Prof. Dr. Ismail Lutfi Çakan

Në Mishkatu’l-Mesabih, në kreun “besimi”, zë vend një transmetim tërheqës, që ndoshta sot më shumë se kurrë duhet ta shtjellojmë me hollësi. Hadithi fisnik transmetohet nga Talha b. Ubejdillah, radijallahu anhu, i cili ishte prej dhjetë sahabëve të përgëzuar me xhenet që kur ishte gjallë. Ai thotë:

“Një njeri me flokë të prishur (me pamje prej varfanjaku) nga Nexhidi, erdhi te i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem. Nga larg, zëri i tij nuk dëgjohej qartë, prandaj nuk e kuptonim se çfarë thoshte. Kur u afrua shumë, e kuptuam se po pyeste se cilat janë obligimet (farzet) e Islamit që një mysliman duhet të zbatojë.

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, iu përgjigj:

“Të falësh pesë kohët e namazit në një ditë dhe një natë.” Burri i tha:

“A ka ndonjë gjë tjetër përveç namazit?” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha:

“Jo, përveç nëse fal vetë namaz tatavvuan (nafile) (dispozita e tij është tjetër).” Pastaj (s.a.s.), i tha:

“Është edhe agjërimi i ramazanit.” Burri tha:

“A ka ndonjë gjë tjetër përveç agjërimit për të cilin jam i obliguar?” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha:

“Jo, përveç nëse mban vetë agjërim tatavvua (nafile).”

Talha b. Ubejdillah, radijallahu anh, thotë: “I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, i tha edhe për zekatin. Ai pyeti përsëri:

“A ka ndonjë gjë tjetër përveç zekatit?”

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, përsëri i tha:

“Jo, përveç nëse jep vetë tatavvuan (nafile).”

Kur sahabi nga Nexhidi u ngrit për të ikur, tha:

“Për Zotin! Nuk do bëj ndonjë gjë më tepër apo më pak se këto!”

Kur i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, i dëgjoi këto, tha:

“Nëse thotë të vërtetën (nëse e bën atë që thotë), do të jetë prej të shpëtuarve!”1

Një – dy pika

Në këtë ngjarje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), nuk flet për shehadetin, që është kushti i parë i Islamit. Sepse sahabi nga Nexhidi ishte mysliman dhe po pyeste për detyrat që Islami ia obligon një myslimani. Kjo bëhet e qartë në shprehjen: “Më njofto për ato gjëra që Allahu m’i ka bërë farz!” – që përmendet në dy transmetime të Buharit.2

Në hadith nuk bëhet fjalë edhe për haxhin. Ka shumë mundësi që haxhi të mos ishte bërë farz në atë kohë.

Po ashtu, nuk flitet edhe për namazin e vitrit. Kjo buron nga fakti se vitri nuk ka qenë urdhëruar deri atë kohë ose ka qenë i pranuar brenda namazit të jacisë.

Kuptimi i ngjarjes

Shprehja më e rëndësishme sa i përket kuptimit të hadithit është fjala e sahabit nga Nexhidi, i cili tha se “nuk do të bëj asgjë nafile, por nuk do të lë asnjë gjë mangut prej atyre që Allahu ka bërë farz”. Kjo fjalë, në literaturë ka kaluar në formën: “Për Zotin, Nuk do të bëj ndonjë gjë më tepër apo më pak se këto!”

Kjo shprehje mbart dy kuptime të ndryshme sipas gjendjes së sahabit prej Nexhidi, identiteti i të cilit nuk është bërë i qartë, por që flitet se mund të ketë qenë Dimam b. Thalebe. Pra, bëhet fjalë se ka qenë apo jo i dërguar i fisit të tij. Nëse këto i ka pyetur për shkak të detyrës si i dërguar i fisit dhe këtë fjalë e ka thënë pas përgjigjeve që ka marrë, atëherë kjo fjalë e tij është një pohim që thekson rëndësinë e detyrës së predikimit dhe do të thotë:

“Kur t’ia predikoj Islamin fisit tim, nuk do t’u shtoj asgjë këtyre, por edhe nuk do të lë gjë mangët. Edhe vetë kam për t’i zbatuar.” Nëse është kështu, atëherë vështirësohet kuptimi dhe komentimi i përgëzimit të Hz. Pejgamberit (s.a.s.), i cili i tha:

“Nëse bën atë që tha, do të shpëtojë.” Por, nëse këto pyetje i ka bërë pa pasur ndonjë detyrë si përfaqësues dhe është shprehur në këtë mënyrë, atëherë do të thotë se sahabi nga Nexhidi zotohet se do të jetë shumë i kujdesshëm dhe i përpiktë ndaj farzeve dhe se do të mjaftohet vetëm me to. Në disa transmetime thotë:

“Nuk do të bëj asgjë nafile (la etetavvau shej’en).” Madje këtë fjalë e përforcon edhe duke u betuar. Nëse është kështu, atëherë vlerësimi i Pejgamberit (s.a.s.), fiton një cilësi dhe kuptim shumë tërheqës.

Për shpëtimin

Nga ana tjetër, kjo fjalë e sahabit nga Nexhidi si pohim në formën, “mjaftim me më të paktën”, disa myslimanë të sotëm ndoshta e nënvlerësojnë duke u nisur thjeshte nga aspekti sasiorë. Por sidoqoftë, ne nuk duhet të harrojmë se, nëse farzet kryhen siç duhet, të shpien te shpëtimi nga aspekti i cilësisë dhe përmbajtjes. Kjo kuptohet nga shprehjet e vlerësimit dhe përgëzimit që Hz. Pejgamberi (s.a.s.), ia drejtoi sahabit nga Nexhidi.

Në këtë mënyrë, kuptohet se ndaj cilave gjëra myslimanët duhet të bëjnë kujdes. Atëherë le të dëgjojnë me shumë vëmendje ata myslimanë, që harxhojnë të gjithë mundin dhe përpjekjen e tyre duke vrapuar pas nafileve, aq sa në pavetëdije neglizhojnë farzet.

Ngjarja e sahabit prej Nexhidi, që bëri objekt diskutimi mjaftimin me Islamin në shkallën e farzeve, absolutisht nuk vërteton nënvlerësimin e suneteve nafile, traditën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe nuk mbart kuptimin se ata që përpiqen të kryejnë nafile janë duke bërë një përpjekje boshe.

Kjo ngjarje tregon vetëm faktin se një mysliman që dëshiron të mjaftohet vetëm me farzet, nëse i kryen ato me sukses, do ta arrijë shpëtimin që premton Islami. Kjo pikë duhet të perceptohet shumë mirë.

Qoftë kjo ngjarje e sahabit nga Nexhidi, apo qoftë fjala e beduinit në transmetimin nr. 14 në Mishkat5, i cili thotë:

“Për Zotin, Nuk do bëj ndonjë gjë më tepër apo më pak se këto!”, – duhet të kuptohet në këtë formë: “Dispozitave të Islamit nuk do t’u shtoj dhe nuk do t’u lë mangët ndonjë gjë.”

Ky kuptim i jep fund çdo lloj debati dhe mundësie për të debatuar. Sepse kjo fjalë, me kuptimin që mbart, është një pohim i nënshtrimit të plotë ndaj Islamit. Në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka vendosur para nesh rregullin, “Zbatimi i Islamit mjafton për të hyrë në xhenet”, duke thënë:

“Nëse e mban fjalën, do të shpëtojë.”, apo “Kush dëshiron të kënaqet duke parë një banor të xhenetit, le të shikojë këtë njeri!”6

Përparësia në predikim dhe orientim

Nisur nga ato që thamë më lart, do të ishte shumë me vend që njerëzve të sotëm, të cilët përpëliten në rrëmujën e vlerave dhe sjelljeve, t’u sugjeronim dhe t’u këshillonim si një mundësi të madhe dhe një fillim të mirë nga aspekti i lumturisë në dynja e ahiret, përgëzimin se do të hyjë në xhenet kushdo që e zbaton parimin “përpikmëri ndaj farzeve”, që përfshin edhe largimin nga haramet.

Një sugjerim i tillë ka shumë mundësi të ndikojë pozitivisht në inkurajimin për zbatimin e fesë. Sepse, një njeri që i kryen me sukses farzet, është shumë normale që të ndjejë interes ndaj nafileve dhe t’u drejtohet atyre.

Përfundim

Hadithi fisnik na sugjeron të mos i nënçmojmë dhe të mos i qortojmë fetarisht myslimanët që i kryejnë farzet me përpikmëri dhe përpiqen të jetojnë siç kërkohet prej Islamit.

Nuk duhet duhet të harrojmë se një zbatim i tillë i fesë, pra mjaftimi me kryerjen e farzeve, është i mjaftueshëm për të shpëtuar.

Korniza e kuptimit të hadithit: “Ka shpëtuar ai që është bërë mysliman.”7 – fillon me përpikmërinë që duhet të shfaqet ndaj farzeve në aspektin e veprave.

Hadithi fisnik është një garanci e madhe edhe sot për njerëzit që nuk mund t’i kryejnë shumë nafilet, si sahabi nga Nexhidi, nëse farzet i kryejnë me sukses.

Shënime: 1) Buhari, Iman 34, Savm 1, Shehadat 26; Hijel 3; Muslim, Iman 8-9; Nesai, Salat 4, Sijam 1, Iman 23; Darimi, Salat 208; Ebu Davud, Salat 1; Muvatta, Sefer 44; Ahmed b. Hanbel, Musned, I, 162. 2) Shik. Buhari, Savm 1, Hijel 3. 3) Buhari, Savm 1, Hijel 3. 4) Buhari, Savm 1; Hijel 3; Nesai, Sijam 1; Darimi, Salat 208. 5) Shik. Buhari, Zekat 1; Muslim, Iman 14, 15; Ahmed b. Hanbel, Musned, II, 342-343; III, 472-473; V, 372. 6) Buhari, Zekat 1; Muslim, Iman 15. 7) Shik. Muslim, Zekat 125; Ahmed b. Hanbel, Musned, II, 168, 173. Për komentimin e hadithit shik. Çakan, Të vërtetat me hadithet, fq. 41-45.

 

 

 

 

Share.

Leave A Reply