Ahmet Tashgetiren

Nga aspekti i “vlerës”, ajo që i nevojitet njeriut të parë në tokë ose e shprehur ndryshe, njeriut të parë që është krijuar, është përgjigjja e pyetjes se cilat do të jenë zgjedhjet e tij në lidhje me vetveten dhe botën që e rrethon.

Kur në mes futet edhe një njeri i dytë, përsëri nga aspekti i “vlerës”, lind pyetja se cili do të jetë kuadri i marrëdhënieve midis dy njerëzve. Kur rritet numri i njerëzve, tashmë nevojitet kërkimi i “vlerës” për një shoqëri të tërë. Islami dhe fetë hyjnore, në të gjitha këto raste, kësaj pyetjeje i përgjigjen me faktin se njeriu i parë ishte edhe profeti i parë. Ndërsa profeti është njeriu, që i ka sjellë njerëzimit lajme, dije dhe mesazhe prej Krijuesit ose e përmbledhur në një shprehje të vetme që i përmban të gjitha këto, një “Hartë rrugore”. Emri i përveçëm i mesazhit që vjen prej Krijuesit, është “vahj/shpallje” dhe gjithësia e vahjit, nënkupton “fenë hyjnore”.

Po të tjerët si e shpjegojnë? P.sh. të marrim shpjegimin e Thomas Hobbes. Sipas tij, njerëzit e fillojnë udhëtimin si ujqër të njëri-tjetrit. Parimi i tyre është ngrënia e njëri-tjetrit, përplasja, goditja dhe eliminimi… Kështu kalojnë vitet. Më vonë, njeriu e kupton se nuk ecet duke ngrënë tjetrin dhe thotë: “Ta ndalim përplasjen. Të formojmë një forcë që është mbi të gjithë ne dhe t’i japim të drejtën të zgjidhë mosmarrëveshjet midis nesh, duke pranuar çdo gjykim të tij. Hobbes mendon se kështu kanë lindur “shteti” dhe “parimet e shtetit”. Mirëpo, Hobbes nuk mjaftohet me kaq. Ai shprehet se në fazat e mëtejshme të “shtetit”, fuqia që i është dhënë atij, shndërrohet në një përbindësh. Ky përbindësh është një krijesë që e ka marrë emrin prej Teuratit/Torës dhe Inxhilit/Ungjillit dhe simbolizon të keqen. Emri i tij është “Leviathan”.

Thomas Hobbes e shpjegon këtë koncept në librin e tij “Leviathan, brendësia, forma dhe fuqia e një shtetit fetar dhe botëror”:

“Mënyra për t’i mbrojtur ata (shtetasit) nga pushtimi i të huajve, për t’i penguar që të dëmtojnë njëri-tjetrin dhe për të siguruar industrinë e tyre dhe frytet e tokës, është t’ia japësh të gjithë fuqinë dhe pushtetin një njeriu ose një këshilli (parlamenti) njerëzish… Njerëzit (që jetojnë në shoqëri), duhet t’i thonë njëri-tjetrit, “Unë heq dorë prej të gjitha të drejtave të mia dhe ia jap ato këtij njeriu ose këtij këshilli njerëzish”. Në këtë mënyrë, e gjithë fuqia dhe pushteti përqendrohet në një njeri të vetëm. Ky quhet shtet, ose latinisht “civitas”. Kjo është lindja e Leviathan-it të madh.”

Kjo mënyrë shpjegimi, -Më parë sheh nevojën e një “vlere” të njerëzve që jetojnë në shoqëri. Pastaj, në kuadër të kësaj vlere, sheh të nevojshëm një autoritet, i cili do të menaxhojë marrëdhëniet njerëzore. Ndërsa në fazën e tretë, parashikon transferimin e përgjegjësisë së përfaqësimit tek ky autoritet dhe respektimin e vendimeve të tij. Mirëpo Hobbes, këtu nuk e anashkalon piketimin e rrezikut të kthimit në një përbindësh të këtij autoriteti, që i është dhënë përgjegjësia e përfaqësimit. Në fakt, ky është edhe problemi që ekziston së bashku me njeriun: Si do të mbahet nën kontroll kjo fuqi? Edhe një njeri i dobët ka një farë fuqie dhe, nëse ai e përdor atë pa kontroll, mund të bëhet i rrezikshëm për njerëzit. Por kur fuqia e njeriut të marrë dimensione të paimagjinueshme, përdorimi i saj sjell në rend të ditës një zhdukje/katastrofë në shkallë universale. Në analizën e Hobbes, shteti i cili del në skenë si një forcë rregullatore, është një institucion që do të menaxhohet nga njerëzit. Hobbes nuk e sheh të pamundur që një institucion njerëzor të kthehet në “Leviathan, në një përbindësh”. Prandaj lind nevoja e një “vlere mbizotëruese” dhe një “përgjegjësie”, e cila do ta kufizojë, si fuqinë e një njeriu të vetëm, ashtu edhe fuqinë e një njeriu të pajisur me vullnetin e shtetit. Pra, çështja është të zgjedhësh: Ose çdo gjë do të përcaktohet/kontrollohet nga fuqia e një njeriu apo e shtetit, ose të gjitha fuqitë do të lidhen pas një pushteti mbizotërues, ndaj të cilit do të mbajnë përgjegjësi… Në fakt, nëse zgjidhet që një person ose shteti të jetë përcaktues/kontrollues fuqie, gjithmonë ka rrezik që në një farë pike ata të kthehen në një “përbindësh lufte”.

Kurani fisnik demaskon “fuqinë brenda njeriut që me këmbëngulje nxit të keqen”. Kjo do të thotë se edhe një njeri i vetëm edhe formacione të tjera, mund të bëhen provokatorë luftërash… Nëse i referohemi kohës sonë, vërejmë se bota është kthyer në shesh lufte të hapur apo të fshehtë, nga përbindësha të vegjël e të mëdhenj. Një gjë është e vërtetë, aq sa rritet fuqia, aq rritet edhe nevoja për ta kontrolluar atë. Kjo, sepse fuqia e pakontrolluar, në çdo moment është e gatshme të largohet nga të qenit një forcë pozitive dhe të kthehet në një forcë “shkatërruese”. Dhe me të vërtetë që njeriu i kohës sonë ka arritur fuqi të jashtëzakonshme, në sajë të zhvillimeve shkencore dhe teknologjike. Nëse parimi, “njeriu është ujk i njeriut” vazhdon të rrjedhë ende në damarët e njeriut, ai tashmë është pajisur me fuqi të jashtëzakonshme për të zhdukur ekzistencën e vet dhe të universit. Tashmë, në sajë të një arme shkatërrimi në masë, mund të fshish nga faqja e dheut vende e popuj. Duke manipuluar gjenet njerëzore, mund të nxirrni qenie krejt të ndryshme. Mund të vrisni fëmijët në barkun e nënës. Mund të bëni qitje mbi fëmijët. Mund të ndërtoni fusha të vdekjes, Gulaufe, Guantanamo, Ebu Garibë, Palestinë, Bosnjë, Çeçeni, Ruanda etj…

Çfarë do ta ndalojë njeriun? Ta supozojmë se Leviathani i kohës sonë është Amerika. Çfarë do ta ndalojë atë? Ta supozojmë se është Kina, Rusia apo Izraeli. Kush dhe si do t’i ndalojë këta kur të përdorin forcën?.. Thuhet: “Mirë që ka një ekuilibër force, sepse në këtë mënyrë nuk mund të përdoren armët e shkatërrimit në masë. Nëse njëri prej tyre e përdor, duhet të marrë parasysh se do i vërë flakën gjithë botës.

Shikoni pra këtë dilemë pa rrugëdalje! Duhet të zotërosh fuqi vdekjeprurëse, që jeta e njerëzve të vazhdojë! Në fakt, nuk është se njeriu nuk po kërkon vlera që do ta kapin për dore. Për sa i përket të drejtave njerëzore dhe rregullit universal, disa “Marrëveshje Universale”, mund të shihen si reflektimi i kërkimit të një “vlere mbizotëruese” në planin universal.

Nevoja për “vlera etike”, e cila kohët e fundit po përmendet shumë, pa diskutim që shpreh domosdoshmërinë e një vlere obliguese mbizotëruese. Mirëpo edhe ndjenja e vlerës etike mund të ngelet e pakuptimtë përballë njeriut, i cili ka prirjen të gdhendë gjithçka sipas vetes së tij. Për shembull, Amerika dhe Turqia janë dy shtete të cilat nuk e nënshkruajnë marrëveshjen e Kjotos. Marrëveshja e Kjotos cakton parimet e ruajtjes së ambientit dhe të ekuilibrit ekologjik. Pra, që të shpëtojë ajri, uji dhe të mbjellat. Që njeriu të mos helmohet kur të marrë frymë. Por me pretekste të ndryshme, si Amerika, ashtu edhe Turqia nuk e firmosin atë.

Një shembull tjetër, klonimi… Për shkak të “vlerave etike”, rrethi shkencor ende nuk e konsideron të drejtë këtë çështje. Por dikush nga krahu tjetër, duke vënë në lëvizje vlerat etike personale, mund ta legalizojë manipulimin me fatin e njerëzimit.

Feja…  Ajo i sjell të gjithë njerëzimit një vlerë mbizotëruese. Feja deklaron se përcaktuesi i këtyre vlerave, është “Krijuesi”. Feja ligjëron rregullin se të gjithë të fuqishmit janë të lidhur pas këtyre vlerave. Pra, Ai është zotëruesi i fuqisë absolute. Pranë fuqisë së Tij, askush dhe asnjë forcë nuk mund të shndërrohet në një Leviathan. Askush nuk ka të drejtë të bëhet Leviathan, qoftë në emër të Tij, qoftë kundër Tij. Ai nuk do që në tokë të ndodhin ngatërresa. Nuk do që njerëzit t’i kalojnë kufijtë. Çdo njeri dhe çdo forcë duhet të qëndrojë brenda “kufijve hyjnorë”. Ai që i kalon kufijtë do të përballet me pushtetin hyjnor. Në këtë pikë, një pjesë e dënimit është lënë për në “botën tjetër”. “Ndjenja e përgjegjësisë para Allahut”, është kuadri i edukimit kryesor i të gjitha feve. Por kjo nuk është pengesë për zbatimin e dënimeve brenda kornizës së “kufijve hyjnorë” në këtë botë. Ndërsa, në rastet kur nuk merren fare parasysh kufijtë hyjnorë, formohet një fushë force plotësisht e pakontrolluar, e cila quhet “tirani”. Dhe aty ku nuk janë marrë parasysh kufijtë hyjnorë, në çdo kohë kanë ndodhur tirani të papara.

Por, a s’mund të kthehen në përbindësha njerëzit, duke përdorur “kufijtë hyjnorë”? Sigurisht që mund të kthehen në përbindësha. Por edhe lufta me ta, përsëri mund të bëhet duke kujtuar kufijtë hyjnorë. “Allahu nuk e do tiranin dhe tiraninë!”

Në fakt, kërkimi i “vlerave etike” është kërkimi i fesë.

Njeriu që iku prej shtëpisë së Allahut, pasi u përplas sa andej këndej, e kuptoi se nuk mund ta vazhdojë jetën e tij kështu i vërvitur në vlera dosido dhe ndjeu nevojën për të disiplinuar vetveten. Dhe për të arritur këtë, në vend që t’u kthehet përsëri burimeve hyjnore, priret t’i prodhojë vetë vlerat. Ajo të cilën e quajmë “vlerë etike”, nuk është gjë tjetër veçse një orientim kah vlerat e përbashkëta të prodhuara nga njeriu.

Në fakt, të ashtuquajturat “vlera etike” zënë vend brenda një kuadri më gjithëpërfshirës, p.sh. brenda kritereve hyjnore. Por me kusht që të qëndrojnë të lidhura me vetëdijen e përgjegjësisë ndaj Allahut Teala…

Dijetarët islamë e kanë përkufizuar fenë me një shprehje shumë kuptimplote: “et-Ta’dhim li emril-lah ue’sh – shefkatu ala halkil-lah”, e cila do të thotë: “Pranimi dhe respektimi i ligjeve/rregullave të Allahut, si vlerat më të larta dhe mëshirë ndaj krijesave të Allahut”. Nga një anë, vërejmë një marrëdhënie që e sheh primare “mëshirën” ndaj të gjitha krijesave, një sistem shoqëror që ka për parim mëshirën dhe, nga ana tjetër, vërejmë dëshirën që kjo të arrihet me anë të besimit në Allahun, besnikërisë, lidhjes dhe respektit ndaj Tij… Që kontrolli i fuqisë të lidhet me “pushtetin hyjnor”… Në historinë islame, parimi që reflektonte rregullin shtetëror ishte ky: “Mos u mburr o padishah, Allahu është më i madh se ti!”

Ndërsa Allahu Teala i ka tërhequr vërejtje Pejgamberit tonë (a.s.), me këto fjalë:

“…Ti je vetëm këshillues dhe je i ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” (Gashije, 21-22.)

Përderisa edhe Pejgamberi (a.s.), nuk mund të jetë “detyrues” në marrëdhëniet fe-njeri, as klerikët fetarë nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Nëse i referohemi Kuranit Kerim, na bëhet e qartë se “kthimi në zot i klerikëve fetarë”, është një devijim i madh nga rruga hyjnore. (shih. et-Teube, 31.) Feja islame u ka vënë kushte të gjitha fushave të forcës jashtë Allahut Teala dhe burimin e lejes së tyre e ka kufizuar me llogarinë që do t’i jepet Allahut Teala. Në bazë të kësaj, çdo forcë është e detyruar të përdoret në atë mënyrë, që të mund të jetë e justifikuar përballë vullnetit hyjnor…

Jemi në një kohë kur mendja e njeriut është shumë e turbullt. Pyetja: Si do të pastrohet turbullira e mendjes së njeriut?, ka vetëm një përgjigje:

Duke u mbështetur në hartën e rrugës, që Krijuesi e ka përpiluar për njeriun me anë të Islamit… Nëse do ta shprehim me gjuhën kompjuterike, duke formatuar zemrën dhe mendjen… Duke u kapur përsëri pas dorës së Rasulallahut, Muhamed Mustafait sal-lallahu alejhi ue sel-lem…

Përktheu: Ilir Hoxha

 

 

 

 

Share.

Leave A Reply