Kelime-i Teuhid ose, siç njihet ndryshe, Kelime-i Shehadet, nënkupton shprehjen e pranimit dhe deklarimit, se “përveç Allahut nuk ka Zot tjetër dhe se Muhamedi (a.s.), është rob dhe i Dërguari i Tij”. Kjo shprehje shkruhet dhe shqiptohet në këtë mënyrë:
[Esh-hedu en la ilahe il-lAllah, ue esh-hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluh]
“Dëshmoj se përveç Allahut nuk ka Zot tjetër dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.”
Një nga dijetarët më të mëdhenj të tabiinëve, Sha’bi, thotë:
Kur Adij bin Hatim t, erdhi në Kufe, ne shkuam për ta vizituar së bashku me një grup juristësh të Kufes. Kur e takuam, e pyetëm:
“A mund të na flasësh në lidhje me ato që ke dëgjuar prej Profetit r?” Adiji tha:
Kur shkova pranë Pejgamberit (a.s.), ai më tha:
“O Adij bin Hatim, bëhu mysliman dhe shpëto!” Unë e pyeta:
“Çfarë është Islami?” I Dërguari i Allahut, u përgjigj:
“Të dëshmosh, se përveç Allahut nuk ka Zot tjetër dhe se unë jam i Dërguari i Tij; të besosh plotësisht në kader/caktim, me të mirat e të këqijat, me gëzimet dhe hidhërimet.” (Ibni Maxhe, Mukaddime, 10)
Në një hadith tjetër, Resulullahu r, i ka përkufizuar kështu kushtet e besimit:
“Besim do të thotë të besosh Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, pejgamberët e Tij, ditën e gjykimit dhe kaderin/caktimin me të mirat dhe të këqijat.” (Buhari, Iman, 37; Muslim, Iman, 1, 5; Tirmidhi, Iman, 4; Ebu Daud, Sunnet, 16; Ahmed, I, 97)
Kelime-i Teuhid, shpreh distancimin prej çdo gjëje që të largon prej Allahut dhe ruajtjen e zemrës nga çdo lloj dashurie të tepruar ndaj krijesave përveç Krijuesit. Kelime-i Teuhid, pengon që egoja dhe ambicia të bëhen idhuj në zemrën e njeriut. Pra, në këtë mënyrë siguron largimin e zemrës prej të gjithë idhujve të jashtëm e të brendshëm. Allahu i Madhëruar, robërit të cilët nuk e pastrojnë zemrën e tyre nga idhujt e brendshëm, i kërcënon me këto fjalë:
“A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (Furkan, 43)
Nëse na duhet të japim një shembull konkret; kur e mbajmë thjerrëzën nën dritën e diellit, rrezet e përqendruara të diellit, i bëjnë shkrumb e hi të gjitha gjërat e pista që ndodhen poshtë saj. Ja pra, kështu edhe njeriu duhet ta përqendrojë Kelime-i Teuhidin në zemrën e vet, duke e pastruar atë nga çdo gjë e papastër. Ashtu siç shprehet edhe ajeti fisnik, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut të Madhëruar. Ajeti i parë që është zbritur dhe që tregon se çdo punë e jona duhet të jetë me Allahun dhe vetëm për hir të Allahut, urdhëron:
“Lexo me Emrin e Zotit tënd!” (Alak, 1)
Nëse veprohet në këtë mënyrë, zemra fillon të përfitojë prej bukurive të Allahut. Ajo e kërkon dhe takohet me Zotin e vet në çdo vend dhe kohë. Kjo, sepse zemra e besimtarit që ngrihet në grada të larta, sodit vitrinën hyjnore në çdo gjë që sheh dhe përjeton me pasion e dashuri madhështinë dhe bukuritë hyjnore. Disa prej cilësive të bukura që shfaqen në një zemër të devotshme, janë:
Rrahman dhe Rrahim: Kur në një zemër shfaqet cilësia e bukur e Allahut të Madhëruar, Rrahman dhe Rrahim, ai besimtar shpërndan mëshirë kudo që shkon. Ai bëhet strehë e ngrohtë për të vuajturit dhe nuk qëndron indiferent ndaj asnjë vajtimi me zë apo pa zë të çfarëdolloj krijese. Kjo, sepse mëshira është fryti më i bukur i besimit dhe treguesi i tij numër një.
Afu’u: Allahu i Madhëruar, është shumë falës. Prandaj dhe besimtarët e devotshëm, me parimin “Ai që nuk fal, nuk falet!”, bëhen falës ndaj robërve të Allahut, me qëllim që edhe ata ta meritojnë faljen hyjnore. Ta shndërrosh faljen në një lloj aftësie, në sajë të së cilës i shumëzon me zero të gjitha padrejtësitë që të bëhen, duke mos ndjerë edhe zemërimin më të vogël në zemër, është vepra më madhështore e pjekurisë shpirtërore; heroizmi më i madh shpirtëror.
Kerimu: Allahu është më Bujari. Një rob i cili zotëron bujari, zbukurohet me çdo lloj morali të bukur dhe bëhet një besimtar i devotshëm.
M u’min: Allahu është i Besueshëm dhe i Sigurt. Një zemër, e cila arrin të përfitojë prej cilësisë “Mu’min” të Allahut të Madhëruar, e ndjen veten gjithmonë nën kamerat hyjnore dhe nga çdo aspekt bëhet përfaqësuesi më i mirë i fesë; forcon besimin e tij dhe bëhet një rob i sigurt e besnik. Ai përpiqet gjithmonë të injektojë besimin në zemrat përreth tij. Po ashtu, ai e ruan veten dhe rrethin e tij prej çdo lloj të keqeje dhe ngjall besim e siguri tek të gjithë.
Sabur: Një zemër e cila arrin të përfitojë prej kësaj cilësie, bëhet monument i durimit dhe shpëton prej shumë vështirësive. Në sajë të fryteve të durimit, që tregon ndaj dhimbjeve në këtë botë, fiton lumturinë e përjetshme në botën tjetër.
- Rëndësia e Kelime-i Teuhidit
Shprehja e Teuhidit është hapi i parë që hedh njeriu kur bëhet pjesë e Islamit; është deklarata e parë dhe identiteti që do të tregojë personalitetin e tij në pjesën tjetër të jetës së tij. Ai që e thotë këtë shprehje, ka besuar Allahun në mënyrë të sinqertë dhe ka hyrë në fenë e fundit hyjnore, në Islam. Nisur nga kjo, Kelime-i Teuhid, është themeli dhe vendi ku mbështetet feja Islame.
Kelime-i Teuhid është një shprehje aq madhështore, saqë lumturia dhe shpëtimi i gjithë njerëzimit janë të fshehura në atmosferën e saj shpirtërore dhe mistike.
Kjo shprehje është thelbi i thelbeve. Parimet e tjera të Islamit dhe detajet e tyre, janë të gjitha të mbështetura në këtë thelb. Prandaj, besimi me kelime-i shehadetin, është më i çmuar se gjithë adhurimet e tjera, sepse edhe adhurimet, tek kjo shprehje mbështeten. Adhurimet janë të kufizuara brenda një kohe të caktuar dhe kryerja e tyre është vetëm për atë kohë. Madje edhe namazi, që është adhurimi më i çmuar, është farz (i detyrueshëm) vetëm pesë herë në ditë. Ndërsa besimi është gjithmonë farz.
Ta ruash vazhdimisht zemrën prej çdo lloj gjynahu, që bëhet shkak për shkujdesjen e saj, pra prej gjërave që e largojnë atë prej Allahut dhe ta mbash besimin gjithmonë të gjallë, është diçka e domosdoshme. Kjo, sepse besimi nuk mund të jetë i mangët për asnjë arsye. Në çdo moment, mbrojtja e tij është kusht dhe nuk ka vend për shtyrje apo neglizhim.
Personi i cili e aprovon me zemër kuptimin që shpreh kjo fjalë, hyn në rrethin e besimit. Ndërsa, kur e shpreh me gojë, njihet edhe nga njerëzit e tjerë se ai është mysliman dhe në këtë botë konsiderohet si mysliman. Nëse zemra nuk e beson plotësisht kelime-i teuhidin, mirësitë dhe sjelljet e tij të mira nuk do të kenë dobi në botën tjetër. Mirëpo, Allahu ynë i Madhëruar, i Cili është i Drejtë dhe i Mëshirshëm, në këmbim të mirësive që bën, do t’i japë atij disa mirësi dhe lehtësi në këtë botë. (Shih. Muslim, Munafikin, 57, 56)
Allahu i Madhëruar urdhëron:
“Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përngjan fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka (të ngulur) fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj, ajo (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.
Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.” (Ibrahim, 24-26)
Ibn-i Abbas t, në shpjegimin e këtyre ajeteve fisnike, shprehet:
“Këtu tregohet për Kelime-i Shehadetin, rrënja e së cilës është në fjalën dhe zemrën e besimtarit, ndërsa degët e saj në qiej. Për këtë arsye, punët e besimtarëve ngrihen në qiej. Kurse Kelime-i Habise (fjala e keqe), është një fjalë që nënkupton shirk62, mohim dhe mosbesim. Prandaj, me të nuk pranohet asnjë vepër.”
Njeriu, që në fillim të jetës, përgjatë saj dhe në fund të saj, duhet të jetë gjithmonë i mbështetur në teuhid. Resulullahu r, thotë:
“Fjala “La ilahe il-lAllah” është fjala e parë që duhet t’u mësoni fëmijëve tuaj, në mënyrën më të bukur!” (Bejhaki, Shuabu’l-Iman, VI, 398)
Po ashtu edhe vetë ai, kur ndonjë fëmijë prej fisit Benu Abdulmutalib fillonte të fliste, ia mësonte duke ia lexuar shtatë herë këtë ajet fisnik:
Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës! Madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!”63 (Abdurrezzak, IV, 334; Ibn-i Ebi Shejbe, I, 348)
Ndërsa sahabët e nderuar, me qëllim që fjala e parë që do të shprehnin fëmijët e tyre kur të fillonin të flisnin, të ishte Teuhidi, u përsëritnin atyre vazhdimisht shprehjen e bukur të teuhidit: “Përveç Allahut nuk ka Zot tjetër” (Abdurrezzak, IV, 334)
Njeriu duhet të jetojë brenda këtij kuadri dhe duhet ta dorëzojë shpirtin që i është lënë amanet, duke përsëritur Kelime-i Shehadetin.
Një ditë, Omeri t, vuri re se Talha t, ishte shumë i mërzitur. Kur e pyeti për shkakun, Talha t, tha:
“Njëherë, i Dërguari i Allahut, tha:
«Unë di një fjalë, që kush e thotë në momentet e vdekjes, ajo patjetër do të bëhet dritë për librin e punëve të tij, ndërsa trupi e shpirti i tij në ato momente, në sajë të kësaj fjale, arrin kënaqësinë hyjnore, mëshirën dhe paqen.»
Mirëpo, Resulullahu r, ndërroi jetë pa pasur mundësi ta pyesja për këtë fjalë. Prandaj dhe jam i mërzitur.” Pas kësaj, Omeri t, tha:
“Unë e di atë fjalë. Ajo është shprehja “La ilahe il-lAllah”, të cilën Pejgamberi dëshironte që ta thoshte xhaxhai i tij (Ebu Talibi). Nëse Profeti r, do të dinte një fjalë më shpëtuese se kjo për xhaxhain e tij, patjetër atë do të dëshironte të thoshte.” (Ibn-i Maxhe, Edeb, 54. Shih. Ahmed I, 6)
Resulullahu r, ka thënë:
“Këshillojini ata që janë duke vdekur të thonë “La ilahe il-lAllah”!” (Muslim, Xhenaiz, 1, 2)
“Ai njeri, fjala e fundit e të cilit është “La ilahe il-lAllah”, hyn në xhenet!” (Ebu Daud, Xhenaiz, 20/3116; Ahmed, V, 247)
“Si të jetoni, ashtu do të vdisni, si të vdisni, ashtu do të ringjalleni!..” (Munavi, Fejzu’l-Kadir, V, 663)
Sa bukur është të jetosh me teuhid, të vdesësh me teuhid dhe të arrish lumturinë dhe mbretërinë e teuhidit!..
- Vlera e Kelime-i Teuhidit
Allahu i Madhëruar e ka pranuar Kelime-i Teuhidin, që është shprehja e hyrjes në Islam edhe si adhurim, me qëllim që robërit e tij ta përsëritin atë vazhdimisht dhe të fitojnë shpërblime të shumta. Në lidhje me këtë, Resulullahu r, ka thënë:
“Dhikri64 më me vlerë është La ilahe il-lAllah” (Tirmidhi, Deauat, 9/3383; Ibn-i Maxhe, Edeb, 55)
“Duaja65 më e mirë është istigfari66, ndërsa adhurimi më i mirë është Kelime-i Teuhid.” (Ali Muttaki, I, 483/2112)
Një ditë, i Dërguari i Allahut r, tha:
“Freskojeni besimin tuaj!” Sahabët e nderuar, pyetën:
“O i Dërguari i Allahut! Si ta freskojmë besimin tonë?” Pejgamberi r, u përgjigj:
“Përsëriteni shpesh fjalën “La ilahe il-lAllah”!” (Ahmed, II, 359; Hakim, IV, 285/7657)
Vajza e Ebu Talibit, Ummu Hani c, shkoi tek Resulullahu dhe i tha:
“O Resulullah! Unë u plaka dhe u dobësova. A mund të më këshillosh një adhurimi të cilin mund ta bëj ulur?” Resulullahu r, i tha:
“Thuaj njëqind herë Subhanallah, njëqind herë Elhamdulilah dhe njëqind herë La ilahe il-lAllah!” (Ibn-i Maxhe, Edeb, 56; Ahmed, VI, 344)
Në mënyrë të veçantë, përmendja e Kelime-i Teuhidit me xhemat (në bashkësi), zë një vend të rëndësishëm në llojet e dhikrit. Në lidhje me këtë çështje, mund të japim shembull transmetimin e sahabiut Sheddad bin Eus, i cili ka thënë:
Njëherë, kur ishim pranë Resulullahut r, ai na tha:
“A ka të huaj midis jush?” Me fjalën “të huaj”, kishte për qëllim “të krishterët dhe hebrenjtë”. Ne i thamë:
“Jo, nuk ka, o Resulullah!” Pas kësaj, i Dërguari i Allahut r, urdhëroi të mbyllen dyert dhe tha:
“Ngrini duart dhe thoni “La ilahe il-lAllah”!”
I ngritëm duart për një farë kohe dhe bëmë dhikër, duke thënë “La ilahe il-lAllah”. Më pas, Resulullahu r, uli duar dhe bëri këtë dua:
«Falënderuar qofsh, o Allah! O Zoti im! Më dërgove me këtë “fjalë” dhe ma urdhërove atë (ta them dhe të veproj sipas saj). Dhe në këmbim të kësaj, më premtove xhenetin. Ti nuk e thyen kurrë premtimin Tënd!»
Më vonë, i Dërguari i Allahu r, u tha sahabëve:
«Qofshi të përgëzuar! Është e sigurt se Allahu Teala ju fali!».” (Ahmed, IV, 124)
Në një hadith tjetër, thuhet:
“La ilahe il-lAllah, është një fjalë që ka vlerë shumë të madhe tek Allahu. Kush e thotë me sinqeritet dhe besnikëri të plotë, Allahu do ta vendosë atë në xhenet. Kush e thotë atë vetëm me gjuhë, megjithëse nuk e beson, i ruhet jeta dhe pasuria; mirëpo, nesër, kur të shkojë tek Allahu, ati do t’i kërkohet llogari.” (Hejthemi, I, 26)
Besimi shprehet me gojë dhe aprovohet me zemër. Nëse nuk aprovohet me zemër, edhe pse shprehet me gojë, ngelet në nivelin e aprovimit të mendjes dhe, nëse nuk pasqyrohet në vepra, nuk ka asnjë vlerë. Allahu i Madhëruar i përngjan njerëzit që i mbajnë dijet shpirtërore vetëm në mendjen e tyre, me gomarët e ngarkuar me libra67.
Po ashtu, Allahu i Madhëruar na bën të ditur se bota e zemrës së atyre që e shprehin besimin me gojë dhe e aprovojnë me zemër, zbukurohet me devotshmëri. Ja se si shprehet Ai në suren Fatir:
“…Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” (Fatir, 28)
Shkurtimisht, Kelime-i Teuhid, është i dobishëm aq sa pasqyrohet në zemër. Njerëzit, që në Ditën Gjykimit do të lumturohen më së shumti në sajë të ndërmjetësimit të Pejgamberit (a.s.), janë ata që thonë me gjithë zemër “La ilahe il-lAllah”.
E megjithatë, vetëm Kelime-i Teuhidi nuk është i mjaftueshëm për një shpëtim të sigurt. Pasi hyhet në Islam, ka disa përgjegjësi dhe detyra të cilat duhen realizuar. Në mënyrë të përmbledhur, këto janë zbatimi i urdhrave të Allahut dhe ruajtja nga ndalesat e Tij. Resulullahu r, një pjesë të këtyre i ka përmbledhur me këto fjalë:
“Besimi, përbëhet nga gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë degë. Më e larta e këtyre është të thuash: «La ilahe il-lAllah», ndërsa më e ulëta, është të heqësh nga rruga gjërat që dëmtojnë njerëzit. Edhe turpi (ndjenja e turpit), është një nga degët e besimit.” (Muslim, Iman 58. Shih. Buhari, Iman, 3; Ebu Daud, Sunnet, 14)
Po ashtu, edhe sahabët e nderuar nuk kanë pasur vetëm fjalë; ata e kanë shfaqur besimin e tyre me vepra të mira e të sinqerta në rrugën e drejtë.
Kur njëri prej tabiinëve, Uehb bin Munebbih, u pyet:
“A nuk është fjala «La ilahe il-lAllah», çelësi i xhenetit?”, ai u përgjigj:
“Po ashtu është! Por çdo çelës ka patjetër dhëmbët e vet. Nëse sjell çelësin që ka dhëmbët e duhur, dera do të hapet, përndryshe nuk hapet.” (Buhari, Xhenaiz, 1. Shih. Tirmidhi, Iman, 17/2638)
Një herë, Bajezid-i Bistamit i thanë:
“Fjala «La ilahe il-lAllah» është çelësi i xhenetit.” I nderuari Bistami tha:
“E saktë! Mirëpo, është fakt i vërtetë se çelësi pa dhëmbë nuk e hap derën. Dhe dhëmbët e Kelime-i Teuhidit janë këta:
1) Një gjuhë e pastër nga gënjeshtrat, përgojimi dhe fjalët e këqija,
2) Një zemër e pastruar nga mashtrimet dhe tradhtitë,
3) Një stomak i pastruar nga ushqimet haram dhe të dyshimta,
4) Punë të mira të pastruara nga ambiciet e egos (si mburrja, mendjemadhësia dhe dëshira për t’u dukur) dhe bid’atet69.” (Abdulmexhid Hani, Hadaiku’l-urdijje, Damask 1996, fq. 320)