Sadik Dana

Ebu’s-Suud bin Ebu’l-Ashairi këshilloi një mikun e tij:

“O vëlla! Allahu i Madhëruar të bëftë prej njësuesve të Tij, sepse ata nuk i bëjnë shirk Zotit.

Ata janë njerëz aq të pastër, saqë nuk njohin vështirësi.

Ata janë njerëz aq të sinqertë, saqë e keqja nuk mund t’u afrohet. Ata e përkujtojnë Allahun gjithmonë, madje me shumë lehtësi.

Ata përshtaten me çdo lloj gjendjeje dhe nuk merren me gjëra të padobishme.

Ata nuk kanë dhembshuri ndaj nefsit. Dispozitat fetare gjithmonë kanë përparësi për ta.

Ata janë asketë, kështu që nuk i drejtohen askujt tjetër përveç Allahut Teala.

Ata nuk bëjnë zënka, por janë të kënaqur nga gjendja në të cilën ndodhen. Ata i mëshirojnë njerëzit dhe nuk janë të ashpër ndaj tyre.

Punët e tyre janë këshilla për njerëzit dhe jo shtirje.

Turpërimi nga Allahu i Lartësuar është pothuajse e vetmja gjë me rëndësi për ta. Madhështia e Zotit (xh.xh.), është para syve të tyre.

O vëlla! Përsëri i lutem Allahut Teala që të të bëjë prej atyre të cilët i binden vazhdimisht Atij!

Ata i gëzon vetëm kënaqësia e Allahut të Madhëruar, jo ajo që i pëlqen nefsit.

Ata i janë dorëzuar shpirtërisht Allahut të Lartësuar. Ata janë bërë të atillë që nuk kanë urrejtje dhe zemërim të pavend.

Gjithmonë ndjekin të Dërguarin e Allahut, sallallahu alejhi ve sellem dhe zbatojnë çdo urdhër të Tij. Të gjithë sahabët e Pejgamberit (s.a.s.), i përkujtojnë me mëshirë, ndjejnë dashuri ndaj të afërmve të Pejgamberit dhe i pranojnë virtytet e njerëzve të mëdhenj që kanë jetuar në të kaluarën.

Suu’dh-dhan, domethënë të menduarit keq për të tjerët, është shumë larg tyre. Veçanërisht për besimtarët, domethënë, për ata që i besojnë Allahut, pejgamberëve, engjëjve, librave të Tij dhe Ditës së Gjykimit.

Ata nuk mendojnë keq për asnjë. Ata kanë vetëm dhembshuri dhe mëshirë.

Stolitë e kësaj bote nuk janë të rëndësishme për ta. Për ta, më i forti i dynjasë, nuk është më i forti i vërtetë, më i pasuri, nuk është më i pasuri i vërtetë dhe sulltani nuk është sulltani i vërtetë.

Ata ndjejnë keqardhje ndaj atyre që përpiqen për të zhvatur ndonjë gjë nga kjo botë dhe ndaj atyre që gëzohen pasi të zhvatin dhe të marrin. Shkaku është ky: e dinë se asnjë gjë e kësaj bote nuk është e përhershme dhe se herët apo vonë, do të ndodhë ndarja.

Ata i besojnë pjesës që është ndarë për ta dhe e dinë se ajo që është përcaktuar për ta do të vijë patjetër. Veçanërisht, shqetësimi për këtë çështje është shumë larg tyre.

Ata nuk kanë frikë nga asnjë krijesë. Kanë përparuar aq shumë në moral, saqë nuk kanë asnjë cilësi të keqe. Veten e tyre e kanë privuar nga kjo botë, duke e kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme.

Ata përpiqen që t’ua bëjnë të dashur Allahun robërve të Tij, duke i bërë të vrapojnë në bindje ndaj Zotit, duke i bërë të pohojnë mirësitë që u janë dhënë, duke i bërë të kërkojnë falje për gabimet e tyre dhe veçanërisht duke i bërë të shërbejnë vazhdimisht për hir të Tij.

Ja pra vëlla, unë dua të bëhesh prej këtyre. Allahu Teala i ka bërë këta njerëz të tillë, që nuk i shtrijnë duart te pasuria e njerëzve. Duart dhe gjuha e tyre nuk u bëjnë dëm njerëzve.

Myslimanët jetojnë shumë lehtë me ta. Të keqes nuk i përgjigjen me të keqe, por falin. Ja pra, e gjithë shpresa dhe lutja ime është që ti të bëhesh njëri prej këtyre. Allahu ta mundësoftë këtë! Amin! Amin o Zot!”

Imam Sharani ka thënë:

“Të gjitha fjalët e miqve të Zotit përmbajnë moral të lartë, por fjalë kaq përmbledhëse nuk kam parë në asnjë vend. Edhe veprat e të Nderuarit Ahmed Rifaiut janë shumë të larta nga aspekti i moralit. Allahu Teala qoftë i kënaqur prej të dyve!..”

Le ta përfundojmë temën tonë me fjalët shumë të vlefshme të Hazretit Ebu’s-Suud bin Ebu’l-Ashair, i cili ka thënë:

“Ji vetvetja, mos ji neglizhent ndaj Zotit (xh.xh.) dhe adhuroje Atë me të vërtetë!

Mos u bëj prej atyre të cilët merren me pamjet e jashtme të ibadetit dhe e harrojnë Zotin (xh.sh.), i cili është qëllimi në ibadet!

 

 

 

Share.

Leave A Reply