Hazreti Aishja, radijallahu anha, transmeton se i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë:
“Kushdo që të merret në llogari, do të ndëshkohet.”
I thashë:
“A nuk thotë Allahu Teala: “Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë?..” (Inshikak, 8) I Dërguari i Allahut (s.a.s.), më tha:
“Kjo që thua ti është arz, përndryshe, kushdo që do të merret në llogari deri në detaje, do të shkatërrohet.”
Në ajetin fisnik thuhet: “… Ja, ai do të merret në një llogari të lehtë.” Vallahu e’alem.
Me fjalën arz synohet vendosja e veprave në peshore, ose shfaqja e tyre ndaj të zotëve që i kanë bërë. Llogaritja në ditën e shfaqjes së veprave, do të kalojë shumë lehtë për as’habu’l-jemin, domethënë, për fatlumët. Kjo është e vërtetuar me Kuran dhe Sunet. Kur as’habu’l-jemin do të merren në llogari, do të falen dhe do të arrijnë mirësi të mëdha. Ndërsa llogaria për të cilën nuk do të ketë falje, do të jetë shumë e rëndë. (Përkthimi i Tedrixhu’s-Sahih 1/84.)
Ebu Hurejra, radijallahu anh, transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve selem, duke thënë:
“Këta janë njerëzit që fillimisht do të gjykohet kundër tyre Ditën e Kiametit:
- Ai që ka rënë dëshmor. Ai do të sillet në audiencën e Allahut. Allahu do t’i tregojë për mirësitë që i pati dhënë. Edhe ai do t’i pohojë ato. Allahu i Lartësuar do t’i thotë: “Atëherë, çfarë ke bërë në shkëmbim të këtyre?” Ai do të përgjigjet: “Kam rënë dëshmor në rrugën Tënde.” Allahu do t’i thotë: “Gënjeve. Ti ke luftuar që të thuhet se je “trim dhe hero”. Me të vërtetë, u tha edhe ashtu. Pastaj jepet urdhri për atë njeri dhe tërhiqet zvarrë me fytyrë për tokë derisa të hidhet në zjarr.
- Ai që mëson dije, që ua mëson edhe të tjerëve dhe që lexon Kuran. Ai do të sillet në audiencën e Allahut Teala. Allahu do t’i tregojë për mirësitë që i pati dhënë. Edhe ai do t’i pohojë ato. Allahu i Lartësuar do t’i thotë: “Atëherë, çfarë ke bërë në shkëmbim të këtyre?” Ai do të përgjigjet: “Kam mësuar dije. Atë ua kam mësuar edhe të tjerëve. Kam lexuar edhe Kuran për Ty. Allahu do t’i thotë: “Gënjeve. Ti mësove dije që të thuhej se je “dijetar”. Lexove Kuran, në mënyrë që të thonë se je “lexues”. Me të vërtetë, u tha edhe ashtu. Pastaj jepet urdhri për atë njeri dhe tërhiqet zvarrë me fytyrë për tokë derisa të hidhet në zjarr.
- Ai që Allahu i Lartësuar i ka dhënë shumë pasuri. Ai do të sillet në audiencën e Allahut Teala. Allahu do t’i tregojë për mirësitë që i pati dhënë. Edhe ai do t’i pohojë ato. Allahu i Lartësuar do t’i thotë: “Atëherë, çfarë ke bërë në shkëmbim të këtyre?” Ai do të përgjigjet: “Kam dhënë prej pasurisë sime në çdo rrugë për të cilën na ke urdhëruar. Pasurinë time e kam harxhuar vetëm në rrugën Tënde. Allahu Teala do t’i thotë: “Gënjeve. Ti e ke bërë këtë që të thonë se je “bujar”. Me të vërtetë, u tha edhe ashtu. Pastaj jepet urdhri për atë njeri dhe tërhiqet zvarrë me fytyrë për tokë derisa të hidhet në zjarr.
Sami Ramazanogllu