Pas përsosmërive përjashtimore që Hz. Muhammedi, shkaku i ekzistencës së botërave, shpalosi me anë të një rinie të kulluar dhe të një jete familjare të lartë, në moshën dyzetvjeçare arriti në gradën e profetësisë. Gjashtë muaj para se të mbushte dyzet vjetët, fuqia hyjnore e hapi shpellën Hira të Mekës si një shkollë të shenjtë për të.

Në këtë mësonjëtore frymëzimi dhe praktikimi ku arsimi hyjnor u zhvillua pa libër, fletore e laps, Profeti mori mësime në një mënyrë cilësore fshehtësie të përjetshme mes tij dhe Zotit të vet. Ai u përgatit për revelacionin ose zbulesën hyjnore125.

Etapa e parë gjashtëmujore e kësaj përgatitjeje u realizua në formën e “ëndrrave besnike” siç do të mund ta kuptonim këtë gjë brenda kornizës sonë konceptuale. Pra, ç’të shihte i Dërguari i Allahut (s.a.s) në ëndërr, i vërtetohej identikisht. Hz. Aisheja (r.anha) thotë:

“Vahji për Profetin ka filluar në formën e ëndrrave të vërteta126. Çdo ëndërr që shihte realizohej me qartësinë më të plotë si ndriçimi i mëngjesit!” (Buhari, Bed’u’l-Vahj, 3)

Ngaqë profetësia ishte një detyrë shumë e madhe dhe e rëndë, Xhebraili (a.s.) më parë filloi t’i vinte Profetit në ëndërr me qëllim që ai të mësohej e përshtatej me këtë detyrë të rëndësishme dhe të përgatitej për të.

Siç rrëfen Alkame bin Kajs, lajmet, urdhrat dhe ndalimet që u janë dërguar profetëve, në fillim u janë komunikuar në ëndërr gjersa zemra e tyre të qetësohej, pastaj u janë zbritur në formë vahji (revelacioni, zbulese).127

Prandaj, njëra nga rrugët e marrjes së mesazhit hyjnor nga profetët është edhe ëndrra. Argument për këtë është ajeti kur’anor që thotë:

 “… O bir, pashë në ëndërr se të thera! Pa mendo, ç’i thua kësaj?..” (es-Saffat, 102)

Profetëve u flenë sytë e jo zemrat.128 Prandaj nuk ka asnjë pengesë që ata ta marrin mesazhin hyjnor në ëndërr.

Më vonë, Profeti (s.a.s.) është shprehur kështu për ëndrrat besnike: “… janë një e dyzetegjashta e profetësisë.” (Buhari, Tabir, 26; Muslim, Ruja, 6)

Me të vërtetë, kjo periudhë gjashtëmujore përbën, për sa i përket gjatësisë kohore, një të dyzetegjashtën e profetësisë së Hz. Muhammedit, e cila ka vazhduar për njëzet e tre vjet me radhë.

Share.

Comments are closed.