Kur i qe afruar vdekja, gjyshi i Profetit (s.a.s.), Abdylmuttalibi, i mblodhi të gjithë të bijtë dhe i porositi të kujdeseshin mirë për nipin e tij të vetëm. Meqë Zubejri me Ebu Talibin ishin të një nëne me Hz. Abdullain, të atin e Profetit, shtinë short. Shorti i ra Ebu Talibit.

Ebu Talibi ishte ndaj Profetit ungji i tij më i dhembshur e më i mëshirshëm.76 Ai s’kishte ndonjë pasuri tjetër veç disa deveve, kurse familjen e kishte të madhe. Pavarësisht nga kjo papasje, Ebu Talibi ishte zotëri i Kurejshve. I dëgjohej fjala dhe nuk i kundërshtohej urdhri. Si i ati, Abdylmuttalibi, edhe ai nuk fuste kurrë pije në gojë.77

Ebu Talibi dridhej mbi të nipin e bekuar dhe e donte më shumë se fëmijët e vet. Nuk binte të flinte pa e marrë pranë dhe, kudo që të shkonte, e merrte me vete.

Pjesëtarët e familjes së Ebu Talibit mbeteshin të uritur kur hanin bukë pa u ndodhur aty edhe Profeti, por, kur ndodhej dhe hante edhe ai bashkë me ta, ngopeshin. Madje, ushqimi u tepronte. Në qoftë se nga qumështi sa për një person që vihej në sofër, pinte në fillim jetimi i bekuar, të gjithë të tjerët pinin sa ngopeshin. Për këtë shkak, para se pjesëtarët e familjes të nisnin të hanin, ai u thoshte:

“Prisni! Prisni të më vijë djali!”78

Bashkëshortja e Ebu Talibit, zonja Fatime, ishte një grua jashtëzakonisht e virtytshme dhe zemërmirë. Më pas, kur kjo zonjë e bekuar e pranoi Islamin dhe emigroi në Medinë, Profeti e vizitonte shpesh dhe gjumin e drekës e bënte në shtëpinë e saj.79

Kur zonja Fatime vdiq, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) derdhi lot si margaritarë nga sytë e bekuar, u shpreh për të duke thënë “sot më vdiq nëna”, ia bëri qefin këmishën, pastaj ia fali namazin e të vdekurit dhe, më në fund, pas mbulimit me dhé, u shtri një copë herë në anë të varrit të saj ngjitur me të. Atyre që e pyetën mbi shkakun e kësaj sjelljeje, u dha këtë përgjigje:

“Pas Ebu Talibit, nuk ka njeri që të më ketë bërë të mira sa kjo grua e mirë! Ia bëra qefin këmishën me qëllim që në botën tjetër t’i veshin rroba nga të xhennetit. Dhe u shtriva një copë herë pranë saj me qëllim që të mësohej e të ngrohej shpejt me varrin!”

Kurse atyre që u çuditën që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u hidhërua aq shumë, u tha: “Ajo m’u bë nënë pas nënës sime! Kur fëmijët e vet mbeteshin të uritur dhe varnin turinjtë, ajo më ushqente mua më parë, m’i krihte flokët dhe më lyente me vaj trëndafili. Ajo ishte nëna ime!”

Pastaj u lut kështu për të:

“Allahu të faltë e të shpërbleftë me të mira! Allahu të mëshiroftë, moj nëna ime! Ti m’u bëre nënë pas nënës sime! Rrije vetë pa ngrënë për të më ushqyer mua! Rrije vetë e zhveshur për të më veshur e mbathur mua! Gjërat më të mira m’i jepje mua t’i shijoja duke ia hequr gojës tënde! Dhe të gjitha këto i bëje vetëm për pëlqim të Allahut dhe duke shpresuar botën e përjetshme!” (Hakim, III, 116-117; Hejsemi, IX, 256-257; Jakubi, II, 14)

Share.

Comments are closed.