentet që tregojnë ekzistencën dhe njësimin e Tij. Në një teuhid të tillë, nefsi i robit ka dalë jashtë funksionit. Tashmë, robi ka filluar të shikojë vetëm Atë si vepruesi absolut dhe nuk ka nevojë të kërkojë ndonjë shenjë apo të gjejë ndonjë argument për teuhidin.
Ndërsa, në konceptin e murakabes (revizionit) që tregon gjendjen e atyre të cilët nuk e kanë arritur mushaheden (shikimin), bëhet fjalë që robi të mendojë se kontrollohet e vëzhgohet vazhdimisht nga Allahu Teala dhe ta nxjerrë “egon” jashtë funksionit, duke e reflektuar këtë mendim te sjelljet e tij. Një teuhid i saktë, është një teuhid i pastruar nga egoja e nefsit. Ebu Bekir Shibli, i cili ishte prej mistikëve të parë, pyeti një burrë: “A e di pse nuk e ke të saktë teuhidin?” Burri u përgjigj: “Jo!” Atëherë Shibli i tha: “Sepse ti e kërkon Atë pa e hedhur egon, por kjo është e pamundur.”
Në namazet që falim çdo ditë, së paku e themi dyzet herë këtë ajet të sures el-Fatiha: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Me këtë shprehje, pohojmë se ibadeti dhe adhurimi ynë realizohen vetëm me ndihmën e Allahu Teala. Sepse, si mund të bëjmë ibadet, nëse Ai nuk i jep botës sonë shpirtërore kënaqësinë e ibadetit dhe dëshirën e adhurimit? Fakti që Ai i ka dhuruar zemrës një mirësi të tillë, është sikur po na thërret: “Urdhëro, eja o robi Im!” Ne i drejtohemi Atij me atë thirrje. Drejtimin tonë nga Ai nuk duhet ta pranojmë si një aftësi tonën, por si një mirësi nga Ai. Si mund t’i kalojmë dëshirat vetjake dhe të vrapojmë drejt Tij, nëse Ai nuk e jep këtë ndjenjë?
Ibadetet janë një sistem sjelljesh, që Kurani dhe suneti i kanë bërë shkak për adhurim. Specifikat shpirtërore, që janë domosdoshmëri e këtyre sjelljeve, e shtojnë cilësinë e tyre. Në këtë mënyrë, një namaz i falur pa neglizhencë, një agjërim i mbajtur pa përgojim, një zekat dhe sadaka e dhënë pa ndjerë nevojë për falënderim, një haxh dhe një xhihad pa shtirje, një dhikër i bërë me gjithë dëshirë dhe një bindje larg fatkeqësive vetjake, konsiderohen ibadet i vërtetë. Edhe një kënaqësi pa armiqësi, një durim pa ankesë, një dije e vërtetë që nuk përmban dyshim, një mushahede e vazhdueshme, një drejtim që nuk ka kthim dhe një takim i pandarë, janë veprime shpirtërore si rezultat i teuhidit.
Ai që nuk synon asgjë tjetër në adhurimin e tij përveç Allahut Teala dhe i drejtohet vetëm Atij me zemër, shpirt dhe trup, arrin gradat më të larta shpirtërore. Ai që e kryen adhurimin dhe ibadetin e tij me shumë ndjenjë, e cila quhet qetësi shpirtërore dhe ia atribuon Allahut veprën e bërë e jo vetes, arrin sinqeritetin në veprat dhe sjelljet e tij. Në këtë mënyrë, fillon të shfaqet e vërteta që shprehet në hadithin kudsij: “Robi shikon me Mua.” Ai tashmë është një rob i sinqertë. Nuk është i lidhur apo i dhënë pas ndonjë gjëje apo shumë gjërash të kësaj bote. Ai është i preokupuar vetëm me shikimin e Allahut të Madhëruar.
Ai i hap dritaret e shikimit me ajetin kuranor: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” dhe arrin një gjendje sikur po flet me Zotin. Sepse në tre ajetet e para të sures el-Fatiha, lidhja e robit me Allahun është në vetën e tretë njëjës, ndërsa në këtë ajet e tutje, lidhja kthehet në vetën e dytë njëjës. Në këtë mënyrë, robi ia parashtron Allahut kërkesat dhe lutjet sikur e shikon Atë përballë tij. Përgjatë kësaj lutjeje, nuk ka asnjë pengesë ndërmjet Allahut dhe robit përveç pengesës së nefsit. Robit, që shpëton nga nefsi, i largohen pengesat dhe fillon të shikojë Zotin. Sipas një transmetimi, në disa shikime të tilla të Bajezid Bistamit, ai e pyet: “O Zot! Si është rruga, e cila të shpie tek Ti?” Zoti i dërgoi frymëzim zemrës së tij duke i thënë: “Lëre nefsin dhe eja pa të!”
Pasi robi e falënderon dhe e lavdëron Zotin, duke e përkujtuar me cilësitë e uluhijetit, rububijetit dhe të mëshirës që shprehen në suren el-Fatiha, shpëton nga robëria e nefsit në sajë të ndikimit të këtyre cilësive. Pastaj robi fillon të thotë: “Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”
Në këtë shprehje ka një perceptim teuhidi në shkallë të lartë. Nëse dikush që e lut Allahun Teala me këto shprehje, troket akoma në dyert e njerëzve, e kalon kohën në adhurim ndaj robit dhe kërkon medet e ndihmë nga njerëzit e sendet e tjera, atëherë kjo gjendje ia shkatërron teuhidin. Miku i Allahut, Sufjan eth-Theuri u bë imam për një xhemat në namazin e akshamit. Kur po lexonte Fatihanë dhe arriti në këtë ajet, i ra të fikët. Atyre që e pyetën për shkakun e asaj gjendjeje, u tha: “Kur thashë vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, pata frikë se do më thonë: “Atëherë, përse troket te dera e sulltanëve, e doktorëve dhe e njerëzve? A nuk je i sinqertë në këtë fjalë?”
Në kuptimin e ajetit: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, gjendet koncepti i teuhidit të Ibrahimit, alejhisselam. Kur Nemrudi e hodhi në zjarr Hazreti Ibrahimin, Xhebraili (a.s.), erdhi dhe e pyeti: “A ke ndonjë nevojë?” Ibrahimi (a.s.), iu përgjigj: “Prej teje? Kurrë!” Xhebraili (a.s.), i tha: “Atëherë kërko nga Allahu atë që doje të kërkoje!” Ibrahimi (a.s.), këtë herë i tha: “Ai e shikon dhe e di gjendjen time. Unë i jam dorëzuar Zotit të botëve.”
Në ato momente, Hz. Ibrahimi i kishte duart e këmbët të lidhura me zinxhirë dhe po zvarritej drejt një fundi që pandehnin jobesimtarët. Por shikimi që i jepte teuhidi, nuk i la vend ndonjë devijimi në zemrën e tij.
Tani le të mendojmë. Në ato momente, Ibrahimit, alejhisselam, i ishin lidhur vetëm duart dhe këmbët. Ne nuk kemi mundësi të lëvizim kur i kemi duart e lidhura, nuk mund të ecim kur i kemi këmbët e lidhura, nuk mund të shikojmë kur i kemi sytë të mbyllur, nuk mund të dëgjojmë kur i kemi veshët të zënë dhe nuk mund të flasim kur e kemi gjuhën të lidhur. Me këtë gjendje, jemi në krye të zjarrit të xhehenemit. Ne jemi të detyruar të kërkojmë ndihmë nga Allahu Teala, që të na shpëtojë nga zjarri i xhehenemit, ashtu siç nuk pranoi Hazreti Ibrahimi, alejhisselam, ndihmën e askujt, përveç ndihmës së Allahut të Madhëruar kundrejt zjarrit të Nemrudit.
Ai që ka arritur vetëdijen e teuhidit, ka për qëllim dhe synim vetëm Allahun Teala. Dashuria dhe përzgjedhjet e atij që ka arritur vetëdijen e teuhidit, nuk janë më personale dhe vetjake, por i përkasin vetëm Zotit, sepse ai që do Zotin, nuk mbart ndonjë përzgjedhje që i përket vetes së tij.
Mevlana e shpjegon kështu këtë çështje:
“Një i dashur pyeti të dashurin e tij: ‘A më do më shumë mua apo veten tënde?’. I dashuri i tha: ‘Unë kam vdekur prej vetes sime dhe jam i gjallë me ty. Kam kaluar nga vetja, ekzistenca dhe nga cilësitë e mia. E kam harruar vetëdijen e vetes. Unë di me dijen tënde. Unë e kam hequr nga mendja fuqinë dhe forcën time. Kam fituar fuqi me fuqinë tënde. Nëse dua veten, do të thotë se të dua ty. Nëse të dua ty, konsideroj se kam dashur veten.”
Ndërsa një i dashur tjetër, për ta provuar të dashurin e tij, e pyeti atë në një kohë mëngjesi: “O filani, i biri i filanit! O i dashuruar, që ke rënë në halle! A më do mua më shumë apo veten tënde? Më thuaj të drejtën!” I dashuri ia ktheu kështu përgjigjen: “Unë jam shkrirë aq shumë te ti, saqë jam i mbushur me ty nga koka te këmbët, i dashur. Në ekzistencën time nuk ka ngelur gjë përveç emrit. Edhe në trupin tim nuk ka gjë tjetër përveç teje. Unë jam tretur te ti si uthulla në ekzistencën tënde, e cila është det me mjaltë.”
Kjo e vërtetë shprehet në një formë shumë të qartë në bejtet e para të Mesnevisë së Mevlanës:
Çdo gjë është i dashuri, ndërsa i dashuruari është perde,
I gjallë është vetëm i dashuri, ndërsa i dashuruari është i vdekur në vend.
Nga këto shprehje, kuptohet qartë se vullneti i atij që ka arritur teuhidin e vërtetë, duhet t’i nënshtrohet vullnetit të Zotit. Zgjidhja, pranimi dhe refuzimi i tij duhet të jetë pranimi dhe refuzimi i Zotit e jo i nefsit, i epshit apo i diçkaje tjetër. Kjo është një ngjarje që mund të ndodhë me hyrjen e teuhidit në zemër si masë. Kjo është një ndodhi që mund të realizohet, nëse njeriu e shikon Atë në çdo fushë të jetës aq sa e shikon në ibadete, nëse e ndjen Atë dhe nëse e kupton se jeton me Të. Në këto ditë që e kemi kaluar Ramazanin e Shevalin dhe po hyjmë në atmosferën e Kurban Bajramit, e lusim Zotin që të na dhurojë të gjithëve vetëdijen e teuhidit.
Përfunduar
Përktheu: Fatmir SULAJ

Share.

Leave A Reply