Osman Nuri Topbash

Shprehja “mu’min”, që është edhe emri i përgjithshëm për të gjithë ata që besojnë Allahun, në të njëjtën kohë është edhe një nga emrat e bukur të Allahut, që shpreh se Ai është burimi i sigurisë, pra u jep siguri robërve të Tij ose i bën ata të besueshëm. Ai është që i pajisi edhe pejgamberët e Vet me cilësinë e “amanetit” dhe i bëri ata njerëz të besueshëm. Nisur nga kjo, një “mu’min”, është edhe besimtar, edhe i sigurt, edhe i besueshëm.

Ndjenja e respektimit të amanetit është një element që i jep jetë besimit të mu’minëve. Ky hadith shumë domethënës e shpreh shumë qartë këtë të vërtetë dhe në të njëjtën kohë është edhe një paralajmërim i fuqishëm pejgamberik:

“Padyshim se, kur Allahu (Xhel-le Xhelaluhu), dëshiron të shkatërrojë një rob, e heq turpin prej tij. Kur ia merr turpin, ai rob bëhet prej të dënuarve. Kur dënohet, ai zhvishet nga besueshmëria. Kur i merret besueshmëria, ai bëhet tradhtar. Kur bëhet tradhtar, nuk mëshirohet më. Kur e humbet mëshirën (e Allahut), atë e zë mallkimi, bëhet i mallkuar. Dhe, kur e zë mallkimi e bëhet i mallkuar, këputet lidhja e tij me Islamin!” (Ibn Maxhe, Fiten, 27.)

Ashtu siç shprehet edhe në hadithin fisnik, ndjenja e amanetit është një nga kushtet e përsosmërisë së besimit. Prandaj, për ta ruajtur atë me kujdes, Zoti ynë na e tërheq vëmendjen në mënyrë të shpeshtë:

“…Nëse i besoni njëri-tjetrit (dhe i lini ndonjë amanet), ai të cilit i është besuar (amaneti) le t’ia kthejë atë të zotit dhe t’i frikësohet Allahut në këtë çështje…” (Bekare, 283)

“…Kush e tradhton amanetin (merr padrejtësisht), në Ditën e Kiametit do të vijë i ngarkuar me atë që ka tradhtuar (ka marrë padrejtësisht)…” (Al Imran, 161)

“O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” (Enfal, 27)

“Allahu ju urdhëron që t’ua ktheni amanetet atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni me drejtësi…” (Nisa, 58)

“Emanet” është një nga pesë cilësitë e pejgamberëve. Pejgamberi ynë (a.s.), kishte fituar aq respekt ndër arabët e kohës së injorancës, saqë ata e thërrisnin me emrat “el-emin” dhe “es-sadik”. Madje, Ebu Xhehli, që ishte armiku më i egër i Rasulullahut (a.s.), një ditë i thotë:

“O Muhammed! Unë nuk po them se je gënjeshtar. Por nuk e pranoj këtë ftesë që më ke sjellë…” Me këto fjalë, ai e pranonte vërtetësinë e tij, por nuk mund ta pranonte ftesën e Islamit që i bënte Pejgamberi (a.s.).

Kjo gjë shprehet edhe në një ajet fisnik, ku urdhërohet:

“…Në të vërtetë, nuk je ti ai që po mohojnë ata, por keqbërësit po mohojnë shpalljet e Allahut.” (En’am, 33)

Për sa i përket “emanetit” dhe “besnikërisë”, askush nuk mund të arrijë nivelin e Pejgamberit tonë (a.s.). Kjo ndodhi që ka transmetuar Abdullah bin Ebi’l-Hamsa (r.a.), është një shembull i bukur i gjendjes së Pejgamberit tonë (a.s.):

“Para se të bëhej Pejgamber, unë kisha bërë një tregti me të Dërguarin e Allahut. Unë hyra në borxh tek ai dhe u largova me premtimin se nëse priste pak, do t’ia sillja menjëherë. Mirëpo, unë e harrova premtimin që i dhashë. Kur u kujtova pas tre ditësh dhe shkova në vendin ku e kishim lënë për t’u takuar, e gjeta atë duke pritur në po të njëjtin vend. I Dërguari i Allahut, pa më qortuar për sjelljen time, më tha vetëm kaq: «O djalosh! Më mundove, kam tre ditë që po të pres këtu». (Ebu Daud, Edeb, 82/4996.)

Pejgamberi ynë (a.s.), njihej nga të gjithë për karakterin e tij që ngjallte ndershmëri, drejtësi dhe siguri. Madje, edhe zonja fisnike dhe e ndershme mekase, nëna jonë Hadixhe (r.anha), për shkak se i admironte këto cilësi të tij, i propozoi për martesë.

Përfshi edhe hebrenjtë që ishin armiqtë e Islamit, kur njerëzit binin në kundërshti mes njëri-tjetrit, shkonin tek ai për shkak se i besonin drejtësisë dhe ndershmërisë së tij. Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), ua zgjidhte mosmarrëveshjet që kishin midis tyre.

Kur mbretit të Bizantit, Herakliut, i arriti letra e ftesës islame, Ebu Sufjani i cili në atë kohë ishte armik i përbetuar i Islamit, gjendej në Sham (Damask). Herakliu i bëri shumë pyetje Ebu Sufjanit në lidhje me Pejgamberin tonë (a.s.). Por në mënyrë të veçantë e pyeti se a ishte akuzuar më parë si gënjeshtar dhe a kishte ndodhur ndonjëherë që të mos e mbante fjalën. Edhe pse në atë kohë ishte armik i Islamit, Ebu Sufjani u detyrua të thoshte të vërtetën se ai kurrë nuk kishte gënjyer dhe se gjithmonë e mbante fjalën e dhënë.

Kjo tregon se edhe ata që nuk e pranonin atë si pejgamber, nuk mund ta mohonin ndershmërinë dhe drejtësinë e tij. Kur Pejgamberi ynë (a.s.), emigroi (në Medinë), tek ai gjendeshin disa amanete që ia kishin lënë idhujtarët. Për këtë arsye, para se të largohej, Pejgamberi ynë (a.s.), i la Aliut (r.a.), detyrën që t’u kthente amanetet të zotëve të tyre. Shkurtimisht, myslimanë dhe jomyslimanë, të gjithë e respektonin atë. Ndjenja e drejtësisë e kishte brumosur zemrën e Rasulullahut (a.s.), në një mënyrë të tillë, saqë kur pa një grua që po thërriste fëmijën e saj duke i thënë: “Eja, shiko se çdo të jap!”, e pyeti menjëherë, se çfarë do t’i jepte. Kur gruaja tha se do t’i jepte disa hurma, ai tha:

“Nëse nuk do t’i kishte dhënë gjë, do të quhej si gënjeshtër.”

Këto ndjenja të Pejgamberit tonë (a.s.), nuk përfshinin vetëm njerëzit, por edhe kafshët. Njëherë, kur pa se një prej shokëve të tij po e ndillte kalin e vet duke u shtirur se kishte në dorë ushqim për të, u mërzit aq shumë, saqë e thirri shokun e vet dhe e qortoi. (shih. Buhari, Iman, 24.)

Njëherë tjetër, kur ishin duke u kthyer nga një udhëtim, dy sahabë kishin marrë të vegjlit e një zogu nga foleja dhe po i ledhatonin. Kur zogu nënë nuk i gjeti të vegjlit e saj në fole, filloi të përpëlitej nga hidhërimi. Sapo e dëgjoi këtë ndodhi, Rasulullahu (a.s.), urdhëroi që të vegjlit të vendoseshin menjëherë në folenë e tyre dhe të mos e lëndonin zogun nënë. (shih. Ebu Daud, Xhihad, 112.)

Ndërsa Ibn-i Abbasi (r.a.), tregon:

“Një person, kishte shtrirë një kafshë për ta therur dhe po e mprihte thikën në sy të saj. Kur e pa, Rasulullahu (a.s.), i thotë: «A mos dëshiron ta vdesësh disa herë!? Ta kishe mprehur thikën para se ta shtrije!» (shih. IV, 257.)

Për shkak se Pejgamberi ynë (a.s.), i shihte krijesat me syrin e mëshirës së Krijuesit, e kishte ndaluar edhe prerjen e një dege peme të njomë. Po ashtu, ai na ka njoftuar se një grua besimtare shkoi në xhehenem për shkak se e kishte lënë të ngordhë prej urisë macen e saj; ndërsa një grua gjynahqare fitoi mëshirën e Allahut, për shkak se i kishte dhënë ujë një qeni që po ngordhte nga etja. Kjo, sepse ai i shihte të gjitha krijesat si një amanet që i ka lënë Allahu i Madhëruar dhe dëshironte që besimtarët të jenë përfaqësuesit e sigurisë dhe paqes në tokë.

Nga kjo pikëpamje, çdo besimtar me vetëdijen se është umeti i një pejgamberi që gëzon virtytet “el-emin” dhe “es-sadik”, duhet të jetë besnik në fjalë e në vepër dhe njerëzit, madje të gjitha krijesat, duhet të jenë të sigurt prej dorës dhe gjuhës së tij. Ai duhet të shfaqë përreth vetes një karakter të fortë islam, sepse njerëzit i admirojnë personat me karakter të fortë, të matur e shembullor dhe i ndjekin gjurmët e tyre.

Pejgamberi ynë (a.s.), i cili dëshironte që ndjenja e amanetit të bëhej identiteti i personalitetit të besimtarëve, në një hadith fisnik, thotë:

“Ktheja amanetin atij që ta ka besuar. Mos e tradhto (as) atë që të ka tradhtuar!” (Ebu Daud, Buju, 79/3534.)

Gjithashtu, Pejgamberi ynë (a.s.), tradhtinë ndaj amanetit e ka konsideruar si shkak shkatërrimi, i cili e kthen jetën e kësaj bote në një skenë kiameti. Një ditë, kur ishte duke biseduar me shokët e tij, dikush e pyeti:

“Kur do të bëhet Kiameti?”

“Kur të humbasë amaneti, prite Kiametin!”, u përgjigj ai.

“Si do të humbë amaneti?”, pyeti ai përsëri.

“Kur punët t’u besohen njerëzve të paaftë, prite Kiametin!” (Buhari, Ilm, 2.)

Të gjitha mirësitë që i janë falur birit të njeriut, janë nga një amanet më vete. Pejgamberi ynë (a.s.), në Hutben e Lamtumirës, ka thënë:

“…Po ju lë një amanet të tillë, që po të kapeni fort pas tij, nuk keni për ta humbur rrugën. Ky amanet është Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgamberit të Tij…” (Hakim, I, 171/318.)

Nisur nga kjo, Kurani Fisnik dhe Suneti i Pejgamberit tonë (a.s.), janë amanetet më të mëdha që na ka lënë Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Po ashtu, Pejgamberi ynë (a.s.), ka thënë se besimtarët kanë përgjegjësi ndaj njeri-tjetrit; ata duhet të jenë të lidhur me njëri-tjetrin si tullat e një muri; ashtu si organet e trupit, edhe ata duhet të ndjejnë të njëjtën dhimbje që ndjen njëri prej tyre; dhe se të flesh i ngopur ndërkohë që fqinji është i uritur, nuk përputhet aspak me moralin islam. Shkurtimisht, ai ka theksuar se besimtarët janë amanet i njëri-tjetrit.

Fakti që të parët tanë të nderuar osman, shfrytëzuan të gjitha mundësitë e asaj kohe për t’u shkuar në ndihmë besimtarëve në anën tjetër të botës, në Açe, nuk mund të shpjegohet ndryshe përveçse me ndjenjën e amanetit, e cila është pjesë e moralit islam. Po ashtu, edhe themelimi nga ana e tyre, i 26 mijë e më tepër vakëfeve për t’u shërbyer sa më shumë njerëzve, kafshëve, madje edhe bimëve, ishte si rezultat i konsiderimit të të gjitha krijesave si amanete hyjnore.

Të gjithë vëllezërit tanë në vendet myslimane, si Ballkan, Lindje të Mesme, Kaukaz dhe kudo që ka myslimanë, janë amanete të Zotit dhe të të parëve tanë Osman, si Sulltan Muradi, i cili ra dëshmor në Kosovë, si Sulltan Mehmet Fatihu, i cili çliroi Bosnjën, etj… Në luftën e Çanakalesë (Dardaneleve), gjyshërit tanë të këtyre vendeve erdhën dhe luftuan sup më sup me gjyshërit tanë në Çanakale dhe dhanë jetën për të njëjtin qëllim.

Nga ana tjetër, edhe atdheu ynë me shumë bukuri e mirësi, është një amanet shumë i rëndësishëm për ne. Jetësimi i fesë, ruajtja e nderit, dinjitetit e pronës dhe valëvitja e dëlirë e flamurit kombëtar është e mundur vetëm me mbrojtjen e atdheut. Midis shumë urtësive të emigrimit të Pejgamberit tonë (a.s.), në Medine, është edhe sigurimi i një atdheu për të jetuar fenë të lirë.

Osmanët, të cilët njëherë e një kohë ishin vetëm një fis që përbëhej vetëm nga katërqind çadra, në sajë të respektit legjendar që treguan ndaj Kuranit Fisnik, u bën një shtet që u përhap në tre kontinente. Përveç kësaj, në kohën e Sulltan Javuz Selimit, “emanetet e shenjta[1]” u sollën në Stamboll, në Pallatin Topkapë, ku u vendosën nëpër dhoma të veçanta ku vazhdimisht lexohet Kurani Fisnik. Kjo traditë, është filluar prej vetë Sulltan Javuz Selimit, i cili qe i pari që lexoi Kuran në atë vend, ku do të vazhdojë të lexohet për shekuj të tërë. Të gjitha këto, tregojnë respektin e jashtëzakonshëm që kanë treguar të parët tanë. Ky është edhe një nga shkaqet që Osmanët arritën të gëzonin një mirësi të madhe hyjnore, duke sunduar me lavdi e madhështi për gjashtëqind e kusur vite.

Nuk duhet harruar se e fshehta që qëndron në themel të madhështisë në fushën materiale dhe të dukshme të kombeve, është respektimi i urtësive të botës shpirtërore. Madhështia gjashtëqindvjeçare e Osmanëve, të cilën nuk e ka gëzuar asnjë shtet tjetër islam, ka buruar nga rëndësia e jashtëzakonshme që i kanë dhënë ata botës shpirtërore.

Nisur nga kjo, detyra jonë, është të edukojmë dhe rritim një brez me besim, të lidhur me vlerat shpirtërore dhe atdhetare, sepse mbrojtja e besimit, nderit, dinjitetit, jetës dhe pronës është e mundur vetëm me mbrojtjen e atdheut. Ashtu siç na i kanë lënë trashëgim këto toka të parët tanë që kanë jetuar në to dhe i kanë mbrojtur me jetët dhe gjakun e tyre, ashtu edhe ne jemi të detyruar që këto toka t’ua përçojmë brezave të mëvonshëm, të lira, me thirrjen e Kuranit, ezanëve dhe flamurin që valëvitet i dëlirë. Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote)!” (Tekathur, 8)

Mirësia më e madhe është feja jonë; është jetësimi i besimit tonë në një atdhe të lirë. Nëse nuk bëhet kujdes në vetëdijen e këtij amaneti, shembulli i gjendjes sonë do të jetë si gjendja e mjeruar dhe e hidhur e Palestinës dhe Mesxhdi Aksas, të cilat sot ndodhen në dhunën dhe pushtimin e armiqve. Sa bukur ia përkujtojnë këtë të vërtetë brezave dhe shekujve, këto vargje të të ndjerit M. Akif Ersoj:

Atdheu pa zot, kapitullimin meriton,

Por nëse ti i del zot, ky atdhe s’kapitullon!..

Nga ana tjetër, popujt mund ta ruajnë vitalitetin e tyre në skenën e historisë në sajë të “kulturës” që u përshtatet strukturës së tyre. Në bazë të kësaj, edhe kultura është një amanet i rëndësishëm. Dhe, trekëmbëshi mbi të cilën qëndron ky amanet, është feja, gjuha dhe historia.

Feja është rregullatore e jetës midis djepit dhe varrit, pra përmbledhja e ligjeve hyjnore që e përgatit robin për lumturinë e botës tjetër. Gjuha është mjeti i shprehjes së të vërtetave që nxjerr në pah feja. Ndërsa historia është një pishtar që ndriçon rrugët e të ardhmes së popujve, duke analizuar shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve brenda kuadrit të fesë dhe gjuhës. Për rrjedhojë, këto tri elemente nuk mund të mendohen kurrë të ndara nga njëra-tjetra.

T’i dalësh zot amanetit të trashëgimisë së fesë, gjuhës dhe historisë që na kanë lënë të parët tanë, pra amanetit kulturor, nuk do të thotë të merremi vetëm me restaurimin e veprave materiale që janë kthyer në gërmadha. E rëndësishme është rigjallërimi i shpirtit, entuziazmit dhe civilizimit të tyre, duke i përçuar këto edhe në brezat pasardhës.

Historia është dëshmitare se popujt dhe individët e organizojnë jetën e tyre në bazë të eksperiencave që kanë kaluar. Historia është kujtesa e popujve. Për këtë shkak, popujt gjithmonë kanë nevojë për të marrë mësim dhe udhëzim prej ndodhive historike. Nëse një popull e njeh historinë e tij të vërtetë dhe udhëzuesit e saj materialë e shpirtërorë dhe i respekton ashtu siç duhet, do të thotë se ai është një popull i përparuar dhe i madh. Nëse brezat e rinj e dinë historinë e tyre më mirë se të huajt dhe marrin mësimet e duhura prej të shkuarës, nuk kemi pse të shqetësohemi për të ardhmen. Kurse ata që nuk mbështeten në të shkuarën e tyre, kurrë nuk mund të jenë të sigurt për të ardhmen e tyre. Prandaj, rrënjët tona duhet të shtrihen në të shkuarën, ndërsa degët në të ardhmen.

Gjithashtu, të pandehësh se shkenca e historisë është vetëm një mullar me ngjarje të pakuptimta, është një gabim shumë i madh. Shkenca e vërtetë e historisë është një shkencë plot me urtësi, e cila tregon bazat reale të së vërtetës dhe të së kotës, të së drejtës e të gabuarës në të shkuarën plot me ngjarje të popujve të botës. Për ta rregulluar në mënyrë të përsosur të ardhmen e popujve, është kusht që këto baza të njihen mirë dhe të nxirren mësimet e duhura prej tyre. Sa bukur shprehet i ndjeri M. Akif Ersoj:

“Përsëritje historike, thanë; Por a do të përsëritej nëse mësim do të ishte marrë!..”

E shkuara jonë na porosit se luani nuk mund të futet në kafaz. Ashtu siç nuk e nxë kafazi luanin, ashtu edhe populli nuk robërohet nëse i ruan cilësitë e veta. Të parët tanë ishin një shoqëri e ngritur mbi themelet e besimit. Ata i mbrojtën me jetë vlerat e tyre materiale e shpirtërore dhe kurrë nuk u poshtëruan.

Kur ne të bashkohemi me vlerat shpirtërore të të parëve tanë, atëherë do të mund t’i bartim me dinjitet amanetet e shenjta që ata na kanë lënë. Përndryshe, të rrimë e të shohim të heshtur shkatërrimin materialo-shpirtëror të vlerave tona, është një indiferencë e tmerrshme e cila do të përfundojë me humbjen e amanetit. Për mbrojtjen e amaneteve për të cilat janë sakrifikuar shumë jetë, duhet të përpiqemi sot me sa të kemi mundësi, me qëllim që nesër të mos jemi të detyruar të paguajmë përsëri çmime të shtrenjta. Është e vërtetë historike se amanetet që nuk janë ruajtur, kanë humbur dhe nuk janë rikthyer më derisa janë merituar përsëri.

Zoti ynë na ndihmoftë ne dhe brezat e mëvonshëm në ruajtjen e amaneteve tona të shenjta! Po ashtu, na ruajtë edhe nga rënia në batakun e pavetëdijes në lidhje me këtë çështje dhe na bëftë të gjithëve prej atyre që e kryejnë siç duhet detyrën e tyre në ruajtjen e amaneteve që kanë mbi supe, duke shkuar tek Zoti ynë me zemër të pastër!

Amin!

[1] Emanetet e Shenjta: Sende të Pejgamberit tonë (a.s.), të disa shokëve të tij, familjes dhe të disa pejgamberëve të shkuar.

Share.

Leave A Reply