Dr. Kerim Bulladë
Konceptet, si “pëlqimi i Allahut”, “kënaqësia e Zotit”, “për hir të Allahut”, “në emër të Allahut”, kanë një përdorim të shpeshtë në mesin e myslimanëve. Besimtarët e sinqertë dhe të devotshëm, gjithçka çfarë bëjnë, vepra apo ibadete, i bëjnë me qendër këtë koncept. Padyshim që ky besim dhe kjo vetëdije arrihet përmes shpjegimit të Kuranit dhe haditheve. Kurani kërkon nga besimtarët që pëlqimin e Allahut ta vendosin në bosht të të gjitha veprave, ibadeteve dhe nënshtrimeve.
Në Kuran, folja “radije” dhe fjalët që rrjedhin prej saj, përmenden shtatëdhjetë e tri herë. (1) Ndërkohë që në një pjesë të këtyre ajeteve, disa nga këto folje dhe derivate të tyre bëjnë fjalë për pëlqimin e Allahut, (2) pjesa tjetër bën fjalë për pëlqimin e njerëzve. (3)
Fjalët “er-rida”, “er-ridvan”, që përmenden në ajete, janë në kuptimin e të qenit i kënaqur. “Er-Radi” është në kuptimin e njeriut të kënaqur, kurse “el-mardijj” është në kuptimin e atij që është bërë i kënaqur. (4)
Allahu i Madhëruar ka treguar se nga cilat gjëra dhe nga cilët njerëz është i kënaqur. Allahu i Madhëruar ka bërë të ditur se është i kënaqur nga njerëzit që janë besnikë në besimin e tyre dhe në detyrën e tyre si krijesa të Zotit, nga ata që i qëndrojnë fjalës së dhënë, nga ata që realizojnë atë që kanë premtuar. (5) Ka bërë të ditur se është i kënaqur prej atyre që për hir të Islamit lanë gjithçka kishin në Mekë dhe bënë hixhret dhe prej atyre që pa asnjëfarë ngurrimi, ndihmuan dhe përkrahën këta emigrantë në vatrat e tyre. (6) Ai është i kënaqur edhe prej atyre që i besuan Atij dhe që bënë vepra të mira, si dhe ka thënë se këta janë krijesat më të mira në mesin e të gjitha krijesave. (7) Allahu i Madhëruar gjithashtu ka bërë të ditur në Kuran se pëlqen Islamin si fe dhe që ka pëlqyer atë si fe të njerëzimit (8), ka shpallur që është i kënaqur nga ata njerëz që nuk krijojnë miqësi e as që i duan ata të cilët janë armiq të Allahut dhe të Dërguarit e Tij. (9) Ka theksuar se i pëlqen ata njerëz që urdhërojnë për mirë (el-emru bil-ma’ruf) dhe që qortojnë për vepra të këqija (en-nehju anil-munker), ata që falin namazin siç duhet, ata që japin zeqat dhe nga ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. (11) Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar dhe ka bërë të ditur po ashtu që, do të jetë i kënaqur edhe prej atyre që bëjnë xhami për hir të Tij (12), prej atyre që i binden pëlqimit të Tij (13), prej atyre që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre vetëm për atë kauzë dhe të heqin dorë nga pasuria e tyre (14), prej atyre që bëjnë tavaf Mesxhidi Haramin me qëllim për të fituar pëlqimin e Tij (15), prej atyre që harxhojnë pasurinë e tyre në rrugë të Zotit (16), prej atyre që flijojnë edhe jetën e tyre për hir të Allahut (17), prej atyre që urdhërojnë mirësinë dhe sadakanë, prej atyre që bëjnë pajtime mes njerëzve (18), prej atyre që kërkojnë pëlqimin e Tij duke bërë sexhde dhe ruku (19).
Allahu i Madhëruar ka theksuar se nga fasikët (20) nuk do të jetë i kënaqur (21) dhe nuk mund të ketë pëlqimin e Tij ndaj femohimit (22). Në krahun tjetër, në Kuran bëhet e ditur se Allahu nuk i do dhe do të ndëshkohen me ndëshkime të rënda ata që janë të kënaqur vetëm me jetën e kësaj bote, të cilët nuk marrin në konsideratë aspak botën tjetër, duke mos e besuar takimin me Allahun; ata që dezertojnë nga xhihadi, pa pasur ndonjë arsye justifikuese (23), ata që sillen me dy fytyra për t’i pëlqyer besimtarët, me qëllim interesat e tyre (24), ata që bëjnë vepra që shkaktojnë zemërimin e Allahut, në vend të pëlqimit të Tij (25).
Ashtu siç po vihet re, në Kuran është bërë qartësisht e ditur cilët njerëz dhe cilat vepra Ai pëlqen, po ashtu është mjaft e qartë edhe se nga kush dhe nga cilat vepra nuk është i kënaqur.
Kësisoj, besimtari duhet të jetë i kënaqur nga njerëzit, prej të cilëve Allahu është i kënaqur, ai duhet të bëjë ato vepra me të cilat Ai është i kënaqur, si dhe duhet t’u shmanget atyre njerëzve dhe veprave, të cilat Allahu nuk i pëlqen. Besimtari nuk e ka të drejtën të pëlqejë asnjë njeri apo vepër, të cilën Allahu nuk e pëlqen.
Çështja e pëlqimit të Allahut duhet parë bashkë me dashurinë e Allahut. Kështu, kjo gjë do të bëjë që kjo çështje të kuptohet më mirë. Allahu i Madhëruar në Kuran ka bërë të ditur se i do ata që bëjnë mirë, ata që bëjnë vepra të bukura dhe të dobishme (muhsinët) (26), të penduarit, ata që janë pastruar nga papastërtia fizike dhe shpirtërore (27), të devotshmit (28), ata që iu dorëzuan Zotit (29), durimtarët (30), ata që sillen me drejtësi (31). Kurse ata që e teprojnë (32), ngatërrestarët (33), ata që këmbëngulin në femohim dhe në gjynahe (34), blasfemuesit, mizorët (35), ata që mburren dhe që shprehin mendjemadhësi (36), gjynahqarët, që e kanë bërë profesion mashtrimin (37), ngatërrestarët (38), ata që e teprojnë (39), tradhëtarët (40), mendjelehtët (41), tradhëtarët mohues (42), të llastuarit (43).
Myslimani e pozicionon dashurinë dhe padashurinë, pëlqimin dhe mospëlqimin në raport me të tjerët sipas këtyre parimeve që i parashtron Kurani. Sipas asaj që Allahu është i kënaqur dhe asaj që Ai nuk është i kënaqur, është e bazuar edhe dashuria dhe pëlqimi i myslimanit. Besimtari, i cili nuk duhet të bëjë dallime fetare, gjuhësore, racore dhe kombëtare dhe që duhet të sillet i drejtë, nuk duhet t’i dojë të gjithë, të jetë i kënaqur nga të gjithë apo të pëlqejë çdo sjellje a vepër, përkundrazi, ai duhet të krijojë marrëdhënie me njerëzit duke pasur parasysh këtë kornizë të parimeve. Kështu bazohet dashuria dhe urretja ndaj Allahut.
Shënime: 1) Shih. M. Fuad Abdulbâki, Mücemu’l-Müfehres, li Elfâzi’l-Kur’âni’l-Kerîm, Çağrı Yayınları, İstanbul, pa datë botimi, f. 321-322. 2) Shih. Bakara, 2/207, 265; Âl-i Imrân, 3/15, 162, 174; Nisâ, 4/114; Mâide, 5/, 5, 16, 119; Tevbe, 9/96, 100; Tâ Hâ, 20/, 84, 109; Haxh, 22/59; Neml, 27/19; Zumer, 39/7; Fetih, 48/18; Nexhm, 53/ 26; Muxhâdele, 58, 22; Mumtehine, 60/1; Bejjine, 98/8 etj. 3) Bakara, 2/120, 144, 282; Nisâ, 4/24, 29; Tevbe, 9/38, 59, 62, 83, 87; En’âm, 6/113; Jûnus, 10/7 etj. 4) Asim Efendi, Kamus Tercümesi, Asitane Yayınevi, İstanbul, pa datë botimi, tıbkı basım, III, 824-825. 5) Bkz. Mâide, 5/119. 6) Tevbe, 9/100. 7) Bejjine, 98/7. 8) Mâide, 5/3. 9) Muxhâdele, 58/22. 10) Âl-i Imrân, 3/15, 174; Tevbe, 9/21. 11) Tevbe, 9/71-72. 12) Tevbe, 9/109. 13) Âl-i Imrân, 3/174. 14) Hashr, 59/8. 15) Mâide, 5/2. 16) Bakara, 2/265. 17) Bakara, 2/207. 18) Nisâ, 4/114. 19) Fetih, 48/29. 20) Fâsik: është ai që nuk njeh urdhërat e Allahut, njeri i paudhëzuar, që bën gjynahe, ngatërrestar dhe i lig. 21) Tevbe, 9/96. 22) Zumer, 39/7. 23) Tevbe, 9/38, 83, 87, 93; Jûnus, 10/7. 24) Tevbe, 9/8, 62. 25) Muhammed, 47/28. 26) Bakara, 2/195,; Âl-i Imrân, 3/134, 148; Mâide, 5/13. 27) Bakara, 2/222; Tevbe, 9/108. 28) Âl-i Imrân, 3/76; Tevbe, 9/4, 7. 29) Âl-i Imrân, 3/159. 30) Âl-i Imrân, 3/146. 31) Mâide, 5/45; Huxhurât, 48/9; Mumtehina, 60/8. 32) Bakara, 2/190; A’raf, 7/55. 33) Bakara, 2/205. 34) Bakara, 2/276. 35) Âl-i Imrân, 3/32, 57, 140; Rûm, 30/45. 36) Nisâ, 4/36; Lokman, 31/18. 37) Nisâ, 4/107. 38) Mâide, 5/64; Kasas, 28/77. 39) A’raf, 7/31. 40) Enfâl, 8/58. 41) Nahl, 16/23. 42) Haxhxh, 22/38. 43) Kasas, 28/76.