Doç. Dr. Kerim Buladë

Bindja ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), është farz / obligim për të gjithë besimtarët. Në Kuranin Fisnik theksohet qartazi se bindja ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), është e domosdoshme.[1] Në shumë ajete, pasi Allahu Teala urdhëron bindjen ndaj Tij, kërkon që besimtarët t’i binden edhe të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).[2] Kurani nuk e ka ndarë bindjen ndaj Allahut me bindjen ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ai e ka pranuar bindjen ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), si bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Përveç të tjerash, kundërshtimin që mund të bëhet ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), e ka pranuar si kundërshtim ndaj Allahut (xh.sh.). Në lidhje me këtë çështje, në Kuranin Fisnik thuhet: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre.”[3]

Allahu Teala ka urdhëruar bindjen ndaj të Dërguarit të Tij (s.a.s.). Nëse dikush i bindet të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i është bindur Allahut Teala, sepse ai që i bindet të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ka zbatuar urdhrin e Allahut të Madhëruar. Në një ajet thuhet: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.”[4] Siç shikohet, Allahu Teala e ka bërë prej kushteve të besimit bindjen ndaj Pejgamberit (s.a.s.). I Dërguari i Allahut (s.a.s.), urdhëron bindje vetëm ndaj Allahut Teala. Për këtë arsye, nëse dikush i bindet të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe e zbaton urdhrin e tij, i është bindur Allahut, azze ve xhelle. Sipas disa transmetimeve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë kur ka qenë në Medine: “Kush me do mua, do Allahun. Kush më bindet mua, i bindet Allahut.”[5] Kur politeistët e akuzuan të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), në lidhje me këtë çështje, Allahu Teala zbriti këtë ajet me synimin për ta vërtetuar fjalën e Hz. Pejgamberit: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre.”[6][7]

Në lidhje me çështjen e bindjes për të cilën bëhet fjalë në ajet me shprehjen: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!..”, është bërë një shpjegim i tillë: “Bindjuni Allahut në gjërat që janë farz dhe bindjuni të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në çështjet që janë sunet.” Ndërsa edhe një shpjegim tjetër është kështu: “Bindjuni Allahut për gjërat që ka urdhëruar dhe ndaluar në Librin e Tij. Bindjuni të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në çështjet që ka urdhëruar dhe ndaluar në sunetin e tij. Bindjuni Allahut në çështjet që ka urdhëruar dhe bindjuni të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në çështjet që ka predikuar.”[8]

Besimtarët e kanë obligim t’i binden të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në çështjet që ka shpjeguar, predikuar, urdhëruar, zbatuar dhe aprovuar, sepse çdo gjë që ai ka thënë apo çdo gjë që ka bërë në lidhje me fenë, është thënë dhe është bërë nën mbikëqyrjen e revelatës hyjnore. Specifika më e rëndësishme që Kurani e kërkon nga ata që i besojnë Allahut dhe ahiretit është që ta marrin për shembull Hz. Pejgamberin. “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” [9] Nëse besimtarët nuk i binden të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), e kanë të pamundur ta marrin për shembull dhe ta pranojnë si të tillë atë. Ai që e do atë, i bindet, i jep besën dhe ecën në rrugën e tij. Pa iu bindur atij dhe pa e zbatuar sunetin e tij, nuk mund të arrihet dashuria ndaj tij.

Në ajete të ndryshme Allahu i Lartësuar shprehet se ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij do të korrin një sukses të madh, do të shpëtojnë dhe do të fitojnë xhenetin:

“Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që kanë frikë nga Allahu e i përkushtohen Atij, do të jenë të fituarit e vërtetë.”[10] “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”[11] “Nuk është gjynah për të verbrin, as për të çalin, as të sëmurin (që të mos marrin pjesë në luftë). Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të shkojë në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, kurse ai që shmanget, do të ndëshkohet me dënim të dhembshëm.”[12]

Siç kuptohet plotësisht qartë nga ajetet e mësipërme, besimtari mund të korrë sukses në këtë botë provizore dhe mund të fitojë lumturinë e përhershme në ahiret vetëm duke iu bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Jeta islame nuk mund të imagjinohet pa bindjen ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), domethënë, duke e përjashtuar Sunetin e Hz. Pejgamberit. Kurani Fisnik kuptohet dhe shndërrohet në një libër jetësor në sajë të sunetit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

[1] Al Imran, 3/33; Nisa, 4/59; 59, Maide, 5/92; Enfal, 8/1.

[2] Al Imran, 3/ 33, 132; Nisa, 4/69, 59; Tevbe, 9/71; Ahzab, 33/71 etj.

[3] Nisa, 4/80.

[4] Nisa, 4/59.

[5] Buhari, Ahkam, 1; Muslim, Imaret, 32-33.

[6] Nisa, 4/80.

[7] Ebu Mansur Muhammed b. Muhammed el-Maturidi es-Semerkandi, Te’vilatu’l-Kur’an, Kontrolloi, Bekir Topalogllu-Muhammed Bojnukallën, Stamboll, 2005, III, 244.

[8] Ebû Mansûr Muhammed b. Muhammed el-Mâtürîdî es-Semerkandî, Te’vilatu’l-Kur’an, III, 292.

[9] Ahzab, 33/21.

[10] Nur, 24/52.

[11] Ahzab, 33/70-71.

[12] Fet’h, 48/17.

Share.

Leave A Reply