Sheh Sadi Shirazi, në veprën e tij “Bostani”, që për­mban shumë tregime dhe fjalë të urta, tregon:

“Na ishte një përgjegjës shumë tiran dhe arrogant. Prej frikës së tij, edhe luani bëhej si luaneshë.

Një ditë, ky përgjegjës ra në një pus shumë të thellë dhe të ftohtë. Me të rënë aty, filloi të klithte me të madhe prej frikës dhe hallit në të cilin gjendej:

“A ka njeri aty? Ju lutem më shpëtoni, kam rënë keq? A s’ka njeri të më shpëtojë?” Vazhdoi të rënkonte dhe të përgjërohej në këtë mënyrë gjithë natën deri në sabah. Mirëpo, zërit të tij askush nuk ia vuri veshin , sepse të gjithë ata që e dëgjonin tregoheshin indiferentë për shkak të këqijave që kishte bërë.

Pasi kaloi një ditë e tërë, në mëngjesin e ditës tjetër, një person që e njihte po kalonte pranë pusit, dëgjoi rënkimet dhe përgjërimet e tij dhe u afrua me kureshtje te gryka e pusit. Sapo e pa fytyrën e përgjegjësit që ishte i famshëm për tiraninë e tij, e njohu menjëherë. Me një lëvizje të shpejtë, mori një gurë nga toka dhe e goditi përgjegjësin duke e plagosur në kokë. Ndërkohë i tha këto fjalë:

“Si je? Deri më sot a ke shkuar në ndihmë të dikujt që tani po kërkon ndihmë? Gjithmonë ke mbjellë farën e çnjerëzisë dhe nuk ke pasur kurrë mëshirë dhe dashuri. Ja pra, tani po mbledh frytet e hidhura të padrejtësive të tua. Kush do ta shërojë shpirtin tënd të plagosur? A mendoje ndonjëherë për shpirtrat e lënduar? Ti, a u bëre ndonjëherë diell për zemrat e lagura prej reve të hidhëri­mit dhe të ngrira prej të ftohtit, që tani po pret mëshirë? Jo! Përkundrazi ti gjithmonë ke hapur gropa në rrugën e lumturisë dhe qetësisë sonë. Dhe tani ke përfunduar në gropën që ke hapur vetë!”

Ja pra, ky është fundi i hidhur dhe vendi që ka në sytë e njerëzve ai që mendon keq për njerëzit, që lëndon shpirt­in e robërve të mirë të Allahut Teala dhe që nuk nguron t’i shpojë ata me gjembat e gjuhës së tij gënjeshtare.

Sheh Sadi, këtë tregim mësimdhënës, e përfundon me këto fjalë të urta:

“Për njerëzit, pusi (gropa) hapet për dy qëllime. (Një­ri me kuptimin e vërtetë të fjalës dhe tjetri me kuptim figurativ).

Njeriu me karakter të mirë, hap pus (gropë) për t’u ndihmuar të eturve të gjejnë ujë. (Ky është kuptimi i vër­tetë i fjalës të hapësh pusin (gropën).) Ndërsa një njeri me karakter të keq, hap pus (gropë), me qëllim që njerëzit të bien brenda. (Ky është kuptimi figurativ i fjalës dhe nën­kupton edhe kurthet që bëhen me të njëjtën qëllim.)

Mirëpo, nëse bën keq, mos prit mirë! Sado që të mundohesh, tameriksi që është një bimë pa fruta dhe rritet në shkretëtirë, nuk mund të japë fruta!

Ai që në vjeshtë mbjell elb, në verë nuk mund të korrë grurë! Nëse e njeh bimën e landrës (zekumit), mos shpreso që prej saj të hash fruta të ëmbël, sepse fruti i saj është i helmatisur.”

Mevlana Xhelaleddin Rumiu, duke iu drejtuar aty­re që u dëshirojnë të keqen njerëzve dhe tiranëve që e përdorin fuqinë dhe pushtetin për t’ bërë padrejtësi të tjerëve, thotë:

“O tiran! Me padrejtësinë tënde, je duke hapur një gropë, por dije se atë gropë po ia hap vetes. Të urtët kanë thënë se padrejtësia e tiranëve është një gropë e errët. Kush të jetë më tiran, ai e ka gropën më të errët dhe më të frikshme.”

Ndërsa drejtësia hyjnore paralajmëron për një dënim edhe më të madh. Të mjerët mos i pandeh pa ndihmës, por lexo prej Kuranit ajetin: “Kur të vijë ndihma e Alla­hut…” (en-Nasr, 1) Edhe elefant sikur të jesh dhe armiku yt t’ia mbathë prej frikës tënde, shpendët Ebabil do vijnë dhe do të gjejnë.” Pra, herët a vonë do ta marrësh dënimin për të keqen që ke bërë.

Nuk duhet harruar kurrë se njeriu është duke kon­sumuar një kapital jetësor, i cili mund të mbarojë nga çasti në çast si fija e perit që zhdërvillet prej bobinës. Ndërsa në ditën e kijametit, do të japë llogari një më një për të mirën dhe të keqen më të vogël që ka bërë gjatë gjithë jetës së kësaj bote.

Për këtë arsye, një mysliman nuk thyen zemra, nuk rrënon shpirtra dhe nuk harron kurrë se shpirti është vend shikimi hyjnor. Përkundrazi, e bën zemrën e tij vend­strehim ku gjejnë paqe dhe qetësi zemrat e lënduara dhe shpirtrat e lodhur. Ai e di shumë mirë se:

“Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (Fussilet, 46)

“Nëse bëni mirësi, e keni bërë për veten tuaj. E, nëse bëni keq, ia keni bërë po vetes…” (el-Isra, 7)

Historia është dëshmitare se ai që gjatë gjithë jetës ka mbjellë erë, si përfundim, gjithmonë ka korrur furtunë. Çfarë ka hedhur në pjatë, ajo i ka ardhur në lugë. Njerëzve të tillë, që për të jetuar të qetë, prishin qetësinë e çdokujt tjetër përveç të vetës, qejfet dhe pasionet e përkohshme të kësaj bote nuk kanë për t’u zgjatur shumë. Jeta luksoze e padrejtë e njerëzve si Faraoni dhe Nemrudi, nuk ka zgjatur më shumë se deri në varrin e tyre!..

Në lidhje me faktin se si do të mbijnë në botën tjetër farat e zullumit, që zullumqari ka hedhur në këtë botë, e cila është edhe ara e botës tjetër, Mevlana i nderuar shprehet:

“Nëse prej dorës tënde është lënduar një i pafajshëm dhe i është bërë keq, ajo e keqe bëhet një pemë në Xhe­henem dhe prej saj del fryti i zekumit (landrës). Nëse, kur të ka kapluar zemërimi ke thyer zemra dhe ke hedhur zjarr në shpirtra, ai zjarr do ta ndezë zjarrin e Xhehenemit.

Nëse zjarri i zemërimit tënd ka djegur njerëz në këtë botë, në botën tjetër zjarri i Xhehenemit që buron prej tij, do të të djegë ty. Në këtë botë, zjarri i zemërimit tënd u vërsulet njerëzve. Por në botën tjetër, zjarri i Xhehe­nemit që buron prej tij, përsëri do t’u vërsulet njerëzve, por kësaj here, ty. Kur në këtë botë të kaploi zemërimi dhe me fjalët e tua si gjarpërinj dhe akrepa ke pickuar njerëzit, në botën tjetër, ato fjalë do të kthehen në gjarpërinj dhe akrepa që do të të vërsulen ty.”

Për këtë arsye, të fitosh zemra, të sillesh mirë me nje­rëzit, t’i duash të mirën të gjithë njerëzimit dhe të zotërosh gjuhën e mëshirës, është shumë e rëndësishme.

Kur sahabët fisnikë shkonin tek Rasulullahu (a.s.) dhe i thoshin:

“O Rasulallah! Të jap besën se do të bëhem mys­liman.” Profeti ynë (a.s.), e pranonte këtë besë ose siç ishte, ose duke vënë disa kushte. Ndonjëherë, një nga kushtet që vinte, ishte:

“E pranoj besën tënde, me kusht që të sillesh mirë me të gjithë dhe të gjithëve t’u duash të mirën!”

Për të arritur këtë pjekuri shpirtërore, njeriu duhet të shohë prej dritares së kësaj të vërtete, që Mevlana i nderuar e ka shprehur në këtë bejte:

Qabeja është ndërtuar nga djali i Azerit,

Halil Ibrahimi,

Ndërsa shpirti, për Allahun e Madhëruar

është vend shikimi.

Zemra dhe shpirti kanë rëndësi të madhe në lumtu­rinë dhe paqen e njeriut. Prandaj dhe lëndimi i tyre me ndonjë të keqe, është konsideruar si një gjynah i madh nga të gjithë të mëdhenjtë e tasavufit. Mevlana i nderuar, në lidhje me vlerën e vërtetë të shpirtit, thotë këto fjalë:

“Shpirti i plagosur, të cilit nuk i jep vlerë as sa një fije kashte, është shumë më madhështor se ç’kujton. Edhe nëse është i pavlefshëm, ti mos e shih si të pavlerë! Ai, me pavlefshmërinë e tij, është më i larti prej të lartëve. Shpirti i plagosur, është qenia ku shikon Allahu Teala. Të ndreqësh shpirtin e thyer në dyqind copa, tek Allahu është më e vlefshme se çdo lloj mirësie që mund të bësh… Hesht! Edhe sikur në çdo qime të kesh dyqind gjuhë dhe të flasësh, përsëri shpirtin nuk mund ta tregosh.”

Profeti ynë i dashur (a.s.), i cili është poezia më e bukur e gjithësisë, zotëruesi i zemrës më të përsosur dhe më të mëshirshme, të gjithë njerëzimin e ka parë nga kjo dritare botëkuptimi. Përveç faljes së gabimeve dhe të këqijave që i janë bërë, është sjell mirë edhe me atë të cilit ia ka parë të keqen. Ka bërë dua dhe ka dëshiruar prej Allahut udhëzimin e tij. Ashtu si guaska e detit, që i dhuron perlën që mban brenda edhe atij që e godet me gurë, edhe Profeti ynë (a.s.), duke nxjerrë perlat e mëshirës prej zemrës së tij të sedeftë, u lut për udhëzimin e atyre që e goditën me gurë në Taif. Ai nuk i mallkoi as ata që i thyen dhëmbët e tij të bekuar dhe i plagosën fytyrën në Uhud, por u lut që ata të gjenin rrugën e drejtë. Gjithashtu, na mjafton si shembull edhe fakti se ai, për të mbrojtur nderin e fesë me të cilën erdhi, nuk kërkoi që populli i Mekës të shkatërrohej nga dënimi hyjnor, por dëshiroi që çdo njëri prej tyre të nderohej me islam.

Me një fjalë, ne që kemi fatin të jemi prej umetit të Profeti tonë (a.s.), që ishte dërguar si mëshirë për botët, e kemi për detyrë të përpiqemi që t’i përgjigjemi çdo të keqeje me të mirë dhe të marrim pjesë prej gjuhës së tij të mëshirës. Ky është arti i një zemre të pjekur dhe të përsosur.

Share.

Leave A Reply