Zekati është pastërti

Njëri nga kuptimet e fjalës “zekat” është pastërti. Dhënia e pasurisë njerëzve në nevojë është pastrim material dhe shpirtëror. Ai e pastron njeriun nga papastërtitë e koprracisë, gjynaheve dhe lakmisë për pasuri. Allahu (xh.sh.) thotë:

“Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe sheh.” (Tevbe 103)

“Kryeni faljen (namazin) dhe jepeni zekatin, e çfarëdo të mire që e përgatitni për veten tuaj; atë e gjeni te Allahu. S’ka dyshim Allahu përcjell çdo veprim tuajin.” (Bekare 110)

Zekati është një nga pesë shtyllat e fesë islame dhe një rregullator shumë i rëndësishëm ekonomik e shoqëror. Me anë të namazit arrihet barazia shpirtërore e trupore mes njerëzve dhe popujve, ndërsa me anë të zekatit arrihet barazia ekonomike dhe shoqërore. Kjo i mundëson mbarë njerëzimit të jetojë i lumtur e në paqe, si të ishte një trup i vetëm.

Zekati është një taksë e detyrueshme fetare. Llogaritja e zekatit bëhet në bazë të arit dhe argjendit. Në bazë të kësaj, nëse një mysliman pasi të ketë larë borxhet dhe të ketë llogaritur shpenzimet, i ngelet në dorë mall, para, ar ose argjend, të paktën në vlerën e 85 gr ar ose 642 gram argjend, atëherë atij i bëhet farz dhënia e zekatit. Gjithashtu, kjo pasuri duhet të ketë plotësuar një vit (hënor 355 ditë) në pronësinë e atij myslimani. Prej kësaj pasurie duhet të jepet 1/40, në mall, para, ar ose argjend, që do të thotë, 2,5 % të saj.

Shtëpia, mobiljet, veshjet, ushqimet, mjetet e punës, librat, mallrat që nuk janë për tregti, si kafshët e ngarkesës, sendet prej ari, argjendi, e gurësh të çmuar që përdoren për zbukurim, etj., nuk futen në llogarinë e zekatit.

Zekati mund të jepet në çdo kohë, por zakonisht, jepet në muajin e Ramazanit, për shkak të begatisë dhe vlerës së këtij muaji të bekuar.

Zekati nuk mund t’i jepet as bashkëshortëve, as fëmijëve dhe as prindërve, për arsye se këta janë të detyruar që të ndihmojnë njeri-tjetrin në momente të vështira. Me dhënien e zekatit, plotësojmë obligimet tona ndaj nevojtarëve, forcojmë dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe mbajmë gjallë ekonominë e vendit.

Share.

Leave A Reply