Ibrahim Koç

Nata mbart një përshpirtshmëri të veçantë me kohën e agimit që ka çdo herë. Prandaj, ibadetet e bëra në kohën e agimit janë të pranuara. Pjesa e artë e kohës është nata. Ndërsa zemra e natës është koha e agimit. Në Kuranin Fisnik, fjala natë përmendet 114 herë. Po ashtu, ai na njofton se edhe vetë ka filluar të zbresë në një natë të bekuar. Dyert e mëshirës hapen natën. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Kryeje namazin prej kthimit të diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe këndo Kuran në agim; me të vërtetë, falja e mëngjesit është e dëshmuar (nga engjëjt). Kaloje një pjesë të natës, si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.” (Isra, 78-79)

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, na përgëzon duke na treguar se Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë në kohën e agimit dhe u përgjigjet lutjeve që bëhen në këtë kohë. Po ashtu, ka thënë: “Ju sugjeroj të ngriheni natën (të falni namazin e tehexhudit), sepse ai është zakoni i të devotshmëve që kanë jetuar para jush dhe ju afron me Allahun. Ju mbron nga mëkatet, është falje për të këqijat dhe shpëtues nga sëmundjet fizike.” (Tirmidhi, Deavat, 112.) “Leximi i sures Tebareke çdo natë, ju shpëton nga ndëshkimi i varrit dhe ju mbron nga zjarri i xhehenemit.” Për lartësimin e shpirtit të njeriut, mund të thuhet se nuk ka asnjë vlerë që mund të zërë vendin e tehexhudit, i cili falet në kohën e agimit. “Veçanërisht namazet e natës që falen në moshë të re, janë si një rrugë e sigurt për t’i hapur shpirtit dyert e frymëzimit hyjnor, sepse namazi i natës është ibadeti që nuk e kapin dhe nuk i ngjiten aspak sëmundjet brejtëse dhe vrasëse.” “Dijeni mirë se nderi i besimtarit është në namazin e natës, ndërsa krenaria e tij është në moskërkimin nga të tjerët.” “Ditët janë të lidhura me botën e dukshme, ndërsa netët janë të lidhura me botën e gajbit.” (Ibn Arabi, Futuhat, 1, 395.)

Profesor Kamil Mirasi, i cili është prej yjeve të qiellit tonë të dijes dhe gnosës, thotë: “Ajetet dhe hadithet që transmetohen në lidhje me frymëzimin dhe begatinë që njerëzit nuk mund ta përshkruajnë dhe përkufizojnë, influencojnë te zemrat e pastra dhe besimtare. Çdo besimtar që i lexon dhe i mëson me sinqeritet e pastërti ato, e ka të pamundur që zemra e tij të mos ndikohet nga ky ibadet i dashur. Çdo falës i namazit të natës, që e ka zemrën e zgjuar dhe qëndron në audiencën e Allahut të Madhëruar në kohën e agimit, ndjen me plot gëzim zbritjen e frymëzimit hyjnor në zemrën e tij si një shi i butë vere, atë ditë e kalon i lumtur nga fillimi e deri në fund dhe përmallohet për tehexhudin e natës së ardhshme.” (Kamil Miras, Texhrid, vëll. 4, fq. 33.)

Tehexhudi është namazi që i ndriçon errësirat e botës së berzahut. Për këtë arsye, ata që dëshirojnë ta ndriçojnë jetën e berzahut, nuk duhet ta lënë këtë namaz, sepse drita që ndriçon varrin është namazi i natës. Të gjithë librat fetarë dhe veprat letrare flasin për frymëzimin e madh dhe qetësinë shpirtërore që nata dhe agimi u jep shpirtrave sublimë. Po ashtu, të gjithë e dimë se mistikët i japin shumë rëndësi gjallërimit të natës me ibadet. Erzurumllu Ismail Hakkë, Junus Emre, Mevlana dhe shumë sulltanë të tjerë shpirtërorë, shihet se i kanë dhënë shumë rëndësi natës dhe agimit. Faktikisht, të gjithë mistikët flasin për natën dhe agimin.

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Natën ka një kohë të tillë që, nëse myslimanit i rastis të lutet në atë orë, çfarëdo që të kërkojë nga Allahu prej të mirave të kësaj bote dhe të ahiretit, Allahu do t’i japë patjetër atë që dëshiron. Kjo orë është çdo natë.”

“Dy rekatë namaz që biri i Ademit i fal në agim, janë më të mira për të se kjo botë dhe çfarë ka në të. Sikur ta dija se kjo nuk do ishte e vështirë për umetin Tim, do t’ua bëja farz.”

“Mos e kalo natën pa namaz, edhe nëse është sa koha e mjeljes së një deveje apo deleje. Edhe namazi që falet pas namazit të jacisë, është prej namazit të natës.”

“Dy rekatë namaz që falen në mes të natës, janë falje për mëkatet.”

“Epërsia e namazit të natës ndaj namazit të ditës, është si epërsia e sadakasë së dhënë fshehurazi ndaj sadakasë së dhënë haptazi.”

Ata që nuk e vlerësojnë përfitimin nga begatia e natës, privohen edhe nga begatia e ditës duke u ngritur në mëngjes të lodhur dhe të mekur. Nëse besimtari e shfrytëzon natën ashtu siç duhet dhe përfiton nga klima shpirtërore e dhikrit, nata e tij bëhet më e ndritshme se dita. Nata është koha më e volitshme për t’u lutur që të shpëtojmë nga ndëshkimi hyjnor. Hz. Sulejmanit i tha nëna e tij:

“Biri im! Mos fli shumë natën, sepse gjumi i tepërt përgjatë natës e lë njeriun të varfër Ditën e Kiametit.”

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), falte namaz natën, derisa i plasariteshin këmbët dhe i enjteshin pulpat. Ai që ishte mbreti i dy botëve, njeriu më i dashur, sulltani i zemrave dhe i dashuri i Mëshiruesit. Nëna jonë, Hz. Aishja i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet që ke bërë në të kaluarën dhe që mund të bësh në të ardhmen. Përse e lodh veten kaq shumë?” Hazreti Pejgamberi (s.a.s.), i tha: “A të mos jem një rob që e falënderon Zotin për këtë?” Domethënë, nëse e lë tehexhudin, nuk mund të jem një rob falënderues.

Lus Allahun të na bëjë prej fatlumëve që e lënë gjumin për në varr dhe rehatinë për në xhenet! Amin!

Share.

Leave A Reply