Bera ibn Maliku (r.a.), ishte një hero që nuk i trembej syri… Ai kishte një trup aq të dobët dhe aq të lehtë, saqë i dukeshin edhe kockat… Ndërsa në fushat e betejave ishte një trim dhe hero i jashtzakonshëm… Ai ishte një sahab i fuqishëm që e kaloi të gjithë jetën me mallin për të rënë dëshmor…

Ai ishte vëllai thjeshtër i Enes ibn Malikut (r.a.), i cili i ka shërbyer të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Bera ibn Maliku (r.a.), i bëri udhërrëfyese përgjatë gjithë jetës së tij këto fjalë: “Allahun dhe Xhenetin…”

Ai u nderua me Islamin pas hixhretit. Mori pjesë në të gjitha luftërat përveç luftës së Bedrit. Jeta e tij kaloi e tëra nëpër mejdanet e luftërave duke filluar që nga lufta e Uhudit. Ai ishte në njeri trim dhe hero. Zjarri që i përvëlonte zemrën me mallin për të rënë dëshmor, e bëri atë ta shfaqte në çdo moment këtë trimëri, guxim e heroizëm dhe të rendte nga njëra luftë në tjetrën. Në çdo luftë që merrte pjesë, dëshironte të binte dëshmor. Gjithmonë luftoi me këtë ndjenjë. Ai e konsideronte mirësi rënien dëshmor, andaj merrte pjesë në çdo luftë. Për shkak të guximit të tij, Omeri (r.a.), u pati dhënë këtë urdhër prefektëve:

 

“Mos e vini Beranë në krye të ushtrisë dhe mos e bëni atë komandant, sepse kam frikë se mos shkatërrohet ushtria për shkak të guximit dhe trimërisë së tij të madhe.”

* * *

Bera ibn Maliku (r.a.), njihej ndërmjet sahabëve si një hero që nuk i trembej syri dhe që kishte një trimëri dhe guxim të madh. Këtë trimëri të Berasë (r.a.), e shohim qartë edhe në luftën që u bë në Jemame kundër Musejlimesë nën komandën e Halid ibn Velidit. Ngjarja ndodhi si më poshtë:

“Dy ushtritë u gjendën përballë njëra-tjetrës në Jemame që ishte një vend në krahinën e Nexhdit. Ushtarët e tradhtarit Musejlime arritën deri te çadra e Hz. Halidit në sulmin e parë. Halid ibn Velidi (r.a.), e futi ushtrinë në një sistem të ri kundrejt këtij rreziku. Muhaxhirët i ndau nga ensarët dhe beduinët i ndau nga të tjerët. Baballarët që luftonin së bashku me bijtë e tyre i mblodhi nën një flamur. Pastaj filloi një sulm të ri. Lufta u ashpërsua.

Vëllai i Omerit (r.a.), Zejd ibnu’l-Hattabi (r.a.), u thoshte atyre që kishte përreth:

“O njerëz! Kur të luftoni, luftoni me vendosmëri. Ashtu goditeni armikun. Për Zotin, këtej e tutje kurrë nuk do të flas pa u mposhtur Musejlime apo pa rënë vetë dëshmor.”

Bera ibn Maliku (r.a.), u thoshte ensarëve:

“O ensarë! Asnjëri prej jush të mos mendojë për t’u kthyer në Medine. Prej ditës së sotme ju nuk keni më një qytet që quhet Medine… Tashmë keni vetëm Allahun që është një… Gjithashtu keni edhe xhenetin…”

Ushtria u mblodh përsëri me këto fjalë që u jepnin fuqi ushtarëve dhe i bashkonin fort me njëri-tjetrin. Ushtarëve iu treguan qëllimet. Ata u njoftuan se në një vend të tillë nuk duhej të mendohej për asgjë përveç Allahut. Atyre iu tha që të mos mendonin as për kryeqytetin e Islamit, Medinen, në të cilën kishin lënë shtëpitë, fëmijët dhe bashkëshortet e tyre. E gjithë fuqia ishte e Allahut. Të gjithë do t’i besonin dhe do t’i mbështeteshin Atij, sepse fitoren e kishte Ai. E gjithë ushtria kaloi në sulm me këto ndjenja shpirtërore.

Myslimanët filluan t’i ndanin rreshtat e armiqve. Ushtria e Musejlimesë filloi të arratisej ngaqë u mposht. Më së fundi u strehua në një bahçe si kala. Kjo bahçe kishte mure të gjera dhe të larta. Myslimanët filluan të gjuanin me shigjeta përtej mureve. Ja pra, pikërisht në ato momente Bera ibn Maliku (r.a.), doli përpara dhe tha me zë të lartë:

“Shokë! Më vendosni mbi një mburojë. Më ngrini me heshta dhe më hidhni në bahçe. Ose do të bie dëshmor, ose do t’ju hap derën.”

Beranë e lehtë dhe të dobët, e vendosën mbi një mburojë siç urdhëroi vetë dhe me heshtat e tyre e hodhën në bahçe. Bera ibn Maliku (r.a.), luftoi trimërisht. Ai arriti ta hapte derën, edhe pse çdo vend i trupit të tij ishte i mbuluar nga gjaku.

Atë ditë mori më shumë se 80 plagë prej shpatave dhe shigjetave, por ai nuk e kishte problem, sepse shokët e tij hynë në bahçe dhe i vranë ushtarët e Musejlimesë. Në atë bahçe u vranë njëzet mijë ushtarë së bashku me Musejlimenë. Që prej asaj dite, ajo bahçe u quajt “Bahçeja e Vdekjes”.

* * *

Halid ibn Velidi (r.a.), u preokupua personalisht përgjatë një muaji me mjekimin e Berasë (r.a.). Me ndihmën e Allahut plagët iu shëruan. Pasi e arriti shëndetin e plotë, filloi përsëri të kërkonte rënien dëshmor. Rënia dëshmor ishte ideali i tij më i madh. Ai mori pjesë në çlirimin e Iranit me këtë mallëngjim. Në çlirimin e Tusterit shfaqi heroizëm shumë të madh. Ngjarja ndodhi siç vijon:

“Iranianët ishin strehuar në një kala. Prej kalasë hidhnin zinxhirë me kanxha të nxehura në zjarr. Më këto kanxha ata i kapnin myslimanët dhe i ngrinin lart. Kur i ngrinin lart, ata ishin ose të vdekur, ose duke vdekur. Kur Bera (r.a.), vuri re se njëra prej këtyre kanxhave kishte kapur vëllanë e tij, Enes ibn Malikun (r.a.), e kapi menjëherë zinxhirin, tërhoqi kanxhën e nxehtë dhe e nxori. Mishi i dorës iu dogj. Atij i mbetën vetëm kockat e dorës. Në një moment myslimanët ishin të detyruar të tërhiqeshin pas. Ndërsa Bera (r.a.), u hodh përpara duke thënë: “Betohem se, ose do ta mposht armikun, ose sot do të takohem me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).” Ai luftoi me heroizëm. Më në fund armiku u mposht dhe u tërhoq pas. Por Bera (r.a.), i ishte lutur Allahut. Andaj aty ra dëshmor. (20 hixhri)

Po!.. Në këtë luftë Bera ibn Maliku (r.a.), kaloi në jetën e përhershme për të cilën mallëngjehej duke rënë dëshmor. Ai u takua me të dashurit e tij. U bë një yll ndërmjet sahabëve me guximin, trimërinë dhe heroizmin e tij… Ndërsa neve na mbeti jeta e tij e mbushur plot e përplot me mësime…

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na mundësoftë që të ndjekim rrugën e trimave si Bera ibn Maliku (r.a.)! Zoti (xh.xh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

 

Share.

Leave A Reply