I Dërguari i Allahut (a.s.) në një hadith thotë:
“Ata që mëshirojnë, do t’i mëshirojë Allahu i Lartë i cili është i Mëshirshëm, Rahman. Mëshironi dhe kini dhembshuri ndaj atyre që janë në tokë , që t’ ju mëshirojnë ata që janë në qiell.” (Tirmidhi, Birr, 16/1924) Shenjat më prekëse dhe më të thella të dhembshurisë dhe mëshirës së gjerë që posedonte Pejgamberi i Allahut janë: lejimi për të shkurtuar namazin me qëllim që nëna sa më parë të arrijë te fëmija, me qëllim që fëmija të mos bjerë në ndonjë situatë të vështirë, lotët që Ai derdhte në net të tëra duke u lutur për umetin, ndjekësit e Tij, harxhimi i gjithë kohës për të shpëtuar njerëzit nga zjarri i Xhehenemit.
Meqë Hazreti Pejgamberi është i dërguar mëshirë për të gjithë botët, dashuria dhe mëshira e Tij e gjerë përfshin çdo gjallesë. Një ditë kërkuan nga Ai që të mallkojë, kurse Ai u përgjigj e tha:
“Unë nuk jam i dërguar në botë për mallkim, unë jam pejgamber i mëshirës. (Muslim, Fedail, 126; Tirmidhi, Deavat, 118)
Kur vajti në Taif për të kumtuar Fenë Islame, politeistët injorantë dhe populli egoist i Taifit e gjuajtën me gurë. Meleku i shpalljes, Xhebraili erdhi dhe i tha të Dërguarit të Allahut (a.s.):
“A dëshiron ta shkatërroj këtë popull duke i përplasur me njëri tjetrin këto dy male?” I Dërguari i Allahut (a.s.) nuk u pajtua dhe iu përgjigj:
“Jo, i lutem Zotit të Vërtetë që t’i bëjë pasardhësit e tyre një soj i cili do të adhurojë Allahun dhe nuk do t’ i bëjë shokë Atij në besim…”(Buhari, Bed’u’l-halk, 7; Muslim, Xhihad, 111)
Profeti i është lutur Zotit të Lartë për popullin e Taifit, popull ky i cili e nxori Atë nga qyteti i tyre duke e gjuajtur me gurë dhe i solli dëme të mëdha myslimanëve deri në vitin e 9-të të Hixhretit, me këtë lutje:
“O Zot! Udhëzoje fisin Sakif! Bëri ata që të vijnë tek ne!”
Në fund, lutja e Profetit u pranua dhe populli i qytetit të Taifit do të pranojë Fenë Islame. (Ibni Hisham, IV, 134; Tirmidhi, Menakib, 73/3942)
Ebu Usejdi (r.a.) një ditë erdhi tek Pejgamberi ynë me disa pengje të sjellë nga Bahrejni. I Dërguari i Allahut vërejti një grua penge që vajtonte dhe e pyeti:
“Ç’ke që po qanë?”
Gruaja u përgjigj:
“Ky njeri më shiti birin tim.”
I Dërguari i Allahut e pyeti Ebu Usejdin:
“A me të vërtetë e ke shitur birin e saj?”
“Po” u përgjigj sahabiu. Atëherë Pejgamberi e pyeti:
“Kujt ia ke shitur?”
Sahabiu tha:
“Bijve të Absit”
Atëherë i Dërguari i Allahut urdhëroi e tha:
“Menjëherë shalo kalin, shko dhe sjellja gruas të birin.”.27
Ummu’l Kajs bint Mihsan rrëfen:
“Më kishte vdekur djali. Për këtë shkak isha mërzitur shumë, dhe nën emocione iu drejtova personit i cili bënte larjen e djalit dhe i thashë:
“Mos e laj birin tim me ujë të ftohtë, do ta mbysësh atë!”
Ukashe (r.a.) me njëherë vrapoi dhe lajmëroi Profetin për atë që kisha thënë unë. Pejgamberi i Allahut (a.s.) buzëqeshi e tha:
“Nëse ka thënë ashtu, atëherë do t’i zgjatet jeta”
Përcjellësi i hadithit, thotë: “Ne nuk dimë që dikush tjetër të ketë jetuar sa kjo grua.” (Nesai, Xhenaiz, 29)
Mëshira dhe dhembshuria e të Dërguarit të Allahut (a.s.) ishin cilësi gjithëpërfshirëse. Ai një ditë kishte thënë:
“Betohem në Allahun, në duart e të cilit është shpirti im, se nuk do të hyni në Xhenet gjersa nuk duheni ndërmjet vete.”
Shokët e Tij të ndershëm thanë:
“Të gjithë jemi të mëshirshëm, o i Dërguar i Allahut”.
I Dërguari i Allahut (a.s.) tha:
“Mëshira për të cilën e kam fjalën unë, nuk është mëshira që kuptoni ju, mëshirë vetëm ndërmjet jush. Por, është mëshirë që i përfshin të gjitha krijesat, po, mëshirë që i përfshin të gjitha krijesat!” (Hakim, IV, 185/7310)