Profeti i mirë, i cili u mbyt në mëshirën hyjnore.
Edhe Dhulkifli (a.s.), është një profet i dërguar tek beni Izrailët. Transmetohet se ai ka qenë djali i Ejjubit (a.s.). (shih. Hakim, Mustedrek, II, 636.)
Siç rrëfehet, emrin e ka pasur Bishr, kurse “Dhulkifl” është llagapi që i është vënë më pas. Ky emër, i është dhënë për shkak se ai mori përsipër detyrën e kumtimit të urdhrave të Allahut tek beni Izrailët, duke zëvendësuar Eljesën pas vdekjes dhe sepse ai bënte të gjitha punët e mira që bënin profetët, duke fituar edhe shpërblime prej Zotit. Ky emër, është përdorur jo për të shprehur pasurinë e tij në këtë botë, por virtytet e mira dhe gradat e lart që ai do të ketë në botën tjetër.
Prej Ibn Abbasit (r.a.), transmetohet:
“Allahu i Lartë, njërit prej profetëve të bijve të Izraelit, krahas profecisë, i dha edhe pasuri dhe pushtet. Kur këtij profeti iu afrua vdekja, Allahu i Lartë ia bëri të ditur me anë të shpalljes hyjnore se do t’ia merrte shpirtin, duke e urdhëruar:
“Amanetin tim dorëzoja njërit prej bijve të Izraelit, i cili fal namaz gjer në mëngjes, agjëron ditën dhe që do të gjykojë mes njerëzve pa u zemëruar.”
Ky profet ua bëri të ditur bijve të Izraelit urdhrin që i ishte dhënë. Nga mesi i tyre doli një i ri që tha:
“Këtë punë e marrë unë përsipër!”
Profeti i tha të riut:
“Mes këtij fisi ka më të mëdhenj se ty! Prandaj, ulu!”
Më pas, profeti e përsëriti edhe dy herë të tjera propozimin e tij dhe që të dy herët ai i ri doli e tha:
“Këtë punë e marrë unë përsipër!”
Atëherë, profeti e la atë si pasardhës të vetin, duke ia dorëzuar edhe amanetin e Allahut (pasurinë, pushtetin dhe detyrën e profecisë). Dhe, ky djalosh ishte Bishri.”
Mirëpo, shejtani e pati zili këtë djalosh. Prandaj, me qëllim që ai të mos e kryente detyrën që kishte marrë përsipër, i bëri dredhi të ndryshme. Mirëpo, ai nuk u ndikua nga dredhitë e shejtanit dhe e kreu me sukses detyrën që kishte marrë përsipër. Ai kishte zell të madh. Prandaj edhe u mbiquajt “Dhulkifl”, “Dorëzanësi”.
Në lidhje me Dhulkiflin (a.s.), në Kuran ka dy ajete.
“Kujtoje edhe Ismailin, Eljesain dhe Dhulkiflin. Të gjithë ata kanë qenë nga besimtarët e zgjedhur e të mirë.” (Sad, 48)
“(Kujto) Ismailin, Idrizin dhe Dhulkiflin! Të gjithë këta kanë qenë të durueshëm. Ne i pranuam ata me mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ata ishin ndër të drejtët. (Enbija, 85-86)
Edhe Dhulkifli (a.s.), ashtu si profetët e tjerë para tij, gjykoi me ligjet e Musait (a.s.) dhe i ka njoftuar njerëzit me urdhrat dhe ndalimet e Teuratit. Thuhet se Dhulkifli (a.s.), ka vdekur në një prej qytezave të Damaskut.
O Allah! Na jep edhe neve vullnet dhe durim për të kryer me përpikëri të gjitha urdhrat e Tua dhe na dhuro prej virtyteve të cilat i ke lavdëruar!..