Ebu Abdullah Habab Ibni Eret (r.a.), tregon:

Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), po pushonte nën hije të Qabes dhe kishte vënë rrobën e tij si jastëk tek koka, ne erdhëm dhe iu ankuam (në lidhje me persekutimet që na bënin idhujtarët), duke thënë:

“A nuk do të na ndihmosh, a nuk do t’i lutesh Allahut për ne?” Ai na tha:

“Kohë para jush, e merrnin robin (besimtar), e hapnin një gropë, e vendosnin në të, e më pas merrnin sharrën dhe ia vendosnin në kokë, duke e ndarë përgjysmë. Pastaj ia krihnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri. Mirëpo, asgjë nga këto nuk e largonte atë nga feja e tij. Pasha Allahun, Ai do ta bëjë mbizotëruese këtë fe, aq sa një kalorës do të udhëtojë i vetëm prej San’as deri në Hadrameut, e nuk do të frikësohet nga askush, përveçse prej Allahut dhe ujkut që mund të sulmojë kopenë e tij. Mirëpo, ju po nguteni (nuk jeni durimtarë).”

Në një transmetim tjetër të Buhariut, shtohet ky citat: “Ai qe mbështjellë me rrobën e vet. Ne kemi vuajtur shumë prej idhujtarëve.”

(Buhari, Menakib, 25. Shih. Buhari, Ikrah, 1, Menakibu’l-Ensar, 29; Ebu Daud, Xhihad, 97.)

Habab Ibni Eret (r.a.).

Habab Ibni Eret (r.a.), i cili njihej edhe si Ebu Jahja ose Ebu Abdullah, ka qenë i gjashti prej myslimanëve të parë. Po ashtu, ai ka qenë prej myslimanëve të vuajtur, të cilët i janë nënshtruar shumë torturave të idhujtarëve. Zanati i tij ishte hekurpunues. Njëherë, kur shkoi tek një prej parisë së idhujtarëve, As Ibni Uaili, për të marrë paratë e shpatës që kishte bërë sipas porosisë, mes tyre u zhvillua një dialog të tillë:

As Ibni Uail: “Nuk do t’i jap paratë pa e mohuar Muhamedin!”

Hababi: “Unë nuk do ta mohojë Muhamedin derisa të vdesësh, madje derisa të ringjallesh!”

As Ibni Uail: “Kur të ringjallem, do të kemi pasuri. Atëherë do të t’i jap paratë.”

Hababi (r.a.), ia tregoi të Dërguarit të Allahut (a.s.), këtë dialog, që ishte veç njëri prej shembujve të përgjigjeve që ai kishte marrë prej idhujtarëve. Pas kësaj, zbriti ajeti:

“Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në shenjat Tona dhe thotë: «Mua do të më jepet (Ditën e Kiametit) edhe pasuria, edhe fëmijët»?!” [Merjem, 77.]

Pasi emigroi në Medinë, Hababi (r.a.), ka marrë pjesë në të gjitha luftërat duke filluar prej asaj të Bedrit. Ai ka transmetuar 32 hadithe nga i Dërguari i Allahut (a.s.). Tre prej haditheve të tij janë shënuar edhe nga Buhariu, edhe nga Muslimi. Po ashtu, dy hadithe të tjerë janë transmetuar në mënyrë të veçantë nga Buhariu, ndërsa një tjetër nga Muslimi.

Hababi (r.a.), i barti shenjat e torturave në shpinën e tij derisa ndërroi jetë rreth moshës shtatëdhjetë e ca vjeçare, kur ndodhej në Kufe në vitin 37 (657).

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Ky Hadith fisnik, tregon se në çmasë vuanin dhe në çfarë kushtesh ishin të detyruar të duronin myslimanët në Mekë, në vitet e para të Islamit. Aq, sa shkuan tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe u qanë duke thënë: “Tashmë nuk po durojmë dot më. E ne e dimë se po të luteni, hallet tona do të mbarojnë”. Në një farë kuptimi, kjo tregon se ata ishin mërzitur dhe dëshpëruar aq shumë, sa donin të përdornin edhe mundësinë e fundit që kishin.

Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (a.s.), u dha atyre shembuj prej njerëzve të popujve të shkuar, të cilët kishin kaluar sprova edhe më të mëdha për hir të besimit. Pra, ai u bëri të ditur se mund të ketë edhe më keq dhe u kujtoi se çfarë duhej të bënin.

Njeriu ngushëllohet sadopak kur sheh apo dëgjon se ajo që e ka goditur atë, e ka goditur edhe dikë tjetër. Pra, fakti që ai ndan të njëjtin fat me dikë tjetër, e qetëson atë në një farë mase. Kjo është një gjendje psikologjike e natyrshme. Përveç kësaj, dhënia e lajmit të mirë për atë çfarë do të ndodhë në të ardhmen, i jep njeriut forcë për të përballuar vështirësitë në emër të atyre ditëve të bukura që do të vijnë. Të kujtosh që netët e errëta nuk do të mbeten të tilla, por patjetër që drita do të shfaqet në agim, padyshim se i lehtëson vështirësitë aktuale dhe e largon dëshpërimin. Madje, kjo metodë  përdoret edhe nga shoqëritë moderne. Herë-herë, shohim se qeveritë e çdo vendi e përdorin metodën e qetësimit të popullit, duke u kujtuar se vështirësitë do të përfundojnë shpejt dhe se për të arritur ditë më të mira nesër, duhet të bëhen disa sakrifica sot.

I Dërguari i Allahut (a.s.), nga një anë vë në pah dimensionin historik dhe ashpërsinë e vështirësive që janë përjetuar për hir të fesë, e nga ana tjetër tregon në mënyrë të prerë dhe me një shembull shumë shpresëdhënës se, ai nuk ka asnjë dyshim tek e ardhmja e ndritur e Islamit. Në fakt, distanca midis San’as dhe Hadrameutit, është njëmbëdhjetë ditë ecje në këmbë. Dhe, arsyeja që këta dy qytete jepen si shembull, në njëfarë mënyrë tregon gjerësinë e tokave që do të hyjnë në mbizotërimin e myslimanëve. Pra, Islami, i cili do të sjellë sigurinë edhe në një vend të largët si Jemeni, do ta ketë shumë më të lehtë të vendosë rregullin dhe sigurinë në vendet si Meka dhe Medina.

Gjithashtu, në këtë Hadith vihet re edhe se sa i sigurt është i Dërguari i Allahut (a.s.), në fjalët e tij. Frika e vetme që do të kenë myslimanët nën sundimin e Islamit, do të jetë ajo prej Allahut, ose më e shumta, do të kihet frikë nga sulmi i ndonjë kafshe të egër. Kjo tregon se nga njerëzit nuk do të vijë asnjë sulm, presion apo dhunë e vullnetshme dhe me dashje. Ky është një lajm i mirë se në tokat ku do të sundojë Islami, do të vendoset paqe dhe siguri në planin njerëzor.

I Dërguari i Allahut (a.s.), shprehet se çdo mirësi e ka një vështirësi dhe një çmim dhe se çdo vështirësi patjetër do sjellë një mirësi. Pas kësaj, ai u thotë sahabëve se, “nuk po tregoheni të durueshëm!”, duke i ftuar myslimanët e asaj kohe në durim dhe duke u kujtuar se çdo gjë varet nga caktimi i Allahut. Çdo vështirësi kërkon durim dhe kohë, ndërsa triumfet e mëdha kërkojnë sakrifica.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Durimi ndaj vuajtjeve dhe torturave të njeriut për hir të fesë dhe besimit, është një virtyt për t’u lavdëruar.
  2. Ndodhitë për të cilat ka lajmëruar i Dërguari i Allahut (a.s.), janë realizuar ashtu siç janë lajmëruar.
  3. Islami është feja e paqes dhe qetësisë, sigurisë dhe shpëtimit.
  4. Armiqësia ndaj fesë dhe besimit, nuk janë fenomene të reja.
  5. I Dërguari i Allahut (a.s.), i ka edukuar sahabët e tij duke u dhënë shembuj nga popujt e shkuar dhe duke treguar ndodhi në lidhje me të ardhmen.
Share.

Leave A Reply