Të gjithë profetët janë personalitete të zgjedhur jashtëzakonisht të drejtë, të ndershëm dhe të besueshëm. Edhe jobesimtarët, madje, ndjejnë siguri të pakufizuar tek ta. Atributi i besueshmërisë tek profetët shpreh, krahas besueshmërisë dhe sigurisë tek ta në çdo specifikë, më tepër dhe veçanërisht besueshmërinë tek ta mbi vahjin, mesazhin hyjnor, faktin që ata ua kanë përcjellë dhe kumtuar njerëzve urdhrat dhe ndalimet e Allahut pa i ndryshuar, pa u shtuar e pa u lënë mangut gjë.

Allahu i Lartë ua ka dhënë nderin dhe detyrën e profetësisë jo gënjeshtarëve, të pabesëve e tradhtarëve, por vetëm robve të besueshëm e besnikë në çdo aspekt. Në ajetet kur’anore bëhet e ditur se profetët u kanë thënë kështu ummeteve, bashkësive të tyre:

 

“Unë po jua njoftoj ato që më ka zbritur Zoti im dhe unë jam për ju një këshillues i besueshëm!” (el-A’raf, 68)

 

“Pa dyshim, unë jam një lajmëtar i besueshëm i dërguar tek ju!” (esh-Shuara, 107)

Me të vërtetë, atributi “Muhammed Emini” (Muhammedi i Besueshëm) i thënë për Profetin (s.a.s.), nuk binte as nga buzët e politeistëve. Me të vërtetë, ata i besonin dhe ia dorëzonin në ruajtje amanetet, domethënë, gjërat e tyre me vlerë, jo shokëve të vet, por Profetit! Madje, Profeti kishte në ruajtje amanete të tyre edhe në çastet e fundit para se të emigronte! Profeti e pati lënë Hz. Aliun në Mekë pavarësisht nga rreziku i jetës, duke e porositur t’ua dorëzonte pronarëve gjërat që ia kishin lënë amanet në ruajtje.

Cilësimi “Emin”, “i Besueshmi” qe bërë pothuaj emri i dytë i Profetit (s.a.s.). Kështu, kur Hz. Muhammedi mbushi moshën 25 vjeç, thirrej në Mekë vetëm me emrin Emin!156

Gjatë gjykimit në Qabe, ata që e panë, u gëzuan sepse ishte pikërisht ai që po hynte andej nga prisnin ata, dhe thirrën: “Po vjen Emini!” Ata u këshilluan me të dhe iu bindën për të gjitha çështjet! Aq sa sahabet të cilët ishin gati të flijonin jetën, pasurinë dhe gjithçka për të, po aq dhe armiqtë që donin ta vrisnin, nuk patën thënë dot diçka kundër besueshmërisë së Profetit.

Si profetët, edhe Xhebraili (a.s.) që ua ka sjellë mesazhin hyjnor atyre është emin, i besueshëm. Zoti thotë kështu në Kur’an:

 

“Ai (Kur’ani) është, pa dyshim, një fjalë e sjellë nga një përfaqësues i shquar, i fuqishëm dhe i nderuar (si Xhebraili) në lartësinë e (Allahut,) Zotit të Arshit. Ai është një përfaqësues i besueshëm të cilit i tregohet bindje!” (et-Tekvir, 19-21) Prandaj, vahji ose mesazhi hyjnor i është zbritur Eminit në tokë nëpërmjet Eminit në qiell!

Share.

Comments are closed.